11. Hud · Ajeti 24 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:12–11:24

Idhujtarët i thonin Muhammedit t'u sjellë ndonjë pasuri të madhe ose ndonjë engjëll, i cili do të dëshmojë për të, e u tallnin me shpalljen - Kur'anin që i vinte prej Zotit. Për të mos u demoralizuar Muhammedi, Zoti i thotë që të mos u vërë veshin thënieve të tyre, të vazhdojë me komunikimin e Kur'anit, edhe pse ata do t'i thonë se ai e ka trilluar vetë dhe se ai nuk është fjalë e Zotit. Nëse është trillim i Muhammedit, le të trillojnë edhe ata diçka të ngjashme, e nëse nuk mundin, le të dorëzohen.

Kush ka për qëllim vetëm përjetimet e kësaj bote, mund t'i plotësohet dëshira, nëse kjo është edhe dëshirë e Allahut, por jo domosdo. Pak më qartë rreth kësaj çështjeje flet ajeti 118 i kaptinës Israë, e edhe ajeti 20 i kaptinës Shura. Njeriut të tillë nuk i mbetet asgjë, pos zjarrit në botën tjetër.

Rrugën e ndritshme, të mbështetur në argumente të Allahut, e vërteton edhe Kur'ani, edhe Xhibrili, edhe librat e mëparshëm siç është Tevrati i Musait, pra të mos brengosin as ty, as besimtarët, shpifjet e atyre që nuk janë besimtarë. Ata janë zullumqarë të vërtetë, për zullumin e tyre, ditën e gjykimit para Zotit do të dëshmojnë pejgamberët, njerëzit dhe melaiket. Ata menduan se do t'i shpëtojnë dënimit, por u doli e kundërta, ngase dënimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, sepse ata as nuk dëgjuan me vemendje Kur'anin, as nuk vërejtën seriozisht faktet konkrete. Eshtë edhe më keq për ata, sepse veprat e tyre janë pa kurrfarë vlere.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:23–11:24

- Ata të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira dhe i përulen Zotit të tyre - ata do të jenë

banorë të Xhenetit përjetë. - Pasi Allahu i Lartësuar përmendi gjendjen e fatkeqëve, vijon me gjendjen e fatbardhëve të lumtur. Këta janë ata të cilët besojnë dhe bëjnë punë të mira sipas këtij besimi. Ata iu largohen ndalesave të Zotit dhe ligësive dhe, për këtë, atyre iu lihen në trashëgim kopshtet e Xhenetit, të cilët janë të mbushur me dhoma të larta. Ata përgëzohen me të gjitha mirësitë që ndodhen në Xhenet, mirësi të cilat janë të përhershme dhe të pafundme. Gjithashtu, ata përgëzohen se do të shikojnë Krijuesin e Tokës dhe të qiejve. Në vijim, Allahu i Lartësuar jep një shembull për mohuesit dhe besimtarët: - Këta dy grupe (njerëzish) mund të krahasohen me të verbrin dhe shurdhin përkundër atyre që shohin e dëgjojnë. - Shembull i të dëshpëruarve e të humburve janë të verbërit dhe të shurdhërit. Ndërsa fatbardhët e lumtur janë si ai që shikon dhe dëgjon. Kështu, ai që refuzon të pranojë besimin është i verbër dhe nuk mund ta dallojë të vërtetën. Ai nuk mund ta shohë të vërtetën dhe të nënshtrohet sipas saj. Ai është, gjithashtu, i shurdhër, sepse nuk arrin të dëgjojë atë që i sjell dobi dhe që rregullon gjendjen e tij. Allahu i lartësuar ka thënë: “Nëse Allahu do të kishte parë tek ata ndonjë të mirë, do t’i kishte bërë, vërtet të dëgjonin. Por edhe sikur t’i bënte të dëgjonin, ata do të sprapseshin dhe do të kundërshtonin.” [Enfal 23]. Ndërsa besimtari është i zgjuar dhe i mençur. Ai arrin ta shohë qartë e mirë të vërtetën. Ai e dëgjon me kujdes e respekt atë dhe me synimin e çiltër për të qenë i nënshtruar ndaj saj. Besimtarin kurrsesi nuk mund ta mashtrojë kotësia. - A janë njëlloj këta? A nuk po kujtoheni?! - Atëherë, a mund të jenë njëlloj këta të dy? A nuk nxirrni mësim dhe të arrini të bëni dallimin mes këtyre dy llojeve të njerëzve?! Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u bëni si ata që e harruan Allahun e prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të shfrenuarit. Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit. ” [Hashër 19, 20]. dhe thotë: “I verbri dhe ai që sheh nuk janë njëlloj. Dhe as errësirat dhe drita. Dhe as hija (e freskët) dhe nxehtësia. Dhe nuk janë njëlloj të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë atë që Ai do, kurse ti nuk mund ta bësh të dëgjojë atë që është në varr. Ti je veçse një qortues. Ne të dërguam ty me të vërtetën, si përgëzues e qortues. Dhe në çdo popull Ne kemi dërguar qortues.” [Fatir 19 - 24].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:23–11:24

