11. Hud · Ajeti 7 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:1–11:11

Kur'ani është libër i famshëm, me radhitje precize dhe sqarime të thukta nga vetë i madhi Zot që çdo send di në hollësi. E dërgoi Muhammedin t'ju thotë njerëzve: të mos adhuroni tjetërkë pos Allahut, të kërkoni falje për mëkate dhe të pendoheni për punët e këqia, kurse Ai do t'ju mundësojë jetë të mirë dhe do t'ju shpërblejë. Muhammedi kishte për detyrë t'ju tërheqë vërejtjen i refuzuesve, e t'i përgëzojë respektuesit.

Të mos mashtrohet kush se mund të fshehë diçka prej Zotit, Ai i di të gjitha. Nga mëshira e Tij, i ka garantuar furnizimin çdo gjallese. Ai është që krijoi qiej e tokë në etapa, e sikur të dëshironte do t'i krijonte për një moment. Para tyre ishte i krijuar Arshi dhe uji. Arshi ekzistonte, por për përshkrimin e tij nuk dijmë asgjë, nuk dijmë as për qëndrimin as për mbizotërimin e Allahut ndaj tij.

Të gjitha këto krijesa Zoti i krijoi sipas dëshirës së vet, i krijoi edhe njerëzit për t'i sprovuar, me qëllim për t'u dalluar i miri dhe i keqi, e më në fund për ta shpërblyer secilin sipas meritës.

Njerëzit me karakter të dobët janë ata që, kur i godet ndonjë e pakëndshme, dëshpërohen, dhe nuk falënderojnë Zotin për të mirat, por u rritet mendja dhe mbyten e zhyten në mburrje e krenari: janë për t'u lakmuar ata që kanë karakter stabil, janë të durueshëm në fatkeqësi, janë mirënjohës për begati dhe vazhdojnë me punë të mira, pra janë besimtarë të denjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:7–11:8

- Është Ai që i krijoi qiejt e Tokën brenda gjashtë ditëve, - ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë, - që t’ju sprovojë se cili prej jush është më vepërmirë. - Allahu i Lartësuar tregon për pushtetin e Tij absolut për të përmbushur gjithçka Ai dëshiron. Ai na tregon për faktin se Ai i krijoi qiejt dhe Tokën në gjashtë ditë dhe se Froni i Tij qëndronte mbi ujë përpara këtij krijimi. Në dy Sahih-ët vjen në versione të ndryshme hadithi se, kur e pyetën Profetin: 1482. “Si filloi e gjithë kjo çështje?” 138 Profeti ﷺ tha: “Në fillim ishte Allahu, para të Cilit nuk ekzistonte asgjë tjetër - në një transmetin tjetër, thuhet: “... përveç Tij”, ndërsa në një tjetër: “së bashku me Të”, - kurse Froni i Tij qëndronte mbi ujë. Pastaj Ai shkroi gjithçka në El Dhikër (Leuhi Mahfudh) dhe krijoi qiejt dhe Tokën.” Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Abdullah Ibn Amër Ibn Asi, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1483. “Allahu i Lartësuar përcaktoi çdo gjë që lidhet me krijesat, 50 mijë vjet përpara se të krijonte qiejt dhe Tokën, ndërsa Froni i

