15. Hixhr · Ajeti 71 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 15:45–15:76

Pas përshkrimit të gjendjes së mëkatarëve e zullumqarëve në xhehenem, në këto ajete përshkruhet gjendja e fatbardhëve në xhennete plot burime e kënaqësi të tjera, e të pastruar prej veseve si: së mirës, zilisë, ironisë etj., ata jetojnë pa brenga si vëllezër të dashur mes vete. Përveç asaj se ata nuk kanë përse të mundohen e lodhen, nuk kanë as frikë se do të dalin prej aty ose do të vdesin, aty janë përjetë.

Populli i Lutit ishte një ndër popujt më të shëmtuar në sjellje. Kishin sjellje të vrazhdë e shtazarake.

Thuhet se Luti u largua vetëm me dy bijat e veta, ndërsa të gjithë të tjerët u shkatërruan. Luti u urdhërua të ecë pas bijave që ato të mos frikësohen pre ndonjë sulmi U urdhëruan të shkojnë drejt Shamit e në vendin ku ishte Ibrahimi.

Fjala "Mutevestimin", në ajetin: Në këtë ka argumente për ata që mendojnë, ka të bëjë me atë mprehtësi të mendjes me të cilën disa njerëz janë në gjendje ta kuptojnë sendin e fshehtë në bazë të shenjave fizionomike, siç thuhet në hadithin e pejgamberit: "Ruajuni mprehtësisë së besimtarit, sepse ai shikon me dritën që i dhuron Allahut"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 15:67–15:72

- Banorët e qytetit shkuan tek ai gjithë gëzim, duke njoftuar njëri -tjetrin (për mysafirët e Lutit) . - Allahu i Lartësuar na tregon për popullin e shfrenuar të Lutit se, kur morën vesh ardhjen e miqve të hijshëm tek ai, nxituan për tek ai gjithë gëzim, duke njoftuar njëri tjetrin. - Ai u tha: “Këta janë mysafirët e mi, prandaj mos më turpëroni! Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!” - Këto fjalë, Luti i tha përpara se të mësonte se ata ishin melekë të dërguar nga Zoti. Në këtë sure thuhet në fillim se ata ishin melekë të dërguar nga Zoti dhe më pas përmendet ardhja e popullit tek shtëpia e Lutit, në kërkim të dy mysafirëve. Por parafjala “ue”, që është përdorur mes dy pjesëve të kësaj historie, nuk tregon se këto ngjarje janë të renditura kronologjikisht. Aq më tepër që ka edhe argumente të tjera, që tregojnë për të kundërtën. - Ata i thanë: “A nuk të kemi thënë që të mos përzihesh me njerëz?” - A nuk të kemi urdhëruar që të mos pranosh si miq në shtëpinë tënde asnjë? Atëherë, Luti i udhëzoi ata që të përmbushnin kënaqësitë e tyre në mënyrë të rregullt, me gratë e atij vendi, që Allahu i Madhëruar i krijoi për atë qëllim, të pastra, të lejuara e të mira. - Ai tha: “Ja ku janë bijat e mia, nëse doni.” - Kjo u shtjellua hollësisht në suren Hud, prandaj nuk ka nevojë të përsëritet këtu.

- Betohem në jetën tënde, nuk ka dyshim se ata ishin humbur në dehjen e tyre. - Allahu i Lartësuar betohet në jetën e Profetit të Tij të dashur, Muhamedit, dhe kjo pa dyshim tregon nderim të madh dhe gradën e tij të lartë. Ibn Abasi ka thënë: “Allahu nuk ka krijuar e sjellë në këtë jetë dikë më të nderuar e të vyer për Atë, se Muhamedi ﷺ , dhe nuk kam dëgjuar kurrë që Ai të betohet në jetën e një krijese tjetër, përveç Muhamedit. Allahu i Lartësuar thotë: “Betohem në jetën tënde, nuk ka dyshim se ata ishin të humbur në dehjen e tyre.” Ata enden të hutuar në humbjen dhe pakujdesinë e tyre të thellë, të pavëmendshëm për atë që kërkohet prej tyre. Ata as që e kuptojnë atë që i ka rrethuar dhe që pritet t’i godasë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 15:71–15:77

