12. Jusuf · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Jusuf Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Hud, ajete: 111

Kjo është një prej kaptinave të zbritura në Meke, të cilat parashtrojnë ngjarjet rreth pejgamberëve. I tërë tregimi në këtë kaptinë i është kushtuar ndodhisë rreth Jusufit, birit të Jakubit, vështirësive që përjetoi ai dhe babai i tij, mundimet që i vuajti prej vëllezërve, në burg, në shtëpinë e zotëriut të Egjiptit, prej aventurës se grave etj., derisa e shpëtoi Zoti xh. sh. Edhe Muhammedi do ta gjejë shpëtimin dhe do të korrë sukses, anipse e refuzojnë edhe të afërmit edhe të largëtit.

Kaptina ka një trajtim të posaçëm të shprehjeve dhe të domethënieve të saj, ngase rrëfimi i ngjarjes në një mënyrë të butë e të dhëmbshme depërton nëpër ndjenjat shpirtërore si gjaku nëpër damarë, dhe edhe pse është nga kaptinat mekase, të cilat, në të shumtën e rasteve kanë natyrë kërcënimi e tërheqjeje të vërejtjes, kjo është e dalluar ngase ka një atmosferë mëshire, butësie e ledhatimi.

Edhe kjo është shpallur në atë kohë kur Muhammedi ballafaqohej me ato vështirësi të njëpasnjëshme, në atë kohë kur mbeti pa axhën dhe pa bashkëshorten, kur edhe vitin e quajti "senetul huzni" - vit i pikëllimit.

Pikërisht në këtë periudhë kur i dërguari i Zotit, e edhe besimtarët ishin duke u konfrontuar me ato sjellje drastike e të egra të injorantëve kurejshitë, kur ishin izoluar i prej bashkësisë mekase, ata ishin vetmuar dhe sulmuar në çdo pikëpamje, i zbret kjo kaptinë e cila ia lehtëson mundimet, i jep shpresë se pas të gjitha vështirësive do të arrijë sukses dhe çlirim. I thuhet: shikoje Jusufin, vuajtjet e tij dhe mundimet, e më në fund edhe triumfin, por duhet të jesh i durueshëm, se ndihma e Zotit gjithnjë u dhurohet të durueshmëve.: Tregimi për Jusufin nuk është përsëritur në asnjë vend tjetër në Kur'an siç është rasti me tregimet e pejgamberëve të tjerë, të cilat edhe pse duket se përsëriten, përsëritja e tyre është në mënyra të tjera, me stil tjetërfare dhe me sinonime të llojllojta. Gjatë këtij rrëfimi, në këtë kaptinë duhet kuptuar se, dëshira dhe përcaktimi i Zotit fuqiplotë për një send, çështje a njeri, do të realizohet në tërësi, edhe nëse e tërë bota ngritet kundër. Kështu ishte rasti i Jusufit, të cilit Zoti i kishte dhuruar dhuntinë e vet qysh në vegjëli, e përpjekjet e vëllezërve për ta zhvlerësuar atë dhunti, tentimi i grave për ta mashtruar e poshtëruar, nënçmimi duke e shitur si rob dhe gjykimi me burg pa kurrfarë gabimi, nuk patën sukses me atë, nuk arritën asgjë. Në fund u kurorëzua me atë të mirë që ia kishte dhuruar Zoti, edhe si pejgamber e edhe si sundues, e edhe i pranuar në mesin e më të mirëve në jetën e ardhshme!

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:1–12:10

Para se t'i shpallej Kur'ani Muhammedit, ai nuk dinte për ngjarje çfarëdo qofshin, pse ai nuk kishte mësuar nga ndonjë libër e mësues, e edhe ky ishte një fakt kundër atyre që u përpoqën të zhvlerësonin Kur'anin famëlartë, duke thënë se e shpiku vetë Muhammedi.

Zoti xh. sh. ia shpjegon këtë ngjarje Muhammedit dhe besimtarëve në mënyrën më të mirë, më të saktë dhe më të kuptueshme.

Jusufi kishte parë në ëndërr sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i bënin sexhde, i përuleshin. Për këtë i tregoi babait, Jakub, por ai ia tërhoq vërejtjen se ëndërrën nuk duhet treguar vëllezërve, sepse mund t'i bëjnë ndonjë të keqe. Jusufi u habit, si mund t'i bëjnë keq vëllezërit" Por, Jakubi, i sprovuar i tha se duhet ta dijë që shejtani është armik i përbetuar kundër njeriut, e mund t'i i mashtrojë edhe vëllezërit e tij.

Jakubi e kuptoi se Jusufin Zoti do ta dërgojë pejgamber, andaj edhe e donte shumë.

