16. Nahl · Ajeti 61 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:51–16:64

Zoti është një, edhe adhurimi duhet drejtuar vetëm Atij, pse s'ka fe tjetër vetëm atë që Ai e shpalli, pse s'ka sundues të qiejve e të tokës përpos Tij, pra atë duhet respektuar, e jo tjetër.

Të gjitha të mirat që i posedoni, i keni prej Zotit, këtë e dëshmoni edhe ju, pse kur keni ndonjë telashe, i drejtoheni Atij dhe me britmë të madhe kërkoni ndihmën e Tij. Mirëpo, posa çliroheni disa prej jush bëhen përbuzës ndaj të mirave të Zotit ngase i përshkruajnë shok. Madje atyre, idhujve që nuk dinë asgjë, sepse janë trupa të ngurtë, u ofrojnë flijime, e për këtë pa tjetër do të përgjigjen.

Në kohën e xhahilijjetit arabët i urrenin vajzat që u lindnin, e ndienin veten fatzi kur i lindte vajzë dhe hamendeshin: ta linin të gjallë ose ta varrosnin për së gjalli, e megjithatë për melaiket thoshin se janë vajzat e Zotit. Allahu është i pa të meta, Ai nuk ndien nevojë për fëmijë, të metat janë të atyre që shpifin gënjeshtra.

Lavdëruar qoftë Zoti që nuk ndërmerr menjëherë masa ndëshkuese kundër zullumqarëve, përndryshe nuk do të mbetej kush i gjallë mbi tokë, por derisa Ai është fuqiplotë i pavarur, atë masë ndëshkuese e merr kur të dojë, andaj ka caktuar afatin prej të cilit nuk mund të iket.

Punët e këqija ua ka paraqitur si të mira shejtani edhe popujve të tjerë, e Zoti e dërgoi Muhammedin që t'u sqarojë njerëzve çështjet për të cilat ziheshin mes vete dhe t'i kënaq e t'i mëshirojë ata që ndjekin rrugën e drejtë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:61–16:62

Allahu i Lartësuar na tregon për butësinë dhe mëshirën e Tij të gjerë me krijesat, edhe pse ata zhyten vazhdimisht në padrejtësi. Ai na tregon se nuk nxitohet që t’i ndëshkojë menjëherë ata, në lidhje me gjynahet dhe padrejtësitë e tyre, por i afatizon ata. Ai thotë: - Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të padrejtësive së tyre, nuk do të linte mbi Tokë asnjë të gjallë. - Për shkak të gjynaheve të bijve të Ademit, Ai do të shkatërronte gjithçka në Tokë. Por Allahu i Madhëruar tregohet i butë, afatizon dhe nuk i ndëshkon menjëherë. Ai thotë: - Por, Ai i lë ata për më vonë, deri në afatin e caktuar. Kur të vijë afati i tyre, ata as nuk mund ta përngadalësojnë e as ta përshpejtojnë atë. - Ebu Ahues thotë: “Edhe buburreci do të ndëshkohej për shkak të gjynaheve të bijve të Ademit, por le ta dinë mirë se Allahu i Madhëruar nuk ka për ta vonuar aspak ndëshkimin kur afati plotësohet.” Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ebu Darda, i cili rrëfen: “Ishim njëherë tek i D ërguari i Allahut, kur ai tha: 1617. “Allahu nuk e shtyn kurrë zbatimin e vendimit të Tij, nëse vjen koha e përcaktuar e realizimit të tij. Shtimi i jetës (që është përmendur) bëhet përmes pasardhësve të mirë, që Allahu i jep robit, të cilët luten për të pas vdekjes. Kështu, duaja e tyre i shkon në varr. Pikërisht ky është shtimi i jetës (dhe të mirave të robit)”. - Ato (vajzat) që i urrejnë për vete, ia veshin Allahut (si fëmijë) - Ata pretendojnë se Ai ka bija. Gjithashtu, ata trillojnë se Allahu ka ortakë në sundimin e pushtetin e Tij, ndërkohë që çdo gjë dhe të gjithë këta ortakë janë krijesa e robër të Allahut. Çuditërisht, këta idhujtarë nuk e pranojnë e të kënaqen për veten e tyre që të kenë ortakë në pasurinë e pushtetin e tyre. Kështu, ata i përshkruajnë Zotit ato gjëra që edhe për veten e vet i urrejnë e nuk i pranojnë. - dhe gjuhët e tyre mashtruese shpifin se ata do të kenë më të mirën (Xhenetin). – Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë pretendimin se ata do të kenë gjithmonë të mira në jetën e kësaj bote. Madje, me paturpësi thonë se, edhe nëse do të ketë vërtet ringjallje, ata do të kenë sërish të mira, ashtu në këtë jetë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut, kur thotë: “Kur Ne i japim mundësi njeriut të shijojë mëshirën Tonë, e pastaj ia heqim atë, ai bëhet shpresëhumbur dhe mohues. Por kur Ne i dhurojmë atij të mira, pasi një e keqe e ka goditur, ai thotë: “Kaluan të këqijat prej meje!”. Vërtet, ai gëzohet tej mase dhe bëhet mendjemadh.”, [Hud 9, 10]. Ose: “Nëse pas të këqijave që e godasin, Ne i dhurojmë mëshirë nga ana Jonë, ai padrejtësisht thotë: “Këtë e kam merituar vetë. Nuk besoj se do të ndodhë ndonjëherë Kijameti. Por edhe sikur të kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë mua më shumë të mira.” Por Ne, patjetër, do t’ua tregojmë mohuesve se çfarë kanë bërë dhe do ti bëjmë të vuajnë një ndëshkim të rëndë.” [Fusilet 50]. Ose: “A e

