Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,*
Mjerë ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, që largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.*
Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.*
Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut[158]!” Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues.*
Shënim i përkthyesit — Hasan Nahi
[158] D.m.th. ditët e begative dhe të vështirësive që u ka dhuruar Allahu.
(Kujto) kur Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni dhuntinë që ju dha Allahu, kur ju shpëtoi nga populli i Faraonit, që ju mundonte me torturat më të rënda, duke vrarë djemtë tuaj e duke jua lënë gjallë femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.*
(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.*
A nuk ju ka ardhur lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, fiset Ad e Themud dhe për ata pas tyre? Vetëm Allahu i di ata! Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta, por ata vinin duart në gojë (me tallje) dhe thoshin: “Ne nuk besojmë në mesazhin tuaj. Ne kemi dyshim të madh ndaj asaj që na thërrisni ju”!*
Të dërguarit e tyre u thanë: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?! Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin e caktuar”. Ata thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne. Ju dëshironi të na shmangni nga ajo që kanë adhuruar të parët tanë. Andaj, na sillni prova të dukshme!”*
Të dërguarit e tyre u thanë: “Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron hirin e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’ju sjellim prova pa urdhrin e Allahut. Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu.*
E përse të mos mbështetemi tek Allahu, kur Ai tashmë na ka treguar rrugën e drejtë, në të cilën po ecim? Ne do t’i durojmë përndjekjet tuaja e ata që besojnë, le të shpresojnë vetëm tek Allahu!”*
Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!” Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): “Ne do t’i zhdukim keqbërësit,*
e pas tyre do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.”*
të cilin do ta gjerbin e nuk do të mund ta gëlltisin. Vdekja do t’u vijë atyre nga të gjitha anët, por nuk do të vdesin. Ata i pret një dënim i rëndë.*
Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.*
Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.”*
Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.*
Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të pranohen në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku, me lejen e Zotit të tyre, do të banojnë përherë. Atje do të përshëndeten me fjalën: “Selam!”*
Ata kanë trilluar zota të rremë si ortakë të Allahut për t’i larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, se përfundimi juaj është në zjarr!”*
Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita në të cilën s’ka as tregti, as miqësi.*
Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj*
Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.*
O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.*
O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.*
Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin),*
Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju?*
Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.”*
Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!*
Shënim i përkthyesit — Hasan Nahi
N/A
Shpërndaj
—
0:00
Shtoje në ekranin kryesorShtyp Shpërndaj dhe pastaj «Shto në ekranin kryesor».Hap menynë ⋮ të shfletuesit dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor».
Shtoje në ekranin kryesor
Shtyp butonin Shpërndaj në shiritin e Safarit, poshtë në ekran: katrori me shigjetë lart.
Rrëshqit listën poshtë dhe zgjidh «Shto në ekranin kryesor», pastaj «Shto».
Faqja hapet pastaj si aplikacion, pa shiritin e shfletuesit.