13. Rad · Ajeti 19 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:17–13:26

Njëri ndër argumentet që japin të kuptosh për fuqinë e pakufishme të Zotit krijues, është shiu i kohëpaskohshëm, i cili i jep jetë çdo sendi e gjallese. Prej shiu formohen ujërrjedhëse të mëdha ose të vogla dhe gjatë rrjedhjes së ujit me vrull, formohet.një shkumë e cila qëndron mbi sipërfaqen e ujit dhe duket si një begati. Në të vërtetë, ajo është vetëm një mashtrim, pse pas pak kohe ajo, së bashku me mbeturinat skajohet buzëve të rrjedhës e prej saj nuk ka kurrfarë dobie. I dobishëm ishte uji, të cilin e thithi toka, formoi lagështi të cilën e ruan për ushqimin e bimëve. E pavërteta e kota në këtë jetë duket se po rritet, po përparon, e në realitet ajo nuk është asgjë, s'ka dobi prej saj dhe zhduket shumë shpejt. Ndërsa vepra e mirë, e drejtë dhe e vërtetë, është si uji që mbetet në tokë dhe ruhet për nevojën më të madhe.

Njerëzit janë të urdhëruar ta mbajnë besën e dhënë Allahut: besimin në një Zot, besimin në të gjithë pejgamberët dhe shpalljet dhe ta ruajnë afërsinë e gjakut mes vete, të mbajnë lidhje me të afërmit dhe kurrsesi të mos e këpusin atë Njerëzit që respektojnë porositë e Zotit, do të shpërblehen me qendrën e xhenneteve dhe për hir të asaj që ata në dynja ishin të durueshëm në zbatimin e obligimeve dhe në shmangien e dëshirave të epshit ndaj veprave të këqia, melaiket do t'i përshëndesin, do t'ua urojnë kënaqësinë e përjetshme, e Zoti i madhëruar do t'ua bashkojë atyre në xhennet edhe prindërit, edhe bashkëshortet, edhe fëmijët, e për të mos i lënë me ndonjë brengë, kuptohet nëse edhe këta të fundit sado kudo kanë vepra të mira.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:19

- Atëherë a është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall nga Zoti yt është e vërtetë, me atë që është i verbër? - Tek Allahu i Lartësuar nuk mund të jenë njëlloj ata që dinë me ata që nuk dinë. Ka njerëz, të cilët e dinë mirë se ajo që t’u zbrit ty, o Muhamed, është e vërteta, për të cilën nuk duhet të ketë asnjë dyshim se është prej Allahut të Lartësuar dhe se është zbritur saktësisht prej Tij. Rreth këtij fakti nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje. Ata e dinë mirë se e tërë Shpallja është e vërtetë dhe të gjitha pjesët e saj vërtetojnë, mbështesin dhe forcojnë njëra - tjetrën. Urdhëresat dhe ndalesat e Zotit janë të gjitha të drejta dhe sjellin mirësi. Sikurse thotë i madhëruari: “Fjala e Zotit tënd është plot vërtetësi dhe plot drejŧësi. ...” [El en’am 115]. Pra, ajo është plot vërtetësi në lajmet që sjell dhe është plot drejtësi në urdhëresat që ligjëron. Megjithatë, ka njerëz, të cilët janë të verbër dhe nuk mund ta gjejnë udhën e drejtë dhe të mirë dhe nuk mund që ta kuptojnë atë. Edhe nëse ndodh që ta kuptojnë, ata nuk nënshtrohen që ta zbatojnë dhe të jetojnë sipas saj. Ata nuk e pranojnë dhe nuk e pohojnë vërtetësinë e saj, nuk e pasojnë atë dhe të nënshtrohen për të jetuar sipas saj. Kështu, këto dy kategori nuk mund të jenë të barabartë tek Allahu i Lartësuar. Kjo ngjan me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” [Hashr 20]. - Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë (qortimin). - Ata të cilët nxjerrin mësime dhe përfitojnë nga këto këshilla e paralajmërime janë pikërisht njerëzit të cilët kanë logjikë të shëndoshë dhe arsyetim të saktë. Lusim Allahun që të na bëjë prej tyre, duke na e dhuruar me bujarinë e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:19–13:24