ke parë atë që i mohon Argumentet Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet pasuri e fëmijë (edhe në botën tjetër) .”? A thua ka zbuluar fshehtësinë, apo mos ka marrë prej Allahut ndonjë premtim? Kurrsesi! Ne do ta shënojmë atë që thotë dhe do t’i japim dënim pas dënimi. Te Ne do të kthehet gjithçka për të cilën ai flet dhe ka për të ardhur te Ne i vetmuar.” [Merjem 77 - 80]. Gjithashtu, duke na njoftuar rreth fjalëve të njërit prej atyre dy burrave që po flisnin me njëri-tjetrin thotë: “Kur ai hyri në kopshtin e vet (së bashku me besimtarin) , duke dëmtuar vetveten (me mosbesim) tha: “Unë nuk mendoj se kjo (pasuri) do të shkatërrohet ndonjëherë. Unë nuk besoj se Ora (e kjametit) do të vijë ndonjëherë . Por edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, pa dyshim do të gjej diçka edhe më të mirë se kjo (pasuri).”.” [Kehf 35, 36]. Kështu këta të mjerë kanë bërë dy padrejtësi njëherësh: e para, punët e këqija, mosbindja ndaj Zotit dhe mosbesimi; e dyta, ëndrrat e kota e të pabaza dhe pretendimet boshe se ata gjithmonë do të kenë mirësi qoftë në këtë jetë, qoftë në tjetrën. Ata pretendojnë se do të gjejnë mirësi gjithmonë. Por kjo është e pamundur dhe kurrë nuk ka për të ndodhur për ata që nuk besojnë Allahun. Ibn Is’haku ka thënë se, kur kurejshët donin të rindërtonin Qaben, vërejtën se, në një nga gurët e themeleve të saj ishin shkruar disa urtësi e këshilla, ndër të cilat: “Mos vallë, mendoni se do të punoni të këqija dhe do të shpërbleheni me të mira? Kurrë nuk ka për të ndodhur, ashtu sikurse rrushi kurrë nuk del nga ferrat.” Për t’ua hedhur poshtë këto ëndrra e pretendime boshe, Allahu i Lartësuar tha: - S’ka dyshim, ata i pret Zjarri dhe në të do të mbeten të braktisur (të harruar). - Le të jenë të bindur dhe të mos kenë asnjë dyshim se për ta është përgatitur zjarri në Ditën e Kijametit. Vëreni me kujdes kur Allahu thotë: “... dhe në të do të mbeten të braktisur (të harruar). ” Rreth kuptimit të fjalës “ mufratûn” (që është përkthyer “të braktisur”) janë dhënë mendime të ndryshme. Disa janë të mendimit se ajo ka kuptimin: “ muaxhelûn”, që do të thotë se ata do të flaken me të shpejtë në zjarr. Pra, kuptimi do të ishte: “S’ka dyshim, ata i pret Zjarri, ku do flaken me të shpejtë . Të tjerë janë të mendimit se ajo ka kuptimin: “do të mbeten të braktisur, të harruar.”. Në fakt, nuk ka asnjë kundërshti mes dy kuptimeve, sepse ata vërtet do të zhyten me të shpejtë në zjarrin e Xhehenemit dhe aty do të mbeten të braktisur e të harruar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:60–16:61

