11. Hud · Ajeti 60 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:50–11:60
Hudi që u dërgua te populli Ad, për sa i përket gjakut ishte njeri nga mesi i tyre, por populli ishte idhujtar, kurse Hudi besimtar i drejtë, pra nuk ishte vëlla i tyre në çdo pikëpamje. Atë popull e kishte goditur thatësi e madhe. Hudi iu tha të kërkojnë falje prej Zotit - të bëjnë istigfar dhe t'i kthehen rrugës së drejtë, e Zoti do t'ju falë shi me bollëk dhe ashtu do t'ju shtojë fuqinë në çdo lëmi. Nga ky ajet kuptojmë se pendimi, rikthyerja në rrugë të Zotit dhe kërkimi i faljes për gabime, është vepër që tërheq mëshirën e Zotit dhe shiun e mjaftueshëm. Populli Ad ishte aq naiv sa që mendonte se Hudin e kishte ndëshkuar me çmendje ndonjë nga idhujt e tyre për shkak se ai i përqeshte.
Hudi ishte aq i vendosur sa që u tha: Nëse keni mundësi mblidhni të gjitha fuqitë tuaja dhe zotat tuaj dhe thurni plane kundër meje, e mos më jepni afat. Qëndrimi i Hudit është njëri nga faktet më të mëdha të fuqisë së një njeriu të mbështetur sinqerisht në Zotin, pse një njeri i vetmuar e demaskoi atë popull të etshëm për derdhje të gjakut, duke ua asgjësuar vlerën e zotave të tyre dhe duke u kërkuar shesh për luftë gjithë atij grumbulli të madh. tillë është besimtari i mbështetur njëmend në Zotin e Gjithfuqishëm.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:57–11:60
- Nëse ata kthejnë shpinën (thuaju): “Unë tashmë jua kam përcjellë qartë atë me të cilin jam dërguar te ju. - Nëse ata i kthejnë shpinën dhe refuzojnë të vërtetën, atëherë thuaju që ti e ke kumtuar tërësisht dhe me besnikëri mesazhin, me të cilin ti u dërgove. Mesazhi ishte detyra e adhurimit të Allahut si një i vetëm dhe pa ortak. Me kuptimin e kësaj të vërtete, ata nuk kishin tashmë asnjë justifikim para Allahut. Dijeni se Allahu i Lartësuar do t’ju zëvendësojë ju me një popull tjetër, të cilët do ta adhurojnë Atë si një të vetëm dhe të pashoq. Në fakt, ju nuk keni për t’i sjellë asnjë dëm Allahut të Lartësuar me mohimin tuaj, madje dëmi që shkaktoni rëndon vetëm kundër vetes tuaj. - Zoti im mund t’ju zëvendësojë me një popull tjetër e ju nuk mund t’i bëni Atij kurrfarë dëmi. Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës mbi çdo gjë”. - Ai është dëshmitar dhe i regjistron fjalët dhe veprat e robërve të Tij, si edhe ka për t’i shpërblyer apo shpaguar sipas tyre, qoftë për të mirë, qoftë për të keq. - Kur erdhi caktimi Ynë, atëherë, me mëshirën Tonë, Ne i shpëtuam Hudin, e së bashku me të, edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata prej një ndëshkimi të ashpër. - Kur erdhi furtuna shkatërruese, që nuk barte asgjë të mirë, Allahu i Lartësuar i ndëshkoi ata deri tek i fundit i tyre, por Ai shpëtoi Hudin dhe besimtarët që ishin së bashku me të prej ndëshkimit të ashpër. Allahu i Lartësuar i shpëtoi ata, me mëshirën dhe butësinë e Tij. - Ja, ky ishte populli i Adit. Ata i mohuan me forcë argumentet e Zotit të tyre... - Ata e refuzuan profetin e tyre, si dhe shenjat dhe mrekullitë që ai solli prej Zotit. Në këtë mënyrë, ata refuzuan dhe mohuan të gjithë profetët e Zotit, sepse ai që mohon një
