14. Ibrahim · Ajeti 22 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:9–14:22
Sipas shpjegimeve të Kur'anit kuptohet se të dërguarit e Zotit gjithnjë hasën në vështirësi. Për disa pejgamberë dhe për disa ndodhi të tyre na mësoi Kur'ani, por ka pasur edhe shumë të tjera për të cilat nuk di askush tjetër pos Allahut.
Vënia e duarve të tyre në gojë ishte shenjë e talljes së tepërt, të përcjellë me qeshje të çuditshme. Të dërguarit e Zotit nuk prekeshin për veten e tyre pse kundërshtarët i nënçmonin dhe nuk u besonin, por habiteshin prej tyre se si nuk donin ta besonin Zotin, Krijues të çdo sendi, mëshiures i cili i thërriste në shpëtimi Pejgamberët asnjë herë nuk pretenduan ndonjë privilegj më të madh se atë që u kishte dhënë Zoti, shpalljen, andaj vërtetonin për vete se ishin njerëz, por të dërguar nga Zoti, e mrekullitë që kundërshtarët i kërkonin prej tyre, ata ia mbështetnin Zotit e jo vetes.
Përmes shpjegimit të qëndrimit të kundërshtarëve kundër të dërguarve, i jepet shenjë Muhammedit se Zoti do t'i shkatërrojë mizorët dhe në vend të tyre do të sjellë popull që beson Zotin dhe ditën e gjykimit. Ashtu edhe ndodhi me idhujtarët mekas.
Vuajtjet në xhehenem janë aq të tmerrshme sa që është vështirë të përshkruhen. Një lloj përshkrimi e bën Kur'ani me qëllim që njerëzit të largohen prej punëve të këqia, pasojë e të cilave është zjarri. Të kota janë të gjitha veprat që nuk burojnë prej besimit të drejtë, ato nuk kanë peshë as sa ka pluhuri të cilin e zhduk era. Pra duhet kuptuar se Zoti nuk krijoi qiej e tokë edhe njerëzit në të, Njerëzit nuk duhet të jenë mendjelehtë e të mashtrohen pas çdo kënaqësie të kësaj jete dhe të imitojnë ata që nuk janë në rrugë të drejtë Nuk duhet imituar parinë për hir të pozitës kur nuk janë vepërmirë e besnikë, pse para Zotit do të përgjigjet çdokush për punën e vet, dhe faji nuk mund t'i hidhet askujt tjetër.
Shejtani do ta mbajë një fjalim në mesin e xhehenemlinjve dhe do të arsyetohet, se nuk ka pasur kurrfarë fuqie fizike, e as argument bindës për intrigat që i ka bërë në dynja, pra nuk i ka detyruar njerëzit ta ndjekin rrugën e gabuar. A sheh edhe dreqi do të ikë prej punëkeqit. Të gjitha këto duhet kuptuar sa jemi në këtë jetë dhe duhet përmirësuar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:22–14:23
Kur gjithçka të jetë vendosur, Shejtani do të thotë: “Allahu ju dha një premtim të vërtetë. - Allahu i Lartësuar na tregon për fjalimin e shëmtuar që do t’u mbajë Iblisi pasuesve të tij. Pasi Allahu i Lartësuar të ketë gjykuar robërit e Tij, kur besimtarët të jenë futur në Xhenet dhe mohuesit të jenë futur në thellësitë e Xhehenemit, pikërisht në këtë kohë Iblisi i mallkuar do t’u mbajë një fjalim të shëmtuar banorëve të Zjarrit,
fjalë e cila do t’ua shtojë edhe më shumë dëshpërimin dhe vuajtjen. Kështu, ai do të thotë: “Ishte Allahu që ju bëri premtimin e vërtetë. Përmes profetëve të Tij, Ai ju dha një premtim të vërtetë. Ai u premtoi pasuesve të profetëve shpëtim dhe ruajtje nga çdo ndëshkim. Ai premtim ishte i vërtetë dhe i sigurt, ndërsa premtimi im ishte i rremë. - Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin. - Sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira). Por shejtani premton veçse mashtrim.” [Nisa 120]. - Unë nuk pata fuqi imponuese mbi ju ... - Unë nuk kisha asnjë argument apo fakt, për t’ju bindur në lidhje me atë që ju premtova. - përveçse t'ju bëja thirrje dhe ju më dëgjonit. - Ju e pranuat ftesën time thjesht pas një premtimi, pa asnjë lloj fakti dhe argumenti të paraqitur prej meje. Ndërkohë që profetët ju paraqitën fakte dhe argumente të sigurta, që vërtetonin besnikërinë e tyre dhe vërtetësinë e mesazhit që sillnin prej Zotit, por ju i kundërshtuat ata dhe tashmë përfunduat këtu ku përfunduat! - Për këtë arsye, mos më qortoni mua, por qortoni veten! - Sot mos më qortoni aspak mua, por qortoni vetveten, sepse gjynahu është i juaji! Ishit vetë ju që kundërshtuat argumentet e profetëve dhe faktet e tyre të sigurta dhe më pasuat mua thjesht me një ftesë që ju drejtova. - Unë nuk mund të jem shpëtimtari juaj e as ju nuk mund të jeni shpëtimtarët e mi. - As unë nuk mund t’ju shpëtoj ju dhe as ju nuk mund të më shpëtoni mua nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut! - Unë distancohem nga shirku juaj në të shkuarën.” - Kuptimi: Unë nuk e pranoj se jam ortak i Allahut Krenar dhe të Lartësuar dhe e refuzoj adhurimin që ju më përkushtuat. Kështu e ka shpjeguar Ibn Xheriri, dhe ky është mendimi më i saktë. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen (edhe sikur t'u luten) deri në Kijamet?! Ata janë të paditur (e të pafuqishëm t'u përgjigjen) për lutjet e tyre. Dhe kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit (në ditën e Llogarisë), ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan.” [Ahkaf 5, 6] Dhe thotë gjithashtu: “Ata adhuruan në vend të Allahut zota të tjerë, për t’u dhënë fuqi e lavdi. Por ata (idhujt) do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiq të tyre.” [Merjem 81, 82]. - Nuk ka dyshim, keqbërësit kanë një dënim të dhembshëm. - Pa dyshim që zullumqarët, të cilët bëjnë padrejtësi të shumta, për shkak të refuzimit të të vërtetës dhe pasimit të të kotës, do të kenë ndëshkim të dhembshëm. Me sa kuptohet nga konteksti i ajetit, kjo fjalë do të mbahet prej Iblisit të mallkuar, pasi ata të hyjnë në zjarr, sikurse e përmendëm pak më sipër. Pasi tregoi përfundimin e të dëshpëruarve dhe fatzinjve, pasi përmendi se ai që do t’u mbajë fjalën e shëmtuar është vetë Iblisi i mallkuar, Allahu i Lartësuar tregon përfundimin e fatbardhëve e të lumturve: - Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira vendosen në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj ... - Lumenj që shkojnë me rrjedhën e tyre kudo ku ndodhen dhe lëvizin besimtarët. - ku do të jenë përgjithmonë, me lejen e Zotit të tyre. - Do të qëndrojnë në to përjetësisht, pafundësisht, nuk do të largohen prej tyre. Edhe mirësitë nuk do të pakësohen dhe nuk do të largohen kurrë prej tyre. - Përshëndetja e tyre atje është “ Selam!”. - Kjo i ngjan një ajeti tjetër, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që kanë qenë të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do sillen në Xhenet grupe-grupe. Kur të arrijnë aty, dhe dyert e tij të hapen, roja e tij do t’u thotë: “Selamun alejkum! Ishit të pastër, prandaj hyni në të! Aty do të jeni përgjithmonë .”. [Zumer 73]. “Këta janë ata që do të shpërblehen me vendin më të lartë në qiell
për shkak se ishin durimtarë dhe aty do të priten me përshëndetje dhe selam.” [Furkan 75]. “Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira - ata i udhëzon Zoti i tyre me besimin e tyre. Pranë tyre rrjedhin lumenj në Xhenetin e mirësive. Lutja e tyre atje do të jetë: “I dëlirë je, o Allah!” Përshëndetja e tyre është: “Selam” Ndërsa lutja e tyre e fundit është: “Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, Zotit të botëve!” [Junus 9, 10].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:22–14:23
- Kur gjithçka të jetë vendosur, Shejtani do të thotë: “Qe Allahu që ju kishte bërë premtimin e vërtetë. Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin. - Shejtani i mallkuar është shkak i çdo ligësie që ka rënë dhe vazhdon të bjerë në botë. Në ditën e gjykimit kur çështja të ketë marrë fund dhe banorët e Xhenetit të jenë futur në xhenet dhe banorët e zjarrit të jenë futur në zjarr, shejtani i mallkuar do t’u drejtohet banorëve të zjarrit duke shprehur njëkohësisht dhe distancimin e tij prej tyre e do t’u thotë: " Qe Allahu që ju kishte bërë premtimin e vërtetë. " Këtë Ai e bëri përmes profetëve të Tij dhe shpalljeve që solli me ta. Por ju nuk ju bindët Atij dhe nuk u nënshtruat të jetonit sipas ligjit të Tij. Nëse do të ishit bindur ju do të kishit arritur mirësitë më të mëdha. Pastaj u thotë: " Edhe unë ju premtova, por unë nuk e mbajta premtimin. " Pra edhe unë ju premtova të mira por e theva premtimin tim. Ju nuk e patët arritur atë që e shpresuat dhe kurrë nuk keni për ti parë të realizohen ëndrrat tuaja të kota. - Unë