13. Rad · Ajeti 33 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:27–13:34
Idhujtarët mekas i mbyllnin sytë para mrekullisë më të madhe të Muhammedit, para Kur'anit, e kërkonin ndonjë mrekulli tjetër. Derisa nuk u orientuan sipas Kur'anit, Zoti me fajin e tyre i la të humbur.
"Dhikri", të përmendurit e Allahut largon nga njeriu tronditjet e zemrës dhe të shpirtit dhe i qetëson e i pushon ato. Lumturia më e madhe u takon atyre që besuan dhe bënë vepra të mira.
"Rrahman" është emër personal i Zotit. Idhujtarët thonin se ne nuk dimë se kush është dhe çka është Rrahmani, andaj në marrëveshjen e shkruar me ta në Hudejbi, nuk pranuan të shkruhet "Bismil lahi Rrahmani Rrahim", nuk duruan emrin Rrahman. E këtu Zoti e urdhëron Muhammedin t'u thotë haptazi se Rrahmani është Zoti im, është i vetmi Zot që duhet besuar.
Idhujtarët, pos Kur'anit, kërkonin ndonjë argument tjetër, e Zoti thotë: Sikur të shkuleshin kodrat, të copëtohej toka, të flisnin të vdekurit me shpalljen dhe leximin e ndonjë libri qiellor, ajo do të ngjante me këtë Kur'an, por Allahu nuk deshi të bëjë dis ashtu, ngase Ai e dinte se Ata nuk do ta besonin Rrahmanin dhe e dinte se ata nuk ishin të përgatitur për rrugën e drejtë. Prandaj, Ai vepron sipas dëshirës së vet. la të jetojnë në Mekë, por të tronditur nga frika se do t'i godas ndonjë e keqe dhe vërtetë i goditi, pse myslimanët e çliruan, gjurmët e tyre u zhdukën përjetë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:33
- Vallë, kush mund të krahasohet me Atë (Allahun) që mbikëqyr çdokënd se çfarë vepron? - Allahu është Ruajtës (Hafidh), i Gjithëditur (Alim), Rakibun ala kuli Nefs (Mbikëqyrës i çdokujt) dhe Ai e di mirë se çfarë veprojnë krijesat, punë të mira apo të këqija qofshin. Atij nuk i fshihet asgjë prej krijesave të Tij dhe prej veprave të tyre. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur’ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë.” [Junus 61]. Dhe thotë: “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.” [El en’am 59]. Dhe thotë: “Nuk ka
asnjë gjallesë në Tokë që të mos ushqehet nga Allahu. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një Libër të qartë (Leuhi mahfudh).” [Hud 6]. Dhe thotë: “Allahu e di çfarë bart çdo femër dhe çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre. Tek Ai çdo gjë është me masë të caktuar. Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën.” [Ra’d 8 - 10]. Ai thotë gjithashtu: “... Ai di gjithçka që futet në tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu vështron gjithçka që bëni ju.” [Hadid 4]. Ai që ka të tilla cilësi, a mund të barazohet apo krahasohet me idhujt, të cilët adhurohen nga të paditurit dhe të cilët nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe as nuk logjikojnë dhe mendojnë. Ata nuk kanë në dorë asnjë lloj dobie, madje as për veten e tyre dhe aq më pak për të tjerët, të cilët u përkushtojnë adhurime. Gjithashtu, idhujt nuk kanë në dorë që të largojnë të keqen as nga vetja e tyre dhe as nga adhuruesit e tyre. Kjo përgjigje nuk është përmendur në ajet. Në ajet është vetëm pyetja: “Vallë, kush mund të krahasohet me Atë (Allahun) që mbikëqyr çdokënd se çfarë vepron?” Përgjigjja është e kuptueshme. Ajeti na tregon ligësinë e idhujtarisë, e cila është një vepër shumë e ulët dhe e papranueshme. - Megjithatë, ata i përshkruajnë Allahut ortakë. - Ata adhurojnë idhuj së bashku me Allahun dhe zota që i konsiderojnë si të barabartë me Allahun. - Thuaj: “Na i tregoni ata!” - Na i tregoni emrat e idhujve, në mënyrë që të njihen se kush janë, sepse, në fakt, ata as nuk ekzistojnë. Nëse këta idhuj do të ekzistonin në Tokë, do t’i dinte Allahu i Lartësuar, sepse Atij nuk i fshihet asgjë që ekziston në këtë dynja. Allahu i Lartësuar thotë: - Mos, vallë, ju po i tregoni Atij diçka që Ai nuk e ditka, qoftë ajo nga gjërat që janë në tokë, qoftë ajo fjalë prej fjalëve që ju thoni?!” - Ju i adhuroni idhujt thjesht me hamendësim, duke menduar se ata do të sjellin ndonjë dobi apo dëm. Gjithashtu, ju i emërtoni vetë, duke i konsideruar si zota dhe të adhuruar. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ata (idhujt) nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi i qartë.” [Nexhm 25]. Ndërsa këtu thotë: - Jo, por atyre që nuk besojnë u duket e mirë dredhia e tyre ... - Duke shpjeguar fjalën mekruhum (dredhia e tyre) në këtë ajet, Muxhahidi ka thënë: “Ju zbukurua rruga juaj e devijuar dhe ftesa e vazhdueshme që bënit në këtë rrugë të gabuar në mënyrë të pandërprerë dhe sistematike”. Sikurse thotë i lartësuari: “Ne u patëm caktuar atyre shokë të këqij, që vazhdimisht ua hijeshonin (gjynahet e kryera në) të shkuarën dhe të ardhmen e tyre. Dhe dënimi i tyre u bë realitet, ashtu si ai i brezave të mëparshëm të xhinëve dhe të njerëzve. Ata ishin krejtësisht të humbur. ” [Fusilet 25.] - prandaj janë të penguar nga rruga e drejtë. - Kjo erdhi si shpagim për atë që ata bënë, pra, për parapëlqimin e rrugës së humbjes dhe devijimin që i shkaktonin edhe të tjereve, duke i penguar nga rruga e Allahut të Lartësuar, i Cili i ndëshkoi duke i privuar ata nga udha e drejtë, rruga e Tij. - Dhe ata që Allahu i lë të humbur, askush nuk mund t'i udhëzojë. - Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “... Por atë që Allahu dëshiron ta spr ovojë, ti nuk mund ta shpëtosh....” [Maide 41]. Dhe thotë gjithashtu: “Edhe nëse ti (o Muhammed) përpiqesh për t’i vënë në rrugë të drejtë ata, (dije se) Allahu nuk e udhëzon atë që e ka humbur dhe për ata nuk ka asnjë ndihmëtar.” [El nahl 37.]