Duke na dhënë një pamje të qartë, për të dalluar ata që kanë marrë dituri dhe dritë nga Shpallja e Tij dhe punojnë me sinqeritet sipas saj, nga ata që nuk janë të tillë, Allahu i Madhëruar thotë: - Atëherë a është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall nga Zoti yt është e vërtetë, me atë që është i verbër? - Ata të cilët e dinë mirë dhe janë të sigurt se ajo që t’u shpall ty prej Zotit tënd është e vërteta e padiskutueshme, ata meditojnë dhe përpiqen të kuptojnë qartësisht mesazhin e Zotit të tyre. Pasi e kuptojnë mirë atë çfarë Zoti do prej tyre, ata nënshtrohen për të jetuar dhe punuar sipas saj. Kështu, këta nuk mund të jenë njëlloj me ata që Zoti i quan të verbër. Ata të mjerë nuk e njohin të vërtetën dhe, sigurisht, nuk punojnë sipas saj. Mes dy grupeve ka një largësi të madhe, sa ajo mes qiejve dhe tokës. Çdo njeri i mençur dhe i urtë duhet të meditojë dhe ta kujtojë shpesh këtë krahasim të dy grupeve që bën Allahu i Lartësuar dhe vazhdimisht duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Cili nga dy grupet është më i mirë? Pasi mendon me

kujdes, le të bëjë zgjedhjen e duhur dhe t’i japë përparësi asaj që duhet dhe të mbledhë forcat për të ndjekur karvanin e të shpëtuarve. Por, sigurisht, jo çdokush gjykon drejt se çfarë i bën dobi dhe dëm. Allahu i Madhëruar na tregon se cilët janë ata të cilëve u bën dobi kujtimi. Ai thotë: - Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë (qortimin). - Pikërisht ata që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën. Ata janë të përzgjedhurit dhe më të mirët e botës ndër bijtë e Ademit. Nëse dëshiron të dish cilësitë e tyre, nuk ke për të gjetur përshkrim më të mirë sesa ai që vetë Krijuesi i tyre u ka bërë: - Ata që e përmbushin besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin fjalën e premtuar; - Këtu bëhet fjalë për premtimin që Allahu i Madhëruar ka marrë prej tyre. Ai u ka marrë besën, që ata do të bëjnë maksimumin për të përmbushur detyrimet që kanë ndaj Tij. Këtë kuptim ka: “jufune biahdil-lahi” - domethënë, e përmbushin premtimin e dhënë Allahut. Përmbushja e këtij premtimi duhet të bëhet në formën më të plotë dhe më të saktë. Pjesë e këtij plotësimi është dhe fakti që ata: "…nuk i shkelin marrëveshjet." Kështu, ata i plotësojnë të gjitha detyrimet që kanë marrë përsipër për t’i kryer për hir të Allahut të Lartësuar. Kjo përfshin të gjitha marrëveshjet, betimet që janë bërë në emër të Zotit ose edhe zotimet që bëhen në formë adhurimi për Zotin. Ajeti jep mesazhin që njeriu duhet të jetë i mençur dhe i urtë, sepse do të marrë shpërblimin e madh të Allahut të Lartësuar. Kjo arrihet vetëm nëse ai i përmbush të gjitha detyrimet, dhe jo duke i shkelur ato. Një përshkrim tjetër i këtyre të përzgjedhurve vjen më poshtë, ku Allahu i Lartësuar thotë: - Ata që i ruajnë lidhjet që Allahu ka urdhëruar të ruhen, i frikësohen Zotit të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë;... - Ky është një ajet i përgjithshëm, që përfshin të gjitha lidhjet që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të mbahen fort. Muslimani duhet të ruajë lidhjet me Zotin e Lartësuar nëpërmjet forcimit të imanit, duke kultivuar dashurinë për Zotin dhe dashurinë për Profetin e Tij, duke e nënshtruar veten që të adhurojë Allahun e Lartësuar si Një, të Vetëm dhe të Pashoq dhe për t’iu bindur Profetit të Tij. Gjithashtu, muslimani duhet të mbajë të forta lidhjet me prindërit e tij, duke qenë bamirës ndaj tyre me fjalë dhe me vepra dhe duke u ruajtur të mos u bëjë padrejtësi atyre. Muslimani duhet të mbajë lidhjet e forta edhe me të afërmit dhe farefisin, duke u sjellë mirë me ta, me fjalë dhe me vepra. Ai duhet të mbajë marrëdhënie të mira me bashkëshorten dhe fëmijët, me shoqërinë dhe miqësinë, madje edhe me shërbyesit apo vartësit, duke u dhënë hakun atyre. Me fjalë të tjera, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për plotësimin e detyrimeve që kanë të bëjnë me çështjet e kësaj jete, por edhe për çështjet e besimit dhe fesë, pra, të ahiretit. Vëreni me kujdes! Shkaku që i bën këta rob të zgjedhur që t’i mbajnë të forta lidhjet që Allahu i Lartësuar ka urdhëruar të mbahen, është frikërespekti ndaj Allahut dhe frika ndaj dhënies së llogarisë. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë për ta: “…i frikësohen Zoti të tyre dhe i druhen gjykimit të rëndë." Ata i druhen dhe i frikësohen Zotit të Madhërishëm. Është pikërisht kjo frikë dhe madhërimi që ata kanë për Zotin e tyre, që ata të jenë të kujdesshëm në përmbushjen e detyrimeve ndaj Tij. Në çdo çast të jetës së tyre, ata i shoqëron frika për ditën kur do të japin llogari përpara Tij, prandaj kurrë nuk marrin guximin që të bëjnë poshtërsi ndaj Zotit apo të cenojnë urdhëresat e Tij. Gjatë gjithë jetës, zemrat e tyre janë të mbushura me frikë nga ndëshkimi i Zotit dhe shpresë për shpërblimin e Tij. Ata e duan fort Allahun dhe e madhërojnë Atë. Në vijim të përshkrimit të tyre, Allahu i Lartësuar thotë: - Ata që ngulmojnë me durim për të arritur dashurinë e Zotit të tyre dhe falin me rregull namazin;... - Ata bëjnë durim në përmbushjen e urdhëresave të Zotit, bëjnë durim duke frenuar veten nga haramet, bëjnë durim ndaj caktimit të Zotit,

