12. Jusuf · Ajeti 10 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:1–12:10
Para se t'i shpallej Kur'ani Muhammedit, ai nuk dinte për ngjarje çfarëdo qofshin, pse ai nuk kishte mësuar nga ndonjë libër e mësues, e edhe ky ishte një fakt kundër atyre që u përpoqën të zhvlerësonin Kur'anin famëlartë, duke thënë se e shpiku vetë Muhammedi.
Zoti xh. sh. ia shpjegon këtë ngjarje Muhammedit dhe besimtarëve në mënyrën më të mirë, më të saktë dhe më të kuptueshme.
Jusufi kishte parë në ëndërr sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i bënin sexhde, i përuleshin. Për këtë i tregoi babait, Jakub, por ai ia tërhoq vërejtjen se ëndërrën nuk duhet treguar vëllezërve, sepse mund t'i bëjnë ndonjë të keqe. Jusufi u habit, si mund t'i bëjnë keq vëllezërit" Por, Jakubi, i sprovuar i tha se duhet ta dijë që shejtani është armik i përbetuar kundër njeriut, e mund t'i i mashtrojë edhe vëllezërit e tij.
Jakubi e kuptoi se Jusufin Zoti do ta dërgojë pejgamber, andaj edhe e donte shumë.
Nga zilia, pse Jakubi e donte Jusufin dhe vëllain e tij Binjaminin - këtë e kishte vëlla edhe prej nëne - djalli ua mbushi mendjen vëllezërve të tij që ta likuidojnë, e pastaj të pendohen e të bëhen njerëz të mirë. Si duket, djali më i madh i Jakubit, Jehudha propozoi një të keqe më të lehtë: ta humbin e mos ta mbysin.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:7–12:10
- Në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij ka, vërtet shumë mësime për të gjithë ata që pyesin (për të vërtetën) . - Allahu i Lartësuar na tregon se në historinë e Jusufit me vëllezërit e Tij ka mësime dhe këshilla të vyera për të gjithë ata që pyesin rreth kësaj historie. - Vëllezërit e tij thanë: “Babai ynë do më tepër Jusufin dhe vëllanë e tij (Beniaminin) sesa ne. Por ne bëhemi një grup i fortë. - Këto ishin fjalët e vëllezërve kur vërejtën dashurinë e madhe të Jakubit, atit të tyre, për Jusufin, vëllanë e tyre. Ata thanë: Si është e mundur që ati ynë do më shumë Jusufin, së bashku me vëllain e tij nga e njëjta nënë, Beniaminin, ndërkohë që ne jemi një grup i fortë djemsh, që i shërbejnë dhe punojnë?!” - Babai ynë po gabon dukshëm. - Babai nuk ka të drejtë që ta bëjë këtë. Mësoje se nuk ka asnjë argument që të tregojë se, edhe vëllezërit e Jusufit ishin profetë. Pikërisht kjo fjalë dhe e gjithë historia në tërësi tregojnë qartë se diçka e tillë nuk është e vërtetë. Disa njerëz tregojnë se edhe vëllezërve të Jusufit u erdhi shpallje prej Zotit, pas kësaj historie të gjatë me Jusufin, por kjo duhet rishikuar mirë për saktësinë e saj. Ata nuk përmendin ndonjë argument për të vërtetuar këtë tezë, përveç fjalës së Allahut të Lartësuar: “Thoni: “Ne besojmë tek Allahu, tek ajo që na u shpall neve dhe tek ajo që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve ...” [Bekare 136]. Argumentimi me këtë ajet është i mundur, por jo dhe aq i prerë, sepse me fjalën “ esbat” emërtohen të gjithë pasardhësit e Israilit. Kështu, mund të themi se Allahu i Madhëruar thotë në mënyrë të përgjithshme se Ai u ka shpallur profetëve që erdhën prej Esbatëve të Benu Izraelitëve, sepse ata ishin shumë. Fjala “ sebt” vlen për çdo pasardhës mashkull që ka ardhur prej vëllezërve të Jusufit (pra nuk është i posaçëm vetëm për vëllezërit e jusufit). Në këtë mënyrë, ky ajet është thjesht një argument i përgjithshëm. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë argument të posaçëm që tregon qartë se vëllezërve të Jusufit iu erdhi shpallje prej Allahut të Madhëruar. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur.
- Vriteni Jusufin ose hidheni diku, në ndonjë vend të largët, që babai t’ju dojë vetëm ju. - Jusufi po merr një pjesë të madhe nga dashuria e babait, prandaj ose vriteni atë, ose çojeni në ndonjë vend të largët, dhe kështu të rehatoheni prej tij. Në këtë mënyrë, dashuria e babait tuaj do të mbetet e tëra vetëm për ju. - dhe më pas bëhuni njerëz të mirë!” - Domethënë, ata vendosën të pendoheshin që para se ta bënin gjynahun. - Njëri prej tyre tha: “Mos e vrisni Jusufin por, nëse doni të bëni diçka me të, hidheni në pus, që ta gjejë e ta marrë ndonjë karvan udhëtarësh.”. - Të mos ju shtyjë urrejtja dhe smira që keni për Jusufin që ta vrisni atë. Sigurisht që ata nuk do të kishin kurrë mundësinë që ta realizonin vrasjen e tij, sepse Allahu i Lartësuar e kishte përcaktuar që më parë se ai do të ishte një Profet i zgjedhur dhe do të kishte një pozitë të nderuar në Misir, madje do të ishte prej udhëheqësve të atij vendi. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e shmangu vrasjen e tij si opsion, përmes kësaj fjale që tha njëri prej vëllezërve. Atëherë, në vend të vrasjes, ata vendosën ta hidhnin atë në fund të një pusi të thellë. Ata thanë: “... hidheni në pus, që ta gjejë e ta marrë ndonjë karvan udhëtarësh.” Domethënë, që ta merrte ndonjë nga karvanet që kalonin aty rrotull, dhe kështu ata të shpëtonin prej tij. Muhamed Ibn Is’hak Ibn Jesari ka thënë për këtë veprim: “Ata vendosën së bashku për një gabim jashtëzakonisht të madh, që përfshinte: prishjen e lidhjeve farefisnore, padrejtësinë ndaj prindërve dhe mizorinë ndaj një të vogli, i cili nuk kishte bërë asnjë faj. Vërtet, ata bënë një gjynah shumë të madh, Allahu i faltë! 149
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:10
Njëri nga vëllezërit e Jusufit propozoi: “Mos e vrisni Jusufin, sepse vrasja është krim shumë i rëndë. Qëllimi ynë mund të arrihet edhe thjesht me largimin e Jusufit nga babai, pa qenë e nevojshme që ta vrasim.” Si përfundim, ata vendosën që ta linin në një pus, duke e kërcënuar që të mos tregonte për ata. Madje, ata e urdhëruan Jusufin që të hiqej sikur ishte një skllav i arratisur, në mënyrë që karvanet ta merrnin dhe ta dërgonin në ndonjë vend ku nuk do të dëgjohej asgjë prej tij. Sigurisht, ky që foli ishte më i dashur dhe kishte mendimin më të mirë mes vëllezërve të Jusufit. Të këqijat nuk janë të gjitha në një nivel. Një e keqe më e vogël është më e pranueshme sesa një tjetër më e madhe. Kështu, të gjithë vëllezërit ranë dakord me këtë propozim të fundit.