12. Jusuf · Ajeti 10

سورة يوسف
Përkthimi Sherif Ahmeti
10

قَالَ قَآئِلٞ مِّنۡهُمۡ لَا تَقۡتُلُواْ يُوسُفَ وَأَلۡقُوهُ فِي غَيَٰبَتِ ٱلۡجُبِّ يَلۡتَقِطۡهُ بَعۡضُ ٱلسَّيَّارَةِ إِن كُنتُمۡ فَٰعِلِينَ

Njëri prej tyre tha: "Mos e mbytni Jusufin, e në qoftë se jeni për të bërë diç, lëshojeni atë në fund të bunarit, do ta marrë atë dikush prej udhëtarëve".*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Para se t’i shpallej Muhammedit a.s. Kurani ai nuk dinte për ngjarje çfarëdo qofshin, pse ai nuk kishte mësuar nga ndonjë libër e mësues, edhe ky ishte një fakt kundër atyre, që u përpoqën të zhvlerësonin Kuranin Famëlartë, duke thënë se e shpiku vetë Muhamedi a.s. Zoti xh. sh. ia shpjegon këtë ngjarje Muhamedit a.s. dhe besimtarëve në mënyrën më të mirë, më të saktë dhe më të kuptueshme. Jusufi kishte parë në ëndërr sikur dielli, hëna dhe njëmbëdhjetë yje i bënin sexhde, i përuleshin. Për këtë i tregoi babait të vet, Jakubit, por ai i tërhoqi vërejtjen, se ëndrrën nuk duhet t’ia tregojë vëllezërve, sepse mund t’i bëjnë ndonjë të keqe. Jusufi u habit, si mund t’i bëjnë keq vëllezërit? Por Jakubi i sprovuar i tha, se duhet ta dijë që shejtani është armik i përbetuar kundër njeriut, e mund t’i mashtrojë edhe vëllezërit e tij. Jakubi e kuptoi, se Zoti do ta dërgojë Jusufin pejgamber, prandaj edhe e donte shumë. Nga zilia, pse Jakubi e donte Jusufin dhe vëllain e tij Beniaminin - këtë e kishte vëlla edhe prej nëne - djalli ua mbushi mendjen vëllezërve të tij që ta likuidojnë, e pastaj të pendohen e të bëhen njerëz të mirë. Si duket, djali më i madh i Jakubit, Jehudha propozoi një të keqe më të lehtë: ta humbin e mos ta vrasin.