12. Jusuf · Ajeti 86 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:69–12:86
Kur hynë te Jusufi, ai vendosi nga dy në një dhomë si mysafirë, e pasi Binjamini mbeti vetë, ai tha po e marr me vete në dhomën time. Aty i tregoi se ishte Jusufi, i tregoi për planin e vet dhe i tha të mos tronditet për rrjedhimin e ngjarjes. I urdhëroi shërbëtorët që kupën e vet, të stolisur me diamant, ta vënë në barrën e vëllait të i vogël pa i hetuar kush. Pasi publikuan se dikush e ka marrë kupën e sunduesit, kërkuan mendim I prej tyre për masën ndëshkuese që duhet marrë tek ai që gjendet. Këtë Jusufi e bëri me qëllim, sepse sipas ligjit të egjiptit hajni rrahej dhe detyrohej ta paguaj dëmin, e jo të mbahej peng. E sipas ligjit të Jakubit, për të cilin dinte Jusufi, hajni që vjedh mbetej rob i të zotit të sendit të vjedhur, e Jusufi këtë kishte për qëllim.
Vëllezërit e Jusufit edhe me atë rast u shprehën keq kur thanë se edhe vëllai i tij më parë ka pasë vjedhur, duke aluduar në Jusufin, por Jusufi nuk reagoi. Por edhe ata treguan sinqeritet, kur e lutën ta ndalë njërin prej tyre në vend të Binjaminit, dhe shprehën dhembje për babain plak.
Jusufi nuk pranoi që ta ndalte ndonjë tjetër në vend të tij. E kur ata i humbën të gjitha shpresat, u ndanë dhe u konsultuan mes vete. Më i vjetri prej tyre, Jehudha, i qortoi vëllezërit dhe vendosi të mos shkojë i gjallë pa vëllain e vogël, e atyre u tha të shkojnë dhe t'i tregojnë babait për ngjarjen. Kur i treguam Jakubit çështjen, ai shumë u pikëllua dhe duke shprehur dëshprimin e përmendi Jusufin, që gati ishte harruar, e bijve të tij ua zgjoi ndjenjën e dhimbshurisë ndaj babait dhe i thanë të mos pikëllohet aq shumë se kështu do ta shkatërrojë veten, por ai shfaqi shpresën se do t'i vijnë të gjithë djemtë e humbur.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:83–12:86
Jakubi (a.s.) iu drejta atyre me të njëjtat fjalë që u tha kur i sollën këmishën e Jusufit me gjak të rremë: - Ai (Jakubi) tha: “Jo, nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka mes jush. Durimi është gjëja më e mirë. - Ai mendoi se ata kishin vepruar njëlloj si me Jusufin. Pastaj ai shprehu shpresën e përgjërimin tek Allahu, për t’ia kthyer të tre bijtë e tij, Jusufin, Beniaminin dhe Rubilin, i cili qëndroi në Egjipt, duke shpresuar që i ati t’i jepte leje të kthehej në shtëpi dhe që të mund ta merrte Beniaminin fshehtazi. Jakubi tha: - Unë shpresoj që Allahu të m’i sjellë të gjithë; Ai është më i Dituri, më i Urti! - Ai është i gjithëditur për gjendjen time të përvuajtur dhe për dhimbjen time. Allahu është i Urtë, në lidhje me çdo gjë që ka përcaktuar të ndodhë dhe ka vendosur të jetë. Ai ka urtësi në të gjitha veprat e Tij. - Pastaj, u ktheu shpinën atyre dhe tha: “Oh, i mjeri unë për Jusufin! - Dhimbja për Beniaminin i nxori edhe dhimbjen e fshehur për humbjen e Jusufit. - Sytë iu zbardhën nga pikëllimi dhe e pushtoi trishtimi. - Një trishtim i heshtur, pa iu ankuar asnjë krijese. Kur e panë në këtë gjendje, bijtë e tij ndien dhembshuri të madhe për atin e tyre, prandaj, me keqardhje, butësi e dëshirë për ta qetësuar, i thanë: - Ata thanë: “Për Allahun! Ti po e përmend Jusufin pa pushim, saqë do të sëmuresh rëndë e do të vdesësh kështu!”. - Nëse vazhdon të përmendësh Jusufin, do të dobësohesh, e kështu do të vdesësh. - Ai tha: “Unë hidhërimin tim ia parashtroj vetëm Allahut. - Vetëm Allahut ia parashtroj hidhërimin dhe trishtimin tim! Ai është i vetëm dhe pa ortak! - Unë di për Allahun atë që nuk e dini ju. - Unë e di mirë se ëndrra që pa Jusufi ishte e vërtetë dhe do të vijë ajo ditë kur unë të përulem para tij, ashtu siç u tregua në ëndërr.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:84–12:86
- “Pastaj, u ktheu shpinën atyre dhe tha: “Oh, i mjeri unë për Jusufin!”” - Pasi i dhanë këtë lajm të dhimbshëm, Jakubi (a.s) u largua nga fëmijët e tij. Sytë iu zbardhën nga trishtimi, që vinte prej mallit të zjarrtë dhe të padurueshëm për djalin e tij. Ndërkohë tha: “Oh, i mjeri unë për Jusufin!". Dhimbja për djalin e dytë, e cila ishte e vogël në krahasim me të parën, ia trazoi dhimbjen e madhe të fatkeqësisë së parë dhe e bëri që ta nxirrte nga zemra e tij këtë brengë që e mundonte. - “Sytë iu zbardhën nga pikëllimi dhe e pushtoi trishtimi.” - Zemra e tij ishte mbushur me trishtim. Fëmijët e tij duke u çuditur nga kjo gjendje dhe këto fjalë, i thanë: - “Ata thanë: “Për Allahun! Ti po e përmend Jusufin pa pushim, saqë do të sëmuresh rëndë e do të vdesësh kështu”.” - Ti kujton Jusufin pa reshtur. Po të vashdosh kështu, nuk do të jesh në gjendje as të lëvizësh dhe as të flasësh më. Atëherë Jakubi (a.s) u thotë: - “Ai tha: “Unë hidhërimin tim ia parashtroj vetëm Allahut.” - Trishtimin që më ka pushtuar zemrën unë ia shpreh veçse Allahut, që është Një, i Vetëm dhe i Pashoq. Unë nuk iu qahem juve dhe asnjë krijese tjetër. Prandaj thoni çfarë të doni, sepse unë i ankohem vetëm Allahut të Madhëruar për dhimbjen time. - “Unë di për Allahun atë që nuk e dini ju.”.” - Unë e di dhe jam i bindur se Allahu do të m’i kthejë fëmijët. Ai do të ma qetësojë zemrën dhe sytë, duke më bashkuar sërish me ta.