16. Nahl · Ajeti 128 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:120–16:128
Ibrahimi ishte një "ymmet" - një popull: ngase të gjitha virtytet e mira e të dobishme ishin të grumbulluara tek ai, ngase në atë kohë nuk pati besimtarë të drejtë pos tij, andaj ai përfaqësonte një popull me besim të drejtë, siç ka thënë Pejgamberi për Zejd bin Amir bin Noufel: "Allahu i do ta ringjallë vetëm atë, një popull": pse vetëm ai ishte larguar prej injorantëve: ngase ishte dijetari dhe mësuesi më i madh i fesë së drejtë.
Belaja e të shtunës ndodhi në kohën e Davudit, kur të padëgjueshmit Zoti i shndërroi në majmunë.
Festa e të së shtunës nuk ishte ndonjë kremte fetare, por u përcaktua si masë ndëshkuese kundër jehudive që kundërshtoheshin rreth çështjeve fetare, andaj u ndaluan të gjuajnë peshq të shtunën.
Urdhëri i Zotit, drejtuar Muhammedit, e përmes tij edhe të gjithë besimtarëve që t'i thërrasë njerëzit në fe me urtësi, mençuri, me butësi dhe të zhvillojë dialog me kundërshtarët në mënyrën më të mirë, me argumente të qarta e me fjalë të buta, është argumenti më i fortë se feja islame nuk e ka për parim dhunën, siç përpiqen disa injorantë e edhe tendenciozë t'ia shpifin atë.
Hakmarrja e përmendur në këtë ajet, sipas mendimit të komentatorëve të Kur'anit, ka pasur të bëjë rreth hakmarrjes për dëshmorin më të madh, rreth Hamzës. Pejgamberi ka qenë shumë i prekur për masakrin që ia bënë kufomës së Hamzës, ndoshta i shkoi mendja të hakmerret shumëfish, por Zoti e orientoi, duke i thënë: Nuk bën të kalohet masa, e edhe më mirë është të falet fajtori.
Me ndihmën e Zotit xh. sh., përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "En Nahlu". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:125–16:128
- Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë ... - Allahu i Lavdëruar e urdhëron Profetin e Tij të dashur, që ai të bëjë durim dhe tregojë urtësi e maturi në rrugën e davetit në rrugën e Allahut dhe në fenë e drejtë. Urtësi në thirrje do të thotë të ftosh njerëzit që të kapen fort pas Librit të Zotit dhe Sunetit të Profetit, duke mësuar me kujdes urdhëresat e ndalesat e sjella në to dhe duke iu përmbajtur me kujdes e vazhdimisht atyre, për t’i shpëtuar ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. - dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me mënyrën më të mirë! - Komuniko me ta me butësi e ngrohtësi, duke zgjedhur fjalët më të mira, me stilin më të butë e më të dashur. Sikurse thotë i lartësuari: “ Dhe mos polemizoni me Ithtarët e librit, (kur i ftoni në fenë tuaj) , veçse ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë të padrejtë, dhe thuajuni: “Ne i besojmë shpalljes që na u zbrit neve dhe shpalljes që ju zbriti juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar. ” [Ankebut 46]. Po kështu urdhëroi Allahu i Lavdëruar edhe Musain me Harunin, kur i dërgoi ata tek Faraoni. Allahu i Lartësuar duke i porositur e mësuar se si ti drejtohen Faraonit thotë: “Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! Por, i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet. ” [Ta Ha 43, 44]. - Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe për të udhëzuarit. - Zoti e di mirë se cilët do të jenë të humburit dhe cilët do të jenë fatbardhët e të udhëzuarit. Të gjitha këto Allahu i Lartësuar i ka ditur dhe i shkroi në Librin e Tij. Tashmë kjo është një çështje e mbyllur që ka përfunduar tashmë, prandaj ti fto në rrugën e Allahut me urtësi e me mënyrën më të mirë dhe mos u dëshpëro për ata që refuzojnë ftesën tënde. Nuk është detyra jote dhe as në dorën tënde udhëzimi ose jo i tyre në rrugën e drejtë. Ti je thjesht një paralajmërues dhe ke detyrë veçse kumtimin e qartë të Shpalljes, ndërsa udhëzimi ose humbja e tyre dhe llogaria e shpërblimi i tyre janë në dorën Tonë. Allahu i madhëruar thotë: “ Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i Di më së
