16. Nahl · Ajeti 64 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:51–16:64

Zoti është një, edhe adhurimi duhet drejtuar vetëm Atij, pse s'ka fe tjetër vetëm atë që Ai e shpalli, pse s'ka sundues të qiejve e të tokës përpos Tij, pra atë duhet respektuar, e jo tjetër.

Të gjitha të mirat që i posedoni, i keni prej Zotit, këtë e dëshmoni edhe ju, pse kur keni ndonjë telashe, i drejtoheni Atij dhe me britmë të madhe kërkoni ndihmën e Tij. Mirëpo, posa çliroheni disa prej jush bëhen përbuzës ndaj të mirave të Zotit ngase i përshkruajnë shok. Madje atyre, idhujve që nuk dinë asgjë, sepse janë trupa të ngurtë, u ofrojnë flijime, e për këtë pa tjetër do të përgjigjen.

Në kohën e xhahilijjetit arabët i urrenin vajzat që u lindnin, e ndienin veten fatzi kur i lindte vajzë dhe hamendeshin: ta linin të gjallë ose ta varrosnin për së gjalli, e megjithatë për melaiket thoshin se janë vajzat e Zotit. Allahu është i pa të meta, Ai nuk ndien nevojë për fëmijë, të metat janë të atyre që shpifin gënjeshtra.

Lavdëruar qoftë Zoti që nuk ndërmerr menjëherë masa ndëshkuese kundër zullumqarëve, përndryshe nuk do të mbetej kush i gjallë mbi tokë, por derisa Ai është fuqiplotë i pavarur, atë masë ndëshkuese e merr kur të dojë, andaj ka caktuar afatin prej të cilit nuk mund të iket.

Punët e këqija ua ka paraqitur si të mira shejtani edhe popujve të tjerë, e Zoti e dërgoi Muhammedin që t'u sqarojë njerëzve çështjet për të cilat ziheshin mes vete dhe t'i kënaq e t'i mëshirojë ata që ndjekin rrugën e drejtë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:63–16:65

- Betohem për Allahun! Ne dërguam para teje të dërguar ndër popuj të shumtë, por shejtani ua hijeshoi veprat e tyre (të këqija). - Allahu i Lartësuar tregon se ishin të shumtë profetët që ai dërgoi ndër popujt e hershëm, por të gjithë popujt refuzuan të ndiqnin profetët e tyre dhe nuk i besuan. Kështu, ata të dërguar ishin shembull i mirë për Profetin ﷺ , që do t’i jepnin forcë e do ta udhëzonin që të mos ligështohej për refuzimin nga populli i tij. Sa u përket idhujtarëve, të cilët refuzuan rrugën dhe besimin e sjellë prej profetëve, ishte shejtani i mallkuar që ua hijeshoi veprat e tyre, prandaj i Lartësuari thotë: - Prandaj sot (në Ditën e Kijametit) ai është miku i tyre dhe ata (të gjithë bashkë) do të kenë një dënim të dhembshëm. - Ata do të jenë të poshtëruar, duke vuajtur ndëshkimin. Shejtani i mallkuar ka për të

qenë pranë tyre, por nuk do të ketë asnjë mundësi për t’i ndihmuar. Askush nuk ka për t’iu përgjigjur thirrjeve të tyre për ndihmë. Ata do të shijojnë dënimin e tyre të dhembshëm, të zbrazur nga çdo shpresë. Në vijim, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Ne ta shpallëm Kur ’anin, veçse që t’u sqarosh atyre atë, për të cilën u përçanë dhe që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë. - Allahu e shpalli këtë Kur’an që t’u shtjellojë njerëzve gjithçka për të cilën ata kishin konflikte. Kur ’ani është vija ndarëse mes të vërtetës dhe të kotës. Ai u qartëson njerëzve gjithçka për të cilën bien në kundërshti dhe polemizojnë me njëri tjetrin. Ky Kur ’an është udhëzim i plotë për zemrat dhe mëshirë e dhuruar për të gjithjë ata që kapen pas tij, pasojnë dritën e tij dhe jetojnë sipas udhëzimeve të tij. Shihe me kujdes se si Allahu i Lartësuar thotë se ky Kur ’an është i tillë: “... për njerëzit që besojnë.”. - Allahu zbret ujë prej qiellit dhe me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj. - Domethënë, ashtu sikurse Allahu i Lavdëruar i ngjall zemrat e vdekura e të harruara në mohimin e tyre, po kështu Ai e ngjall tokën e shkretuar me ujin e shiut, që Ai lëshon nga qielli. - Në këtë fakt ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. - Këta dëgjojnë me kujdes, për të kuptuar mirë dhe saktë kumtin që ajo kërkon të përçojë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:64

Allahu i Madhëruar ta shpalli Kur'anin, o Muhamed, veçse me qëllimin që t’u qartësosh njerëzve gjithçka prej çështjeve të besimit dhe fesë, për të cilat njerëzit kanë rënë në kundërshti e janë përçarë. Duke bërë këtë, askush nuk do të ketë më arsye e shfajësim para Zotit. Kur'ani u shpall, gjithashtu, për të qenë udhëzim e mëshirë për besimtarët e sinqertë, që ata të gjejnë të vërtetën dhe të jetojnë sipas saj. (Marrë nga Tefsir el Mujeser).

← Nahl 16:64