13. Rad · Ajeti 43 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:35–13:43
Xhenneti i caktuar dhe i përgatitur për njerëzit e mirë është i panjohur për ne, ngase nuk kemi përjetuar diçka ashtu si është ai. Zoti xh. sh. na i sjell disa shembuj konkretë, të cilët ne i kemi përjetuar, ashtu që deri diku të mund ta kuptojmë modelin, cilësitë dhe veçoritë e xhennetit, por të mos harrojmë, këta janë vetëm shembuj sa për ta kuptuar deri diku, e në të vërtetë, ai është shumë më i përsosur, më i këndshëm dhe më i mirë se sa ne mendojmë.
Disa ithtarë të librit, të cilët ishin të sinqertë dhe besnikë të thënieve të librit të tyre dhe, të cilët kishin pranuar Muhammedin dhe Kur'anin, gëzoheshin me vazhdimin e shpalljeve, ngase vërtetohej ajo që e kishin mësuar në librin e tyre. Por nga grupet e ithtarëve të librit e edhe nga idhujtarët kishte asish që ishin bashkuar mes vete për t'iu kundërvënë mësimeve të Kur'anit.
Pati edhe të atillë që ia shihnin si të metë Muhammedit, pse ishte i martuar dhe kishte fëmijë, pse nuk ishte i dhënë vetëm për çështjet shpirtërore, pse përjetonte edhe të mirat e kësaj bote. Ky ajet refuzon thëniet e tyre duke sqaruar se Muhammedi nuk ishte risimtar i një jete të tillë, po ishin edhe pejgamberët e tjerë para tij.
Çdo gjë ndodh me caktimin e Zotit. Edhe mrekullitë e pejgamberëve shfaqen sipas dëshirës së Zotit, e edhe masa ndëshkuese kundër mohuesve, pason në çastin e caktuar. Baza e të gjitha çështjeve dhe sendeve është në dijen e Zotit. Nuk është e drejtë jona të përpiqemi për të ditur se çka dhe si ekziston evidenca e caktimeve të Zotit, ajo është dije e pakufishme e Tij. Ne duhet të zbatojmë obligimet, e jo të dijmë edhe për vendimin e Zotit.
(i Pakësimi i sipërfaqes së territorit të tokës, mund të jetë qëllim i pakësimit të territorit të kundërshtarit, e të rritjes së asaj të myslimanëve. Sipas zbulimeve më të reja shkencore është konstatuar se trupat qiellorë në përgjithësi, e ndër ta edhe toka, janë duke u tkurrur, kurse hapësira është duke u zgjeruar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë për këtë dukuri Kur'ani ka paralajmëruar para katërmbëdhjetë shekujsh!"
Me ndihmën e Zotit përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "Er Rra'du"'. Falënderua qoftë Allahu!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:43
- Ata që mohojnë thonë: “Ti nuk je i dërguar.” - Mohuesit e të vërtetës dhe fshehësit e saj të konsiderojnë ty si një mashtrues, duke thënë: “Ti nuk je i dërguar. Ne nuk besojmë se ti je vërtet i dërguar nga Zoti.” - Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmues midis meje dhe jush, por edhe midis meje dhe atyre që kanë njohuri për Librin”. - Më mjafton që Allahu është dëshmitar, në lidhje me mua dhe ju. Ai dëshmon që unë jua kumtova Shpalljen që Ai më urdhëroi që t’jua kumtoj. Ai dëshmon edhe për ju, o mohues të së vërtetës dhe Shpalljes së Zotit, dhe i di mirë shpifjet dhe trillimet tuaja kundër Profetit dhe Shpalljes. Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu: “... por edhe midis meje dhe atyre që kanë njohuri për Librin”. Kjo përfshin dijetarët nga mesi i ithtarëve të Librit, të cilët e gjejnë qartësisht përshkrimin e Muhamedit në librat e shkuar. Ata lexojnë qartë përgëzimet e shumta të profetëve para tij, në lidhje me dërgimin e këtij Profeti të madh, siç thotë i Lartësuari:
“... Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka. Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin dhe për ata që besojnë në argumentet Tona, për ata që pranojnë të Dërguarin, Profetin që nuk shkruan e nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar në Teurat dhe në Ungjill, që i urdhëron ata për të mirë dhe i ndalon nga e keqja, që u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, që u heq barrën e rëndë dhe prangat. Ata që besojnë në të, që e nderojnë atë, që e ndihmojnë atë dhe që veprojnë me Dritën që iu zbrit atij - këta janë ata të shpëtuarit. Thuaj: “O njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju. Jam i dërguari i Allahut, në dorën e të Cilit është sundimi i qiejve e i tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje. Besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk shkruan e nuk lexon, që beson Allahun dhe Shpalljet e Tij! Ndiqeni rrugën e tij, që të jeni të udhëzuar!” [El ea’raf 156 - 158]. “Pa dyshim, ai (Kur’ani) është i përmendur edhe në librat e mëparshëm.” A nuk ishte argument për ata (për jobesimtarët mekas) , se atë (Kur’anin) e dinin edhe dijetarët e bijve të Izraelit?” [Shuara 196 - 197]. Ajete të tilla janë të shumta në Kur ’an. Në to tregohet se dijetarët e bijve të Izraelit i njohin dhe i lexojnë në librat e mëparshëm të tilla përshkrime për Muhamedin ﷺ dhe Shpalljen që iu dha atij. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Rad. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe vetëm Atij i takon mirënjohja e plotë për të gjitha mirësitë që na dhuron! 11/05/1969 ose 24/02/1389 h