nuk pata fuqi imponuese ndaj jush, përveçse t'ju bëja thirrje, por ju më dëgjonit. - Pra unë nuk kisha asnjë lloj argumenti që të mbështeste fjalën dhe premtimet e mija përveç faktit që unë ju ftova dhe ju mu përgjigjët. Unë ju ftova për të pasuar qëllimet e mia dhe jua zbukurova ato në zemrat tuaja dhe ju i'u përgjigjët ftesës sime duke pasuar epshet dhe dëshirat tuaja të shfrenuara. - Për këtë arsye, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk mund të jem shpëtimtari juaj e as ju nuk mund të jeni shpëtimtarët e mi. - Ju jeni shkaktarë për devijimin e vetes tuaj, prandaj e keni bërë të meritueshëm ndëshkimin. Ne të gjithë po vuajmë një ndëshkim, që e kemi merituar vetë. As unë nuk ju ndihmoj dot për t'jua lehtësuar dhimbjet, dhe as ju nuk mund të më ndihmoni mua. Çdokush do të marrë pjesën e vet të ndëshkimit të merituar. - Unë distancohem nga shirku juaj në të shkuarën.” - Kuptimi: Unë distancohem nga ju dhe nga fakti që më keni konsideruar si ortak me Allahun. Allahu nuk ka ortak dhe ju jeni treguar të padrejtë kur më jeni bindur. - Nuk ka dyshim, jobesimtarët kanë një dënim të dhembshëm. - Të gjithë ata që i bënë padrejtësi vetes duke iu bindur shejtanit do të kenë dënim të dhembshëm dhe të përjetshëm. Allahu i Lartësuar i ka sjellë këto ajete si mëshirë dhe butësi për robërit e Tij. Ai i paralajmëron ata që të
mos i binden shejtanit. Allahu i Lartësuar i mëson robërit e Tij se nga cilat porta u hyn shejtani i mallkuar dhe cilat janë qëllimet e zeza të tij. Ai na mëson se shejtani i mallkuar synon që t’i tërheqë të gjithë në Zjarr. Allahu i Lartësuar na tregon se kur shejtani i mallkuar dhe pasuesit e tij të hyjnë në Zjarr, Ai do të distancohet prej pasuesve dhe do t’ua mohojë përkrahjen dhe mbështetjen që ata i kanë ofruar, duke iu bindur në jetën e dynjasë. Të gjitha këto janë lajme të sjella nga i Gjithëdituri. Allahu i Madhëruar na tregon, gjithashtu, se shejtani i mallkuar nuk ka fuqi imponuese mbi njerëzit. Në një ajet tjetër thuhet: "Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. Ai mund të kontrollojë vetëm ata që e përkrahin atë dhe ata që, për shkak të tij, bëhen idhujtarë. " [Nahl 100]. Në rastin e parë flitet për pushtetin e argumentimit dhe të fakteve. Kështu, shejtani i mallkuar nuk ka asnjë fakt për të vërtetuar rrugën e vet për pasuesit. E shumta që mund të arrijë është hedhja e dyshimeve dhe zbukurimi i të keqes, duke i bërë pasuesit që të marrin guximin ose të mashtrohen për të mos iu bindur Zotit. Kurse në rastin e dytë kemi të bëjmë me forcën për të mashtruar dhe për t’i nxitur pasuesit të bëjnë poshtërsi. Shejtani i shtyn njerëzit në gjynahe, duke mos i lënë të qetë asnjë çast. Në fakt, janë vetë ata që e lejojnë shejtanin t’i kontrollojë, duke u miqësuar dhe duke u bërë palë me të. Mbi këta njerëz ka pushtet ai i mallkuar, duke i bërë të mos i binden Allahut të Lartësuar. Ndërsa për ata që besojnë Zotin e tyre dhe vetëm Atij i mbështeten, kundër këtyre shejtani i mallkuar nuk ka asnjë lloj fuqie e kontrolli. Pasi përmendi ndëshkimin e të padrejtëve, Allahu i Madhëruar përshkruan shpërblimin e të bindurve: - Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira vendosen në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, me lejen e Zotit të tyre. - Këta janë njerëzit që e zbatojnë dhe plotësojnë fenë, përmes fjalëve, veprave dhe besimit në zemrat e tyre. Për këta i Madhëruari premton se do t’i fusë: "...në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përgjithmonë, me lejen e Zotit të tyre". Në to janë fshehur kënaqësi dhe bukuri të shumta, të cilat syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja e askujt nuk i ka përfytyruar. Ata do të jenë të përjetshëm në të. Këto mirësi ata i përfitojnë me lejen e Zotit dhe jo me forcën dhe mundin e tyre; domethënë, kjo është dhuratë dhe mirësi nga Allahu i Lartësuar. - Përshëndetja e tyre atje është “Selam!”. - Të gjithë banorët e Xhenetit do të përshëndesin njëri tjetrin me selam dhe fjalë të mira. Paqja do t’i përfshijë në çdo drejtim.