15. Hixhr · Ajeti 76 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 15:45–15:76
Pas përshkrimit të gjendjes së mëkatarëve e zullumqarëve në xhehenem, në këto ajete përshkruhet gjendja e fatbardhëve në xhennete plot burime e kënaqësi të tjera, e të pastruar prej veseve si: së mirës, zilisë, ironisë etj., ata jetojnë pa brenga si vëllezër të dashur mes vete. Përveç asaj se ata nuk kanë përse të mundohen e lodhen, nuk kanë as frikë se do të dalin prej aty ose do të vdesin, aty janë përjetë.
Populli i Lutit ishte një ndër popujt më të shëmtuar në sjellje. Kishin sjellje të vrazhdë e shtazarake.
Thuhet se Luti u largua vetëm me dy bijat e veta, ndërsa të gjithë të tjerët u shkatërruan. Luti u urdhërua të ecë pas bijave që ato të mos frikësohen pre ndonjë sulmi U urdhëruan të shkojnë drejt Shamit e në vendin ku ishte Ibrahimi.
Fjala "Mutevestimin", në ajetin: Në këtë ka argumente për ata që mendojnë, ka të bëjë me atë mprehtësi të mendjes me të cilën disa njerëz janë në gjendje ta kuptojnë sendin e fshehtë në bazë të shenjave fizionomike, siç thuhet në hadithin e pejgamberit: "Ruajuni mprehtësisë së besimtarit, sepse ai shikon me dritën që i dhuron Allahut"
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 15:73–15:77
- Në kohën e lindjes së diellit, ata i përfshiu një ushtimë e tmerrshme. - Një oshtimë e madhe, që vjen nga zëri i shkreptimës. Kjo ndodhi në kohën e lindjes së diellit. - Dhe Ne i përmbysëm (qytetet) dhe lëshuam mbi ta reshje si deltinë e pjekur. - Në suren Hud përmendëm se si Xhibrili e ngriti atë vendbanim në kupën e qiellit, pastaj e ktheu përmbys dhe gjuajti mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh balte të forcuar, të shenjuar nga Zoti. - Tek e gjithë kjo ka, vërtet argumente për ata që kuptojnë. - Gjurmët e këtij ndëshkimi janë të dukshme mbi ato vendbanime, për të gjithë ata që mendojnë dhe vëzhgojnë. Muxhahidi e ka shpjeguar fjalën “muteuessimin”, si: “të mençurit, me mendje të hollë.” Të tjerë kanë thënë se kuptimi është: ata që vështrojnë me kujdes, ata që meditojnë, ata që dinë të nxjerrin mësime e dobi. Të gjitha këto janë kuptime të përafërta. - Dhe ato (qytete) ishin mu në xhadé. - Vendbanimi i quajtur Sodom, u përmbys dhe u gjuajt me rrebesh gurësh nga qielli, aq sa u shndërrua në një liqen të pështirë e të ndotur. Ky vendbanim ndodhet në një rrugë të gjerë dhe të dukshme, të përdorshme edhe në ditët e sotme, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Edhe Luti qe prej të dërguarve Tanë. Kujto, kur Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij! Përveç një plake (gruas së tij), që mbeti me të dënuarit. Pastaj Ne i shkatërruam të tjerët. Ju (o banorë të Mekës) me siguri kaloni aty pranë (rrënojave) ditën dhe natën (gjatë udhëtimeve). Atëherë, a nuk po logjikoni?” [Safat 138.] - Për ata që besojnë, ky është argument. - Në ndëshkimin e popullit të Lutit dhe në shpëtimin e Lutit dhe familjes së tij ka argumente për njerëz që besojnë Allahun dhe profetët e Tij.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 15:71–15:77