Tij qëndronte mbi ujë.” Në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “...ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë ...”, Katadja ka thënë: “Këtu, Allahu na njofton se si filloi krijimi i Tij, përpara se të krijonte qiejt dhe Tokën.” Ndërsa Ibn Abasi ka thënë: “Froni është quajtur “Arsh”, për shkak se ai është diçka që qëndron lart.” Në lidhje me fjalën e Allahut: “Është Ai që i krijoi qiejt e Tokën brenda gjashtë ditëve, ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë ...”, Muhamed Ibn Is’haku ka thënë: “Ka ndodhur ashtu sikurse e përshkruan Allahu i Lartësuar: “... nuk ekzistonte asgjë tjetër përveçse ujit. Mbi ujë qëndronte Arshi, dhe mbi Arsh ishte Dhul Xhelali uel Ikram (Zotëruesi i madhështisë dhe bujarisë, Krenari, Ngadhënjimtari dhe i Plotpushtetshmi). Atij i takon i gjithë mbretërimi, sundimi dhe pushteti absolut. Ai është Zotëruesi i butësisë, mëshirës dhe faljes, Zotëruesi i diturisë absolute dhe të pakufishme, Zotëruesi i mëshirës së plotë e të paanë dhe mirësisë së pafundme. Ai vepron gjithçka që dëshiron.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “që t’ju sprovojë se cili prej jush është më vepërmirë.” Pra, që t’ju vërë në provë se si do të punoni. Vëreni me kujdes! Ai nuk thotë: “... se cili prej jush bën më shumë vepra të mira”, por: “se cili prej jush është më vepërmirë.” Që një punë të konsiderohet e mirë, fillimisht duhet të plotësojë kushtin që të jetë e sinqertë vetëm për Allahun Krenar dhe të Lartësuar. Së dyti, të kryhet në përputhje me Sheriatin, udhëzimet dhe Shpalljen që iu dhanë Profetit. Nëse një vepre i mungon njëra nga këto dy shtylla të domosdoshme, ajo është e papranueshme dhe e asgjësuar. - Nëse u thua ‘Me siguri që do të ringjalleni pas vdekjes’, mohuesit me këmbëngulje thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një magji e qartë.” - Edhe nëse ti, o Muhamed, i njofton idhujtarët se Allahu i Lartësuar ka për t’i ringjallur ata pas vdekjes së tyre, ashtu sikurse ishte i pushtetshëm për ta bërë krijimin herë n e parë, ata përsëri nuk do të pranojnë dhe nuk do të të besojnë ty si profet, edhe pse ata e dinë mirë se Allahu i Lartësuar është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e Tokën dhe kush i nënshtroi Diellin dhe Hënën, ata do të thonë sigurisht: “Allahu.”. Atëherë, si po u shkoni pas trillimeve?” [Ankebut 61]. Me gjithë këto fakte dhe argumente për pushtetin absolut të Allahut, që edhe ata i pranojnë, përsëri kanë për ta mohuar ringjalljen dhe Ditën e Premtuar. Në fakt, duke marrë parasysh krijimin e parë, bërja e tij për së dyti është diçka edhe më e thjeshtë, edhe më e lehtë sesa fillimi nga hiçi, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe është Ai që e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë, dhe ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë në qiej e në Tokë dhe Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” [Rum 27] , ose: “Krijimi dhe ringjallja juaj (e ju të gjithëve), është njëlloj si krijimi dhe ringjallja e një një njeriu të vetëm. Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka.” [Lukman 28]. Duke treguar fjalët e tyre, Allahu i Lartësuar thotë: “mohuesit me këmbëngulje thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një magji e qartë.” Domethënë, duke refuzuar që të besojnë, i drejtohen Profetit dhe i thonë se nuk kanë për të pranuar atë që i thotë ai, pra, që të besojnë ringjalljen. Ata mendojnë se këtë lloj besimi e kanë vetëm ata të cilët ai i ka magjepsur, prandaj e ndjekin atë. - Nëse Ne ua vonojmë ndëshkimin për njëfarë kohe, ata thonë: “Pse nuk po ndodh?!” - Nëse Ne ua shtyjmë ndëshkimin dhe i afatizojmë, ata përsëri do të thonë të njëjtat fjalë, duke mohuar dhe duke refuzuar besimin. Madje, duke shprehur mosbesimin, ata paturpësisht të sfidojnë dhe kërkojnë shpejtimin e këtij ndëshkimi. Ata thonë: “Pse nuk po ndodh?! Përse po shtyhet ky ndëshkim?” Tashmë, refuzimi i Profetit dhe Shpalljes së Zotit është pjesë e pandashme e natyrës dhe sjelljes së tyre. Nuk ka si të ndodhë ndryshe në lidhje me ta. Ata kanë arritur në atë pikë, që nuk mund t’i shmangen refuzimit dhe