duke e pritur atë me zemër të hapur dhe jo me zemërim apo rebelim kundër Zotit. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar jep një detaj shumë të rëndësishëm, duke treguar se çfarë i motivon këta të përzgjedhur për të patur këtë durim: "…për të arritur dashurinë e Zotit të tyre." Ky është një kusht i domosdoshëm, që durimi, me të gjitha llojet e tij, të jetë i shpërblyeshëm nga Allahu i Lartësuar. Motivi që e shtyn njeriun për të qenë i duruar duhet të jetë i pastër dhe jo i përzier me qëllime të këqija dhe të pavlera. Durim i dobishëm është ai që njeriu e bën për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij, duke shpresuar afrimin tek Ai dhe marrjen e shpërblimit të Tij. Ky lloj durimi është veçori e besimtarëve të sinqertë. Ndërsa ai lloj durimi, nëpërmjet të cilit njeriu kërkon të tregojë forcën, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen e tij, duke kërkuar lëvdata dhe duke ushqyer mendjemadhësinë e tij, ky durim mund të arrihet nga kushdo dhe nuk është aspakt i lëvduar dhe i shpërblyeshëm. Një përshkrim tjetër i atyre që janë të mençur dhe të urtë dhe që do të meritojnë shpërblimin e Zotit vjen më poshtë, në ajetin kuranor: "…dhe e falin me rregull namazin." Së pari, Allahu i Lartësuar i përshkruan ata si njerëz që e falin rregullisht dhe me saktësi namazin, duke plotësuar shtyllat, kushtet, elementët e detyrueshëm dhe të pëlqyeshëm të namazit, qoftë në aspektin e jashtëm, qoftë në atë të brendshëm gjatë kryerjes së tij. Së dyti, i përshkuan ata duke thënë: - ata që japin haptazi dhe fshehtazi nga ajo që u kemi dhënë Ne dhe të keqen e kthejnë me të mirë... - Këtu bëhet fjalë për shpenzimet e detyrueshme, siç është zekati ose edhe kompensimet e ndryshme për shkak të betimit, zotimit etj. Gjithashtu, bëhet edhe fjalë për shpenzimet e pëlqyeshme. Kështu, këta të zgjedhur shpenzojnë sa herë që nevojitet, dhe këtë e bëjnë haptazi dhe fshehtazi, si të jetë më e mira dhe si ta kërkojë urtësia. Ata, gjithashtu: "…të keqen e kthejnë me të mirë." Nëse dikush i keqtrajton ata me fjalë apo me vepra, ata nuk ia kthejnë me të njëjtën monedhë, por ia kthejnë me bamirësi, duke synuar rregullimin dhe përmirësimin. Nëse dikush i privon, ata i japin dhe shpenzojnë pa kufi për të, nëse dikush i bën padrejtësi, ata e falin dhe ia kthejnë me mirësi, nëse dikush i ndërpret marrëdhëniet me ta, ata përpiqen që t’i lidhin dhe ruajnë marrëdhëniet me të, kur dikush i dëmton ata me fjalë ose vepra, ata përpiqen me fjalë dhe me vepra ta rregullojnë dhe përmirësojnë atë. Mendohu pak! Nëse kjo është sjellja e tyre ndaj atyre që iu bëjnë padrejtësi, atëherë si mund të jetë sjellja e tyre me ata që sillen mirë? Sigurisht që morali i tyre është i pashembullt dhe këto janë cilësi që mund t’i kenë vetëm ata që Zoti i ka zgjedhur. Për të gjithë ata që kanë të tilla cilësi, Allahu i Lartësuar ka përgatitur atë që quhet Ukbeddar - Vendbanimi i Përjetshëm. - ...këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e përjetshme,... - Pastaj, Allahu i Lartësuar e shtjellon më shumë këtë vendbanim të përjetshëm të tyre, duke thënë: - (Për ta janë përgatitur) Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë. - Ato janë Xhenetet e Adnit, pra, kopshtet e qëndrimit të përhershëm, nga ku nuk kanë për t’u larguar kurrë dhe nuk kanë për të kërkuar që t’u ndryshohet apo t’u zëvendësohet me diçka tjetër. E si mund të kërkojnë diçka tjetër nga ky vend, që vetë Allahu i Lartësuar e ka përgatitur për të dashurit e Tij dhe në të cilin gjenden të gjitha mirësitë që sjellin lumturi dhe gëzim. Në Xhenet ka gjithçka që ata fatlumë e kërkojnë dhe e ëndërrojnë. Allahu i Madhëruar tregon se do t'ua qetësojë shpirtin dhe do t'ua kënaqë sytë të dashurve të Tij, duke thënë: "Xhenetet e Adnit, ku do të hyjnë ata dhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët kanë qenë vepërmirë." Kështu, ata do të bashkohen në Xhenet me paraardhësit dhe me bashkëshortet e tyre. Fjala “ ezuaxh” (bashkëshortet) ka edhe kuptimin “ata të cilët kanë qenë të ngjashëm

