11. Hud · Ajeti 27 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:25–11:39
Tregimet ndaj pejgamberëve të përparshëm kanë qenë qëllim, t'i japin lehtësime Muhammedit I në detyrën e tij, duke kuptuar se si edhe ata para tij patën vështirësi dhe se si ata ishin të durueshëm, mandej se si u vinte ndihma nga Zoti. Edhe besimtarët myslimanë nga rrëfimet e tilla do të fitojnë I përvojë të duhur në jetën e tyre. Të gjithë të dërguarit e Zotit në përpjekjet e tyre patën si detyrë dhe qëllim kryesor ta udhëzojnë popullin në besim vetëm të një Zoti, kurse mohuesve u tërhoqën vërejtjen për rrezikun që i pret. Është karakteristike çështja e tyre se gjithnjë ishin të mashtruar pas jetës së kësaj bote, ata që ishin kryelartë ndaj thirrjes së pejgamberëve. Zakonisht ata të cilët ishin të privilegjuar me pozitë si pari, ose pasanikë, talleshin me besimtarët.
Asnjë i dërguar, ashtu sikurse edhe Nuhu, për hir të kryeneçëve, nuk pranoi t'i largojë prej vete besimtarët. Ai nuk kërkoi shpërblim, nuk pretendoi se ka diçka në dorë, pos shpalljes së Zotit, nuk u tha se dënimi kundër jush është në dorën time, por në dorën e Zotit, e meqë ai ishte një popull shumë i padëgjueshëm, dënimi nga ana e Zotit ishte i pashmangshëm, prandaj ai u urdhërua ta ndërtojë anijen, dhe të mos kërkojë falje për kundërshtarët. Paria kryelartë tallej me Nuhun duke i thënë kinse ishe pejgamber e tani u bëre zdrukthëtar, e Nuhu i njoftoi ata për fatkeqësinë që i priste.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:25–11:27
- Ne e dërguam Nuhun te populli i vet (t’u thoshte): “Unë kam ardhur te ju me një paralajmërim të fortë: Që të mos adhuroni asnjë tjetër veç Allahut. - Allahu i Lartësuar tregon për Nuhun (a.s), i cili ishte i pari i dërguar i Tij ndër banorët e Tokës dhe për ata të cilët adhuronin idhuj. Ai i tha popullit të vet: “Unë kam ardhur te ju me një paralajmërim të fortë.” Pra, unë jam një paralajmërues i qartë dhe qortues për ju, që ju paralajmëroj për ndëshkimin e Allahut, nëse ju i bëni ortakë Atij dhe adhuroni të tjerë si zota veç Tij. - Unë kam frikë për ju dënimin e një dite të dhembshme.” - Nëse ju vazhdoni me mohimin tuaj dhe me refuzimin e ftesës dhe këshillës time, unë kam frikë për ju dënimin e një dite të dhembshme. - Paria e jobesimtarëve nga populli i tij, tha: “Ne nuk shohim tek ti asgjë tjetër
përveçse një njeri, siç jemi edhe ne. - Uelmeleu quhen (në arabisht) paria e një populli, më të mëdhenjtë dhe më të respektuarit e tij, dhe këtu bëhet fjalë për parinë që ishin mohues të besimit. Ata thanë: “Ne nuk shohim tek ti asgjë tjetër përveçse një njeri, siç jemi edhe ne.” Me sa duket, ata mendonin dhe gjykonin se nuk është e udhës që një i dërguar i Zotit të jetë prej njerëzve, prandaj thanë: Si është e mundur të të shpallet ty dhe nuk na është shpallur neve?! Nëse lajmëtari i Zotit do të ishte prej njerëzve, ne jemi më të denjë për të na u dhënë Shpallja? - Ne po shohim se nuk po të pason askush tjetër përveç të pavlerëve, që të ndjekin pa u menduar fare. - Kuptimi: Ne po shohim se ty të pasojnë në besimin tënd veçse ata të cilët janë më të poshtëruarit ndër ne, siç janë shitësit shëtitës, hamallët në treg, endësit e rrobave dhe të ngjashmit me ta. Ty nuk të ndjekin ata