13. Rad · Ajeti 34 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:27–13:34

Idhujtarët mekas i mbyllnin sytë para mrekullisë më të madhe të Muhammedit, para Kur'anit, e kërkonin ndonjë mrekulli tjetër. Derisa nuk u orientuan sipas Kur'anit, Zoti me fajin e tyre i la të humbur.

"Dhikri", të përmendurit e Allahut largon nga njeriu tronditjet e zemrës dhe të shpirtit dhe i qetëson e i pushon ato. Lumturia më e madhe u takon atyre që besuan dhe bënë vepra të mira.

"Rrahman" është emër personal i Zotit. Idhujtarët thonin se ne nuk dimë se kush është dhe çka është Rrahmani, andaj në marrëveshjen e shkruar me ta në Hudejbi, nuk pranuan të shkruhet "Bismil lahi Rrahmani Rrahim", nuk duruan emrin Rrahman. E këtu Zoti e urdhëron Muhammedin t'u thotë haptazi se Rrahmani është Zoti im, është i vetmi Zot që duhet besuar.

Idhujtarët, pos Kur'anit, kërkonin ndonjë argument tjetër, e Zoti thotë: Sikur të shkuleshin kodrat, të copëtohej toka, të flisnin të vdekurit me shpalljen dhe leximin e ndonjë libri qiellor, ajo do të ngjante me këtë Kur'an, por Allahu nuk deshi të bëjë dis ashtu, ngase Ai e dinte se Ata nuk do ta besonin Rrahmanin dhe e dinte se ata nuk ishin të përgatitur për rrugën e drejtë. Prandaj, Ai vepron sipas dëshirës së vet. la të jetojnë në Mekë, por të tronditur nga frika se do t'i godas ndonjë e keqe dhe vërtetë i goditi, pse myslimanët e çliruan, gjurmët e tyre u zhdukën përjetë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:34–13:35

- Për ata ka dënim në jetën e kësaj bote, por dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë. Ata nuk ka kush t’i mbrojë prej ndëshkimit të Allahut. - Për idhujtarët është përgatitur dënimi në jetën e kësaj bote, të cilin ata e përjetojnë nga duart e besimtarëve, të cilët i vrasin ose i robërojnë. Ndërsa dënimi i jetës tjetër është shumë më i rëndë. Kur Profeti ﷺ ishte duke dhënë atë që quhet gjykimi “ mulâ’ane” (i mallkimit) 166, mes një çifti, tha: 1563. “... Me të vërtetë ndëshkimi i dynjasë është më i lehtë sesa ndëshkimi i ahiretit.” Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë, askush nuk mund të dënojë si Ai, e askush nuk mund të lidhë me pranga si Ai.” [Fexhr 25, 26]. “Jo. Ata nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. Ne kemi përgatitur zjarr flakërues, për ata që nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. Kur ai (Xhehenemi) t'i shohë ata (mohuesit e Zotit) prej së largu, ata do të dëgjojnë furinë dhe zërin e tij (të Xhehenemit). Kur të flaken në të, në një vend të ngushtë të lidhur në pranga (zjarri), aty do të luten për shkatërrimin e tyre (do luten për t'u asgjësuar) . Këtë ditë, mos u lutni për shkatërrimin vetëm një herë, por lutuni shumë herë! Thuaj: “A është më i mirë zjarri i Xhehenemit apo Xheneti i përjetshëm, i cili u është premtuar si shpërblim të devotshmëve?! Ai është përgatitur (e stolisur për ta) si shpërblim (për adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut) dhe ai do të jetë vendqëndrimi i tyre (i përjetshëm). Ata do të kenë në të gjithçka që dëshirojnë, e aty do të banojnë përjetë. Ky është, për Zoti n tënd, një premtim (i rëndësishëm) që nuk e thyen.” [Furkan 11 - 14]. Në këto ajete, Allahu i Lavdëruar përmend si ndëshkimin e mohuesve të besimit të vërtetë, ashtu edhe shpërblimin e besimtarëve. Edhe në këto ajete, i Lartësuari përmend edhe ndëshkimin e idhujtarëve, edhe shpërblimin e besimitarëve. Ai thotë: - Xheneti që u është premtuar të devotshmëve - E kështu përshkruhen bukuritë e tij: - është si një kopsht i bukur, nëpër të cilin rrjedhin lumenj - Lumenjtë vërshojnë përgjatë dhe anekënd kopshteve. Ata janë lumenj, të cilët banorët e Xhenetit mund t’i devijojnë e zhvendosin si dhe ku të dëshirojnë. I lartësuari ka thënë: “Ja përshkrimi i Xhenetit, i cili u është premtuar të devotshmëve: Në të ka lumenj me ujë gjithmonë të pastër e të freskët, lumenj me qumësht që nuk prishet, lumenj me verë të këndshme për ata që pinë dhe lumenj me mjaltë të kulluar. Ata do të kenë aty lloj -lloj frutash dhe do të jenë të falur nga Zoti i tyre. ...” [Muhamed 15.] - ku ushqimi dhe hija janë të përhershme. - Ushqimet, pijet dhe frutat e

Xhenetit nuk ndërpriten dhe nuk mbarojnë kurrë. Në dy Sahih-ët vjen hadithi i Ibn Abasit, në të cilin flitet për namazin e eklipsit, ku, ndër të tjera, thuhet: 1564. “... njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut! Gjatë namazit vërejtëm se bëre diçka të pazakontë, sikur synove të merrje e arrije diçka, e pastaj u tërhoqe.” Profeti i Allahut tha: “Unë pashë Xhenetin, - ose: “m’u shfaq Xheneti” - dhe dëshirova të marr prej tij një degë rrushi. Nëse do të arrija ta merrja atë, ju do të hanit prej saj për sa kohë të vazhdonte dynjaja.” Nga Utbe Ibn Abd el Sulemi vjen rrëfimi se: 1565. “Një nomad e pyeti Profetin rreth Xhenetit: “A ka rrush atje?” Profeti tha: “Po.” Ai tha: “Sa i madh është bistaku i rrushit atje? - “Është aq i madh, sa të fluturojë korbi për një muaj rresht, pa pushuar aspak.” Kështu e sjell Imam Ahmedi. Ndërsa Taberaniu sjell hadithin nga Theubani, se Profeti i Allahut ka thënë: 1566. “Sa herë që njeriu merr një frut nga Xhenetit, në vend të tij del një tjetër.” Nga Xhabir ibn Abdilah përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: “Banorët e xhenetit hanë dhe pinë, por nuk nxjerrin sekrecione nga hunda, as jashtëqitje dhe as urinë. Ushqimi i tyre del si gromësirë me aromë misku. Atyre do t’u inspirohet tesbiĥu (fjala subhanall -llah) dhe takdisu (lavdërimi e dëlirësimi i Allahut) ashtu siç marrin frymë.” Transmeton Muslimi. El Hasen Ibn El ea’rafe përcjell nga Alladullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti i Allahut ka thënë: 1567. “Në Xhenet, ti vështron zogun duke fluturuar, dhe (me të dëshiruar që të hash) ai bie menjëherë përpara teje (në tryezë) i pjekur (gati për të ngrënë).” Allahu i lartësuar ka thënë: “Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba, Bananeve me fruta palë -palë, Nën hije të gjera, Pranë një uji që rrjedh, Mes frutave të shumëllojshme, Që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.” [El uakia 28 - 33] “Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi. Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë. Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë.” [El insan 12 - 14]. Edhe hijet e këndshme e të bukura, janë të përhershme në Xhenet; ato nuk pakësohen apo largohen, siç thotë i Lavdëruari: “Por ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, Ne do t’i fusim në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë të përjetshëm. Atje do të kenë edhe bashkëshorte të pastra e hije të mrekullueshme.” [Nisa 57]. Shumë herë Allahu i lartësuar, pasi përmend në Kur’an përshkrimin e xhenetit vijon të përshkruajë edhe xhehenemin dhe ndëshkimin e Tij. Kështu Ai nxit në zemrat e robërve shpresën për shpërblimin dhe mirësitë e Tij, por edhe frikën nga ndëshkimi i Tij. Edhe në këto ajete, pasi përshkroi mirësitë e Xhenetit, i Lartësuari thotë: - Ky do të jetë fundi i lumtur i atyre që janë të devotshëm, ndërsa fundi i jobesimtarëve do të jetë Zjarri. - Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” [Hashr 20.]

