11. Hud · Ajeti 49 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:40–11:49
"Nuhu e ndërtoi anijen dhe shenjat e para të vërshimit u dukën në faqën e tokës. Fjala "tenur" është emër i vendit ku piqet buka, por mund të jetë edhe sipërfaqja e tokës. Komentatorët e Kur'anit kanë dhënë nja tetë mendime rreth qëllimit të kësaj fjale, por për të qenë dukuri e jashtëzakonshme - mrekulli - nuk është larg mendjes që të ketë filluar prej furrës së bukës, prej një vendi të jashtëzakonshëm për burimin e ujit. Zoti e di më së mirit Zoti urdhëroi Nuhun të ngarkojë në anije nga një çift prej të gjitha gjallesave, të cilat nuk mund të jetojnë në ujë, ta ngarkojë familjen e tij, pos atyre që ishin të gjykuar për dënim, t'i ngarkojë edhe ata pak besimtarë që ishin me te, e Nuhu ju tha se anija lundron e ndalet me emrin e Allahut, me Bismilahin.
Pak para se ta fillojë anija lundrimin, Nuhu e thërret djalin e vet - Ken'anin - ose sipas dikuj - Jamin - që edhe ai të hipë në anije, por ai nuk pranoi, e valët e ujit që ishin ngritur si kodra nëpër të cilat lundronte anija, ndërhyjnë ndërmjet Nuhut dhe djalit të tij dhe përmbysin djalin. Në atë vërshim u mbyt edhe një grua e Nuhut - Vailetun, që kishte qenë tradhtare. Nuhut iu dhimbte djali, andaj ju drejtua Zotit se i shkoi djali, por Zoti e njoftoi se ai ishte punëkeq, e si i tillë nuk ishte yti në besim edhe pse ishte i afërt në gjak.
Në përkthim edhe unë përdora termin: "djali im'', ashtu siç është edhe në Kur'an, sepse ai ishte djal i ri, djalosh, e nuk përdora termin, bir, pse bir mund të thuhet edhe për të riun, por edhe për të vjetrin.
Vërshimi - Tufani në kohën e Nuhut përfshiu tërë tokën e banuar, e rishumëzimi i njerëzimit i pas tufanit bëhet prej tyre djemëve të Nuhut, andaj Nuhu quhet babai i dytë i njerëzimit, siç jep shenjë edhe Kur'ani: Ve xhealna dhurrijjetehu humul bakinë - (Pasardhësit e tij (të Nuhut) I i bëmë që ta vazhdojnë jetën në tokë - pas tufanit).
Kur filloi të largohet uji, anija u ndal mbi një kodër - Xhudijj. Thuhet se ajo është në veri të Irakut, diku te Musolli, në vargmalet Araratë. Nuhut iu tha të zbarkojë i sigurt pa kurrëfarë rreziku, i garantuar prej Zotit dhe i begatuar me shumë të mira për hir të tij dhe të besimtarëve i të tij, por i dha shenjë se prej pasardhësve të tij do të ketë edhe asish që do t'i përjetojnë vetëm të mirat e kësaj jete, e në jetën tjetër nuk kanë asgjë, pra ata janë jobesimtarë.
