12. Jusuf · Ajeti 36 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:35–12:42

Sprova e katër dhe e fundit për Jusufin ishte burgu. Paria e Egjiptit e vërtetoi se Jusufi ishte i pafajshëm, por për hir të autoritetit të gruas së ministrit, edhe pse pa të drejtë, vendosi ta burgosë kinse si fajtor.

Ndodhi që bashkë me Jusufin të burgosen edhe dy të rinj, shërbëtorë të sundimtarit. Ata kishin kuptuar se Jusufi i interpreton ëndërrat, andaj edhe e pyetën. Është karakteristike se Jusufi edhe në burg, edhe në momentin më të vështirë, nuk e harroi detyrën e shenjtë, thirrjen në besim të drejtë, andaj para se t'ua shpjegojë ëndërrat, filloi shpjegimin rreth besimit të drejtë dhe rreth asgjësimit të besimeve të kota. Mandej u sqaroi edhe rrjedhimin e domethënies së ëndërrave. Thuhet se kur u komentoi ëndërrat, ata thanë se nuk kemi parë farë ëndërre, e ai ju tha, keni parë s'keni parë, do t'ju ngjajë çka ju thash. Këtu Jusufi e bën një lëshim të vogël, por për të, si pejgamber, ishte i madh. Atij për të cilin e dinte se do të lirohej prej burgut i tha që t'ia sjellë ndërmed zotëriut të tij çështjen se si Jusufi mbeti në burg pa faj. Mirëpo, ai harroi dhe Jusufi mbeti në burg shtatë vjet.

Thuhet se paska thënë Xhibrili: Kush të shpëtoi prej mbytjes, kush të nxori nga bunari, kush të mbrojti prej punës së keqe, kush të largoi sherrin e grave" E, Jusufi në të gjitha këto është përgjegjur: Allahut Atëherë Xhibrili i thotë: përse pra u mbështete te njeriu kur i the atij të përmend I te zorëriu7 Jusufi tha: gabova, dhe e luti Zotin të mëshirojë. Xhibrili i tha: Zoti ta fali gabimin, I por për një kohë do të mbetesh në burg.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:35–12:36

- Më pas, edhe pasi panë argumentet, ata vendosën (padrejtësisht) që ta burgosnin atë (Jusufin) për njëfarë kohe. - Allahu i Lartësuar na njofton se familja e ministrit e panë të udhës që ta burgosnin Jusufin për njëfarë kohe, edhe pse ata u siguruan për pafajësinë e tij. Ata vendosën ta burgosnin për të ruajtur figurën e familjes së ministrit, sepse tashmë lajmi ishte përhapur dhe vetëm duke burgosur Jusufin mund të jepej mesazhi se gruaja e ministrit nuk ishte fajtore. Për këtë arsye, kur kohës së burgosjes së Jusufit po i vinte fundi dhe mbreti vendosi që ta nxirrte Jusufin nga burgu, Jusufi refuzoi të dilte, derisa të pastrohej figura e tij dhe dilte në pah e vërteta. Vetëm pasi u sqarua e vërteta e ai doli i pastër në nderin dhe dinjitetin e tij para njerëzve, si pranoi të dilte. Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi Jusufin! - Së bashku me të, hynë në burg dy të rinj. - Për sa u përket dy të rinjve që ishin në burg së bashku me Jusufin, njëri prej tyre shtrydhte pije për mbretin, ndërsa tjetri piqte bukën për të. Ata e donin Jusufin fort, sepse shihnin tek ai cilësi e vepra të mrekullueshme. Në burg ishte përhapur lajmi për ndershmërinë e pastërtinë e Jusufit, por edhe për besnikërinë dhe përgjegjshmërinë e tij. Ai njihej, gjithashtu, për urtësinë, maturinë e mençurinë e madhe. Ai dallohej edhe për adhurimet e shumta që i përkushtonte Allahut. Madje, përveç kësaj, ai njihej si interpretues i saktë i ëndrrave. Jusufi dallohej për një mirësjellje edhe mes të burgosurve. Ai kujdesej për ata që ishin të sëmurë, mundohej t’u shërbente e të përmbushte nevojat e tyre. Të dy djemtë, që e donin shumë Jusufin, panë secili nga një ëndërr. - Njëri prej tyre tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po shtrydhja rrush (për verë)”. - Jusufi ia shpjegoi, duke i thënë se, pas tri ditësh, ai do të dilte nga burgu dhe do t’i shërbente pije zotërisë së tij. - Ndërsa tjetri tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po mbaja mbi kokë një bukë, që po e çukisnin zogjtë. - Këtij Jusufi i tha se, pas tri ditësh, ai do të mbërthehej në dru dhe zogjtë do të hanin nga koka e tij. Thuhet se Jusufi nuk u tregoi konkretisht se për cilin nga ata të dy ishte shpjegimi i ëndrrës. Ai thjesht i shpjegoi të dyja ëndrrat, por nuk e përcaktoi se për cilin nga dy pyetësit ishin ato. Këtë e bëri që të mos trishtoheshin. Ndërsa Ibn Xheriri, duke përcjellë shpjegimin nga Abdullah Ibn Mesudi, ka thënë: “Dy shokët e Jusufit, në fakt, nuk

