16. Nahl · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:51–16:64

Zoti është një, edhe adhurimi duhet drejtuar vetëm Atij, pse s'ka fe tjetër vetëm atë që Ai e shpalli, pse s'ka sundues të qiejve e të tokës përpos Tij, pra atë duhet respektuar, e jo tjetër.

Të gjitha të mirat që i posedoni, i keni prej Zotit, këtë e dëshmoni edhe ju, pse kur keni ndonjë telashe, i drejtoheni Atij dhe me britmë të madhe kërkoni ndihmën e Tij. Mirëpo, posa çliroheni disa prej jush bëhen përbuzës ndaj të mirave të Zotit ngase i përshkruajnë shok. Madje atyre, idhujve që nuk dinë asgjë, sepse janë trupa të ngurtë, u ofrojnë flijime, e për këtë pa tjetër do të përgjigjen.

Në kohën e xhahilijjetit arabët i urrenin vajzat që u lindnin, e ndienin veten fatzi kur i lindte vajzë dhe hamendeshin: ta linin të gjallë ose ta varrosnin për së gjalli, e megjithatë për melaiket thoshin se janë vajzat e Zotit. Allahu është i pa të meta, Ai nuk ndien nevojë për fëmijë, të metat janë të atyre që shpifin gënjeshtra.

Lavdëruar qoftë Zoti që nuk ndërmerr menjëherë masa ndëshkuese kundër zullumqarëve, përndryshe nuk do të mbetej kush i gjallë mbi tokë, por derisa Ai është fuqiplotë i pavarur, atë masë ndëshkuese e merr kur të dojë, andaj ka caktuar afatin prej të cilit nuk mund të iket.

Punët e këqija ua ka paraqitur si të mira shejtani edhe popujve të tjerë, e Zoti e dërgoi Muhammedin që t'u sqarojë njerëzve çështjet për të cilat ziheshin mes vete dhe t'i kënaq e t'i mëshirojë ata që ndjekin rrugën e drejtë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:51–16:55

- Allahu ka thënë: “Mos adhuroni dy zota, sepse Ai është Një Zot i Vetëm (që meriton adhurimin) ! Vetëm Mua të më keni frikë!”. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave. Vetëm Allahut i përkushtohen të gjitha llojet e adhurimeve, pa i shoqëruar ortakë në këtë meritë. Vetëm Allahu është Pronari, Mbretëruesi, i Gjithëpushtetëshmi, Sunduesi, Krijuesi dhe Zotëruesi i gjithçkaje. - Vetëm e Tij është gjithçka në qiej e në Tokë dhe vetëm Atij i takon adhurimi. - Vetëm Allahut i duhet përkushtuar adhurimi, përmes fesë që Ai ka ligjëruar për krijesat, me sinqeritet të plotë veç për Të dhe në mënyrë të vazhdueshme. - A mos po i frikësoheni dikujt tjetër veç Allahut? - Frikësojuni vetëm Atij dhe mos i bëni shok askënd e asgjë në adhurimet dedikuar Atij. Vetëm Atij përkushtojani veprat e mira, në shenjë bindjeje ndaj Tij dhe duke synuar e shpresuar kënaqësinë e Tij. Këtë bëjeni ashtu si Ai ka urdhëruar e porositur, pra, përmes fesë që e ligjëroi për robërit. Sikurse ka thënë i lartësuari: “A

