16. Nahl · Ajeti 29 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:22–16:29
Të gjitha lutjet, të gjitha adhurimet dhe të gjitha flijimet, të cilat i shprehen dikujt në emër të ndonjë madhërie e shenjtërie, pos Allahut, ato shkojnë huq, por ata që nuk besojnë botën tjetër, e mbajnë vetën lart, nuk duan të pranojnë Zotin para të cilit do të përgjigjen. Mendjelartit nuk duan ta pranojnë Kur'anin shpallje që i erdhi Muhammedit, por e quajnë mit, tregime të kahershme dhe me këtë, ata e ngarkojnë veten përveç me mëkatet e veta, edhe me mëkatet e atyre që i mashtruan, pse mashtruesit ishin pari. Rrënimi i ndërtimeve në themel, është për qëllim rrënimi i intrigave të jobesimtarëve, të cilët u përpoqën ta shuajnë dritën e shpalljes së Zotit, Ata pësuan disfatë në këtë botë, por disfata më e madhe do të jetë në ditën e gjykimit, kur të nënçmuar i fut Zoti në xhehenem dhe i thërret t'i sjellin ata zota që i adhuronin e le t'ju ndihmojnë. Ata qysh në çastin e vdekjes e shohin gabimin e tyre dhe dorëzohen, por është vonë, e vendi i mendjelartëve është xhehenemi.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:28–16:29
- Janë ata të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mbushur plot padrejtësi. - Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjendjes së idhujtarëve, të cilët e kanë ngarkuar veten me këtë padrejtësi të madhe, dhe pikërisht për momentin e agonisë së tyre. Ai është moment i tmerrshëm, kur melekët vijnë që të shkulin prej trupit shpirtrat e tyre të poshtër e të ndotur nga padrejtësitë. Duke i përshkruar ata, i Lartësuari thotë: - Ata shprehin dorëzimin (në momentin e vdekjes), duke thënë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.” - Ata shfaqin gatishmë - rinë e tyre për të dëgjuar të vërtetën, për të pranuar besimin e drejtë e për të jetuar sipas tij, duke thënë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.”. Në ajete të tjera, na tregohet se, Ditën e Premtuar, ata do të thonë: “ Atëherë, atyre s’u mbetet përgjigje tjetër, përveçse të thonë: “Betohemi në Allahun, Zotin tonë se ne nuk ishim idhujtarë! ” [En’am 23]. “Para Allahut atyre nuk do t’u bëjë dobi as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata janë banorët e Xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. Ditën kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, sikurse ju betohen juve, duke pandehur se kështu do të arrijnë diçka. Në fakt, ata janë veç gënjeshtarë.” [Muxhadile 17, 18]. Duke i mohuar ata dhe justifikimet e tyre, Allahu i Lartësuar thotë: - Por Allahu e di shumë mirë atë që e bëtë ju. Prandaj, hyni në dyert e Xhehenemit ku do të jeni përjetë! Sa vend i keq është ai i kryeneçëve!” - Sa i keq i frikshëm dhe i shëmtuar është vendi ku ata do të “pushojnë” e qëndrojnë përjetësisht! Ai ka për të qenë vend i përçmimit, poshtërimit dhe dhimbjes. Ata e meritojnë, sepse janë kryeneçë e mendjemëdhenj, të mbushur me kibër, që nuk pranojnë e besojnë shpalljet e Allahut dhe nuk nënshtrohen për të pasuar rrugën e profetëve të Tij. Ata do ta shijojnë dhimbjen e djegies nga zjarri i Xhehenemit që në momentin e vdekjes, me shpirtrat e tyre. Edhe trupat e tyre në jetën e varrit do të përjetojnë diçka prej nxehtësisë e përvëlimit të zjarrit të Xhehenemit. Ndërsa në Ditën e Kijametit, kur shpirtrat e tyre të bashkohen me trupat e ata të ringjallen, atëherë do të përjetojnë plotësisht dënimin në zjarrin e Xhehenemit. I Madhëruari thotë: “Ata që mohuan (Alahun) i pret zjarri i xhehenemit. Atyre as nuk u jepet fund e të vdesin (të rehatohen), e as nuk u lehtësohet ndëshkimi. Kështu e ndëshkojmë Ne çdo mohues. Dhe atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë) : “O Zoti ynë! Na nxirr (prej