që ne i konsiderojmë si fisnikët dhe paria e vendit. Gjithashtu, ne gjykojmë se pasuesit e tu e kanë bërë diçka të tillë pa u menduar fare dhe pa logjikuar drejt. Ata thjesht sa i ftove, menjëherë iu përgjigjën ftesës tënde. - Ne nuk shohim as që të jeni më të mirë se ne. - Ne nuk shohim që ju të keni ndonjë privilegj mbi ne, qoftë në aspektin e krijimit ose pamjes tuaj, qoftë në aspektin e moralit, pushtetit, pasurisë apo aspektet e tjera njerëzore. - Madje, ne mendojmë se ju jeni gënjeshtarë!” - Madje, ne ju konsiderojmë si mashtrues dhe gënjeshtarë, kur thoni se jeni bamirës dhe të devotshëm, apo se jeni të lumtur tani dhe do të jeni të lumtur dhe të shpëtuar edhe në jetën tjetër. Këto fjalë dëshmojnë për injorancën e tyre të thellë dhe logjikën e tyre të ngushtë. Në fakt, nuk është aspak turp dhe cenim për të vërtetën se cilët janë ata që e përqafojnë atë. E vërteta mbetet e vërtetë, pavarësisht nëse e pasojnë fisnikët dhe paria apo njerëzit e rëndomtë e të varfër. Në fakt, ata që e pasojnë të vërtetën janë fisnikë, edhe nëse ata janë të varfër dhe pa prestigj në sytë e njerëzve. Ndërsa ata të cilët e refuzojnë të vërtetën, pikërisht ata janë të përçmuarit, edhe nëse janë të pasur. Realiteti tregon se njerëzit e dobët dhe të varfër janë më së shumti pasuesit e të vërtetës. Ndërsa paria, të cilët karakterizohen nga mendjemadhësi a dhe kryeneçësia, zakonisht e refuzojnë të vërtetën dhe nuk pranojnë që të nënshtrohen sipas saj, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”.” [Zuhruf 23]. Mendo pak me kujdes se si i përshkruajnë ata pasuesit e të vërtetës: “që të ndjekin pa u menduar fare.” Domethënë, ata e pranuan të vërtetën menjëherë sa iu paraqit. Kjo në fakt nuk është aspak fyerje dhe as turp, sepse nëse e vërteta bëhet e qartë, logjika nuk mund ta refuzojë. Madje, ajo nënshtrohet që ta pranojë dhe ta pasojë të vërtetën. Kjo ndodh me ata njerëz që kanë arsye të pastër dhe gëzojnë mençuri të natyrshme. Kur e vërteta paraqitet me argumentet dhe faktet e
saj të pakundërshtueshme, hezitojnë veçse ata të cilët janë të mangët, të paditur dhe të sëmurë në mënyrën e arsyetimit, siç thuhet në hadithin e Profetit të Allahut: 1489. “Çdo njeri që kam ftuar në Islam ka pasur frenim dhe hezitim në fillim, përveç Ebu Bekrit, i cili nuk hezitoi për asnjë çast.” Ebu Bekri nuk ngurroi asnjë çast që të pranonte ftesën e Profetit ﷺ , sepse ai pa diçka të qartë, të shndritshme e madhështore, prandaj dhe nxitoi për ta pranuar atë menjëherë. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon fjalët e tyre: “Ne nuk shohim as që të jeni më të mirë se ne.” Ata nuk shihnin ndonjë mirësi ose cilësi të spikatur tek besimtarët, sepse ata ishin të verbuar nga e vërteta. Jobesimtarët gjithmonë enden në mëdyshje, në errësirën e dyshimeve, të paditurisë dhe mosbesimit të tyre. Ata janë mashtruesit, që trillojnë gjëra të paqena për pasuesit e të vërtetës dhe, në fakt, ata vetë janë të dëshpëruarit, të humburit, të dështuarit, dhe jo besimtarët e sinqertë në pranimin e të vërtetës dhe nënshtrimin sipas saj.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:27–11:28