kishin parë asnjë ëndërr, por u shtirën sikur kishin parë ëndërr, për ta vënë në provë Jusufin.” - A mund të na i shpjegosh këto ëndrra, se dukesh vërtet që je njeri i mirë?”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:36–12:40

- “Së bashku me të, hynë në burg dy të rinj.” - Në burg bashkë me Jusufin (a.s) ishin edhe dy djem të rinj. Ata kishin parë nga një ëndërr dhe ia treguan Jusufit, në mënyrë që ai t’ua shpjegonte: - “Njëri prej tyre tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po shtrydhja rrush (për verë)”. Ndërsa tjetri tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po mbaja mbi kokë një bukë, që po e çukisnin zogjtë.”” - Ata pyetën Jusufin se ç’kuptim kishin ëndrrat e tyre. Ata i thanë: “Ne të shohim se ti je bamirës me njerëzit.” - “A mund të na i shpjegosh këto ëndrra, se dukesh vërtet që je njeri i mirë?”” - Tregohu i mirë me ne dhe na shpjego ëndrrat tona, ashtu siç je treguar i mirë me të tjerët. Kështu, ata kërkuan të miqësoheshin me Jusufin, duke e vlerësuar për bamirësinë dhe mirësjelljen e tij ndaj njerëzve. Atëherë, Jusufi (a.s) iu përgjigj: - “Ai tha: “Përpara se të vijë ushqimi që hani, unë kam për t'jua shpjeguar ato (ëndra) që patë.” - Qetësohuni, sepse shumë shpejt do t’jua shpjegoj ëndrrat që keni parë, para se të vijë ushqimi i drekës apo i darkës. Me sa duket, para se t’ua shpjegonte ëndrrat, Jusufi shfrytëzoi rastin kur ata ishin të gatshëm për ta dëgjuar, për t’i ftuar ata në besimin e drejtë dhe teuhid, duke shpresuar që ata ta pranonin ftesën e tij. Ai u foli me urtësi dhe ngrohtësi: - “Këtë gjë ma ka mësuar Zoti im.” - Shpjegimi i ëndrrave është dhunti prej Zotit tim, duke më dalluar mbi të tjerët. - “Unë i kam braktisur ata njerëz që nuk besojnë në Allahun dhe që e mohojnë jetën tjetër.” - Kuptimi: Unë e kam konsideruar si diçka të braktisur dhe kurrë nuk e kam pranuar fenë e atyre që nuk besojnë në ahiret. Asnjëherë nuk kam qenë pjesë e besimit të shtrembëruar dhe të devijuar të popujve të humbur, por gjithmonë jam larguar prej tyre. Ky ajet nuk duhet keqkuptuar dhe kurrsesi nuk mund të thuhet se Jusufi ka qenë më përpara në fenë e devijuar dhe pastaj e ka lënë atë, përkundrazi: - “Unë ndjek fenë e etërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit.” - Pastaj, Jusufi u shpjegoi se cila ishte kjo fe, duke thënë: - “Ne kurrë nuk i kemi bërë shok Allahut.” - Nuk mund të ndodhë kurrë që ne t’i bëjmë shirk Allahut të Madhëruar, por e njësojmë gjithmonë Atë, duke e adhuruar si një të vetëm, ashtu sikurse na ka mësuar