- “Ata të cilët besojnë, bëjnë vepra të mira dhe i përulen Zotit të tyre...” - Allahu i Madhëruar i përshkruan këta fatlumë me disa cilësi. Së pari, ata besojnë me zemrat e tyre, duke pohuar e pranuar çdo gjë që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar, qofshin parime themelore të fesë, rregulla apo ligje të saj. Së dyti, ata bëjnë punë të mira, qofshin këto me zemër, fjalë apo gjymtyrë. Së treti, i frikësohen Zotit duke iu nënshtruar me bindje e përkushtim, por edhe me pendim të sinqertë e kthim tek Ai. Ata kthehen vazhdimisht tek Allahu, plot dashuri për Të, plot shpresë për shpërblimin e Tij dhe, sigurisht, me frikë e drojë nga ndëshkimi i Tij. - “...- ata do të jenë banorë të Xhenetit përjetë.” - Ata që janë stolisur me të tilla cilësi do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë. Ky është premtimi i Bujarit të Gjithëmëshirshëm, sepse ata nuk lënë asnjë të mirë pa e bërë, për ta arritur këtë shpërblim dhe nuk lënë shteg devotshmërie pa garuar në të. - “Këta dy grupe (njerëzish) mund të krahasohen me të verbrin dhe shurdhin përkundër atyre që shohin e dëgjojnë.” - Fatlumët dhe fatzinjtë, të lumturit dhe të dëshpëruarit janë si shembulli i dhënë në ajet. Të dëshpëruarit nuk arrijnë të shohin dhe dëgjojnë udhëzimin e drejtë dhe gjithçka që u sjell dobi. Ndërsa të lumturit e fatbardhët janë ata që e dëgjojnë dhe vështrojnë mirë udhëzimin e drejtë. Ata mund ta dallojnë qartë çdo gjë që i bën dobi në dynja dhe ahiret. - “A janë njëlloj këta? A nuk po kujtoheni?!” - A mund të jenë të njëjtë këto dy palë? Jo, kurrsesi nuk mund të jenë të njëjtë. Mes tyre ka ndryshime aq të mëdha, saqë nuk mund të përshkruhen me fjalë. O njerëz! A nuk i shihni këto shembuj dhe të reflektoni ashtu si duhet në lidhje me këtë çështje? A nuk e dëgjoni dhe shihni udhëzimin e Zotit në rrugën e drejtë? A nuk po e nënshtroni veten për të kryer ato punë të mira që të afrojnë tek Ai dhe t'u largoheni atyre punëve të këqija që ju largojnë prej Tij dhe ju zhysin në dëshpërim në të dyja jetët?!

← Hud 11:24