- " Paria e jobesimtarëve nga populli i tij, tha:...” - Ashtu sikurse ndodh vazhdimisht, të ashtuquajturit "paria" apo krerët e popullit e kundërshtuan ftesën e Nuhut (a.s.), duke qenë madje të parët për këtë. Ata pretenduan se shkaku ishte fakti se ai qe veçse një njeri i zakonshëm, ashtu si ata. Ata thanë: - ““Ne nuk shohim tek ti asgjë tjetër përveçse një njeri, siç jemi edhe ne....” – Domethënë, si të besojmë ty si i dërguari i Zotit, kur ti je thjesht një njeri?! Por ky pretendim ishte tërësisht i kotë dhe i padrejtë. Përkundrazi, asnjë zgjedhje tjetër nuk mund të ishte më e drejtë se kjo që bëri Zoti për sjelljen e mesazhit të Tij te njerëzit. I Madhërishmi e vendosi të jetë kështu, në mënyrë që njerëzit të kishin mundësinë të merrnin mesazhin e Tij lehtësisht e qartësisht nga vetë lloji i tyre. Kështu, ata do të kishin mundësinë të mësonin dhe këshilloheshin me profetët e tyre në çdo kohë e për çdo çështje, gjë kjo që nuk do të ndodhte nëse të dërguarit do të ishin melekë. Kjo është arsyeja që pretendimi i tyre qe i pabazë. Një arsye po aq qesharake, që ata e paraqisnin si justifikim për mospranimin dhe mosbesimin ndaj profetëve, ishte edhe: - “...Ne po shohim se nuk po të pason askush tjetër përveç të pavlerëve, që nuk mendojnë gjatë.” - Ky ishte gjykimi i tyre për pasuesit e profetëve. Sipas tyre, vetëm njerëzit më të ulët dhe të parëndësishëm ishin bërë pasues të profetëve. Njerëzit më të përçmuar dhe të ulët ishin bërë besimtarë, prandaj dhe ata nuk mund të uleshin në atë nivel. Ndërkaq, realiteti është krejt i kundërt me këtë gjykim të poshtër dhe të padrejtë. Pasuesit e profetëve janë njerëzit më të nderuar e më të lartë. Ata janë të urtët dhe të logjikshmit, mendjet dhe arsyeja e të cilëve është ndriçuar për të pranuar të vërtetën dhe për t'iu nënshtruar asaj. Këta fatlumë qëndrojnë shumë më lart nga ata të ashtuquajtur "paria", që e poshtërojnë veten duke u bërë pasues të shejtanit, të cilët janë të shfrenuar e të papërmbajtur në përmbushjen e epsheve. Ata të mjerë janë nënshtruar për të adhuruar gurët, drurët dhe çdo gjë tjetër, veç Allahut të Madhërishëm. Atyre u përgjërohen dhe u përulen, atyre u dedikojnë përkushtime. A ka më të poshtër, të përçmuar dhe më pa mend se kjo kategori njerëzish? Këta të mjerë çuditërisht thonë se pasuesit e denjë të profetëve janë njerëz që “që nuk mendojnë gjatë” dhe e ndjekin rrugën e tyre, pa logjikuar me qetësi. Sipas tyre, ata e pranojnë ftesën thjesht që me thirrjen e parë, pa pikën e logjikës dhe të
vetëdijes. Më këto fjalë, këta pretendojnë që pasuesit e Profetit nuk janë të qartë në atë që bëjnë dhe besojnë. Por harrojnë ata se besimi i vërtetë vjen krejt natyrshëm, që një logjikë e pastër dhe e çliruar e pranon menjëherë. Mjafton që t'u paraqitet e vërteta, dhe të urtët e njohin menjëherë dhe, me bindje e sinqeritet të plotë, e pranojnë atë. Besimi i saktë dhe i vërtetë nuk është një çështje e koklavitur, që nuk mund të kuptohet. Përkundrazi, ai është shumë i thjeshtë dhe lehtësisht i kuptueshëm, i tillë që nuk ka nevojë të mendohet gjatë. Një tjetër arsyetim i tyre është: - “Ne nuk shohim as që të jeni më të mirë se ne. Madje, ne mendojmë se ju jeni gënjeshtarë!” - Ne nuk shohim tek ju ndonjë cilësi që t'ju bëjë të meritueshëm për t'ju bindur këshillave dhe ligjeve tuaja. Veç kësaj, - thoshin ata, - ne mendojmë se ju