miri atë që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56]. - Nëse zgjidhni të ndëshkoni (sipas ligjit), atëherë bëjeni po në atë masë sa jeni dëmtuar ju! - Allahu i Lartësuar urdhëron për të mbajtur drejtësi në lidhje me dënimet e krimeve. Duhet punuar që viktimës t’i jepet drejtësi e plotë. “Nëse dikush ju vjedh ose ju merr diçka padrejtësisht, atëherë edhe ju keni të drejtën të merrni prej tij në të njëjtën masë.” Kështu e kanë shpjeguar ajetin Ibn Sirini e të tjerë. Ibn Zejdi ka thënë: “Në fillim, muslimanët ishin urdhëruar të tregoheshin tolerantë, falës dhe paqësorë me idhujtarët. Më vonë, kur disa burra të fisëm e të fuqishëm pranuan Islamin, i thanë të Dërguarit të Allahut: “Po të na jepte leje Allahu, ne do të fitonim kundra këtyre qenërve!” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet, i cili më pas u abrogua, me zbritjen e ajeteve të xhihadit, që shtjellojnë rregullat e luftës në rrugën e Allahut.” Abdullahi, djali i imam Ahmedit, sjell në Musned-in e të atit një rrëfim nga Ubej Ibn Keabi, i cili tregon se: 1631. në Betejën e Uhudit u vranë 60 ensarë dhe 6 muhaxhirë. Shokët e Profetit thanë: “Nëse do të kemi rast tjetër për luftë me idhujtarët, do t’ua copëtojmë kufomat!” Kur edhri Dita e Çlirimit, një burrë tha: “Sot mori fund fama e kurejshëve!” Por një thirrës tha: “Profeti i Allahut i ka dhënë sigurinë çdo të bardhi e të ziu, përveç filanit dhe filanit...” - duke përmendur disa emra. Atëherë, Allahu i Lavdëruar zbriti ajetin: “...Nëse zgjidhni të ndëshkoni (sipas ligjit), atëherë bëjeni po në atë masë sa jeni dëmtuar ju!...” - deri në fund të kësaj sureje. Pas kësaj, Profeti ﷺ tha: “Ne do të bëjmë durim dhe nuk do të ndëshkojmë.” Allahu i Lavdëruar thotë në një ajet tjetër: “Por, kur u bëhet padrejtësi, ata kundërveprojnë. Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë; por kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët. Për ata, që hakmerren për padrejtësinë, që u është bërë, nuk ka ndonjë masë. Masat janë vetëm për ata, që u bëjnë njerëzve padrejtësi dhe për ata, që bëjnë çrregullime në Tokë. Ata do të kenë një dënim të dhembshëm. Por kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ato (falja dhe durimi) janë nga virtytet më të larta.” [Shura 40]. Ai thotë gjithashtu: “... "Jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me masë (të drejtë) ndëshkimore. Por, për atë që fal, ka shlyerje gjynahesh. ... ” [Maide 45]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - E nëse duroni (dhe falni), pa dyshim që kjo është më e mira për durimtarët. - Allahu i Lartësuar e udhëzon Profetin e Tij që të bëjë durim, të falë, të tregohet i butë e tolerant. - Bëj durim dhe durimi yt të jetë vetëm për hir të Allahut! - Ky është një përforcim i urdhrit për të qenë i durueshëm. Megjithatë, i Lartësuari na tregon se kjo mund të arrihet veçse me ndihmën dhe mëshirën e Tij, me forcën dhe me vullnetin e dhuruar prej Tij. - Mos u pikëllo për ata e as mos u brengos për dredhitë e tyre! - Mos u dëshpëro prej atyre të cilët të kundërvihen ty, o Muhamed! Është Vetë Allahu që e ka përcaktuar dhe ka lejuar të ndodhë diçka të tillë. Mos u ngushto e brengos, në lidhje me përpjekjet e tyre të njëpasnjëshme e sistematike kundër teje, me synimin për të të dëmtuar. Allahu mjafton si Mbrojtësi dhe Mbështetësi yt! Është Ai që të dhuron fitoren mbi çdo armik. Allahu do të t’i vendosë nën këmbë të gjithë armiqtë e tu. - Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës. - Allahu i Lartësuar u premton kësaj kategorie besimtarësh ndihmën e triumfin në çdo drejtim. Kjo quhet “El meijetu el ħâssa”, që është afërsia e posaçme, që Ai ua ofron vetëm të dashurve të Tij të zgjedhur. I Lartësuari thotë: “ (Kujto) Kur Zoti yt u kumtoi melekëve se: “Unë jam me ju, prandaj jepuni forcë besimtarëve!...” [Enfal 12]. Ai i tha Musait dhe Harunit, kur i dërgoi tek Faraoni: “Ai (Allahu) tha: “Mos
