12. Jusuf · Ajeti 80 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:69–12:86

Kur hynë te Jusufi, ai vendosi nga dy në një dhomë si mysafirë, e pasi Binjamini mbeti vetë, ai tha po e marr me vete në dhomën time. Aty i tregoi se ishte Jusufi, i tregoi për planin e vet dhe i tha të mos tronditet për rrjedhimin e ngjarjes. I urdhëroi shërbëtorët që kupën e vet, të stolisur me diamant, ta vënë në barrën e vëllait të i vogël pa i hetuar kush. Pasi publikuan se dikush e ka marrë kupën e sunduesit, kërkuan mendim I prej tyre për masën ndëshkuese që duhet marrë tek ai që gjendet. Këtë Jusufi e bëri me qëllim, sepse sipas ligjit të egjiptit hajni rrahej dhe detyrohej ta paguaj dëmin, e jo të mbahej peng. E sipas ligjit të Jakubit, për të cilin dinte Jusufi, hajni që vjedh mbetej rob i të zotit të sendit të vjedhur, e Jusufi këtë kishte për qëllim.

Vëllezërit e Jusufit edhe me atë rast u shprehën keq kur thanë se edhe vëllai i tij më parë ka pasë vjedhur, duke aluduar në Jusufin, por Jusufi nuk reagoi. Por edhe ata treguan sinqeritet, kur e lutën ta ndalë njërin prej tyre në vend të Binjaminit, dhe shprehën dhembje për babain plak.

Jusufi nuk pranoi që ta ndalte ndonjë tjetër në vend të tij. E kur ata i humbën të gjitha shpresat, u ndanë dhe u konsultuan mes vete. Më i vjetri prej tyre, Jehudha, i qortoi vëllezërit dhe vendosi të mos shkojë i gjallë pa vëllain e vogël, e atyre u tha të shkojnë dhe t'i tregojnë babait për ngjarjen. Kur i treguam Jakubit çështjen, ai shumë u pikëllua dhe duke shprehur dëshprimin e përmendi Jusufin, që gati ishte harruar, e bijve të tij ua zgjoi ndjenjën e dhimbshurisë ndaj babait dhe i thanë të mos pikëllohet aq shumë se kështu do ta shkatërrojë veten, por ai shfaqi shpresën se do t'i vijnë të gjithë djemtë e humbur.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:80–12:82

- Kur e humbën shpresën (se mund të bënin gjë), u veçuan për t’u këshilluar me njëri tjetrin. - Pasi vëllezërit e Jusufit e humbën shpresën se do të mund ta merrnin me vete Beniaminin, për ta kthyer tek i ati, ashtu siç i ishin përbetuar atij, u veçuan dhe folën veçmas me njëri-tjetrin. - Më i madhi i tyre tha: “A mos e harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah?!” - Ky ishte vëllai që i udhëzoi të mos e vrisnin, por thjesht ta hidhnin në pus. Ai u tha: “A mos e harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah, se do t’ia ktheni djalin?! Tashmë ju e shihni se kjo është e pamundur.” - Ju e keni shkelur edhe një herë tjetër besën, kur ishte fjala për Jusufin. - Po kështu e privuat atë nga Jusufi. Atëherë, ai mori një vendim dhe tha: - “Unë nuk largohem prej këtij vendi...” - Domethënë, nga Egjipti. - “...derisa të më lejojë im atë...” - Derisa të më lejojë të kthehem tek ai dhe të jetë i kënaqur prej meje.

- “ose të gjykojë Allahu për mua.” - Të më mundësojë që ta marr edhe vëllanë tim me vete. - Ai është Gjykatësi më i drejtë. - Pastaj i porositi të vëllezërit që t’ia shpjegonin të atit atë çfarë ndodhi, me shpresë se do t’i justifikonte: - Ju kthehuni te babai juaj dhe i thoni: “O baba! Djali yt ka vjedhur. Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. Ne nuk mund ta parashikonim atë që ndodhi. - Ne nuk e dinim se Beniamini kishte vjedhur. Kur ministri na pyeti se cili është ndëshkimi për atë që ka vjedhur, ne i treguam se cila është masa ndëshkimore për këtë rast. - Ti dërgo njerëz e pyet në qytetin ku ishim dhe karvanin me të cilin kemi ardhur! - Pyeti banorët e atij vendi dhe pjesëtarët e karvanit me të cilin udhëtuam. Ata janë dëshmitarë për vërtetësinë e fjalëve tona. - Ne po të themi të vërtetën.” - Ne jemi të sinqertë në atë që po të themi. Ajo që ne pamë dhe dëshmuam ishte fakti se ai vodhi dhe u mbajt për shkak të kësaj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:80–12:83