Këto janë ngjarje që Kur'ani ia rrëfeu Muhammedit. Këto ngjarje i zbuloi vetëm shpallja, pse lëmitë e tjera të diturisë nuk dinë asgjë për to.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:49
- Këto janë disa nga tregimet për të fshehtën, që t’i kemi shpallur ty, të cilat nuk i ke ditur as ti, as populli yt para këtij (Kur’ani). - Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të tij ﷺ se kjo histori dhe të ngjashmet me të, janë sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “...tregime për të fshehtën ...” Kuptimi: Ato janë prej ngjarjeve dhe historive të popujve të shkuar, të cilat Ne po t’i mësojmë ty përmes “ uahjit”, që po të japim. Ne po i sjellim në formën e tyre të saktë dhe të vërtetë, sikur t’i shihje me sytë e tu. Allahu i Lartësuar thotë më pas: “...të cilat nuk i ke ditur as ti, as populli yt para këtij (Kur’ani).” Kuptimi: As ti dhe as populli yt nuk kishit njohuri për të tilla histori, përpara se Allahu t’i tregonte ty me saktësi, ashtu siç kanë ndodhur në realitet, njëlloj sikur t’i shihje me sytë e tu. Po kështu, për vërtetësinë e këtyre historive dëshmojnë edhe librat e shumë profetëve, që ishin para teje. - Prandaj bëj durim, sepse fundi i lavdishëm u takon të devotshmëve. - Bëj durim përballë mohimit të popullit tënd, që të konsideron gënjeshtar dhe trillues, dhe përballë mundimeve që ata të shkaktojnë. Ne kemi për të të dhënë fitoren dhe do të të rrethojmë me përkujdesin Tonë. Nuk ka dyshim se përfundimin e mirë do të ta dhurojmë ty dhe pasuesve të tu, qoftë në dynja, qoftë në ahiret. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne, patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan edhe në jetën e kësaj bote edhe në Ditën kur të paraqiten dëshmitë. Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjnë dobi shfajësimet. Ata i pret Mallkimi dhe një vendbanim i keq.” [Gafir 51, 52], “Tashmë, Fjala Jonë u është dhënë më parë robërve Tanë të dërguar, se ata, pa dyshim do të ndihmohen (nga Ne) dhe se forcat Tona me siguri do të jenë ngadhënjimtare.” [Safat 171 - 172].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:48–11:49
- “Erdhi fjala: “O Nuh! Zbarko me paqe nga Ne, me bekime të shumta për ty dhe për popujt që janë me ty (në anije). ”” - Për “çdo popull”, domethënë për njerëzit dhe çiftet e kafshëve që kishin hipur në anije, Allahu dhuroi begati të madhe, aq sa mbushën tokën në çdo skaj të saj. - “Por do të ketë popuj që do t’u japim kënaqësi (për njëfarë kohe), por pastaj do t’i godasim me një ndëshkim të dhembshëm”. - Kuptimi: Do të ketë popuj që Allahu do t'u mundësojë një jetë të begatshme në këtë botë. Por fakti që Allahu i Madhëruar i shpëtoi nga përmbytja, nuk e pengon Atë që pas kësaj, këdo që mohon dhe tregohet i pabindur, ta ndëshkojë. Ai do t’i furnizojë sa ta kenë të caktuar, por ata gjithsesi do të merren në llogari për veprat e tyre. Pasi i tregoi me hollësi Profetit të Tij këtë histori të gjatë, të cilën mund ta dinin veçse ata që Ai i zgjodhi për profetë, Allahu i Madhëruar thotë: - “Këto janë disa nga tregimet për të padukshmen, që t’i kemi shpallur ty, të cilat nuk i ke ditur as ti, as populli yt para këtij (Kur'ani).” - Edhe populli yt, ashtu sikurse ti, nuk dinin gjë për këto ngjarje, prandaj nuk mund të thonë se ti i dije ato më parë. Ti lavdëroje e shprehi mirënjohjen Zotit tënd, bëj durim dhe ji i qëndrueshëm në këtë fe të mrekullueshme, që të ka dhënë Zoti. Përqendrohu në rrugën e thirrjes për në rrugën e drejtë të adhurimit të një Zoti të vetëm. Gjithashtu, kujto vazhdimisht se: - “Prandaj bëj durim, sepse fundi i lavdishëm u takon të devotshmëve.” - Përfundimi i mirë u takon të devotshmëve, atyre që ruajnë veten nga shirku, poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Zotit. Prandaj gëzohu dhe le të qetësohet zemra jote, se ti do të triumfosh kundër çdokujt që të lufton, ashtu sikurse Zoti e ndihmoi dhe e lartësoi Nuhun mbi popullin e tij jobesimtar.