mos kërkojnë ata fe tjetër, veç fesë së shpallur nga Allahu, ndërkohë që Atij i është nënshtruar gjithçka që gjendet në qiej e gjithçka që gjendet në tokë, me vullnet apo me detyrim? Dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. Thuaj: “Ne kemi besuar në Allahun, në atë që na u shpall neve, në atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve, në atë që iu dha Musait dhe Isait dhe të gjithë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” E kush kërkon fe tjetër përveç fesë Islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe në Botën tjetër ai do të jetë nga të humburit.” [Al Imran 83 - 85]. - Çdo të mirë që zotëroni, e keni prej Allahut. - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lavdëruar: “Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë. ...” [Zumer 3]. Më pas, i Lavdëruari na njofton se në dorën e Tij është dëmi dhe dobia. Çdo mirësi e begati vjen vetëm prej Tij dhe askujt tjetër. - Edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm tek Ai e ngrini zërin (me lutje) . - Në të tilla kushte ju përkushtoheni, përgjëroheni pa pushim e me përulësi, duke shpresuar në bujarinë e Tij, duke kërkuar çlirim e shpëtim nga vuajtja, ngushtia e sprova e rëndë. Këtë e bëni, sepse jeni të bindur se askush tjetër, përveç Tij, nuk ka pushtetin e forcën që të largojë fatkeqësinë. Sikurse thotë i lartësuari: “...” [Isra 67]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - Pastaj, kur jua largon dënimin, shumë prej jush i përshkruajnë shok Zotit të tyre. - Pas largimit të belasë, ata përsëri i kthehen asaj nga e cila ishin larguar më parë. Ata përsëri i shoqërojnë Zotit ortakë në adhurimet, që Ai i meriton si një dhe i vetëm. - Ja, kështu ata tregojnë mosmirënjohje për ato (mirësi të shumta) që Ne u kemi dhënë. - Të tilla vepra janë tregues të mosmirënjohjes së tyre ndaj Allahut. Kështu, për shkak të mosmirënjohjes dhe shmangien nga rruga e drejtë, i Lartësuari i lë ata në humbje, që të vazhdojnë në padrejtësitë e tyre dhe të meritojnë poshtërimin e ndëshkimin. - Shfrytëzojni ato (për një kohë të shkurtër) se më vonë do ta kuptoni! - Pra, bëni çfarë të doni, por do ta shihni përfundimin tuaj të keq, që e meritoni me veprat tuaja të këqija.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:51–16:52

- Allahu ka thënë: “Mos adhuroni dy zota, sepse Ai është Një Zot i Vetëm (që meriton adhurimin)! ” - Allahu i Lartësuar na urdhëron që të adhurojmë vetëm Atë si Një të vetëm. Për vërtetësinë e pamohueshme të njësimit të Tij, Ai tregon se është i vetmi që u dhuron krijesave mirësitë dhe përkujdesjen. Ai thotë: “Mos adhuroni dy zota, sepse Ai është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet) !”. Domethënë, kurrë mos i bëni shokë Atij në aspektin e adhurimeve që përkushtoni. Askënd tjetër mos adhuroni, sepse: “Ai është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet)!”. Ai është i vetëm dhe unik në të gjitha cilësitë dhe atributet e Tij madhështore; Ai është i vetëm në veprat e Tij të pashembullta. Atëherë, ashtu sikurse Allahu është i vetëm në Qenien e Tij, në emrat, cilësitë, atributet dhe veprat e Tij, po ashtu duhet ta adhuroni si Një dhe të vetëm. Kjo është rruga e vetme e drejtë që ju çon në shpëtim. Çdo rrugë tjetër të çon pranë zemërimit e ndëshkimit të Tij. - Vetëm Mua të më keni frikë! - Vetëm Mua - thotë Allahu i Madhëruar - m’u frikësoni dhe zbatoni urdhëresat e Mia! Largojuni ndalesave të Mia dhe ruajini kufijtë e Mij! Dhe të gjitha këto vepra bindjeje bëjini vetëm për Mua, duke mos më shoqëruar shok në asnjë adhurim! Asnjë adhurim mos e bëni për krijesat, por vetëm për Mua! Krijesat janë të gjitha pronë e Allahut dhe të nënshtruara ndaj Tij. - Vetëm e Tij është gjithçka në qiej e në tokë dhe vetëm Atij i takon adhurimi. - Të Allahut janë çka në qiej dhe në tokë, prandaj edhe e gjithë feja, adhurimi, nënshtrimi, përunjësia në të gjitha gjendjet dhe kohët duhen t’i përkushtohen vetëm Atij. Krijesat duhet të veshin petkun e adhurimit për Zotin dhe të jenë të sinqertë në praktikimin dhe përmbushjen e fesë vetëm për kënaqësinë e Tij. Pastaj vjen kjo pyetje, që çdokush duhet t'ia bëjë vetes: - A mos po i frikësoheni dikujt tjetër veç Allahut? - Kujt i druheni? Banorëve të tokës apo të qiellit?! Ata nuk kanë në dorë as dëmin, as dobinë tuaj.

← Nahl 16:51