jeni thjesht mashtrues në pretendimet tuaja. Sigurisht, kjo qe një shpifje e ulët nga ana e tyre, sepse ata panë dhe dëshmuan shenja dhe mrekulli të shumta, që Zoti i dhuroi Nuhut, për ta mbështetur e faktuar si profet të vërtetë. Ato ishin mëse të mjaftueshme që ata të bindeshin se ai ishte Profet besnik i dërguar nga Zoti. Atëherë, Nuhu (a.s.) u drejtohet atyre dhe u thotë: - “Ai tha: “O populli im! Shihni, nëse unë mbështetem në një argument të qartë nga Zoti im, e Ai më ka dhuruar mëshirë nga ana e Tij,...” - Në këto ajete, nëpërmjet fjalëve të Nuhut a.s. i madhëruari shprehet qartë se, ashtu si të gjithë Profetët e tjerë edhe Profeti i fundit, Muhammedi ﷺ është shembulli më i përkryer dhe i plotë për krijesat. Arsyet dhe logjika e të gjithë mendimtarëve të urtë, në krahasim me arsyen dhe logjikën e Muhamedit, janë të papërfillshme. A nuk është e mjaftueshme që ai dëshmon për këtë Kur’an?! A nuk mjafton dëshmia e Muhamedit ﷺ për të qenë të sigurt për vërtetësinë e tij? Përveçse Profeti ishte në nivelin më të lartë të arsyes dhe intelektit, përveçse Zoti e kishte pajisur me oratori të përsosur dhe të pakundërshtueshme, i Madhëruari na tregon se këtë njeri të zgjedhur Ai e kishte mbuluar me mëshirën e Tij të pakufishme. Allahu i Lartësuar e pajisi këtë njeri me udhëzimin më të plotë dhe e bëri Profetin më të zgjedhur. Ai e ndriçoi me dituri hyjnore dhe e forcoi që të jetonte e të punonte sipas saj, si edhe ftonte njerëzit në këtë rrugë. Më parë, Profeti nuk dinte asgjë rreth Shpalljes dhe imanit, por i Gjithëmëshirshmi zgjedh atë që Ai dëshiron për t’i shpallur udhëzimin. Megjithatë, të verbërit nuk mund ta shohin këtë të vërtetë hyjnore, prandaj i Madhëruari thotë: - “...që ju nuk arrini ta shquani....” - Ju nuk e kuptoni këtë mirësi të Profetit ﷺ dhe nuk arrini ta njihni të vërtetën që ai e solli nga Allahu i Madhëruar. Juve ju duket shumë e vështirë që ta pranoni këtë të vërtetë dhe e urreni të jetoni sipas saj. Nëse ju nuk shprehni asnjë interes për ta gjykuar drejt ftesën e Zotit, si mund t'ju detyrojmë - thuhet në ajetin më pas - që ta pranoni atë dhe të jetoni sipas saj?! - “...Vallë, a mund t’ju detyrojmë që ta pranoni të vërtetën, kur ju e urreni atë?” - Si mund t'ju detyrojmë ta pranoni atë për të cilën ne jemi krejt të sigurt, ndërkohë që ju e urreni dhe keni dyshime rreth saj?! Ju e urreni aq shumë këtë ftesë, saqë shpenzoni të gjitha energjitë për të refuzuar atë Shpallje që unë solla prej Zotit tim. Por kjo nuk e cenon aspak sigurinë tonë në vërtetësinë e asaj që besojmë. Fjalët dhe shpifjet tuaja rreth nesh dhe fesë sonë kurrsesi nuk mund të na pengojnë nga adhurimet që ne ia përkushtojmë Zotit tonë. Maksimumi që mund të arrini me to është privimi i vetes suaj nga e vërteta, që në sytë tuaj është diçka e kotë. Kur gjendja juaj ka arritur në këtë nivel, atëherë ne nuk mund t’ju detyrojmë të pranoni fenë e Zotit, që ju e keni refuzuar me urrejtje. Detyra e Profetit është veçse qartësimi i të vërtetës. Kush e trajton këtë ftesë me respekt dhe drejtësi, duke kërkuar vërtet udhëzimin e drejtë të Zotit, ka për ta gjetur atë. Ndërsa kush e shpërfill ftesën dhe e lëshon veten në
prehrin e pakujdesisë dhe shfrenimit, nuk ka për ta gjetur rrugën e vërtetë.