14. Ibrahim · Ajeti 41 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:35–14:41
"Pasi përmendi Zoti xh. sh. nimetet e panumërta që ua dhuroi njerëzve, e përmendi edhe këtë të mirë që ua dha kurejshitëve, që i bëri banorë të Mekës e pranë Qabes, por ata nuk ia ditën të mirën.
Ndoshta këtë rrëfim për Ibrahimin e përmendi si shembull të pemës së mirë që u përmend më parë.
Edhe në kaptinën Bekare është cekur lutja e Ibrahimit për qytetin Mekë, por atëherë ende nuk ishte vendbanim, pra lutja ishte: bëne qytet sigurie, e këtu në këtë kaptinë bëhet lutja pasi ishte themeluar si qytet, pra lutja është bërë qytet sigurie të banorëve të tij.
Ibrahimi nuk shpreh mllef kundër atyre që nuk pasojnë rrugën e tij, por lavdëron Zotin që fal shumë dhe është mëshirues.
Lugina në të cilën e lë djalin Ismail dhe bashkëshorten Haxhere, ishte vendi ku është Meka.
E kur thotë pranë shtëpisë Sate të shenjtë, duhet kuptuar se kishte ekzistuar aty më parë shtëpi, ose aty do të ekzistojë më vonë, kuptimi i fundit është "mexhaz" - alegori.
Ibrahimi lutet për veten, për prindërit dhe për të gjithë besimtarët.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:38–14:41
- O Zoti ynë! S’ka dyshim se Ti e di atë që ne e fshehim dhe atë që ne e shfaqim haptazi. Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë në Tokë dhe në qiell. - O Zot i Madh! Ti i di mirë qëllimet dhe motivet e mia në lutjen që unë të drejtoj, në lidhje me banorët e këtij vendi! Pa dyshim që unë synoj që të arrij kënaqësinë Tënde dhe që të të shpreh Ty, o Zoti im, sinqeritetin në përkushtimin ndaj Teje! Pa dyshim që Ti i di mirë të gjitha çështjet, qoftë ato që shfaqen, qoftë ato që mbahen fshehur! Ty nuk të fshihet asgjë, as në Tokë dhe as në qiej! Më pas, Ibrahimi e lavdëron Zotin e tij të Lartësuar për mirësitë dhe begatitë, me të cilat Ai e kishte nderuar, në mënyrë të veantë kur i dhuroi një fëmijë, pasi kishte kaluar një kohë e gjatë dhe kishte arritur një moshë të thyer: - Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më dhuroi mua, në pleqëri, Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im është Dëgjuesi i lutjes. - Allahu i Lartësuar i përgjigjet atij që i lutet dhe përgjërohet. Kështu, Allahu iu përgjigj lutjes sime për të patur fëmijë. - O Zoti im! Më bëj mua dhe pasardhësit e mi nga ata që kryejnë namazin rregullisht... - Më bëj që të jem i kujdesshëm e i përkushtuar në përkryerjen e këtij adhurimi, duke përmbushur të gjitha elementët dhe detyrimet e Tij. Vëreni me kujdes kur thotë: “dhe pasardhësit e mi”. Domethënë, bëji edhe ata që të përkushtohen në kryerjen e këtij adhurimi të rëndësishëm. - dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë! - Përgjigju lutjeve të mia, për të gjitha gjërat që ato përmbajnë. - O Zoti ynë! Na mbulo me faljen tënde mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët Ditën kur të jepet llogaria. - Kjo lutje është bërë nga Ibrahimi (a.s) përpara momentit kur ai të distancohej nga i ati, moment në të cilin atij iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Pastaj u lut për të gjithë besimtarët: Fali, o Zot, atë ditë kur do t’i marrësh në llogari robërit e Tu dhe kur të shpërblesh dhe shpaguash secilin, sipas veprave, të mira apo të këqija qofshin!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:39–14:41
- Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili më dhuroi mua, në pleqëri, Ismailin dhe Is’hakun! - Kjo dhuratë ishte nga mirësitë më të mëdha. Sjellja në jetë e këtyre dy fëmijëve në një moshë të thyer ishte një mirësi e jashtëzakonshme, dhe mbi të gjitha këto mirësi ishte fakti se këta dy djem ishin profetë e adhurues të Zotit. - Vërtet, Zoti im i Dëgjon lutjet . - Zoti është gjithnjë pranë dhe i përgjigjet atij që lutet. Ai kurrë nuk e zhgënjen lutësin dhe adhuruesin e Tij. Përsëri lutet Ibrahimi për veten dhe pasardhësit e Tij duke thënë: - O Zoti im! Më bëj mua dhe pasardhësit e mi nga ata që kryejnë namazin rregullisht, dhe pranoje lutjen time, o Zoti ynë! - Kjo tregon edhe njëherë për
rëndësinë e madhe të këtij adhurimi të mrekullueshëm, i cili është lidhja e ngushtë e robit me Zotin e Tij. - O Zoti ynë! Na mbulo me faljen tënde mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët Ditën kur të jepet llogaria ! - Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së Ibrahimit në të gjitha detajet e saj, përveç lutjes në lidhje me babain e tij. Ibrahimi u lut për babanë e vet, për shkak se i kishte premtuar se do të lutej për të. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik dhe kundërshtar i rrugës së Zotit, Profeti u distancua nga lutja për të.