dhe na ka udhëzuar vetë Ai përmes Shpalljes. - “Kjo është prej mirësive të shumta të Allahut për ne dhe për njerëzimin në tërësi,...” - Kjo është prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut, që na ka dalluar mbi të tjerët. Ata që Allahu i Madhëruar i ka udhëzuar në këtë fe janë të dalluar mbi të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk ka mirësi më të madhe sesa mirësia e ‘Islamit’, pra, e dorëzimit tërësisht tek Allahu i Madhëruar, sipas fesë së pastër të Tij. Kush e pranon këtë fe dhe nënshtrohet për të jetuar sipas saj, është vërtet i zgjedhur dhe fatlum, sepse i është dhënë mirësia më e madhe nga Allahu i Madhëruar, me të cilën arrin lumturinë në dynja dhe ahiret. - “...por shumica e njerëzve nuk tregojnë mirënjohje për këtë.” - Atyre u ofrohet mirësia, bujaria dhe mëshira e Allahut të Madhëruar, u ofrohet udhëzimi i Tij i mrekullueshëm dhe lumturues, e megjithatë, ata nuk e pranojnë, nuk e respektojnë dhe nuk e trajtojnë seriozisht, duke i dhënë hakun që i takon. Këto ajete janë një mësim i vyer për rrugën që duhet të ndjekim kur ftojmë njerëzit në fe. Jusufi vërejti se dy djemtë e burgut e respektonin dhe e vlerësonin si bamirës ndaj tyre. Për këtë arsye, ai u mësoi se kjo vlerë që ata shihnin tek ai ishte thjesht një dhuratë prej Allahut të Lartësuar. Kjo mirësi - u shpjegoi Jusufi - ka disa faktorë. Fillimisht, ajo bazohet në lënien e idhujtarisë dhe pasimin e rrugës së profetëve pararendës të Allahut të Madhëruar. Kjo gjë më bëri që ju të më respektoni dhe më nderoni tani. Nëse edhe ju dëshironi që të respektoheni dhe të jeni bamirës, duhet që të ndiqni të njëjtën rrugë. Pastaj Jusufi i fton haptazi në besimin e pastër monoteist: - “O dy shokët e mi të burgut! Si mendoni ju, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo veç Allahu, që është Një e Ngadhënjimtar?” - Kuptimi: Mendoni pak! Si, vallë, mund t’u nënshtrohesh ca krijesave të dobëta, që nuk kanë mundësi të bëjnë mirë apo keq, as të japin dhe as të privojnë?! Ato janë thjesht krijesa: pemë, gurë, melekë, xhindë etj., që adhurohen nga idhujtarët pa asnjë fakt nga Zoti i Madhërishëm. A janë këta më të mirë, apo është Allahu i Madhërishëm, i Cili ka cilësitë më absolute, më të plota dhe larg mangësive? Allahu është ‘ El Uâĥid’ - i Vetmi dhe i Pakrahasueshmi në Qenien, cilësitë dhe në veprat e Tij. Ai nuk ka të ngjashëm dhe partner në asnjë aspekt dhe këndvështrim qoftë. Allahu është ‘ El Kahhâr’ - Nënshtruesi, Mposhtësi, para të Cilit janë nënshtruar të gjitha krijesat. Të gjithë janë të përulur përballë pushtetit të Tij. Çfarë dëshiron Allahu të ekzistojë, ekziston, dhe çfarë nuk e dëshiron Ai të ekzistojë, kurrë nuk ka për të ekzistuar. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër kuranor: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë, që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një libër të qartë.” [Hud 6]. Sigurisht, Ai që ka këtë madhështi është më i mirë sesa ata idhuj të cilët janë thjesht emërtime të shpikura nga njerëzit.