këtu). Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” Por, a nuk ju dhamë Ne jetë aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrete mësim dhe ju pati ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? Shijojini frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Fatir 36, 37], dhe thotë: “Ata do të sillen para zjarrit mëngjes e mbrëmje, ndërsa kur të vijë Ora, do të thuhet: “Futini pasuesit e Faraonit në dënimin më të rëndë!”. [Gafir 46].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:27–16:29
- Pastaj, në Ditën e Gjykimit Ai do t'i poshtërojë ata ... - Ditën e Kijametit, Ata do të turpërohen përpara të gjitha krijesave dhe do t'i shohin qartë mashtrimet dhe shpifjet e tyre kundër Zotit. Pastaj do t’u thotë: - “dhe do t'u thotë: “Ku janë ata që m’i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre luftonit (kundër së Vërtetës) ?” - Për hir të këtyre idhujve, ju luftuat kundër Allahut dhe palës së Tij. Me paturpësi, ju pretendonit se ata ishin ortakë me Allahun e Lartësuar dhe pjesëmarrës në pushtetin e Tij. Kur atyre t’u drejtohet kjo pyetje, ata nuk do të kenë përgjigje tjetër, përveç pohimit se ata ishin të humbur dhe të devijuar dhe do të pranojnë se ishin arrogantë, inatçorë dhe të padrejtë. Kështu këta të mjerë do të thonë: “Kanë humbur prej nesh”. Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes se e kanë mohuar Allahun. [A'raf 37]. Ndërsa nga ana tjetër, ndryshe do të jetë fjala e të diturve dhe të ndriçuarve me dritën e Zotit. - Ata që u qe dhënë dituria do të thonë: “Vërtet, poshtërimi dhe e keqja i ka përfshirë sot jobesimtarët.” - Kështu, dijetarët e mëdhenj dhe edukatorë do të thonë Ditën e Gjykimit: “Vërtet, poshtërimi dhe e keqja i ka përfshirë sot jobesimtarët.” Në këtë ajet del qartë vlera e madhe e
dijetarëve dhe fakti se ata flasin të vërtetën si në këtë botë, ashtu edhe ditën e dëshmive para Zotit. Fjala e tyre ka peshë tek Allahu dhe te krijesat. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon se çfarë do të bëjë me mohuesit në momentet e vdekjes së tyre dhe në Ditën e Gjykimit. - Janë ata të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mbushur me padrejtësi. - E tillë do të jetë gjendja e tyre në momentin e marrjes së shpirtit. Ata do të jenë të ngarkuar dhe të rënduar nga pesha e padrejtësive të tyre të shumta e poshtërsive të grumbulluara gjatë gjithë jetës në këtë botë. Dihet mirë se çfarë i pret keqbërësit e ngarkuar me poshtërsi e padrejtësi atë ditë: ndëshkim, poshtërim e nënçmim torturues. - Ata shprehin dorëzimin (në momentin e vdekjes), duke thënë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.” - Ata shprehin dorëzim të plotë para Zotit dhe mohojnë çdo adhurim të përkushtuar dikujt tjetër veç Allahut të Lartësuar. Madje do të thonë: “Ne nuk bëmë ndonjë të keqe.” Por atyre u hidhet poshtë ky pretendim, duke u thënë: “Përkundrazi, ju jeni të mbushur me poshtërsi dhe mosbesim”. - Por Allahu e di shumë mirë atë që e bëtë ju. - Tashmë nuk ju sjell asnjë dobi mohimi i poshtërsive tuaja. Kështu do të ndodhë në një moment gjatë Ditës së Kijametit. Duke menduar se mund të ketë efekt, ata mundohen t’i mohojnë poshtërsitë dhe mosbesimin që kanë shfaqur në jetën e kësaj bote. Por ata do të befasohen kur vetë gjymtyrët e tyre do të dëshmojnë kundër tyre. Kështu, kur del qartë ajo që ata kanë bërë në këtë jetë, nuk u mbetet gjë tjetër veç të pranojnë padrejtësitë dhe mosbesimin e tyre. Madje, ata të mjerë nuk kanë për të hyrë në Zjarrin e Xhehenemit pa pranuar të gjitha krimet dhe mosbesimin e tyre. - Prandaj, hyni në dyert e Xhehenemit ku do të jeni përjetë! - Çdokush do të hyjë përmes asaj porte të Xhehenemit që e meriton, sipas punëve të veta. - Sa vend i keq është ai i kryeneçëve! - Zjarri i Xhehenemit është vendqëndrimi më i keq i mbushur me dëshpërim dhe vuajtje, plot dhimbje e tmerr. Banorët e tij do të jenë gjithë frikë e brenga torturuese. E si mund të jetë ndryshe ai vend, kur atë e ka mbuluar zemërimi i Të Gjallit e të Përjetshmit?! Atyre nuk do t'u lehtësohet ndëshkim i e as do të gjejnë ndonjë moment çlodhje ose pushimi. Zoti Mëshirëplotë nuk ka për t’i vështruar ata dhe kështu do të shijojnë dënimin e madh.