14. Ibrahim · Ajeti 27 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:23–14:34

Pas rrëfimit për gjendjen e atyre të dënuarve me xhehenem dhe të shpërblyerve me xhennet, Zoti xh. sh. sjell shembull konkret për atë që beson dhe atë që nuk beson. Fjala e mirë është: La ilahe il lellah, sipas shumicës së komentatorëve, e sipas disa të tjerëve është çdo fjalë e mirë si: hamd, tesbih, istigfar, tevbe, dhe këshillim për rrugën e drejtë. Fjala e mirë, në të vërtetë, personi i fjalës së mirë është si pema që kur nuk i ndërpren frutat, që është stabile, e e fortë, nuk luhatet e nuk shkulet nga rënja. Ashtu duhet të jetë besimtari, gjithnjë i dobishëm, i vendosur. E ai që është i dobët, i përngjanë pemës me rrënjë të dobëta, që lehtë shkulet dhe vyshket.

Në ajetin njëzet e shtatë thuhet: Allahu forcon..., fjala është se besimtari vazhdimisht gjatë tërë jetës është i vendosur në besimin e tij të drejt, e me fjalën: Ahiret është qëllimi i forcimit me fjalën e drejtë, me shehadet në varr. Të këtij mendimi janë xhumhuri i mufesirinëve e të mbështetur në hadithin e Pejgamberit, të cilin e shënoi Buhariu, Muslimi etj., sipas të cilit Pejgamberi ka thënë:''Kur pyetet myslimani në varr dëshmon: La ilahe ll kellah Muhammedun resulullah". Vari është marrë si rregull i përgjithshëm, ngase shumica e njerëzve varrosen, për ndryshe, çdo njeri merret në pyetje pas vdekjes, pa marrë parasysh se është varrosur apo jo.

Allahu i lë të humbur vetëm zullumqarët, pse zullumqarët janë ata të cilët çdo punë, sjellje, ide, e vëjnë kundër qëllimit të saj të drejtë, pra të mirën e shndërrojnë në të keqe.

- Në këto ajete të fundit Allahu hap faqet e librit të ekzistencës, në të cilat mund të lexohen

begatitë që i krijoi Ai për të mirën e njerëzve siç është qielli e toka, shiu si burim jete, dielli

me anën e të cilit i dallojmë stinët e vitit, hëna sipas së cilës numërojmë vitet, natën për pushim

e ditën për veprim etj. Begatitë e Zotit nuk mund të numërohen as në përgjithësi, e të mos flasim

për detajet e tyre, po megjithëkëtë, njeriu fatzi nuk don t'i lexojë këto faqe dhe mbetet në errësirë

dhe në kulminacion dëmton veten.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:27

- “Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër; ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron.” - Buhari sjell hadithin nga Bera Ibn Azibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1581. “Kur muslimani të pyetet në varrin e Tij, do të dëshmojë se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është profet i Allahut. Pikërisht kjo është Fjala, kur Allahu thotë: “Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër...” Muslimi dhe të gjithë autorët e Sunen-eve e sjellin këtë hadith prej rrugës së Shubas, me të njëjtin tekst. Ndërsa Imam Ahmedi sjell nga Bera Ibn Azibi këtë rrëfim: 1582. “Ne dolëm së bashku me Profetin e Allahut për të shoqëruar xhenazen e një ensari. Arritëm tek varri dhe kur xhenazja ishte duke u vendosur në tokë, Profeti i Allahut u ul. Edhe ne u ulëm rreth e rrotull tij. Dukej sikur mbi kokat tona kishin ndaluar zogj. Profeti mbante në dorë një shkop, me të cilin po gërmonte në tokë. Pataj ngriti kokën dhe tha: “Kërkoni mbrojtje Allahut nga ndëshkimi i varrit!” Këtë e tha dy ose tri herë. Pastaj tha: “Me të vërtetë, kur besimtari largohet nga kjo dynja dhe drejtohet për në ahiret, tek ai zbresin melekë prej qiellit me fytyra të bardha. Fytyrat e tyre duken si diell. Në duar mbajnë qefinë prej Xhenetit dhe hanut (aromat e këndshme që shpërndahen e hidhen nëpër qefin) prej Xhenetit. Ata ulen në distancën deri ku atij i shikon syri. Pastaj, vjen Meleku i Vdekjes, ulet pranë