Ata janë të mangët dhe të pafuqishëm. Ata nuk kanë asnjë cilësi madhështore, sikurse ka Allahu i Madhëruar. Cilësitë e tyre janë të mangëta, dhe po kështu janë edhe veprat e tyre. Prandaj Jusufi (a.s) u thotë djemve të burgut: - “Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë gjë tjetër, veçse emra, që i keni vënë vetë ju dhe paraardhësit tuaj, sepse Allahu nuk ka sjellë asnjë fakt për ta.” - Ata janë disa sende, të cilëve ju u keni vënë emra dhe i keni quajtur zot, ndërkohë që ata janë hiçgjë dhe nuk kanë asnjë cilësi madhështore të Allahut të Lartësuar. Për adhurimin e tyre nuk ka zbritur asnjë argument nga Allahu i Lartësuar: “Allahu nuk ka sjellë asnjë fakt për ta” Madje, përkundrazi, Allahu i Madhëruar ka zbritur argumente që ndalojnë adhurimin e tyre dhe që bëjnë të qartë kotësinë e këtij adhurimi. Duke qenë se Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur argumente për të treguar se ata duhet të adhurohen, atëherë nuk ka asnjë lloj mënyre tjetër për të argumentuar saktësinë e adhurimit që u kushtohet atyre. - “I gjithë sundimi (dhe Ligji) është vetëm në dorë të Allahut.” - Gjykimi i përket veçse Allahut të Madhëruar, që është i Vetëm dhe i Pashoq. Vetëm Ai zbret ligjet e jetës dhe të adhurimit. Veç Allahu i Lartësuar është Ai që urdhëron dhe ndalon. Allahu i Lartësuar gjithmonë ju ka urdhëruar që: - “Ai ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd (dhe asgjë) tjetër veç Tij.” - Kjo është feja e drejtë, që të çon drejt suksesit. Çdo rrugë tjetër është e shpikur nga njerëzit dhe të çon drejt dështimit dhe drejt zemërimit të Allahut të Madhëruar . - “Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” - Ata nuk e njohin realitetin e gjërave. Çështjet që ka shtjelluar Allahu i Madhëruar janë aq të qarta, saqë nuk lënë asnjë dyshim, por shumica e njerëzve nuk i dinë dhe nuk duan që t’i mësojnë këto çështje. Ndryshimi mes teuhidit dhe shirkut është lehtësisht i kuptueshëm, por ata thjesht nuk duan të kuptojnë. Duke qenë se ata nuk duan që të kthehen tek Allahu i Madhëruar, atëherë patjetër do të bien në shirk dhe do të adhurojnë zota të tjerë të rremë. Kështu, Jusufi (a.s) i ftoi dy shokët e tij të burgut që të adhuronin Allahun e Lartësuar duke e njësuar dhe duke ia kushtuar me sinqeritet të gjitha adhurimet vetëm Atij. Ka mundësi që ata ta kenë pranuar këtë ftesë dhe të jenë udhëzuar, duke e marrë të plotë mirësinë e Allahu ndaj tyre. Por ka mundësi që të kenë refuzuar dhe të kenë vazhduar në idhujtarinë e tyre, dhe në këtë mënyrë ata nuk do të kenë asnjë justifikim para Zotit të Madhëruar. Pas kësaj ftese kaq të bukur dhe të qartë, Jusufi vijoi me shpjegimin e ëndrrave, për të cilat ata e kishin pyetur:

← Jusuf 12:36