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:33–13:34
- Vallë, kush mund të krahasohet me Atë (Allahun) që mbikëqyr çdokënd se çfarë vepron? - Allahu i Lartësuar është Mbikëqyrës i gjithçkaje dhe çdokujt ka për t’i dhënë shpërblimin e merituar, qoftë në këtë jetë, qoftë në jetën tjetër, me drejtësinë e Tij të plotë. Si mund të jetë i njëjtë i Gjithëdituri me idhujt, të cilët nuk kanë në dorë asnjë mundësi për shpërblim dhe ndëshkim, të cilët nuk kanë asnjë grimë pushteti?! Duke treguar padrejtësinë e tyre të madhe, Allahu i Lartësuar thotë: - Dhe megjithatë, ata i përshkruajnë Allahut ortakë. - Ata i përshkruajnë Allahut ortakë, ndërkohë që Ai është i Vetmi dhe i Pashembullti. Allahu është EsSamed - i Ploti dhe Absoluti në zotërimin dhe sundimin e Tij, të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre. Allahu nuk ka shokë, nuk ka ortakë dhe as të ngjashëm me Të. Të besosh se ka idhuj të ngjashëm me Zotin dhe pjesëmarrës në pushtetin e Tij është një krim i pafalshëm. - Thuaj: “Na i tregoni ata!” Mos, vallë, ju po i tregoni Atij diçka që Ai nuk e ditka, qoftë ajo nga gjërat që janë në tokë,” - Nëse jeni të sigurt dhe të vërtetë në atë që thoni, atëherë përshkruajini idhujt që ju adhuroni, që të gjykojmë rreth tyre. Mos, vallë, Allahu i Madhëruar nuk di gjë rreth ekzistencës së këtyre idhujve dhe u dashka që ju t'ia mësoni Atij?! Mësojeni tani, o të mjerë! Duke qenë se Allahu i Lartësuar nuk e ndan pushtetin e Tij me asnjë tjetër, kuptojeni kotësinë e pretendimeve tuaja! Me këto pretendime boshe, ju i përngjani
atij që kërkon t’i prezantojë ortakë Zotit, për të cilët Ai nuk ditka gjë. Këto janë kotësira, që dalin nga goja juaj, prandaj i Lartësuari thotë: - ... qoftë ajo fjalë prej fjalëve që ju thoni?!” - E shumta që mund të thuhet rreth ekzistencës së këtyre idhujve ose “ortakëve”, është se ato janë pretendime të kota, të thëna nga të paditurit. E vërteta është e qartë: "Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut". Asnjë krijesë nuk meriton të adhurohet, por: - Jo, por atyre që nuk besojnë u duket e mirë dredhia e tyre, - Dredhitë e tyre në propagandimin e idhujtarisë dhe mohimit të Shpalljes së Zotit iu duken të bukura, prandaj dhe përfundimi i tyre është i qartë: - ... prandaj janë të penguar nga rruga e drejtë. - Ata privohen nga rruga e drejtë, që të çon tek Zoti dhe në vendin e përjetshëm të bujarisë dhe mirësive të Tij. - Dhe ata që Allahu i lë të humbur, askush nuk mund t'i udhëzojë. - Arsyeja është se askush tjetër, përveç Allahut, nuk ka pushtet real në qiej dhe në tokë, në këtë jetë dhe në ahiret. Askush nuk mund të ndryshojë vullnetin dhe përcaktimin e të Gjithëpushtetshmit, që është i Urtë dhe i Gjithëditur. - Për ata ka dënim në jetën e kësaj bote, por dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë. - Ndëshkimi i ahiretit është shumë më i rëndë se ndëshkimi i dynjasë dhe, përveç kësaj, ai është i përjetshëm dhe i pafundmë. - Ata nuk ka kush t’i mbrojë prej ndëshkimit të Allahut. - Askush nuk mund t’i ruajë ata nga ndëshkimi i Allahut. Nëse ndëshkimi i Tij e përfshin dikë, askush nuk mund ta pengojë Atë.