u frikësoni, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh (gjithçka)”.” [Ta Ha 46]. I lavdëruari na tregon fjalët që i tha Muhamedi ﷺ shokut të vet (Ebu Bekër Siddikut), kur ata ishin fshehur në shpellë dhe ndihmën që u orfroi atyre. Ai thotë: “ ... Të dy ata ishin në shpellë, kur ai i tha shokut: “Mos u trishto, se Allahu është me ne.” Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të dhe e fuqizoi me forca, që ju nuk i patë. Ai e poshtëroi fjalën e mohuesve, kurse fjala e Allahut është më e larta. Allahu është Ngadhënjimtar dhe i Urtë. ” [Teube 40]. Ndërsa afërsia e përgjithshme është për të gjitha krijesat dhe ka të bëjë me diturinë, shikimin dhe dëgjimin e Allahut të Lartësuar. Ai është pranë të gjitha krijesave me dijen, dëgjimin dhe shikimin e Tij,199 siç thotë i Lavdëruari në një ajet tjetër: “...Ai di gjithçka që futet në Tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu vështron gjithçka që bëni ju.” [Hadid 4]. Ose: “A nuk e di ti se Allahu di për gjithçka që gjendet në qiej dhe për gjithçka që gjendet në Tokë?! Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti e as mes pesë vetave, që Ai të mos jetë i gjashti e as mes më pak dhe as mes më shumë vetave, që Ai të mos jetë me ta, kudo që të jenë....” [Muxhadile 97]. Ose: “Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur'ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në Tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë.” [Junus 61]. Ky është premtimi i Allahut për ata që ruhen nga ndalesat dhe nuk i cenojnë kufijtë e Tij, si edhe për ata që bëjnë vepra të mira në bindje ndaj Allahut. Për këta, Allahu i Lavdëruar premton se do t’i ndihmojë e do t’u dhurojë fitoren e çdo të mirë në të dyja jetët. Këtu përfundon shkurtesa e tefsirit të sures Nahl. Vetëm Allahut i takon lavdërimi! Paqja e begatitë e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.)!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:127–16:128
- Bëj durim dhe durimi yt të jetë vetëm për hir të Allahut! - Është Allahu Ai që të ndihmon të jesh i vazhdueshëm e këmbëngulës në durim. - Mos u pikëllo për ata... - Mos u trishto nëse i fton ata dhe nuk sheh reagim prej tyre
ose kur nuk e pranojnë ftesën tënde! Ky trishtim nuk të ndihmon aspak në rrugën tënde. - Mos u pikëllo për ata e as mos u brengos për dredhitë e tyre! - Mos u ngushto në shpirt dhe as mos u frikëso nga kurthet dhe intrigat që ata thurin. Kurthet dhe intrigat e tyre dëmtojnë veçse ata të mjerë, sepse ti je prej atyre që kanë takua (devotshmëri) dhe ihsan (grada më e lartë e besimit): - Allahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave) dhe me ata që janë bamirës. - Allahu është me të devotshmit e bamirësit. Kjo do të thotë se Ai u jep sukses për çdo mirësi, i udhëzon në rrugën e drejtë dhe në veprat e fjalët më të mira. Kështu kujdeset Zoti për të dashurit e Tij, të cilët janë larg mohimit dhe poshtërsive. Ata që janë bamirës edhe ndaj krijesave të Zotit, siç e ka shpjeguar Profeti (a.s) kur thotë: “Ihsan-i është që ta adhurosh Zotin sikur ta shihje haptazi, sepse edhe nëse nuk e sheh (në këtë botë), Ai të sheh ty”. Kështu, ata e adhurojnë Zotin duke ndier gjithmonë mbikëqyrjen e Tij të vazhdueshme. Nuk ka njerëz më të mirë se ata që pajisen me takua dhe ihsan, devotshmëri dhe bamirësi. E lusim Zotin të na bëjë të tillë! Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Nahl, dhe për këtë falënderimi e lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar.