16. Nahl · Ajeti 74 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:65–16:74

Fuqia e pakufishme e Zotit, e cila do t'i ringjallë njerëzit pas kijametit, mund të vërtetohet edhe përmes shembujve praktikë, siç është ngjallja e bimëve në tokë pas shiut. Madje, edhe në përsosmërinë e krijimit të organeve të kafshëve, siç është rasti me qumështin, i cili formohet mes ushqimit të tretur në lukth dhe të gjakut, por ekziston një cipë e hollë mes tyre sa që nuk lejon depërtimin e ngjyrës, as të shijes, e as të erës prej njeres në tjetrën. Kështu ka mundur ta krijojë vetëm urtësia e pakufishme e Zotit.

Përmenden edhe llojet e pijeve e ushqimeve që përfitohen prej hurmave dhe prej rrushit. Pijet vetëm përmenden, e për llojet e tjera të lëngjeve që mund të përfitohen prej tyre, thuhet se janë ushqim i mirë - "rizkan hasenen". Edhe pse lëngu që e bën të dehur njeriun ende ishte i lejuar, në fund të ajetit thuhet se këto janë mësime për njerëzit që kanë mend, pra ata që janë të zotët e mendjes nuk duhej ta përdornin. Dhe, derisa mendja është më e vlefshmja te njeriu, për hir të ruajtjes së saj nga dehja, Zoti e bëri haram.

Për mjeshtërinë e përsosur të Zotit fuqiplotë, na shërben edhe një insekt i vogël i dobët, bleta, e cila e pajisur me një instinkt të çuditshëm, di të ndërtojë shtëpitë gjashtëkëndshe, të mbledhë nektarin e lloj-lloj lulesh e bimësh, e ta shndërojë në mjaltë, e cila jo vetëm që është ushqyese, por është edhe shëruese.

Ai Zot që bëri mrekullira të llojllojta në gjallesat e tjera, bën edhe te njeriu. Ai u shkakton vdekjen njerëzve në etapa të ndryshme të jetës së tyre, ndonjërit i jep jetë deri në pleqëri aq të thellë sa që ai bëhet si fëmijë. Ndokujt i jep përparësi në jetën materiale, andaj ka të pasur e të varfër, ka me pozitë të lartë, të tjerë të shtypur. Një lloj ndryshimi te njerëzit e hasim edhe në lëmitë e tjera, pse ka të zhvilluar fizikisht e të dobët, të bukur e jo të bukur, të mençur e të marrë, të sjellshëm e të pasjellshëm. Të gjitha këto janë dukuri e një urtësie, të cilën nuk mund ta kuptojë mendja e njeriut, nuk mund t'i zbulojë shkaqet reale të tyre, andaj duhet njohur dhe besuar Krijuesin e pa shoq.

Pasi që përmenden shumë fakte dhe shumë të mira të dhuruara prej Zotit, u bëhet vërejtje serioze atyre që nuk vështrojnë faktet, përbuzin të mirat, adhurojnë idhujt e vdekur.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:73–16:74

- Ata (idhujtarët) adhurojnë përveç Allahut krijesa, të cilat nuk janë në gjendje t’u sjellin asnjë rizk as nga qiejt, as nga toka dhe as që kanë mundësi. - Ajeti tregon për idhujtarët, të cilët i mveshin Zotit ortakë në meritën e adhurimit, edhe pse Ai është i vetmi i cili dhuron të gjitha mirësitë, me bujarinë e Tij. Ai është Krijuesi, i Cili ka në dorë furnizimin e kujdesin për krijesat. Ai është i vetëm dhe nuk ka ortakë në këtë pushtet, por ata adhurojnë krijesa të dobëta e të varfra, që nuk kanë asnjë fuqi e mundësi për t’u sjellë rizkun nga qielli e nga toka. Ata nuk kanë mundësi të japin shiun, për shkak të të cilit gjelbëron dhe lulëzon toka. Ata nuk kanë pushtet për t’ia dhënë këto mirësi as vetes, sepse është jashtë mundësive e forcës së tyre.

- Mos i përshkruani Allahut shembuj! - Mos trilloni e mos thoni se Zoti ka të barabartë e të ngjashëm me të! - Allahu di gjithçka e ju nuk dini. - Ai është i gjithëditur dhe Ai dëshmon se nuk ka tjetër që meriton të adhurohet si një i vetëm, përveç Tij. Ndërsa ju, me paditurinë tuaj, vazhdoni t’i shoqëroni Atij ortakë e idhuj.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:74

- Mos i përshkruani Allahut shembuj! - Kurrë mos e përshkruani e të jepni shembëllime për Zotin, duke e krahasuar Atë me krijesat. - Allahu di gjithçka e ju nuk dini. - Ne kurrë nuk duhet të flasim për Allahun pa patur dituri, por thjesht duhet të dëgjojmë shembujt që na jep i Gjithëdituri.

← Nahl 16:74