- “Ai tha: “Ja ku janë bijat e mia, nëse doni (për martesë) .” - Por ata nuk u kushtuan aspak rëndësi fjalëve së tij. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit Muhamed ﷺ: - Betohem për jetën tënde (O Muhamed)! Nuk ka dyshim se ata ishin humbur në dehjen e tyre. - Ajo ishte dehja e epshit për të kryer poshtërsinë. Aq të dehur ishin, saqë nuk u bënte përshtypje asnjë qortim. Por dy mysafirët i shpjeguan Lutit se ata ishin melekë të dërguar nga Zoti. Atëherë, profeti Lut u çlirua nga ankthi që ndiente dhe u përkushtua të zbatonte urdhrin e Zotit të tij, për t’u larguar natën së bashku me familjen. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar e shpëtoi Profetin dhe familjen e tij, ndërsa për banorët e atij vendi thotë: - Në kohën e lindjes së diellit, ata i përfshiu një ushtimë e tmerrshme. - Ndëshkimi arriti kulmin në kohën e lindjes së diellit. Allahu i Lartësuar shpjegon: - Dhe Ne i përmbysëm (Qytetet) dhe lëshuam mbi ta reshje si deltinë e pjekur. - Allahu i Madhëruar e përmbysi qytetin, duke e kthyer të gjithin kokëposhtë dhe, përveç kësaj: “dhe lëshuam mbi ta reshje si deltinë e pjekur." Gurët goditën dhe vranë të gjithë ata që largoheshin nga qyteti. Allahu i Lartësuar thotë: - Në gjithë k ëto (ngjarje) ka Argumente për ata që kuptojnë. - Ka argumente për ata që mendojnë thellë rreth këtyre ngjarjeve, për të urtët dhe për njerëzit e
mprehtë, që dinë të nxjerrin mesazhin e duhur. Këta e kuptojnë mirë se, kushdo që ka guximin dhe paturpësinë që të bëjë të tilla poshtërsi ndaj Allahut të Lartësuar, - dhe sidomos atë fëlliqësi që bënte populli i shfrenuar i Lutit, Allahu i Lartësuar ka për t’i dhënë ndëshkimin më poshtërues dhe më të dhembshëm. Shpagimi merret sipas llojit të punës që bën. - Dhe ato (qytete) ishin mu në xhadé. - Qyteti ku banonte populli i Lutit është i njohur për të gjithë udhëtarët e atyre anëve dhe për këdo që viziton ato vende. - Në gjithë këto (ngjarje) ka Argumente për ata që besojnë. - Në këtë ndodhi ka shumë mësime dhe dobi, por në mënyrë të veçantë theksohet përkujdesja e madhe e Allahut të Lartësuar për të dashurin e Tij, Ibrahimin (a.s), dhe për Lutin (a.s), i cili ishte një nga pasuesit dhe nxënësit e afërt dhe të bindur të Ibrahimit. Për këtë arsye, kur Allahu i Lartësuar vendosi ta shkatërronte popullin e Lutit me ndëshkimin e merituar, i urdhëroi melekët e Tij që fillimisht të shkonin te Ibrahimi (a.s), ta përgëzonin për lindjen e një djali dhe ta njoftonin për misionin e tyre. Ibrahimi (a.s) u përpoq të polemizonte me mysafirët rreth çështjes së shkatërrimit të qytetit, por ata e bindën atë me argumente nga Zoti, duke ia qetësuar zemrën. Kështu u kujdes Allahu i Lartësuar për Ibrahimin (a.s), duke e qetësuar për atë që do të ndodhte. Po kështu u kujdes Allahu i Lartësuar edhe për Lutin (a.s). Duke qenë se bëhej fjalë për shkatërrimin e popullit të tij, ndoshta Luti do të ndiente keqardhje dhe dhembshuri për ta. Atëherë, Allahu i Lartësuar bëri të mundur disa shkaqe, që Luti të ndiente zemërim dhe urrejtje për ta, aq sa po i dukej larg koha e ndëshkimit të tyre, edhe pse Allahu i Lartësuar i tha: "Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?!” Kur Allahu i Lartësuar vendos për të shkatërruar një vend, atëherë në atë vend, fillimisht, do të shtohet ligësia dhe teprohet me kalimin e kufijve. Pas këtyre, pritet ndëshkimi i dhimbshëm dhe i meritueshëm.