13. Rad · Ajeti 6 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:1–13:11
E tërë pjesa tjetër e Kur'anit që i kishte zbritur Pejgamberit e edhe pjesët e kësaj kaptine janë e vërtetë nga Zoti i madhërishëm.
Njerëzit do të duhej besuar se ai Zot që i krijoi qiejt, që ne i shohim pa shtylla, që përcaktoi lëvizjen e diellit e të hënës, që rregulloi çdo çështje në gjithësi në mënyrë precize, është i plotfuqishëm të ringjallë njerëzit dhe t'i marrë në përgjegjësi. Mjeshtria e përsosur e Zotit duket në çdo krijesë siç është: toka e rrafshët, kodrat dhe luginat në të, llojet e frutave në shije dhe në pamje, edhe pse të gjitha i ushqejnë rrënjët prej një dheu dhe ujiten me të njëjtin ujë. Edhe pas të gjitha këtyre fakteve, disa njerëz nuk e kuptojnë fuqinë e Tij.
Ka njerëz të tillë që ringjallja u duket e pabesueshme, duke u mbështetur në atë se njeriu bëhet dhë e pluhur, e nuk mendojnë se herën e parë u krijuan prej një pikë uji. Këtë pyetje lidhur me ringjalljen e hasim se përsëritet nga ana e jobesimtarëve në njëmbëdhjetë vende e në nëntë kaptina: në këtë, dy herë, në Isra, në Mu'minun, në Neml, në Ankebutë, në Sexhde, në Safat dy herë, në Vakia dhe në Naziatë.
Idhujtarët kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli praktike siç ishte shkopi i Musait, shpezët e Isait etj. Ata nuk e dinin se mrekullitë i krijon Zoti, e jo Pejgamberi, madje mrekullia më e madhe dhe e përjetshme për Muhammedin është Kur'ani.
Vetëm Allahu e di se çka mban mitra e gruas, a është e plotë ose jo e plotë, do të lindë para kohe ose me kohë. Është e kotë çdo përpjekje që të fshihet diçka prej Tij. Para Tij janë të njëjta si e fshehta si e hapta. Ai ia do të mirën njeriut, andaj i ka caktuar përcjellës që ta ruajnë atë nga të këqiat. Ata janë engjëj në ndërrime një ose dy herë gjatë ditës. Zoti nuk ia merr të mirat që ia ka dhënë një populli, para se ai popull të bëhet përbuzës i të mirave, pra faji është i vetë popullit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:6
- Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e ndëshkimit para së mirës ... - Mohuesit kërkojnë prej teje përshpejtimin e ndëshkimit, në vend që të kërkojnë shpëtimin. Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: “Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e Dënimit (për ta). Sikur të mos ishte afati i caktuar (nga Allahu) , Dënimi do t’u vinte menjëherë. Por ai sigurisht do t’u vijë, por do t'u vijë befas, atëherë kur ata nuk e presin. Ata kërkojnë shpejtimin e Dënimit (dhe ai do t'u vijë) . Dhe, sigurisht Xhehenemi ka për ti rrethuar jobesimtarët nga të gjitha anët.” [El ankebut 53, 54]; Dhe thotë gjithashtu: “Dhe ata (jobesimtarët) thanë: “O Zoti ynë! Përshpejtoje pjesën tonë (të dënimit) përpara ditës së Gjykimit!” [Sad 16]. Domethënë, përshpejtoje ndëshkimin tonë , që në këtë dynja . Ose: “Kujto si thanë ata: “O Allah! Nëse ky (Kur’an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë dënim të rëndë!”.” [Enfal 32]. Domethënë, për shkak mohimit të madh, kokëfortësisë dhe mosbesimit të tyre, ata kërkojnë që t’u vijë shpejt dënimi i Allahut. - edhe pse para tyre ka pasur dënime të ashpra. - Ne ua zbritëm ndëshkimin Tonë popujve të shkuar dhe i bëmë ata shembull dhe përkujtim për ata që dinë të nxjerrin mësim prej tyre. Më pas, i lartësuari na njofton se nëse nuk do të ishte mëshira e Tij e madhe dhe falja e Tij e gjerë, Ai do t’ua përshpejtonte ndëshkimin për padrejtësitë e tyre. Sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Nëse Allahu do t’i dënonte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë. Por, Ai i lë ata deri në afatin e caktuar. Por kur të vijë afati i tyre, (le ta dinë se) Allahu Shikon gjithçka nga robërit e vet.” Fatir 45. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - Me të vërtetë, Zoti yt e ka faljen të madhe për njerëzit, me gjithë padrejtësitë e tyre ... - I Lartësuari është Falës i Madh dhe ua mbulon gjynahet njerëzve, edhe pse ata bëjnë padrejtësi dhe gabojnë natën dhe ditën. Pas faljes, Allahu i Lartësuar përmend se Ai është edhe ndëshkues i ashpër, që të barazohet shpresa (për faljen e gjynaheve) me frikën (nga ndëshkimi i Tij): - por të jeni të bindur se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë. - Ashtu siç thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Në qoftë se ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: “Me të vërtetë, Zoti juaj e ka Mëshirën të gjerë, por dënimi i Tij kurrë nuk do të sprapset nga një popull keqbërës!” [En'am 147]. Ose: “... Zoti yt është, vërtet ndëshkues i shpejtë, por Ai është gjithashtu edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë.” [El ea’raf 167]; ose: “Thuaju robve të Mi se vërtet, Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëplotë. Por edhe dënimi Im është Dënim i dhembshëm.” [El hixhr 49, 50], e shumë ajete të tjera në të cilat nxitemi për frikën ndaj Zotit dhe shpresën për faljen dhe shpërblimin eTij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:6
- Ata kërkojnë prej teje përshpejtimin e ndëshkimit para së mirës,... - Allahu i Lartësuar na tregon rreth injorancës së thellë që i karakterizon mohuesit e Profetit të Tij, të zhytur në idhujtari dhe padrejtësi. Ata u këshilluan dhe qortuan nëpërmjet kësaj shpalljeje madhështore, por nuk nxorën mësim. Atyre iu dhanë fakte dhe argumente të qarta, por sërish nuk u nënshtruan dhe e refuzuan Shpalljen e Zotit. Ata e shfaqën haptazi mohimin e tyre duke u argumentuar çuditërisht me butësinë e Allahut të Lartësuar, që edhe pse është i Plotpushtetshëm e Ngadhënjimtar, tregon mëshirë ndaj tyre. Duke qenë se Allahu i Lartësuar është i Gjithëmëshirshëm dhe i Butë, Ai nuk nxitohet që t’i ndëshkojë ata për gjynahet e tyre, kurse ata e lexuan këtë mosndëshkim si provë se janë me të vërtetën. Të vetëmashtruar dhe plot arrogancë, ata i kërkonin Profetit ﷺ që t'ua përshpejtonte ndëshkimin, a thua se po e sfidonin atë. Dikush prej tyre tha: “ Nëse ky (Kur'an) është vërtet prej Teje, lësho mbi ne rrebesh gurësh nga qielli, ose na jep ndonjë Dënim të rëndë!”. [Enfal 32]. - ... edhe pse para tyre ka pasur dënime të ashpra. - Të mjerët i thoshin këto fjalë kur, para tyre, Zoti kishte bërë shumë popuj shembuj për të tjerët, me mënyrën se si i kishte ndëshkuar ata. A nuk e shihnin veten se si ishin katandisur?! A nuk kishin frikë nga ndëshkimi i Zotit?! Sigurisht, kjo qe një injorancë e thellë e tyre, nga e cila duhet të largoheshin sa më parë, që të shpëtonin. Ata duhet të dinin se: - Me të vërtetë, Zoti yt e ka faljen të madhe për njerëzit, me gjithë padrejtësitë e tyre,... - Mirësia, bujaria, mëshira dhe falja e Zotit zbresin vazhdimisht dhe i përfshijnë njerëzit, të cilët, fatkeqësisht, dinë të tregojnë veçse sherrin, mosbindjen, mosmirënjohjen dhe mohimin. Ata e mohojnë Zotin, tregohen mosmirënjohës e mospërfillës ndaj Tij, ndërkohë që janë aq të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Tij. Ndërsa i Lartësuari i fton me butësi, dashuri dhe mëshirë drejt portës së Tij, ata vazhdojnë të zhyten në krime dhe padrejtësi. Megjithatë, i Gjithëmëshirshmi nuk i privon dhe as i përjashton ata nga përkujdesja, mirësitë dhe bujaria e Tij. Nëse ata pendohen dhe kthehen tek Ai të mbushur me keqardhje dhe të nënshtruar, Ai bëhet i Dashuri i tyre dhe i ka njoftuar se Ai i do të penduarit dhe i do ata që pastrohen. Nëse nuk pendohen, Zoti përkujdeset që t’i mjekojë dhe pastrojë ata. Ai i sprovon ata me fatkeqësi, për t’i pastruar nga gjynahet, por përsëri thotë me dashuri dhe mëshirë: Thuaj: “ Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut, sepse
Allahu i fal të gjitha gjynahet! Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. ” Dhe, kthehuni te Zoti juaj (me pendim dhe bindje) dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë. Dhe përmbajuni më të mirës që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos e ndjeni. ” [Zumer 53 -55]. Por duke synuar t’i kthejë në rrugën e mbarë, Zoti di t’i mjekojë ata edhe duke i kërcënuar: - ... por të jeni të bindur se Zoti yt është edhe ndëshkues i rreptë . - Ai është Ndëshkues për këdo që vazhdon në gjynahe dhe refuzon të kthehet i penduar, të kërkojë falje dhe t’i përgjërohet Atij, që është Ngadhënjimtari dhe Falësi i madh. Le të frikësohen robërit e mençur nga ndëshkimi i Ngadhënjimtarit dhe të Drejtit, që është një dënim i pashmangshëm mbi kriminelët! Le ta kujtojnë vazhdimisht se zemërimi dhe ndëshkimi i Zotit është i dhembshëm dhe i ashpër.