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:42–13:43
- Edhe ata që kanë qenë para tyre thurën intriga, por çdo intrigë është në dorën e Allahut. - Shumë intriga dhe plane thurën popujt e shkuar kundër profetëve dhe kundër të vërtetës, që ata sollën nga Zoti,
por nuk arritën asgjë. Ata luftuan kundër rrugës së Allahut, duke dashur të pengonin përhapjen e dritës së Tij. Por, a nuk e dinin ata se: "…çdo intrigë është në dorën e Allahut"? Askush nuk ka mundësi që të bëjë plane dhe t’i realizojë ato pa lejen e Allahut të Lartësuar apo jashtë përcaktimit dhe krijimit të Tij. Zoti ka krijuar gjithçka dhe ka përcaktuar gjithçka. Ata thurin intriga kundër fesë së Tij, por le ta dinë se përfundimi i tyre është dëshpërimi dhe dështimi. Ata do të zhgënjehen dhe do të mbeten të trishtuar. Allahu i Lartësuar thotë: - Ai e di se çfarë vepron çdo njeri dhe mohuesit do ta kuptojnë mirë se për kë do të jetë Fundi i lumtur. - Allahu i Lartësuar i di shumë mirë prirjet, dëshirat dhe punët e njerëzve, si të dukshmet dhe të padukshmet. Edhe thurja e intrigave është një vepër që nuk i fshihet Allahut të Lartësuar, prandaj është e pamundur që ata të planifikojnë kurthe për të dëmtuar të vërtetën dhe pasuesit e saj dhe t’ia arrijnë të përfitojnë diçka. Allahu i Lartësuar thotë: "…mohuesit do ta kuptojnë mirë se për kë do të jetë fundi i lumtur." Do ta kuptojnë mirë se kujt do t’u takojë e ardhmja: atyre apo profetëve dhe pasuesve të profetëve. Nuk ka dyshim se përfundim i lumtur dhe gjithë mirësia u takon të devotshmëve, dhe jo mohuesve. - Ata që mohojnë thonë: “Ti nuk je i dërguar.”” - Ata të mohojnë ty dhe e konsiderojnë gënjeshtër Shpalljen që t’u dha nga Zoti. Thuaji atyre, nëse kërkojnë ndonjë dëshmues për këtë fakt: - Thuaj: “Mjafton që Allahu është dëshmues midis meje dhe jush,...” - Allahu i Lartësuar ka dëshmuar për këtë të vërtetë me fjalën, veprat dhe me miratimin e Tij. Me fjalën e Tij, Allahu i Lartësuar dëshmoi përmes asaj që ia shpalli më të sinqertit dhe më besnikut të krijesave të Tij. Ai shpalli mesazhe, përmes të cilave tregoi vërtetësinë dhe besnikërinë e Profetit dhe të Shpalljes. Për sa i përket dëshmisë me vepra, Allahu i Lartësuar e mbështeti Profetin dhe kauzën e tij me një ndihmë, e cila ishte jashtë mundësive njerëzore, jashtë forcës së këtij profeti apo të shokëve dhe pasuesve të tij. Kjo ishte një dëshmi me veprat e Allahut të Lartësuar, që tregoi për vërtetësinë e Shpalljes dhe të profetit Muhamed. Ndërsa dëshmia përmes pohimit të Tij kuptohet nga fakti se Profeti na ka njoftuar se ishte Zoti Ai që e dërgoi atë. Ai na tregoi se Allahu i Lartësuar i urdhëroi njerëzit për ta pasuar rrugën e drejtë dhe premtoi kënaqësinë dhe begatinë e Tij për çdo pasues të sinqertë të kësaj rruge. Ndërsa ata që nuk e pasojnë Profetin, Zoti i kërcënon me zjarr në botën tjetër, madje e ka bërë të lejuar për t'u marrë (sipas ligjit) jetën dhe pasurinë e tyre. Për të gjitha këto mesazhe që Profeti solli prej Tij, Allahu i Lartësuar e miratoi atë. Nëse Profeti do të trillonte diçka, Allahu i Lartësuar do ta ndëshkonte menjëherë atë. - ... por edhe midis meje dhe at yre që kanë njohuri për Librin” ! - Kjo përfshin të gjithë dijetarët e dy librave (Teurat dhe Ungjill). Shumë dijetarë të krishterë apo judej, të cilët e pranuan dhe pasuan të vërtetën, dëshmuan haptas për vërtetësinë e profetit Muhamed. 67 Edhe ata që e fshehën këtë dëshmi, Allahu i Lartësuar na tregon se e dinin dhe ishin të sigurt për këtë fakt. Dëshmia e Zotit se ata e dinin mirë këtë fakt, por heshtnin, është, në fakt, më e fortë edhe sesa pranimi i vetë atyre, sikur ta bënin. Nëse nuk do të dëshmonte Allahu i Madhëruar, ata do ta refuzonin diçka të tillë, por heshtja e tyre tregoi se ata e kishin të shkruar dëshminë për vërtetësinë e Profetit. Allahu i Lartësuar urdhëroi që të argumentojmë me dëshmitë që gjenden tek ithtarët e Librit, sepse dëshmia merret nga ata që kanë njohuri. Në atë kohë, idhujtarët arabë ishin analfabetë e të paditur, prandaj nuk kishte asnjë dobi dëshmia e tyre për vërtetësinë e Profetit dhe të Shpalljes së Zotit. Madje, arabët e asaj kohe, që ishin të paditur, gjithmonë pyesnin ithtarët e Librit për të tilla çështje. Allahu është më i ditur për gjithçka.