114. Nas

سورة الـناس 6 ajete
Përkthimi Sherif Ahmeti
Texhvid

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَـٰنِ ٱلرَّحِيمِ

1

قُلۡ أَعُوذُ بِرَبِّ ٱلنَّاسِ

Thuaj: "Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!"

2

مَلِكِ ٱلنَّاسِ

Sunduesin e njerëzve,

3

إِلَٰهِ ٱلنَّاسِ

Të adhuruarin e njerëzve,

4

مِن شَرِّ ٱلۡوَسۡوَاسِ ٱلۡخَنَّاسِ

Prej të keqes së cytësit që fshihet.

5

ٱلَّذِي يُوَسۡوِسُ فِي صُدُورِ ٱلنَّاسِ

I cili bën cytje në zemrat e njerëzve,

6

مِنَ ٱلۡجِنَّةِ وَٱلنَّاسِ

"Qoftë ai (cytësi) nga xhinët ose nga njerëzit".*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe kjo sure është si plotësim i sures para kësaj, porse në këtë sure kërkohet ndihma dhe mbrojtja e Zotit prej sherrit të shejtanit dhe prej sherrit të njerëzve ose xhinëve, të cilët veprojnë si shejtani. Në fillim thuhet Zoti i njerëzve, anipse Ai është Zot i të gjitha krijesave, për arsye se gjithçka në këtë ekzistencë është në shërbimin e njeriut, pse vetëm njeriun e pajisi me mend e me dituri, dhe se engjëjt i urdhëroi t’i përulen atij, pra tha Zoti i njerëzve në shenjë nderimi ndaj tyre. Me fjalën Zoti i njerëzve kuptojmë Krijuesin, Edukuesin, Orientuesin e tyre, i cili është Sundues i sunduesve dhe i të sunduarve dhe si i tillë vetëm Ai meriton të jetë i adhuruari. Kur themi Allah, ose Ilah, nuk është fjala vetëm për njohjen e Fuqiplotit, por për Zotin, të cilin edhe e adhurojmë, që meriton të adhurohet vetëm Ai e askush tjetër. Zoti është Zot i gjithësisë, i njeriut, e pranoi njeriu ose nuk e pranoi, e njohu ose nuk e njohu, por nëse e njeh dhe e adhuron Ai është Allahu i tij, e nëse e njeh, por nuk e adhuron, Ai është Zoti i tij, si i të gjitha krijesave të tjera, pse Ai e krijoi, Ai i jep vdekjen, Ai e ringjall. Falënderoj Allahun e Madhëruar.