تِلۡكَ مِنۡ أَنۢبَآءِ ٱلۡغَيۡبِ نُوحِيهَآ إِلَيۡكَۖ مَا كُنتَ تَعۡلَمُهَآ أَنتَ وَلَا قَوۡمُكَ مِن قَبۡلِ هَٰذَاۖ فَٱصۡبِرۡۖ إِنَّ ٱلۡعَٰقِبَةَ لِلۡمُتَّقِينَ
Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t'i shpallim ty, e që para këtij (Kur'anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Nuhu ndërtoi anijen dhe shenjat e para të vërshimit u dukën në faqen e tokës. Fjala “tenur” është emër i vendit ku piqet buka, por mund të jetë edhe sipërfaqja e tokës. Komentatorët e Kuranit kanë dhënë nja tetë mendime rreth qëllimit të kësaj fjale, por për të qenë dukuri e jashtëzakonshme - mrekulli -nuk është larg mendjes që të ketë filluar prej furrës së bukës, prej një vendi të jashtëzakonshëm për burimin e ujit. Zoti e di më së miri! Zoti e urdhëroi Nuhun të ngarkojë në anije nga një çift prej të gjitha gjallesave, të cilat nuk mund të jetojnë në ujë, ta ngarkojë familjen e tij, pos atyre që ishin të gjykuar për dënim, t’i ngarkojë edhe ata pak besimtarë që ishin me te, e Nuhu ju tha se anija lundron e ndalet me emrin e Allahut, me Bismilahin. Pak para se ta fillojë anija lundrimin Nuhu e thërret djalin e vet - Kenanin -ose sipas dikuj - Jamin - që edhe ai të hipë në anije, por ai nuk pranoi, e valët e ujit që ishin ngritur si kodra nëpër të cilat lundronte anija, ndërhyjnë ndërmjet Nuhut dhe djalit të tij dhe e përmbysin djalin. Në atë vërshim u mbyt edhe një grua e Nuhut - Vailetun, që kishte qenë tradhtare. Nuhut iu dhimbte djali, prandaj ju drejtua Zotit se i shkoi djali, por Zoti e njoftoi se ai ishte punëkeq, e si i tillë nuk ishte yti në besim, edhe pse ishte i afërt në gjak. Në përkthim edhe unë përdora termin: “djali im”, ashtu siç është edhe në Kuran, sepse ai ishte djalë i ri, djalosh, e nuk përdora termin, bir, pse bir mund të thuhet edhe për të riun, por edhe për të vjetrin.