Nga zilia, pse Jakubi e donte Jusufin dhe vëllain e tij Binjaminin - këtë e kishte vëlla edhe prej nëne - djalli ua mbushi mendjen vëllezërve të tij që ta likuidojnë, e pastaj të pendohen e të bëhen njerëz të mirë. Si duket, djali më i madh i Jakubit, Jehudha propozoi një të keqe më të lehtë: ta humbin e mos ta mbysin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:1–12:3

Për sa i përket germave në fillim të sures, u fol gjerësisht në hyrje të sures Bekare. Allahu i Lartësuar thotë: - Elif, Lam, Ra . Këto janë ajete të Librit të Qartë. - Këto janë ajetet e Kur’anit, që është libër i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm. Ai i shtjellon plotësisht

çështjet e paqarta, të padukshme dhe të pakuptueshme. Ai i shpjegon ato në mënyrën më të plotë dhe të kuptueshme. - Ne e zbritëm Kur’anin në arabisht, që ju të mund të mësoni urtësinë. - Kjo për shkak se gjuha arabe është gjuha më e pastër, më e gjerë, që garanton shpjegimin më të mirë të çështjeve. Nëpërmjet saj përcillen kumtet e synuara në mënyrën më të plotë dhe korrekte. Arabishtja është gjuha nëpërmjet të cilës njeriu mund të shprehë më së miri atë që gjendet brenda shpirtit të tij. Për këtë arsye, për librin më të vyer dhe më të rëndësishëm, Allahu i Lartësuar zgjodhi gjuhën më të rëndësishme dhe më të çmuar. Dhe këtë libër ia zbriti më të dalluarit dhe të zgjedhurit Profet, duke dërguar tek ai më të nderuarin e melekëve. E gjitha kjo ndodhi në tokën më të zgjedhur dhe fillimi i zbritjes së këtij libri ndodhi në muajin më të zgjedhur dhe madhështor, që është muaji i Ramazanit. Kështu, Kur’ani është i përkryer në të gjitha aspektet, prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë: - Ne po të përcjellim ty më të bukurën e historive në këtë Kur’an që të kemi shpallur. - Rreth shkakut të zbritjes së këtij ajeti, imam Ibn Xheriri sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili rrëfen: 1508. “Njëherë, njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të na tregoje ndonjë histori?” Atëherë zbriti ajeti: “Ne po të përcjellim ty më të bukurën e historive ...” Domethënë, duke të shpallur këtë Kur’an, Ne po të tregojmë ty më të mirën e historive. Ndër ato hadithe dhe rrëfenja që janë të përshtatshme të përmenden në këtë kontekst, - ku lëvdohet Kur’ani dhe pohohet se ai është i mjaftueshëm përpara çdo libri dhe shpalljeje tjetër që ka sjellë Allahu i Lartësuar, - është një transmetim që e ka sjellë Imam Ahmedi nga Xhabir Ibn Abdilahi, që thotë se: 1509. “Umer Ibn Hatabi shkoi njëherë tek Profeti me një libër, që e kishte marë nga disa ithtarë të Librit dhe ia lexoi atë Profetit. Profeti ﷺ u zemërua dhe tha: “A po kërkon çoroditjen në to, o Ibn Hatab?! Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim, se unë jua solla atë (shpalljen e Zotit) të bardhë e të pastër (nga çdo devijim). Mos i pyesni ithtarët e Librit për gjë! Nëse i pyesni ata dhe ju përgjigjen, ose do të kundërshtoni diçka që ka mbetur e vërtetë nga librat e tyre, ose do të pohoni dhe miratoni diçka që është e kotë dhe e devijuar. Unë betohem në Allahun se, nëse Musai do të ishte gjallë në mesin tuaj, atij do t’i bëhej e detyrueshme të më pasonte mua dhe nuk do t’i lejohej që të devijonte nga rruga ime!” Gjithashtu, imam Ahmedi përcjell rrëf imin nga Abdullah Ibn Thabiti: 1510. “Umer Ibn Hatabi shkoi njëherë tek Profeti dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë urdhërova një vëlla timin, një hebre prej Kurejdhave, që të më shkruante disa tekste të mbledhura nga Teurati. A të t’i tregoj ty?” Transmetuesi rrëfen: “Fytyra e Profetit a.s ndryshoi ...” Abdullah Ibn Thabiti vazhdon: “Unë i thashë Umerit: “A nuk e shikon se si ndryshoi fytyra e Profetit?” Atëherë, Umeri tha: “Jam i kënaqur me Allahun si Zotin tim dhe me Islamin si fenë time dhe me Muhamedin si Profetin tim!” Kështu, Profeti ﷺ u qetësua dhe tha: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im! Nëse tani mes jush do të ishte Musai (a.s.) dhe ju ta pasonit atë dhe të më linit mua, do të devijonit dhe do të humbnit rrugën! Ju jeni pjesa ime e umeteve, ndërsa unë jam pjesa juaj e profetëve!” - Përpara kësaj ti ishe ndër ata që nuk dinin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:1–12:3