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:33–13:34

- Vallë, kush mund të krahasohet me Atë (Allahun) që mbikëqyr çdokënd se çfarë vepron? - Allahu i Lartësuar është Mbikëqyrës i gjithçkaje dhe çdokujt ka për t’i dhënë shpërblimin e merituar, qoftë në këtë jetë, qoftë në jetën tjetër, me drejtësinë e Tij të plotë. Si mund të jetë i njëjtë i Gjithëdituri me idhujt, të cilët nuk kanë në dorë asnjë mundësi për shpërblim dhe ndëshkim, të cilët nuk kanë asnjë grimë pushteti?! Duke treguar padrejtësinë e tyre të madhe, Allahu i Lartësuar thotë: - Dhe megjithatë, ata i përshkruajnë Allahut ortakë. - Ata i përshkruajnë Allahut ortakë, ndërkohë që Ai është i Vetmi dhe i Pashembullti. Allahu është EsSamed - i Ploti dhe Absoluti në zotërimin dhe sundimin e Tij, të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre. Allahu nuk ka shokë, nuk ka ortakë dhe as të ngjashëm me Të. Të besosh se ka idhuj të ngjashëm me Zotin dhe pjesëmarrës në pushtetin e Tij është një krim i pafalshëm. - Thuaj: “Na i tregoni ata!” Mos, vallë, ju po i tregoni Atij diçka që Ai nuk e ditka, qoftë ajo nga gjërat që janë në tokë,” - Nëse jeni të sigurt dhe të vërtetë në atë që thoni, atëherë përshkruajini idhujt që ju adhuroni, që të gjykojmë rreth tyre. Mos, vallë, Allahu i Madhëruar nuk di gjë rreth ekzistencës së këtyre idhujve dhe u dashka që ju t'ia mësoni Atij?! Mësojeni tani, o të mjerë! Duke qenë se Allahu i Lartësuar nuk e ndan pushtetin e Tij me asnjë tjetër, kuptojeni kotësinë e pretendimeve tuaja! Me këto pretendime boshe, ju i përngjani

atij që kërkon t’i prezantojë ortakë Zotit, për të cilët Ai nuk ditka gjë. Këto janë kotësira, që dalin nga goja juaj, prandaj i Lartësuari thotë: - ... qoftë ajo fjalë prej fjalëve që ju thoni?!” - E shumta që mund të thuhet rreth ekzistencës së këtyre idhujve ose “ortakëve”, është se ato janë pretendime të kota, të thëna nga të paditurit. E vërteta është e qartë: "Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut". Asnjë krijesë nuk meriton të adhurohet, por: - Jo, por atyre që nuk besojnë u duket e mirë dredhia e tyre, - Dredhitë e tyre në propagandimin e idhujtarisë dhe mohimit të Shpalljes së Zotit iu duken të bukura, prandaj dhe përfundimi i tyre është i qartë: - ... prandaj janë të penguar nga rruga e drejtë. - Ata privohen nga rruga e drejtë, që të çon tek Zoti dhe në vendin e përjetshëm të bujarisë dhe mirësive të Tij. - Dhe ata që Allahu i lë të humbur, askush nuk mund t'i udhëzojë. - Arsyeja është se askush tjetër, përveç Allahut, nuk ka pushtet real në qiej dhe në tokë, në këtë jetë dhe në ahiret. Askush nuk mund të ndryshojë vullnetin dhe përcaktimin e të Gjithëpushtetshmit, që është i Urtë dhe i Gjithëditur. - Për ata ka dënim në jetën e kësaj bote, por dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë. - Ndëshkimi i ahiretit është shumë më i rëndë se ndëshkimi i dynjasë dhe, përveç kësaj, ai është i përjetshëm dhe i pafundmë. - Ata nuk ka kush t’i mbrojë prej ndëshkimit të Allahut. - Askush nuk mund t’i ruajë ata nga ndëshkimi i Allahut. Nëse ndëshkimi i Tij e përfshin dikë, askush nuk mund ta pengojë Atë.

← Rad 13:34