profet, ai ka mohuar të gjithë profetët. Nuk bëhen dallime mes profetëve, por ata duhen besuar të gjithë si kumtues besnikë të Shpalljes së Zotit. Kështu, Adët mohuan Hudin dhe Allahu i Lartësuar e konsideroi mohimin e profetit Hud si mohimin e të gjithë profetëve dhe të dërguarve të Tij. - nuk iu bindën të dërguarit e Tij dhe shkuan pas urdhrit të çdo tirani kokëfortë. - Ata braktisën profetin e tyre të udhëzuar, të drejtë, të butë dhe të dhembshur me ta dhe ndoqën rrugën e tiranëve mendjemëdhenj dhe rebelë. Për këtë arsye: - Ata u ndoqën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit. Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit! - Kështu, atë ditë do të thirret përpara të gjithë krijesave: “Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!” Në lidhje me këtë, Sediju ka thënë: “Çdo profet që u dërgua pas Hudit e ka mallkuar edhe popullin e Adit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:50–11:60
- “Edhe tek Adët dërguam vëllain e tyre, Hudin.” - Në popullin e Adit dërguam një profet, i cili ishte vëllai i tyre nga gjaku. Adët ishin një fis i njohur, që jetonin në krahinën Ahkaf, në Jemen. Allahu i Madhëruar dërgoi një profet nga mesi i tyre, Hudin, që t’u mësonte fenë dhe diturinë e dobishme. Ky profet i sinqertë u tha atyre: - “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin, veç Tij. Ju veçse trilloni!” - Ai i urdhëroi që të adhuronin Allahun si Një të Vetëm dhe i ndaloi nga çdo adhurim tjetër, që ata nuk ia përkushtonin Allahut. Hudi u bëri të ditur se, duke adhuruar dikë tjetër veç Allahut, ata kishin trilluar mashtrimin më të madh dhe më të dënueshëm. Nuk ka krim më të madh se një mashtrim i tillë dhe rënia në idhujtari. Për këtë arsye, profeti Hud i këshilloi ata që të ktheheshin nga kjo rrugë dhe u mësoi se adhurimi i një Zoti të vetëm është detyra më e madhe. Çdo lloj adhurimi tjetër është i kotë dhe i gabuar. Më pas, ai i kujton se nuk kishte asnjë pengesë që ata t’i bindeshin thirrjes së tij, sepse: - “O populli im! Unë nuk po kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për këtë. Shpërblimi im vjen vetëm prej Atij që më krijoi.” - Unë nuk po ju kërkoj të më jepni pasurinë pasi t’i bindeni thirrjes sime. Kështu, ju nuk mund të thoni: Ti po na fton në këtë fe, me qëllim që të përfitosh nga pasuria jonë. Unë po ju mësoj pa pasur asnjë lloj interesi vetjak. Unë nuk kërkoj shpërblim prej jush, sepse: “Shpërblimi im vjen vetëm prej Atij që më krijoi.” - “A nuk e kuptoni këtë?!” - A nuk logjikoni dhe ta analizoni me kujdes se për çfarë ju ftoj? Nëse vërtet mendoni thellë, patjetër do ta pranoni ftesën. Kështu do të ndodhë, sepse nuk ka asnjë pengesë logjike për ta pranuar. - “O populli im! Kërkoni falje prej Zotit tuaj dhe kthejuni Atij të penduar!” - Kërkoni falje për idhujtarinë e gjynahet e kaluara, dhe pastaj pendohuni vazhdimisht për çdo gjynah e mangësi në të ardhmen. Gjithmonë të jeni të kthyer te Zoti juaj, me pendim të sinqertë dhe me bindje. Nëse ju e bëni këtë, atëherë Allahu i Madhëruar thotë: - “Ai do t’ju lëshojë shi me bollëk...” - Nëpërmjet shirave të bollshëm, toka do të lulëzohet dhe begatohet. Kështu, ju do të lumturoheni me mirësitë e shumta të dhuruara nga Ai. Veç kësaj: - “...do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj...” - Adët ishin nga popujt më të fuqishëm që Zoti ka krijuar ndonjëherë, aq sa thoshin: "E kush është më i fuqishëm se ne?!" Prandaj Allahu i Madhëruar u premtoi që, nëse besonin dhe ktheheshin të penduar e të bindur, Ai do t’u a shtonte edhe më shumë forcën e tyre.