Përshkrimi i Allahut të Madhëruar me atribute që nuk i shkojnë madhështisë së Tij është një krim i shëmtuar. Një i tillë është edhe pretendimi se Zoti ka fëmijë e ka djalë. Madje, disa nga këta të mjerë jo vetëm që shpifën se Zoti ka fëmijë, por pretenduan se Ai ka si fëmijë llojin më pak të preferuar mes tyre, pra, femrat. Sipas tyre, Zoti paska bija, që ata për vete nuk i duan. Kështu shpifnin idhujtarët për Zotin e botës. Ato ishin përshkrime të këqija, të ulta të mangëta. Por Allahu i Lartësuar thotë: - Përshkrimi më i keq është për ata që nuk besojnë në jetën e përjetshme. - Atyre u shkojnë përshkrimet më të këqija, me mangësitë më të ulta. - Ndërsa Allahut i takon përshkrimi më i lartë. - Çdo cilësi e lartë dhe atribut absolut i takon veç Allahut. Allahut i takon shembulli dhe përshkrimi më i lartë në zemrat e besimtarëve dhe të dashurve të Tij të zgjedhur. Zemrat e tyre janë të mbushura me madhërimin, lartësimin, lavdërimin e dashurinë për Të. Ata kthehen gjithmonë të penduar tek Ai dhe të etur për ta njohur sa më shumë. - Ai është Ngadhënjimtari dhe i Urti. - Allahu është El Aziz - Ngadhënjimtari, Ai i cili ka nënshtruar nën sundimin e pushtetin e Tij të gjitha krijesat. Të gjitha krijesat i janë nënshtruar e përulur Ngadhënjimtarit. Por Ai është edhe El Hakim - I Urti, i cili i vendos të gjitha gjërat në vendin e vet. Ai urdhëron dhe ndalon veçse për ato gjëra për të cilat meriton të lavdërohet e falënderohet, sepse ato tregojnë se Allahu është i Plotë e Absolut në çdo gjë që urdhëron dhe në çdo gjë që ndalon. Pasi përmendi shpifjet dhe trillimet e keqbërësve kundër Tij, i Lartësuari flet për durimin, butësinë dhe mëshirën e Tij: - Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit për shkak të padrejtësive së tyre, nuk do të linte mbi Tokë asnjë të gjallë. - Nëse do t’i merrte në përgjegjësi dhe t’i dënonte për padrejtësitë e tyre, pa shtuar e pa pakësuar aspak, njerëzit do të shkatërroheshin: "... nuk do të linte mbi tokë asnjë gjallesë.". Ai do t’i ndëshkonte ata që i kryejnë këto poshtërsi dhe gjithçka tjetër që i rrethon, qofshin kafshë e gjallesa të tjera, sepse ligësia e gjynaheve sjell shkatërrim të jetës dhe të krijesave. - Por Ai i lë ata për më vonë, deri në afatin e caktuar. - Allahu i Madhëruar nuk nxitohet për t’i ndëshkuar për atë që e meritojnë, por i afatizon deri në një kohë të përcaktuar, pra, në Ditën e Gjykimit. - Kur të vijë afati i tyre, ata as nuk mund ta përngadalësojnë e as ta përshpejtojnë atë. - Le të kenë kujdes dhe të frenohen, përderisa kanë ende kohë për pendim, para se të vijë koha kur nuk do të ketë më shtyrje afati.

← Nahl 16:61