mosbesimit. Fjala “ el ummeh ” përdoret në Kur'an dhe Sunet me kuptime të ndryshme. Ndonjëherë ka kuptimin el emed , pra, afat kohor, si në ajetin: “Nëse Ne ua vonojmë ndëshkimin për njëfarë kohe ( ummeh) ...”. Ajo vjen, gjithashtu, me kuptimin el imam, pra, udhëheqës, ai që merret për shembull e model, si për shembull në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Ibrahimi ishte shembull i së mirës (ummeh), adhurues i Allahut, besimtar i drejtë (monoteist) dhe nuk ka qenë kurrë nga idhujtarët.” [Nahl 120]. Ndonjëherë vjen edhe me kuptimin e miletit dhe fesë (el mil -le ue d-din), si në ajetin kuranor, ku citohen idhujtarët, që thoshin: “...Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fe (ummeh), prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje.”.” [Zuhruf 22]. Ajo përdoret edhe me kuptimin “ el xhemâ'a ”, pra, xhemat, grup ose bashkësi, si në ajetin: “Kur arriti në burrimet e Medjenit, gjeti një grup (ummeh) njerëzish, që po i jepnin ujë bagëtisë…” [Kasas 23]. Ose: “Çdo popull (ummeh) ka pasur të dërguarin e vet. Me t’u ardhur i dërguari, mes tyre do të gjykohet me drejtësi dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” [Junus 47]. Qëllimi këtu është ajo bashkësi njerëzish, në të cilën dërgohet një profet, qofshin ata besimtarë ose mohues, siç thuhet në hadithin që gjendet në Sahih-un e Muslimit: 1484. “Betohem në Atë, në dorë të të Cilit është shpirti im! Çdo pjesëtar i këtij umeti, jehud apo i krishterë qoftë ai, që tashmë dëgjon për mua, dhe pastaj nuk më beson, ka për të hyrë në Zjarr!” Pra, ummeh këtu ka kuptimin: i gjithë ymeti dhe bashkësia e njerëzve që e kanë detyrë ndjekjen e një profeti të caktuar. Në këtë mënyrë, të gjithë njerëzit pas Muhamedit konsiderohen si ummeti që e ka detyrë të besojë e ndjekë këtë Profet. Gjithashtu, me fjalën ummeh mund të jetë për qëllim vetëm bashkësia që i përgjigjet ftesës së profetit Muhamed dhe ndjek rrugën e tij. Këtu bëjnë pjesë vetëm ata të cilët e pranojnë atë si profet të Allahut, si në ajetin: “Ju jeni (ummeti) populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.” [Al Imran 110]. Me fjalën ummet, këtu është për qëllim kuptimi i ngushtë i saj, pra, populli që i përgjigjet ftesës së Muhamedit dhe ndjek rrugën e tij. Në një hadith të saktë thuhet: 1485. “Ditën e Gjykimit, Profeti do të lutet dhe do të thotë: “Umeti im, umeti im!” Dhe këtu e ka fjalën për bashkësinë që i është përgjigjur ftesës së tij, dhe jo ummet-in me kuptimin e gjerë të tij, ku futen të gjithë njerëzt që e kanë detyrë ndjekjen e një profeti të caktuar, besimtarë dhe jobesimtarë. Përveç këtyre, fjala ummet përdoret dhe me kuptimin el firka dhe et-tâife, pra, një grup i caktuar njerëzish, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Te populli i Musait kishte njerëz ( ummet) që udhëzonin në të vërtetën dhe, nëpërmjet saj, mbanin drejtësinë.” [ El ea’raf 159]. Ose: “Jo të gjithë prej tyre janë njëlloj. (ummeh) Disa nga ithtarët e Librit i qëndrojnë besnikë të vërtetës duke lexuar ajetet e Librit të Allahut (Kur'anin) gjatë natës dhe bien në sexhde (duke u lutur) .” [Al Imran 113]. - Por le ta dinë se, kur t'u vijë dita, asgjë nuk ka për t’ua larguar më (ndëshkimin) dhe mbi ta do të bëhet realitet ai (kërcënim) me të cilin talleshin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:7–11:8