- “...ndaj mos refuzoni e mos u bëni zullumqarë!” - Mos i ktheni shpinën kësaj ftese bujare të Zotit, Krijuesit tuaj! Mos u bëni bisht porosive të Tij! Mos tregoni kryeneçësi ndaj adhurimit të Allahut! Mos tregoni guxim të paturpshëm që të shkelni kufijtë e Tij! Duke refuzuar ftesën e Profetit të tyre, ata thanë: - “Ata thanë: “O Hud, ti nuk na solle ndonjë argument...” - Nuk na solle ndonjë argument a provë të qartë, që ne të besojmë. Nëse me fjalën ‘argument’ kishin për qëllim argumentet që ata propozonin vetë, le ta dinin se e vërteta e Zotit nuk ka nevojë për të tilla fakte. E vërteta nuk varet nga argumentet që ata propozojnë me mendjen e tyre. E nevojshme është vetëm që profeti të sjellë një shenjë nga Zoti i tij, e cila të mbështesë e të vërtetojë saktësinë e mesazhit që ai sjell. Nga ana tjetër, nëse kishin për qëllim të thoshin se Profeti nuk u solli asnjë shenjë e argument që të faktonte se mesazhi prej Zotit ishte i vërtetë, atëherë kjo qe një gënjeshtër, sepse nuk ka pasur asnjë profet që Zoti të mos e ketë pajisur me shenja e argumente të mjaftueshme që njerëzit ta besonin. Por edhe sikur ai të mos u sillte asnjë shenjë të dukshme nga shqisat, do t'u mjaftonte vetëm kumtimi i qartë i mesazhit, që ai i porositi për ta besuar e për t’iu nënshtruar. Profeti i ftoi të ishin tërësisht të sinqertë me Allahun, Krijuesin e tyre. Ai i këshilloi t’i përkushtoheshin tërësisht adhurimit të Zotit si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Ai i urdhëroi për vepra të mira e të dobishme dhe për virtyte të larta. I Dërguari i ndaloi nga idhujtaria, nga kjo vepër kaq e shëmtuar dhe poshtëruese. I ndaloi nga poshtërsitë e padrejtësitë, si dhe nga fjalët e veprat e ulta, të shëmtuara dhe të dëmshme. Të gjitha këto porosi dhe këshilla të mrekullueshme ua solli Hudi (a.s.), njeriu me cilësitë dhe virtytet më të mira që mund të ketë një njeri fisnik. Ai i kumtoi ato me çiltërsinë dhe besnikërinë më të madhe. A nuk mjaftojnë të gjitha këto si argumente për vërtetësinë e mesazhit që ai përcolli nga Zoti i tij?! Madje, mund të themi me bindje se të urtët dhe të mençurit i shohin këto lloj argumentesh si më të rëndësishme dhe më të forta sesa thjesht disa ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat, nga një grup njerëzish, shihen si të vetmet mrekulli dhe fakte bindëse. Ndër shenjat dhe argumentet treguese të vërtetësisë së tij ishte edhe fakti se ky profet qe i vetëm, pa ndihmës e mbështetës. Por edhe pse i vetëm dhe pa mbështetje, Ai e thirri popullin me zë të lartë, duke i sfiduar e duke iu thënë: "Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat !" Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim. Vërtet, Zoti im është i Drejtë." Ata ishin armiq të betuar të Profetit. Ata kishin fuqi ushtarake të jashtëzakonshme. Dëshira e tyre më e flaktë ishte që të shuanin dritën që Hudi (a.s.) përhapte. Atëherë, me çfarë sigurie fliste ky profet dhe ata që ishin me të, ndërkohë që ata mund t’i shfarosnin me fuqinë e tyre?! Si është e mundur që ata tiranë të mos i bënin dot asnjë gjë profetit dhe atyre që i besuan atij?! Vërtet, kjo qe një sfidë dhe një argument shumë i qartë për ata që logjikojnë. - “...ndaj ne nuk i braktisim zotat tanë për fjalën tënde...” - Ne nuk e lëmë adhurimin e idhujve tanë thjesht prej fjalëve të tua, të pambështetur në argumentet që duam ne. - “...dhe nuk të besojmë ty.” - Kështu ata donin të këpusnin çdo shpresë se mund të besonin. Kurrë nuk kemi për të besuar - thanë ata - dhe do të vazhdojmë me mospërfilljen ndaj ftesës tënde. - “Ne themi se ndonjë prej idhujve tanë të ka goditur me ndonjë të keqe!” Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju që unë distancohem nga idhujt që ju adhuroni veç Tij.” - Ne besojmë se zotat tanë duhet të të kenë ndëshkuar me çmenduri, prandaj dhe ti na thua gjëra të palogjikshme e të papranueshme. Subhanallah! I Lartësuar dhe larg çdo të mete është Allahu! Vërtet,
ato ishin zemra të vulosura. I Madhëruari i vulosi ato për shkak se ishin të mbushura me padrejtësi e ligësi. Si mund të flitet kështu për njeriun më të sinqertë dhe më të plotë, i cili sjell mesazhin e Zotit?! Çdo njeri me logjikë të shëndoshë do të kishte turp madje edhe t’i përcillte këto fjalë nga ata, sikur të mos i kishte cituar vetë Zoti i Madh për të treguar padrejtësinë e tyre. Profeti Hud (a.s.) ua bëri të qartë se ishte tepër i sigurt dhe i qetë se kurrsesi nuk mund të cenohej nga idhujt e tyre apo nga intrigat e vetë atyre arrogantëve, duke u thënë: - “Mblidhuni të gjithë me komplote kundër meje e mos më jepni asnjë afat.” - Planifikoni dhe ndërmerrni çdo masë për të më dëmtuar mua, të gjithë ju, me çdo rrugë e mjet që mundeni. Mos më afatizoni aspak, por veproni si t'ju vijë për mbarë. Mua më mjafton Allahu, Zoti im. - “Unë i jam mbështetur Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj.” - Në të gjitha çështjet e mia unë i jam mbështetur Allahut, sepse Ai është Krijuesi i të gjithëve dhe Sunduesi i çdo gjëje. Është Allahu që përkujdeset dhe rregullon çështjet e të gjitha krijesave. Edhe ju nuk dilni jashtë sundimit dhe mbretërimit të Tij. - “Nuk ka asnjë nga gjallesat, që Ai të mos e ketë nën sundim.” - Asgjë nuk mund të lëvizë apo të qëndrojë në prehje pa lejen e Tij. Mësojeni, o të mjerë, se nëse mblidheni e organizoheni të gjithë, pa përjashtim, për të më dëmtuar me diçka që Zoti nuk e lejon të ndodhë, kurrë nuk keni për ta realizuar. Por edhe nëse Ai ju lejon ta bëni diçka të tillë, dijeni se do të ndodhë me urtësinë e Tij absolute, nga e cila ju kurrë nuk mund të dilni. - “Vërtet Zoti im është i Drejtë.” - Zoti im është i Drejtë, i Mirë dhe i Urtë. Ai është i Lavdëruar për çdo përcaktim në ekzistencë. I drejtë e i urtë është ligji i krijimit dhe i funksionimit të ekzistencës, ashtu siç është edhe ligji që Ai e dëshiron që ne ta zbatojmë e jetojmë sipas tij. I drejtë e me urtësi është edhe ligji i Tij i shpërblimit e i ndëshkimit. Veprat e Zotit janë të mrekullueshme dhe kurrë nuk dalin nga drejtësia dhe urtësia, prandaj Ai është i lavdëruar për të gjitha këto. Ai meriton të madhërohet e t'i shprehet mirënjohja duke e adhuruar si Një të vetëm. - “Nëse ata kthejnë shpinën (thuaju): “Unë tashmë jua kam përcjellë qartë atë me të cilin jam dërguar te ju.” - Edhe nëse i ktheni shpinën ftesës sime, unë e kam kryer detyrën ndaj jush. Unë jua përçova qartë dhe saktësisht mesazhin, prandaj nuk kam asnjë përgjegjësi për ju. Dijeni, gjithashtu: - “Zoti im mund t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, ndërsa ju nuk mund t’i bëni Atij kurrfarë dëmi.” - Zoti im është i fuqishëm që të sjellë pas jush një popull tjetër, që të përkushtohen në përkryerjen e adhurimeve ndaj Tij dhe ta adhurojnë si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Dëmi i shpërfilljes dhe i mosbesimit tuaj rëndon thjesht mbi ju. Allahun e Madhërishëm nuk e dëmton mosbindja e të pabindurve, ashtu sikurse nuk i sjell dobi apo rritje të pushtetit