- “Elif, Lam, Ra. Këto janë ajete të Librit të qartë!” - Allahu i Lartësuar na tregon se këto janë ajete të një Libri të qartë dhe lehtësisht të kuptueshëm. I qartë është teksti i tij, të qarta janë edhe kuptimet e tij. Kur'ani është libër i qartë, i shtjelluar plotësisht nga Allahu i Lartësuar. Ai u shpall në gjuhën e pastër arabe, e cila është gjuha më fisnike, më e pasura dhe më e plota për të qartësuar çështjet. Nëpërmjet saj, njerëzit sqarohen për të gjitha çështjet e nevojshme dhe të dobishme për të cilat kanë nevojë. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar na tregon se ky qartësim dhe sjellja e Kur'anit në gjuhën arabe është bërë për një qëllim të caktuar: - “Ne e zbritëm Kur'anin në arabisht, që ju të mund të mësoni urtësinë.” - Kuptimi: E zbritëm Kur'anin, me qëllim që ju të mendoni dhe të përfitoni nga ky libër, duke mësuar se cilët janë kufijtë e vendosur nga Allahu i Lartësuar, cilat janë çështjet themelore që duhet të njohë çdo njeri, që të jetë në rregull me Allahun e Lartësuar, madje edhe ato çështje jo kryesore. Këto ajete zbritën që ju të njihni urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Lartësuar. Nëse meditoni dhe i studioni me vëmendje ajetet e Zotit, do të arrini siguri të plotë në besimin dhe fenë tuaj. Kur zemrat mbushen me dituri të pastër rreth ligjeve të Allahut të Lartësuar, frytet janë të mrekullueshme: vepra të mira dhe nënshtrim ndaj porosive të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, duke medituar e duke analizuar vazhdimisht këto ajete, që përmbajnë kuptime të mrekullueshme, mendjet tuaja do të ndriçohen, do të plotësohen dhe do të ngrihen në një nivel më të lartë. Përmes meditimit në këtë libër madhështor, mendja dhe shpirti juaj pastrohen dhe kompletohen. Më pas, Allahu i Lartësuar vijon dhe thotë: - “Ne po të përcjellim ty më të bukurën e historive në këtë Kur'an që të kemi shpallur....” - Allahu i Lartësuar e ka quajtur Kur'anin: " Ahsenel Kasas ", domethënë, rrëfimin më të bukur, sepse ai është një rrëfim i vërtetë, në të cilin nuk ka asnjë dyshim. Ai nuk është një trillim imagjinate, por një realitet. Kur'ani është përcjellë përmes fjalëve dhe shprehjeve më të bukura dhe më të zgjedhura. Ai përmban kuptime të gjera, të thella dhe të mrekullueshme, nga të cilat përfitohen shumë dobi dhe mirësi. Nuk ka dyshim se Kur'ani është fjala më e bukur, më e plotë dhe më e dobishme e sjellë nga Allahu i Lartësuar. Bukuria e tij qëndron pikërisht në urtësitë dhe mësimet e mrekullueshme që ai përmban. Me shpalljen e këtij libri madhështor dhe të pakrahasueshëm, Allahu i Lartësuar e dalloi profetin Muhamed ﷺ dhe umetin e tij mbi të gjithë të tjerët. Kjo ishte thjesht një mirësi dhe dhuratë nga Allahu i Lartësuar, i Cili është Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm: - “Përpara kësaj ti ishe ndër ata që nuk dinin.” - Kuptimi: Ti nuk e dije se çfarë ishte Shpallja dhe çfarë ishte feja, përpara se Allahu i Lartësuar të të shpallte ty Kur'anin madhështor. Allahu i Lartësuar, sikurse thotë në një ajet tjetër, 60 e ka bërë Kur'anin “dritë”, me të cilën ndriçon dhe udhëzon ata që Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar e lavdëron Kur'anin, duke e përshkruar atë si “rrëfimi më i mirë dhe më i bukur”. Asnjë fjalë tjetër nuk mund t’i afrohet mirësisë dhe bukurisë së këtij libri. Pas lavdërimit të Kur'anit, Allahu i Lartësuar vijon që të tregojë një ndër historitë më të bukura dhe më dobiprurëse, atë të Jusufit (a.s):

← Jusuf 12:1