me ta, aspektin e veprave të mira”; pra, edhe këta konsiderohen si “të afërt” me besimtarët. Prania e këtyre të dashurve ua shton më shumë kënaqësinë dhe lumturinë në Xhenetin e Zotit. Një tjetër kënaqësi që ata përjetojnë është edhe prania e melekëve, të cilët i vizitojnë në çdo kohë. Thotë Allahu i Lartësuar: - Melekët do t’i vizitojnë ata, duke u hyrë nga çdo portë: “Selamun alejkum!” - Ata i përshendesin me selam dhe i përgëzojnë për nderimin e madh që Allahu i Lartësuar u ka rezervuar. Ata u drejtohen me ato fjalë të dashura, duke u thënë “ selamun alejkum ”. Selam-i është përshëndetja e Allahut të Lartësuar për ta, prandaj ata do t’i përfshijë paqja dhe siguria. Kjo do të thotë se ata do të shpëtojnë nga çdo gjë e keqe së cilës i druhen dhe do të lumturohen me çdo gjë të mirë që e dëshirojnë. Por Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër, që është shumë e rëndësishme për t'u kuptuar: - Me durimin tuaj gjetët shpëtimin. - Domethënë, vetëm përmes durimit, ata arrijnë këto grada të larta në Xhenetin e mrekullueshëm. - Sa e mirë është Shtëpia e tyre e përjetshme! - Kështu, çdokush që e vlerëson veten dhe i dëshiron të mirën asaj, e nënshtron atë për t’u përpjekur dhe punuar fort, me shpresë që të stoliset me cilësitë e të mençurve. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojë se do të ketë pjesë në Xhenet, në atë vend aq të bukur, i cili gjithmonë ka qenë motivuesi dhe lumturuesi i i shpirtrave të mirë. Në atë vend të bukur janë mbledhur të gjitha kënaqësitë dhe mirësitë lumturisjellëse. Për të tilla mirësi le të punojnë më aktivët dhe le të garojnë ambiciozët.

← Rad 13:19