16. Nahl · Ajeti 21 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:10–16:21

Megjithatë, që çështjet e fenomeneve natyrore siç është shiu etj., i takojnë një studimi të posaçëm, Kur'ani na mëson se shiu që bie prej së larti, përveç që shuan etjen e gjallesave, mundëson edhe mbirjen e bimëve që janë kusht për jetën e njeriut sikurse janë të lashtat. Ndërkaq, frutat e tjerë janë edhe ushqyes edhe freskues.

Në ajetet e sipërshënuara, të cilat flasin për të mirat që i krijoi Zoti xh. sh. njerëzit porositen: të mendojnë thellë (jetefekkerun), të kuptojnë (jakilun), të rikujtojnë (jetedhekkerun). Pa një të menduar të thellë nuk mund të kuptohen proceset e fenomeneve natyrore, e pas tij, ato bëhen të kuptueshme, bëhen pronë e mendjes, por duhet rikujtuar gjithnjë, në mënyrë që të jenë të freskëta në kujtesën e njeriut, e ai të mos harrojë shprehjen e falënderimit.

Përsa i përket vendosjes së kodrave nëpër pjesë të ndryshme të tokës, është detyrë e gjeologjisë ta shpjegojë, por sipas Kur'anit kuptohet se ato nuk ishin prej fillimit të ekzistimit të tokës dhe se, ato mbajnë drejtë ekuilibrin e tokës.

Në ajetet e fundit, u hidhet një vështrim besimeve të kota, të cilët për njeriun e pajisur me mendje e të menduar, nuk do të duhej të gëzonin kurrfarë respekti, e nëse po, atëherë njeriu i tillë bie në një nivel shumë të ulët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:19–16:21

- Allahu di gjithçka që ju e fshihni dhe gjithçka që ju e shfaqni haptazi. - Allahu i Lavdëruar na njofton se Ai i di mirë si ato që shfaqen haptazi, ashtu edhe të fshehtat dhe Ai ka për t’i shpërblyer të gjithë sipas veprave të tyre, të mira apo të këqija. - Idhujt që ata i adhurojnë veç Allahut, nuk mund të krijojnë asgjë sepse edhe vetë ata janë të krijuar. - Ato nuk mund të krijojnë asgjë, sepse edhe vetë janë krijesa të dobëta e nevojtare. - Ata (idhujt) janë të vdekur, jo të gjallë - Ato janë sende pa shpirt dhe ato as dëgjojnë, as shohin e as logjikojnë. - dhe as që e dinë se kur do të ringjallen (krijesat). - Ata nuk e dinë se kur do të jetë Dita e Ringjalljes. Atëherë, si mund të shpresohet nga të tilla sende, me këto atribute, se mund të të sjellin ndonjë dobi, e mund të të ofrojnë ndonjë shpërblim e mirësi?! Këto janë gjëra që mund të shpresohen veçse nga Ai që është i gjithëditur dhe Krijuesi i gjithçkaje. 187

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:19–16:22

- Allahu di gjithçka që ju e fshihni dhe gjithçka që ju e shfaqni haptazi. - Mirësia e Allahut është e gjerë, Bamirësia e Tij është e pakufishme, dhe Falja e Tij është gjithëpërfshirëse. Po kështu është edhe dituria e Tij. Ai ka përfshirë gjithçka në diturinë e Tij. Ndërsa idhujt që adhurohen veç Tij, nuk janë të tillë. Ata janë të varfër, të dobët e të papushtetshëm. - Idhujt që ata i adhurojnë veç Allahut, nuk mund të krijojnë asgjë sepse edhe vetë ata janë të krijuar. - Ata as nuk mund të krijojnë gjë, as të vogël, as të madhe, sepse edhe vetë janë të krijuar. Si mund të krijojnë diçka, ndërkohë që vetë janë nevojtarë për Zotin dhe ekzistojnë veçse me dëshirën e Tij? Përveç kësaj, ata nuk kanë cilësitë e plota që ka Zoti, si dituria absolute, pushteti etj. Ata janë ashtu, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: - Ata (idhujt) janë të vdekur, jo të gjallë dhe as që e dinë se kur do të ringjallen (krijesat). - Ata nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe as logjikojnë. Atëherë, si mund të konsiderohen zota, që t’u përkushtohesh me adhurime si Zotit të botëve?! Mallkuar qofshin ato mendje idhujtarësh, sa të humbur dhe të prishur janë! Si mund të gabojnë në një çështje kaq të dukshme e lehtësisht të kuptueshme?! A nuk e kuptojnë kotësinë e idhujtarisë së tyre?! Si mund të barazojnë atë që është i mangët në çdo aspekt e nuk ka asnjë cilësi përsosmërie e as një vepër madhështore, me Atë që është Absolut në çdo aspekt. Allahu është i përshkruar vetëm me cilësi të plota. Dituria e Tij përfshin gjithçka, pushteti i Tij është i pakufishëm dhe mbi gjithçka, Mëshira e Tij është e gjerë dhe ka mbushur gjithë botët. Po kështu, lavdërimet, madhështia, krenaria e Tij dhe lartësia e Tij janë të pafundme. Asnjë krijesë nuk mund t’i afrohet qoftë edhe një cilësie të Tij, prandaj Allahu është dhe duhet të jetë i vetmi i adhuruar. Ai thotë: - Zoti juaj është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet). - Allahu i Madhëruar thotë: "Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Absoluti (Es -Samed). Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur (nga dikush). Asgjë (e askush) nuk mund të jetë si Ai.” [Ihlas]. - Ata që nuk besojnë në Ahiret, i kanë zemrat të mbushura me mohim dhe janë kryeneçë. - Ata që i kanë zemrat të mbushura me iman dhe urtësi, e madhërojnë dhe e respektojnë Allahun. Ata e lartësojnë Atë dhe e duan me një dashuri të madhe. Zemrat e tyre i nënshtrohen Allahut duke iu përkushtuar me gjitha mundësitë në kryerjen e adhurimeve trupore e pasurore. Ata e adhurojnë Allahun përmes punëve të zemrës e punëve të gjymtyrëve, të dukshme e të fshehta. Ata e përlëvdojnë shumë Atë, me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e veprat e Tij të pastra e të pashembullta. Ndërsa zemrat e mosbesimtarëve janë të prishura e nuk mund as t'i kuptojnë këto ndjenja adhurimi për Zotin. Por këtë çështje të rëndësishme e mohojnë veçse krijesat më kryeneçe e të paditura. Njësimin e Zotit në adhurim e refuzojnë veçse zemërprishurit që, siç thotë Zoti: "... janë kryeneçë." Pra, thjesht tregohen kryeneçë e arrogantë e nuk duan të përulen e ta adhurojnë Zotin.

← Nahl 16:21