11. Hud · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Hud Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Junus, ajete: 123

Allahu e di më së miri, por si duket, kjo kaptinë e merr emrin Hud, me qëllim të përjetimit të përpjekjeve fisnike të atij pejgamberi, i cili me të gjitha fuqitë e veta, u përpoq ta sjellë atë popull në rrugën e drejtë. Ishte popull arrogant, ngase ishte shumë i zhvilluar fizikisht dhe si i tillë u mashtrua, duke mos iu përulur asnjë këshille të Hudit, të cilat ua solli prej Zotit të madhëruar, dhe si rrjedhojë e kokëfortësisë së tyre, pësoi ndëshkimin nga një erë e fuqishme që i shkatërroi në tërësi.

Kaptina fillon me madhështinë e ajeteve të Kur'anit, të radhitura në mënyrën më të përsosur, me çka dokumentohet se është shpallje nga Zoti, Krijues i gjithësisë, Njohës i të gjitha çështjeve e sendeve në qiej e në tokë.

Parashtron natyrën e thirrjes islame, e cila, për dallim nga rruga që ndjekin të humburit, ndjek rrugën e argumenteve e të logjikës.

Në këtë kaptinë flitet mbi jetën dhe veprimtarinë e disa pejgamberëve si të Nuhut, Hudit, Salihut, Lutit, Shuajbit e Musait.

Parashtrimi i lajmeve për jetën dhe veprimtarinë e pejgamberëve, për vuajtjet dhe vështirësitë që i përjetuan ata gjatë kryerjes së detyrës së tyre, për qëndrueshmërinë dhe durimin e pashoq të tyre, kishin për qëllim, përforcimin, qetësimin dhe lehtësimin e vuajtjeve të pejgamberit Muhammed, të vuajtjeve të tij të cilat i përjetonte prej kurejshitëve, e posaçërisht të asaj periudhe kur i vdes axha i tij Ebu Talibi, i cili ishte kështjellë mbrojtëse nga armiqtë e jashtëm, dhe kur i vdes bashkëshortja (Hatixhe) e ndershme, ku ai gjente, pas lodhjeve që i përjetonte, vendpushim dhe vendqetësim në shtëpi e disponim shpirtëror që ia krijonte bashkëshortja e vet. Kaptina përfundon me qëllimin e rrëfimit të jetës së vëllezërvë pejgamberë që ishin para Muhammedit, e duke u drejtuar me urdhëra, udhëzime e këshillime Muhammedit dhe ymmetit të tij.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:1–11:11

Kur'ani është libër i famshëm, me radhitje precize dhe sqarime të thukta nga vetë i madhi Zot që çdo send di në hollësi. E dërgoi Muhammedin t'ju thotë njerëzve: të mos adhuroni tjetërkë pos Allahut, të kërkoni falje për mëkate dhe të pendoheni për punët e këqia, kurse Ai do t'ju mundësojë jetë të mirë dhe do t'ju shpërblejë. Muhammedi kishte për detyrë t'ju tërheqë vërejtjen i refuzuesve, e t'i përgëzojë respektuesit.

Të mos mashtrohet kush se mund të fshehë diçka prej Zotit, Ai i di të gjitha. Nga mëshira e Tij, i ka garantuar furnizimin çdo gjallese. Ai është që krijoi qiej e tokë në etapa, e sikur të dëshironte do t'i krijonte për një moment. Para tyre ishte i krijuar Arshi dhe uji. Arshi ekzistonte, por për përshkrimin e tij nuk dijmë asgjë, nuk dijmë as për qëndrimin as për mbizotërimin e Allahut ndaj tij.

Të gjitha këto krijesa Zoti i krijoi sipas dëshirës së vet, i krijoi edhe njerëzit për t'i sprovuar, me qëllim për t'u dalluar i miri dhe i keqi, e më në fund për ta shpërblyer secilin sipas meritës.

Njerëzit me karakter të dobët janë ata që, kur i godet ndonjë e pakëndshme, dëshpërohen, dhe nuk falënderojnë Zotin për të mirat, por u rritet mendja dhe mbyten e zhyten në mburrje e krenari: janë për t'u lakmuar ata që kanë karakter stabil, janë të durueshëm në fatkeqësi, janë mirënjohës për begati dhe vazhdojnë me punë të mira, pra janë besimtarë të denjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:1–11:4

- Elif, Lam, Ra. - Për sa i përket shpjegimit të gërmave të shkëputura në fillim të sureve, është folur gjerësisht në suren Bekare. Allahu i jep sukses atij që dëshiron. - Ky është Libër, ajetet e të cilit u zbritën plot urtësi, dhe pastaj u shtjelluan nga ana e Atij që është i Urtë e i Gjithëditur. - Ato janë të qarta në tekstin dhe formulimin e tyre dhe të kuptueshme në kumtet që përcjellin. Kur 'ani është një libër i plotë qoftë në formulimin e tekstit, qoftë në kuptimet e tij. Kështu e kanë shpjeguar Muxhahidi dhe Katade. Edhe Ibn Xheriri e ka përzgjedhur këtë si shpjegim të ajetit. Allahu i Lartësuar thotë: “ ...u shtjelluan nga ana e Atij që është i Urtë e i Gjithëditur.” Domethënë, nga Ai që është El Hakim, i Urti në fjalët dhe në veprat e Tij. Ai është i Gjithëditur për përfundimin e çështjeve dhe për detajet e tyre. - ...që të mos adhuroni asgjë tjetër, përveç Allahut. - Që ta adhuroni dhe ta njësoni Allahun e Lartësuar në adhurimet që i përkushtoni Atij. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!”” [Enbija 25], ose: “Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni shejtanëve (adhurimit të tyre) !”...” [Nahl 36]. - Dijeni mirë se unë jam i dërguar prej Tij për t'ju qortuar e përgëzuar - Unë ju paralajmëroj për një ndëshkim të madh, nëse ju kundërshtoni Shpalljen e Allahut. Po ashtu, unë ju përgëzoj për shpërblime të shumta dhe mirësi të mëdha, nëse ju i bindeni Allahut dhe ndiqni Shpalljen e Tij. Sipas një hadithi të saktë: 1480. “Profeti i Allahut u ngjit në kodrën e Safasë dhe thirri të gjithë familjet e kurejshëve, duke filluar me më të afërmit. Pasi ata u grumbulluan, ai tha: “O kurejshë, nëse unë ju njoftoj se një ushtri me kalorës ka për t’ju kapur në befasi në mëngjes dhe ka për t’ju luftuar, a do të më besonit?” Ata thanë: “Nuk dimë të na kesh gënjyer ndonjëherë.” Atëherë Profeti ﷺ tha: “Kështu, unë po ju paralajmëroj se përpara ju pret një ndëshkim i ashpër.” - Dhe (t'ju këshilloj) që ju t’i kërkoni falje Zotit tuaj dhe të ktheheni tek Ai të penduar - Unë ju urdhëroj që t’i kërkoni falje Allahut, të pendoheni sinqerisht para Tij dhe të jeni të vazhdueshëm në këtë rrugë. - që Ai t'ju mundësojë të kënaqeni me përjetime të bukura deri në një afat të caktuar - Në mënyrë që Ai t’ju japë mirësi të shumta dhe të këndshme në jetën e kësaj bote, deri në një afat të caktuar. - dhe pastaj çdo punëmiri t’i japë mirësinë që i takon. - Çdo mirëbërësi, Ai ka për t’i dhënë shumë në ahiret, prej mirësisë dhe bujarisë së Tij, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira.” [Nahl 97]. Në hadith të saktë thuhet se: 1481. “Profeti i Allahut i tha Muadhit: “Sa herë që bën ndonjë shpenzim, me të

cilin synon kënaqësinë e Allahut, ti ke për t’u shpërblyer; madje edhe për një kafshatë që vendos në gojën e bashkëshortes.” Për fjalën e Allahut të Lartësuar “...dhe pastaj çdo punëmiri t’i japë mirësinë që i takon...”, Ibn Xheriri sjell shpjegimin e Ibn Mesudit: “Kush bën një vepër të keqe, atij i shkruhet vetëm një vepër e keqe. Ndërsa kush bën një të mirë, atij i shkruhen si dhjetë punë të mira. Nëse ndëshkohet në jetën e kësaj bote për një të keqe që ka bërë, atij kanë për t’i mbetur 10 të mira. Nëse nuk ndëshkohet në këtë jetë për atë të keqe, atëherë, nga dhjetë të mirat që ka bërë i hiqet vetëm një e mirë dhe i mbeten nëntë të mira të tjera.” Pastaj tha: “I shkatërruar është ai që e shkatërrojnë gjynahet, të cilat llogariten një me një, kundrejt të mirave, të cilat llogariten të paktën një me dhjetë!” - E nëse ata refuzojnë, thuaju: “Unë kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe. - Ky është një kërcënim i ashpër për të gjithë ata që mohojnë Shpalljen e Allahut dhe nuk nënshtohen për të zbatuar urdhëresat e Tij. Allahu i Lartësuar ka për t’i dhënë një ndëshkim, dhe ky ndëshkim nuk mund të shmanget kurrsesi. Ai thotë: - Vetëm tek Allahu është kthimi juaj - Tek Allahu është premtimi dhe kthimi i juaj të gjithëve, në Ditën e Kijametit. - dhe Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. - Allahu është i Plotpushtetshëm t’u dhurojë të dashurve dhe adhuruesve të Tij të sinqertë begati, me bujarinë e Tij. Ai është i Plotpushtetshëm, gjithashtu, që të godasë me zemërimin dhe ndëshkimin e Tij mbi armiqtë dhe ata që i kundërvihen besimit dhe besimtarëve të Tij. Ai është i Plotpushtetshëm për t’i ringjallur të gjitha krijesat në Ditën e Kijametit. Të gjitha këto janë kërcënime të frikshme, sikundër në fillim të ajetit kishim përgëzime për punët e mira. Kështu, këtu janë bashkë inkurajimi dhe përgëzimi për punët e mira dhe kërcënimi për punët e këqija.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:1–11:4

- Elif, Lam, Ra. (Ky është) Libër ajete e të cilit u zbritën plot urtësi...” - Allahu i Lartësuar thotë se ajetet e këtij libri madhështor dhe plot mirësi janë përkryer dhe zbritur në formën më të plotë, të urtë dhe me përpikmëri. Kumtet e këtij libri janë të vërteta, ndërsa urdhëresat dhe ndalesat e tij janë të drejta. Teksti i tij është zbritur në gjuhën më të pastër dhe shumë të pasur arabe, ndërsa kuptimet e tij janë të thella dhe të mrekullueshme. Ajetet e tij janë plot urtësi. - “...dhe pastaj u shtjelluan nga Ai që është i Urtë e i Gjithëditur....” - Ky libër është shtjelluar në mënyrën më të bukur nga Ai që është i cilësuar si Hakim - i Urti, që vendos gjithçka në vendin e vet. Ai urdhëron dhe ndalon veçse me urtësi dhe drejtësi absolute. Allahu është gjithashtu El Habir - i Gjithëdituri, i Cili shikon dhe di