bindja e të bindurve. I Madhëruari thotë: "Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robve." [Fussilet 46] Ose: "Kush bën vepra të mira, bën për vete e kush bën vepra të këqia, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni." [Xhathije 15]. Më pas, i Madhëruari i kërcënon me llogarinë e Tij të drejtë dhe thotë: - “Vërtet, Zoti im është Mbikëqyrës i çdo gjëje”. - Allahu i ka ruajtur të gjitha veprat e tyre, në bazë të të cilave edhe do t’i shpërblejë. Në fakt, ndëshkimi i tyre filloi që në këtë botë, kur i përfshiu një furtunë e fuqishme, sikurse thotë i Madhëruari në ajet tjetër: "(Kujto) Edhe Adin, kur Ne lëshuam kundër tyre furtunën shkatërrimtare, që nuk la gjë pa e shndërruar në mbeturinë ." [Dharijat 41, 42]. Allahu i Madhëruar na tregon se Ai e shpëtoi Hudin nga ky ndëshkim, bashkë me besimtarët e tjerë: - “Kur erdhi caktimi Ynë, atëherë, me mëshirën Tonë, Ne shpëtuam Hudin, e së bashku me të, edhe ata që kishin besuar. Ne i shpëtuam ata prej një ndëshkimi të ashpër.” - Ata shpëtuan nga ndëshkimi i rëndë që goditi popullin e tyre. Aq i rëndë ishte ai ndëshkim, saqë pas tij dukeshin vetëm gërmadhat e vendbanimeve të tyre. - “Ja, ky ishte populli i Adit. Ata mohuan me forcë argumentet e Zotit të tyre...” - Me padrejtësitë e tyre, ata e merituan ndëshkimin e të Madhëruarit. Ata mohuan Shpalljen e Allahut dhe, me arrogancë e paturpësinë më të madhe, i thanë profetit Hud: "Nuk na solle ndonjë argument .". Ata ishin tërësisht të sigurt për vërtetësinë e Shpalljes së Hudit dhe për sinqeritetin e tij, por e mohuan atë me kryeneçësi. Allahu i Madhëruar thotë: - “...kundërshtuan të dërguarit e Tij...” - Ai që nuk i bindet e nuk e beson një profet konsiderohet si mohuesi i të gjithë profetëve të Zotit, sepse ftesa e të gjithë profetëve është e njëjtë. - “...dhe shkuan pas urdhrit të çdo tirani kokëfortë.” - Ata ishin ndjekës të atyre që Allahu i Madhëruar i përshkruan me dy cilësi: tiranë e të dhunshëm ndaj njerëzve dhe kokëfortë ndaj Shpalljes së Zotit. Kështu, ata refuzuan t’i bindeshin atij që i këshillonte me dhembshuri, dashamirësi e dashuri dhe iu bindën atyre që i dhunonin dhe i mashtronin. Për këtë arsye, ata e merituan ndëshkimin e Zotit të tyre. - “Ata u përcollën me mallkim si në këtë botë, ashtu edhe në Ditën e Gjykimit.” – Ata do t'i ndjekë nga pas mallkimi dhe nami i keq në çdo kohë, deri edhe në Ditën e Gjykimit. - “Le të dihet, Adët mohuan Zotin e tyre. Qofshin të shkatërruar Adët, populli i Hudit!" - Ata kundërshtuan me forcë që të besonin Allahun e Madhëruar, i Cili është Krijuesi e Furnizuesi, Ai i Cili përkujdeset për krijesat e Tij. Prandaj i Madhëruari i dëboi nga çdo e mirë, duke i lënë në mes të të këqijave. Ky ishte shpërblimi i merituar për veprat e tyre të shëmtuara.