kokës së tij dhe i thotë: “O shpirt i mirë, dil në faljen e Allahut dhe kënaqësinë e Tij!” Dhe ai del duke rrjedhur lehtë, ashtu si pika e ujit shkëputet nga buzët e enës. Atëherë, kur ai e merr shpirtin, melekët nuk ia lenë në dorën e tij as sa një pulitje sysh, por e marrin dhe e vendosin në qefinët dhe hanutin e tyre. Prej tij del aroma më e këndshme që gjendet në faqen e dheut. Atëherë fillojnë e ngjiten lart në qiell. Sa herë që kalojnë pranë një grupi (melekësh), ata pyesin: “Kush është ky shpirt i mirë?” - “Është filani i biri i filanit ...”, dhe e quajnë me emrat më të bukur me të cilët e thërrisnin në dynja. Vazhdojnë të ngjiten deri sa arrijnë në qiellin e dynjasë dhe kërkojnë që t ’u hapen dyert. Ato hapen dhe atë e shoqërojnë melekët më të dalluar e të afërt, deri në qiellin tjetër. Kështu vazhdon të ngjitet, derisa arrijnë me të në qiellin e shtatë. Atëherë Allahu thotë: “Shkruajeni librin e robit Tim në Ilijin dhe kthejeni atë në tokë! Unë prej saj i krijova, në të do t’i kthej dhe prej saj do t’i nxjerr sërish!” Pas kësaj, shpirti kthehet në trupin e tij. Atëherë i vijnë dy melekë, të cilët e ngrenë të qëndrojë ulur dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt?” Ai përgjigjet: “Zoti im është Allahu.” E pyesin sërish: “Cila është feja jote?” Ai thotë: “Feja ime është Islami.” - “Cili ishte ai burrë, që u dërgua ndër ju?” - “Ai është i Dërguari i Allahut.” - “Çfarë dije ke ti (për këtë)?” Ai thotë: “Lexova Librin e Allahut, e besova si të vërtetë dhe e pranova atë.” Atëherë, një zë prej qielli thotë: “Të vërtetën tha robi Im! Shtrojani (varrin) me shtresa prej Xhenetit, visheni me rroba Xheneti dhe hapini atij një portë prej Xhenetit.” Dhe atij i vjen fllad e aromë e këndshme prej Xhenetit dhe i zgjerohet varri deri ku i sheh syri. Pastaj i afrohet një person me fytyrë të bukur, me veshje të bukur dhe me aromë të mirë dhe i thotë: “Gëzohu me atë që gjithmonë të lumturonte! Kjo është dita që të premtohej!” Ai (besimtari) e pyet: “Kush je ti? Fytyra jote është vërtet fytyra e dikujt që sjell mirësi!” Ai thotë: “Unë jam puna jote e mirë...” Pastaj besimtari lutet: “O Zot, bëje kijametin, që të mund të kthehem tek familja dhe pasuria ime!” Ndërsa qafiri, në momentin kur largohet nga kjo dynja dhe drejtohet për në ahiret, tek ai zbresin melekë prej qiellit, me fytyra të zeza, që sjellin me vete qefinë zjarri. Ata ulen në distancën deri ku atij i shikon syri. Pastaj vjen Meleku i Vdekjes, ulet pranë kokës së tij dhe i thotë: “O shpirt i pisët, dil në dënimin dhe zemërimin e Allahut!” Atëherë, shpirti i tij fshihet e shpërndahet nëpër trup, por meleku ia shkul atë, ashtu si krehëri shkul fijet kur kreh leshin e lagur. Sapo ai e merr shpirtin, melekët nuk ia lënë në dorë as sa një pulitje sysh, por e marrin dhe e vendosin në qefinët e zjarrtë. Prej tij del më e keqja erë që gjendet në faqen e dheut. Atëherë fillojnë e ngjiten lart në qiell. Sa herë që kalojnë pranë një grupi (melekësh), ata thonë: “Kush është ky shpirt i keq?” Përgjigjen: “Është filani i biri i filanit...”, duke e thirrur me emrat më të shëmtuar, me të cilët e thërrisnin në dynja. Vazhdojnë të ngjiten, deri sa arrijnë në qiellin e dynjasë. Atje kërkojnë që t’u hapen dyert, por ato nuk u hapen.” Atëherë Profeti lexoi fjalën e Allahut: “...nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet, derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës...” [ Ea’raf 40]. Atëherë Allahu thotë: “Shkruajeni librin e robit tim në Sixhin, në tokën më të ulët!” Atëherë shpirti i tij hidhet që lart.” Pastaj Profeti lexoi: “... Kush i bën shok Allahut, është sikur ai të ketë rënë nga qielli e ta kenë rrëmbyer shpendët (grabitqarë), ose sikur ta ketë rrëmbyer era e ta ketë hedhur në ndonjë vend të humbur.” [Haxh 31]. Pastaj shpirti kthehet në trupin e tij. Në këtë moment, i vijnë dy melekë, të cilët e ngrenë të qëndrojë ulur dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt?” Ai thotë: “Haaah haaah! Nuk e di!” E pyesin prapë: “Cila është feja jote?” Ai thotë: “Haaah haaah! Nuk e di!” Ata i thonë: “Cili ishte ai burrë që u dërgua ndër ju?” Ai sërish ia bën: “Haaah haaah! Nuk e di!” Atëherë një zë thotë: “Gënjeu robi Im! Shtrojani (varrin) me shtresa zjarri dhe