hollësisht gjithçka që shfaqet ose që mbahet e fshehur. Nëse është Allahu i Urtë dhe i Gjithëditur Ai që e ka përkryer, shtjelluar dhe qartësuar këtë libër, atëherë mos pyet për madhështinë, bukurinë dhe mrekullitë e tij! E çfarë të pyesësh për një Libër, që është i mbushur plot me urtësi dhe me mëshirë gjithëpërfshirëse?! I Lartësuari e shpalli këtë Libër me një qëllim madhor: - “...(Ai u shpall) që të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Allahut.” - E shpalli që adhurimet t’i kushtohen vetëm Allahut, si Një, i Vetëm dhe i Pashoq. E zbriti që robërit të mos adhurojnë asgjë tjetër veç Allahut të Madhëruar. - “Dijeni mirë se unë jam i dërguar prej Tij për t'ju qortuar e përgëzuar...” - Kuptimi: O njerëz, mësojeni dhe jini të bindur se unë jam i dërguari i Zotit tek ju si nedhir – qortues dhe beshir - përgëzues. Jam qortues për ata që marrin guximin të kundërshtojnë e të bëjnë gjynahe, duke i paralajmëruar për ndëshkimin e madh në dynja dhe në ahiret. Nga ana tjetër, për ata që pendohen e dorëzohen, që e adhurojnë Zotin e tyre si Një e të Vetëm, me sinqeritet dhe sipas porosive të Tij, unë jam përgëzues, duke u treguar shpërblimin e madh në dynja dhe ahiret. - “Dhe (t'ju këshilloj) që ju t’i kërkoni falje Zotit tuaj dhe të ktheheni tek Ai të penduar,” - Ky libër është shpallur që ju t'i kërkoni falje Zotit tuaj për çdo gjynah e mosbindje ndaj Tij dhe që vazhdimisht të pendoheni para Tij, duke vendosur të vazhdoni jetën që ju ka mbetur në bindje e përkushtim ndaj Tij. Të pendoheni sinqerisht, duke hequr dorë nga gjithçka që Zoti juaj nuk e do dhe të vendosur për t'iu përkushtuar tërësisht gjërave që e kënaqin Atë dhe që Ai i dëshiron prej jush. Pastaj i Madhëruari tregon shpërblimin për njerëzit, nëse kërkojnë falje dhe pendohen sinqerisht: - “që Ai t'ju mundësojë të kënaqeni me përjetime të bukura deri në një afat të caktuar dhe pastaj çdo punëmiri t’i japë mirësinë që i takon.” - Ai ka për t'ju dhuruar plot mirësi dhe begati, që ju të kënaqeni dhe të përfitoni prej tyre, deri në afatin e përcaktuar, domethënë deri kur t’ju vijë vdekja. Gjithashtu, jini të sigurt se kushdo që bën vepra të mira dhe jeton sipas porosive të Zotit ka për t’u nderuar me bujarinë dhe mirësinë e Tij të pakufijshme, duke iu mundësuar çdo mirësi e dynjasë dhe e ahiretit dhe duke u mbrojtur nga çdo e keqe e dynjasë dhe e ahiretit. - “E nëse ata refuzojnë, thuaju: “Unë kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe." - Nëse i ktheni shpinën kësaj ftese, e aq më keq ta konsideroni si trillim e gënjeshtër, kam frikë se do t’ju kapë ndëshkimi i Ditës së Madhe. Ajo është Dita e Kijametit, kur Allahu i Lartësuar do të tubojë të parët dhe të fundmit dhe do t'i shpërblejë sipas veprave të tyre. Nëse kanë punuar mirë, do t'i shpërblejë me mirësinë e bujarinë e Tij, e nëse kanë punuar keq, do t'i ndëshkojë me drejtësinë e Tij. - “Vetëm tek Allahu është kthimi juaj dhe Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” - Ky është argument se Allahu i Madhëruar do t'i ringjallë të vdekurit. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. I Lartësuari na ka njoftuar se do t'i ringjallë dhe llogarisë me drejtësi të gjithë, dhe kjo është diçka që do të ndodhë patjetër. Për këtë tregon jo vetëm Shpallja e Zotit, por edhe logjika pastër dhe e shëndoshë.

← Hud 11:1