- “Kur e humbën shpresën (se mund të bënin gjë), u veçuan për t’u këshilluar me njëri tjetrin.” - Kur e humbën shpresën se Jusufi do t’ua jepte me vete vëllain e tyre, u veçuan për t’u konsultuar. U mblodhën së bashku veç ata dhe askush tjetër. Kështu, ata nisën të diskutonin: - “Më i madhi i tyre tha: “A mos e harruat që babai ka marrë prej jush betimin në Allah?!” - Kuptimi: Babai ju mori premtimin që ta ruanit Beniaminin dhe t'ia sillnit atë shëndoshë e mirë, vetëm nëse kjo gjë do të dilte tërësisht jashtë mundësive tuaja. - “Ju e keni shkelur edhe një herë tjetër besën, kur ishte fjala për Jusufin.” - Tashmë mbi ju rëndojnë dy çështje: Së pari, gabimi që keni bërë ndaj Jusufit në të shkuarën dhe, së dyti, mosplotësimi i porosisë së babait në lidhje me Beniaminin. Unë - tha vëllai më i madh - tashmë nuk kam fytyrë që të dal përpara babait tim. - “Unë nuk largohem prej këtij vendi, derisa të më lejojë im atë ose të gjykojë Allahu për mua.” - Unë do të qëndroj këtu dhe nuk kam për t’u larguar derisa të më japë leje babai dhe të gjykojë Allahu për mua, ose, me fjalë të tjera, derisa të bëhet e mundur që unë të vij vetë ose të vij së bashku me vëllain tim. - “Ai është Gjykatësi më i drejtë.” - Allahu i Madhëruar është Gjykuesi më i mirë. Pastaj ai nisi të këshillonte vëllezërit e tij për mënyrën se si t’ia thoshin babait atë që ndodhi: - “Ju kthehuni te babai juaj dhe i thoni: “O baba! Djali yt ka vjedhur.” - Thuajini atij se djali yt vodhi dhe u dënua pikërisht për vjedhjen e tij, prandaj ne nuk e patëm të mundur që ta sjellim këtu, me gjithë përpjekjet tona për ta realizuar një gjë të tillë. - “Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë.” - Ne thjesht po dëshmojmë për atë që e pamë vetë dhe nuk po themi diçka që nuk e kemi parë. Ne e pamë me sytë tanë që ena e Mbretit u nxor pikërisht nga barra e kafshës së tij. - “Ne nuk mund ta parashikonim atë që ndodhi!” - Nëse do ta dinim se çfarë do të ndodhte, kurrsesi nuk do të përpiqeshim ta merrnim Benjaminin me vete dhe kurrë nuk do të jepnim fjalën se do ta kthenim mbrapsht. Ne nuk mund ta mendonim se çështja do të shkonte deri në këtë pikë. - “Ti dërgo njerëz e pyet në qytetin ku ishim dhe karvanin me të cilin kemi ardhur!” - Nëse ti dyshon në fjalët tona, atëherë pyet në qytetin ku ishim dhe karvanin me të cilin erdhëm. Edhe ata ishin dëshmitarë për këtë që po të themi. - “Ne po të themi të vërtetën.” - Nuk po gënjejmë dhe nuk kemi tjetërsuar asgjë, por veç po themi atë që është reale. Por dëshpërimi i babait u shtua më tepër, prandaj nisi t’i akuzonte edhe për këtë rast, sikurse bëri në rastin e parë: - “Ai (Jakubi) tha: “Jo, nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka mes jush. Durimi është gjëja më e mirë.” - Unë do t’i kthehem sërish durimit fisnik, të papërzier me zemërim dhe ankesa të panevojshme drejtuar krijesave. Më pas, kur e pa që po i shtohej brenga më tepër, Jakubi nisi të lutej dhe të shpresonte tek Allahu që t’ia largonte këtë sprovë: - “Unë shpresoj që Allahu të m’i sjellë të gjithë;” - Shpresoj që Allahu i Lartësuar të m’i sjellë mua të gjithë këtu. Jakubi e kishte

fjalën për Beniaminin dhe për vëllain e tij më të madh, i cili kishte qëndruar në Egjipt. - “Ai është më i Dijturi, më i Urti!” - Allahu është El Alim - i Gjithëdituri, i Cili e di shumë mirë gjendjen dhe nevojën time për mëshirën, bamirësinë dhe bujarinë e Tij. Gjithashtu, Ai është El Hakim - i Urti, që ka vendosur për gjithçka afatin dhe masën e vet, në bazë të urtësisë së Tij madhështore.

← Jusuf 12:80