hapini atij një portë prej zjarrit. Dhe atij i vjen prej nxehtësisë dhe tymit të tij dhe i ngushtohet varri derisa i shkëmbehen brinjët. Atij i afrohet një burrë me fytyrë të shëmtuar, me veshje të shëmtuar dhe me aromë të keqe dhe i thotë: “Gëzohu” tani, me atë që të ligështon! Kjo është dita që të premtohej!” Ai (qafiri) i thotë: “Kush je ti? Fytyra jote është vërtet fytyrë që sjell ligësi.” Ai thotë: “Unë jam puna jote e keqe.” Pastaj, ai thotë: “O Zot, mos e bëj Kijametin!” Hadithin e sjell edhe Ebu Daudi prej Eameshit. Ndërsa Nesaiu dhe Ibn Maxhe e sjellin prej Minhal Ibn Amrit me të njëjtin tekst. Imam Abd Ibn Humejdi (Allahu e mëshiroftë!) sjell në Musned-in e tij hadithin nga Enes Ibn Maliku, se Profeti i Allahut ka thënë: 1583. “Me të vërtetë, kur robi vendoset në varr, prej tij largohen miqtë dhe shokët e vet, kurse ai dëgjon trokëllimën e sandaleve të tyre. Atëherë, atij i vijnë dy melekë që e ngrenë të qëndrojë ulur dhe i thonë: “Çfarë thoshe në lidhje me atë burrë?” Atëherë besimtari do të thotë: “Dëshmoj se ai ishte rob i Allahut dhe profet i dërguar i Tij. Atëherë atij do t’i thuhet: “Shikoje vendin tënd në zjarr! Allahu ta zëvendësoi ty tashmë me një vend në Xhenet.” Ai i sheh të dyja vendet.” Katadja thotë: “Neve na është treguar se atij do t’i zgjerohet varri 70 llërë dhe do t’i mbushet me gjelbërim deri në Ditën e Kijametit.” Kështu e sjell Muslimi nga Abdullah Ibn Humejdi, me të njëjtin tekst. Kështu e ka sjellë edhe Nesaiu prej Junus Ibn Muhamed el Muedibit, po me të njëjtin version. Xheriri përcjell se Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: 1584. “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, se i vdekuri i dëgjon trokëllimën e sandaleve të njerëzve kur ata ecin e kthehen për t’u larguar prej tij (pas varrimit). Nëse ai është besimtar, namazi qëndron tek koka e tij, zekati qëndron në të djathtën e tij, agjërimi në të majtën e tij dhe veprat e mira, si sadakaja, ruajtja e lidhjeve farefisnore, punët e mira, bamirësia ndaj njerëzve, i qëndrojnë tek këmbët e tij. Kur atij i afrohet ndëshkimi nga koka, namazi thotë: ‘Nuk ke për të hyrë nga ana ime!’ Kur i vjen ndëshkimi nga e djathta, zekati thotë: ‘Nuk ke për të hyrë nga ana ime!’ Kur i vjen ndëshkimi nga e majta, agjërimi thotë: ‘Nuk ke për të hyrë nga ana ime!’ Kur i vjen ndëshkimi nga këmbët e tij, punët e mira thonë: ‘Nuk ke për të hyrë nga ana jonë!’ Atëherë atij i thuhet: “Ulu!” Dhe ai ulet. Dielli i shfaqet sikur është në të perënduar. Pastaj i thuhet: “Na trego dhe na u përgjigj për atë që do të pyesim!” Ai thotë: “Më lini sa të falem!” - Ti do ta bësh atë, - i thuhet, - por na u përgjigj për atë që do të të pyesim!” - “Për çfarë do të më pyesni?” - “Çfarë thua në lidhje me atë burrë, i cili ishte ndër ju dhe çfarë dëshmon në lidhje me të?” Ai i thotë: “Pyesni për Muhamedin ﷺ ”?- “Po!” - “Unë dëshmoj se ai është Profet i Allahut. Ai na erdhi me argumente të qarta nga Allahu, dhe ne e pohuam, e besuam dhe miratuam në atë që ai tha.” Atëherë, atij i thuhet: “Sipas këtij besimi jetove, po ashtu vdiqe dhe po kështu do të ringjallesh, në dashtë Allahu!” Atij i hapet varri 70 llërë dhe i ndriçohet. Pastaj i hapet një portë me drejtim nga Xheneti dhe i thuhet: “Shiko se çfarë ka përgatitur Allahu për ty në të!” Dhe atij i shtohet lumturia dhe gëzimi. Pastaj i vendoset shpirti në “ nesmetu taj-jibi”, i cili është një zog jeshil, që fluturon dhe varet nën pemët e Xhenetit. Ndërsa trupi i tij do të kthehet në dhé, nga edhe filloi krijimi i tij. Për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër...”.” Po kështu e ka sjellë edhe Ibn Hibani. El Aufi sjell shpjegimin e këtij ajeti nga Ibn Abasi (r.a), që thotë: “Kur besimtarit i afrohet vdekja, pranë tij vijnë melekët. Ata i japin selam atij dhe e përgëzojnë me Xhenet.” Në vijim, ai (Ibn Abasi) tregoi gjendjen e besimtarit, ashtu sikurse u përmend në hadithet e lartpërmendura, pastaj tha: “Ndërsa te mohuesi shkojnë melekët, të cilët e godasin me duart e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Eh, sikur të shihje kur melekët ua marrin

shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!”. [Enfal 50]. Kjo ndodh në momentin e vdekjes. Ndërsa kur ai futet në varr, ata e ulin dhe atij i thuhet: “Kush është Zoti yt?” Por ai nuk kthen asnjë përgjigje. Allahu e bën që të harrojë gjithçka. Kur atij i bëhet pyetja: “Kush është profeti, i cili u dërgua tek ty?”, atij nuk i jepet mundësia që t’u kthejë atyre përgjigje. Allahu i Lartësuar thotë: “... ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:27–14:30

- Allahu i forcon besimtarët me Fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër;... - Allahu i Madhëruar thotë se do t’i forcojë robërit e Tij besimtarë. Bëhet

fjalë për ata besimtarë që e kanë zemrën plot iman, që nxit dhe prodhon punë të mira dhe sjell bindjen e nënshtrimin ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar do t’i forcojë këta besimtarë në këtë jetë dhe në ahiret. Në këtë jetë do t’i forcojë e do ti bëjë të qëndrueshëm në besimin e tyre të pastër, kundrejt çdo dyshimi e pasigurie. Këtë Ai e bën përmes udhëzimit të plotë, që u dhuron atyre. Allahu i Madhëruar i fuqizon me dije të dobishme dhe forcë për t’u nënshtruar, u jep siguri në fe dhe ua zbukuron imanin e punët e tij. Sa herë që përballen me dyshime, Zoti u jep siguri, përmes dritës së Shpalljes dhe diturisë së Tij. Sa herë që përballen me epshe, shfrenim dhe me zbukurim të kënaqësive, Ai u dhuron forcë dhe dëshirë të fortë për adhurime, që ata t’i japin përparësi asaj që e do Zoti, e jo dëshirave të tyre e kënaqësive të kësaj bote. Ndërsa në jetën tjetër, forcimi dhe ndihma e Zotit fillon që në momentet e vdekjes dhe agonisë së saj. Ai i forcon ata në Islam dhe u dhuron një mbyllje të mirë. Në varr i forcon gjatë pyetjeve të dy melekëve, që njeriu të japë përgjigjet e duhura. Ai do të pyetet: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt? Në atë çast të frikshëm e të vetmuar, Allahu i Lartësuar i ndihmon ata që të përgjigjen saktë dhe të thonë: Allahu është Zoti im. Islami është feja ime. Muhamedi ﷺ është Profeti im. Kështu përkujdeset Allahu i Madhëruar për besimtarët, në të gjitha gjendjet e fazat që do të përjetojnë. Ndërsa për të padrejtët. Ai thotë: - .. . ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron. - Ata janë të devijuar dhe nuk e gjejnë rrugën e drejtë. Ata nuk kanë për t’u ndihmuar as në dynja e as në ahiret. Një gjë është e sigurt: Allahu i Lartësuar nuk u bën asnjë padrejtësi, por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes. Ky ajet është argument për sprovën me pyetjet e varrit dhe për vërtetësinë e dënimit dhe të shpërblimit pas vdekjes, në varr. Kjo është treguar edhe në hadithe të shumta dhe të sakta nga Profeti. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon gjendjen dhe përfundimin e kurejshëve, që refuzuan Profetin: - A nuk i ke kthyer sytë nga ata që, mirësinë e Allahut e këmbejnë me mosbesimin, ndërsa popullin e vet e çojnë në vendin e shkatërrimit? - Mirësia e Allahut, që ata e mohuan dhe nuk falënderuan, ishte dërgimi i profetit Muhamed nga mesi i tyre, siç thotë Zoti në një ajet tjetër: “ Është Ai, që u dërgoi të paditurve Profet nga mesi i tyre, që t’u lexonte ajetet e Tij, t’i pastronte ata, t’u mësonte Librin dhe Urtësinë, kur më parë ata ishin në humbje të plotë; por edhe të tjerëve, që ende nuk u janë bashkuar atyre. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti. " [Xhumua 2, 3]. Ky Profet i mrekullueshëm i ftoi njerëzit që të përqafonin këtë fe madhështore, me qëllim që të arrinin lumturinë në të dyja jetët. Me këtë besim e fe, ata do të jenë të ruajtur dhe të shpëtuar nga çdo ligësi. Kjo është mirësia më e madhe që i është dhënë njerëzimit, por në vend që ta respektojnë këtë mirësi dhe t’i

shprehin Zotit mirënjohjen, e refuzojnë vetë, madje i pengojnë edhe të tjerët nga kjo mirësi. I Madhëruari thotë: "…popullin e vet e çojnë në vendin e shkatërrimit." Ata u bënë shkak që popullin e tyre ta fusnin në zjarr. Ata u bënë fatkeqësi për popullin e tyre, edhe pse mendonin se ishin në rrugë të mbarë dhe po i ndihmonin. Ndër veprimet më të dënueshme ndaj popullit të tyre ishte nxitja për të dalë në luftë kundër Profetit në Bedër. Ata dolën në luftë kundër Zotit dhe Profetit të Tij, dhe i gjeti ajo që i gjeti. Shumë nga udhëheqësit e tyre u vranë në këtë luftë. - Xhehenemi është vendi ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai! - Nxehtësia e zjarrit të Xhehenemit i përfshin ata nga çdo anë. Ai është përfundimi më i keq dhe i dhembshëm. - Ata kanë ngritur idhuj, si të barabartë me Allahun, për t’i larguar njerëzit nga rruga e Tij. - Ata trillonin idhuj si të barabartë me Allahun dhe i ftonin njerëzit që t’i adhurojnë e t’u nënshtroheshin atyre njëlloj si Allahut. Atëherë, këtyre keqbërësve thuaju: - Thuaj: “Kënaquni, por, jeni drejtuar për në Zjarr!” - Kënaquni dhe përfitoni nga mohimi dhe trillimet tuaja për një kohë të shkurtër. Por dijeni se kjo nuk ka për t’ju ndihmuar në përfundimin tuaj. Në Zjarr do të jetë vendqëndrimi i juaj i përhershëm. Ai është vendi më i keq dhe më i dhimbshëm.

← Ibrahim 14:27