- “Është Ai që i krijoi qiejt e Tokën brenda gjashtë Ditëve, - ndërsa Froni i Tij ishte mbi ujë...” - Allahu i Madhëruar na tregon se është Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën në gjashtë ditë. Dita e parë e krijimit ishte e diela dhe dita e fundit ishte e premtja. Kur Ai krijoi qiejt dhe tokën, Froni i Tij qëndronte mbi ujë, sipër qiellit të shtatë. Pasi krijoi qiejt dhe tokën, Ai u lartësua mbi Fron për të drejtuar çdo çështje. Allahu i rregullon çështjet e krijimit të Tij dhe çdo përcaktim në këtë ekzistencë nëpërmjet ligjeve të krijimit të gjithësisë dhe ligjeve të Sheriatit. Përmes këtyre ligjeve, Ai na sprovon në këtë jetë, siç thotë më pas: - “...që t’ju sprovojë se cili prej jush është më vepërmirë.” - Që t’ju sprovojë në besimin tuaj. Allahu krijoi gjithçka në qiej dhe në tokë për ju, që - përmes urdhrave dhe ndalesave të Tij - të shikojë se cili prej jush është më vepërmirë. Për shpjegimin e këtij ajeti, Fudejl Ibn Ijadi ka thënë: “Për t’ju sprovuar se cili nga ju është më vepërmirë, pra, që kryen punë të sinqerta dhe të sakta sipas porosive të Zotit.” Kur u pyet se çfarë quhet punë e sinqertë dhe e saktë, ai tha: "Nëse një vepër kryhet me sinqeritet, por jo sipas porosive të Zotit e të Profetit, atëherë ajo është e papranueshme. Edhe nëse kryhet sipas porosive të Zotit e të Profetit, por nuk kryhet me sinqeritet, ajo përsëri nuk është e pranueshme. Një vepër pranohet veç nëse plotëson dy kushte: të kryhet me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin dhe të kryhet sipas mësimeve e porosive të Zotit e të Profetit". Zoti duhet të adhurohet ashtu si do dhe e përshkruan Ai. Për të sqaruar se si ta adhurojmë, Ai na shpalli Librin dhe Traditën e Profetit të Tij. Ky ajet i ngjan ajeteve të tjera kuranore, si: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për gjë tjetër, por veç që të më adhurojnë.” [Dharijat 56]; ose: "Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe Toka po aq sa ata. Nëpër to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë, Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet." [Talak 12]. Kështu, i Madhëruari i krijoi qiejt dhe Tokën që vetëm Ai të adhurohet dhe robërit ta njohin Atë me emrat dhe cilësitë e Tij të bukura dhe absolute, dhe përmes veprave të Tij madhështore. Dhe pikërisht për këtë edhe i urdhëroi. Ata që nënshtrohen dhe zbatojnë urdhrat e Zotit, për hir të dashurisë për Atë, prej shpresës në shpërblimin e Tij dhe prej frikës nga ndëshkimi i Tij, ata janë të shpëtuar e të fituar. Ndërsa ata që i kthejnë shpinën këtyre çështjeve, ata janë të shkatërruarit, të dështuarit dhe dëshpëruarit. Allahu që i krijoi robërit për ta adhuruar Atë si Një e të Vetëm, për t’i urdhëruar e ndaluar, ka krijuar edhe një vend ku do t’i shpërblejë të gjithë sipas përmbushjes ose jo të këtyre detyrave. Më pas, i Madhëruari përmend mosbesimin e idhujtarëve në ringjalljen dhe llogarinë e drejtë: - “Nëse u thua 'Me siguri që do të ringjalleni pas vdekjes.', mohuesit me këmbëngulje thonë: “Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një magji e qartë.”. - Kur u flet për ringjalljen dhe llogarinë para Zotit, ata nuk të besojnë, madje të kundërshtojnë me këmbëngulje. Ata shpifin dhe e konsiderojnë Shpalljen që t'u dha prej Zotit si një trillim e mashtrim, duke thënë: "Kjo është një magji e qartë". Por le ta dinë dhe

të binden se kjo Shpallje është e vërteta e qartë dhe e pakundërshtueshme. - “Nëse Ne ua vonojmë ndëshkimin për njëfarë kohe, ata thonë: “Pse nuk po ndodh?!”” - Kur Allahu i Madhëruar i afatizon dhe ua vonon ndëshkimin, ata, nga injoranca e thellë dhe padrejtësia e madhe, thonë: “Pse nuk po ndodh?!”, çfarë e pengon këtë ndëshkim?! Nga kjo nënkuptohet se ata e mohojnë faktin e llogaridhënies dhe të ndëshkimit të mosbesimtarëve. Për të argumentuar mosbesimin e tyre ndaj Profetit, ata arsyetohen me faktin që ndëshkimi me të cilin ai i kërcënonte nuk po u vinte. Subĥânallah! Çfarë arsyetimi i shtrembër dhe i padrejtë! - “Por le ta dinë se, kur t'u vijë dita, asgjë nuk ka për t’ua larguar më (ndëshkimin) dhe mbi ta do të bëhet realitet ai (kërcënim) me të cilin talleshin.”” - Le ta dinë se ditën kur të zbresë dënimi i Zotit, që ata nuk duan ta besojnë, ai nuk ka për t’u ndalur më dhe ata nuk kanë për të shpëtuar prej tij. Madje, atyre nuk ka për t'iu dhënë as mundësia për të reflektuar mbi veprimet e tyre. Dijeni, o të mjerë, se ajo është dita kur do të bëhet realitet ndëshkimi, me të cilin ju talleshit, sepse ishit të bindur që nuk do të ndodhte! Atë ditë do të vërtetohet edhe besnikëria e atij profeti, që ju e mohonit me aq kokëfortësi, dhe nuk do të keni më asnjë shans për të kthyer rrugë.

← Hud 11:7