- “Ai tha: “Ja ku janë bijat e mia, nëse doni (për martesë) .” - Por ata nuk u kushtuan aspak rëndësi fjalëve së tij. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit Muhamed ﷺ: - Betohem për jetën tënde (O Muhamed)! Nuk ka dyshim se ata ishin humbur në dehjen e tyre. - Ajo ishte dehja e epshit për të kryer poshtërsinë. Aq të dehur ishin, saqë nuk u bënte përshtypje asnjë qortim. Por dy mysafirët i shpjeguan Lutit se ata ishin melekë të dërguar nga Zoti. Atëherë, profeti Lut u çlirua nga ankthi që ndiente dhe u përkushtua të zbatonte urdhrin e Zotit të tij, për t’u larguar natën së bashku me familjen. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e shpëtoi Profetin dhe familjen e tij, ndërsa për banorët e atij vendi thotë: - Në kohën e lindjes së diellit, ata i përfshiu një ushtimë e tmerrshme. - Ndëshkimi arriti kulmin në kohën e lindjes së diellit. Allahu i Lartësuar shpjegon: - Dhe Ne i përmbysëm (Qytetet) dhe lëshuam mbi ta reshje si deltinë e pjekur. - Allahu i Madhëruar e përmbysi qytetin, duke e kthyer të gjithin kokëposhtë dhe, përveç kësaj: “dhe lëshuam mbi ta reshje si deltinë e pjekur." Gurët goditën dhe vranë të gjithë ata që largoheshin nga qyteti. Allahu i Lartësuar thotë: - Në gjithë k ëto (ngjarje) ka Argumente për ata që kuptojnë. - Ka argumente për ata që mendojnë thellë rreth këtyre ngjarjeve, për të urtët dhe për njerëzit e

mprehtë, që dinë të nxjerrin mesazhin e duhur. Këta e kuptojnë mirë se, kushdo që ka guximin dhe paturpësinë që të bëjë të tilla poshtërsi ndaj Allahut të Lartësuar, - dhe sidomos atë fëlliqësi që bënte populli i shfrenuar i Lutit, Allahu i Lartësuar ka për t’i dhënë ndëshkimin më poshtërues dhe më të dhembshëm. Shpagimi merret sipas llojit të punës që bën. - Dhe ato (qytete) ishin mu në xhadé. - Qyteti ku banonte populli i Lutit është i njohur për të gjithë udhëtarët e atyre anëve dhe për këdo që viziton ato vende. - Në gjithë këto (ngjarje) ka Argumente për ata që besojnë. - Në këtë ndodhi ka shumë mësime dhe dobi, por në mënyrë të veçantë theksohet përkujdesja e madhe e Allahut të Lartësuar për të dashurin e Tij, Ibrahimin (a.s), dhe për Lutin (a.s), i cili ishte një nga pasuesit dhe nxënësit e afërt dhe të bindur të Ibrahimit. Për këtë arsye, kur Allahu i Lartësuar vendosi ta shkatërronte popullin e Lutit me ndëshkimin e merituar, i urdhëroi melekët e Tij që fillimisht të shkonin te Ibrahimi (a.s), ta përgëzonin për lindjen e një djali dhe ta njoftonin për misionin e tyre. Ibrahimi (a.s) u përpoq të polemizonte me mysafirët rreth çështjes së shkatërrimit të qytetit, por ata e bindën atë me argumente nga Zoti, duke ia qetësuar zemrën. Kështu u kujdes Allahu i Lartësuar për Ibrahimin (a.s), duke e qetësuar për atë që do të ndodhte. Po kështu u kujdes Allahu i Lartësuar edhe për Lutin (a.s). Duke qenë se bëhej fjalë për shkatërrimin e popullit të tij, ndoshta Luti do të ndiente keqardhje dhe dhembshuri për ta. Atëherë, Allahu i Lartësuar bëri të mundur disa shkaqe, që Luti të ndiente zemërim dhe urrejtje për ta, aq sa po i dukej larg koha e ndëshkimit të tyre, edhe pse Allahu i Lartësuar i tha: "Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?!” Kur Allahu i Lartësuar vendos për të shkatërruar një vend, atëherë në atë vend, fillimisht, do të shtohet ligësia dhe teprohet me kalimin e kufijve. Pas këtyre, pritet ndëshkimi i dhimbshëm dhe i meritueshëm.

← Hixhr 15:71