16. Nahl · Ajeti 98 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:90–16:101

Betimet e dhëna dhe të përforcuara me emër të Allahut, nuk bën të thyhen. Disa nga fiset arabe pasi që kishin lidhur besën me një fis tjetër, e thyenin atë besë kur gjenin rast të lidhnin besën me një fis tjetër më të madh e më të fortë, pra e thyenin besën e dhënë myslimanëve pse ishin më pak, kurse lidhnin me të tjerët që ishin më shumë. Paska qenë një grua e marrë në Mekë, e cila tjerrin që e kishte dredhur gjatë tërë ditës e prishte në mbrëmje. Zoti i krahason ata që e thyejnë besën me atë grua të marrë.

Të humbur mbesin ata të cilët nuk duan t'i pranojnë mësimet e Kur'anit. Myslimanëve u tërhiqet vërejtja për pasojat e thyerjes së betimit, të cilat do të ndikojnë në I ftohje ndaj islamizmit, nëse myslimani është i tillë që nuk e mban besën. Pra kjo është ajo rrëshqitja në gabim.

Besën e dhënë Allahut dhe të dërguarit të Tij nuk duhet ndërruar për ndonjë fitim të kësaj bote, ngase të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë të përkohshme, kurse të mirat në botën tjetër janë të përjetshme.

Vepra e mirë, e atij që është besimtar, është garanci për një jetë të kënaqur edhe gjatë kësaj jete. Para Zotit shpërblehet njësoj vepra e mashkullit dhe e femrës.

Vesvesja e shejtanit është ndikuese në zemrat e njerëzve, andaj për të qenë zemra e atij që do të lexojë Kur'an e mbrojtur prej vesveses, nevojitet kërkuar mbrojtjen e Zotit, duke thënë: Eudhu bil lahi minesh-shejtanir raxhim.

Zëvendësimi ose ndërrimi i ndonjë ajeti me një ajet tjetër është çështje, e cila i preokupoi mjaft shumë dijetarët islamë. Thuhet se zëvendësimi i një dispozite me një tjetër, është sikurse ndërrimi i barit, i ilaçit gjatë mjekimit të ndonjë sëmundjeje. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se pati abrogim - nes-hun, në Kur'an. Disa të tjerë, të cilët edhe unë i përkrah, janë të mendimit se nuk ka pasur as nuk duhet të jetë bërë ndonjë zëvendësim. Allahu e di më së miri!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:98–16:100

- Kur të lexosh Kuranin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër (sherrit të) shejtanit të mallkuar. - Ky është një urdhër nga Allahu i Lartësuar drejtuar Profetit të Tij, por që u drejtohet edhe të gjithë robërve të Tij, që kur bëhen gati për të lexuar Kuran, fillimisht të bëjnë istiadhe, domethënë, t’i kërkojnë Allahut të Lartësuar që t’i ruajë nga sherri i shejtanit të mallkuar. Ky nuk është urdhër kategorik, që tregon se është vaxhib, i detyrueshëm për t’u zbatuar, por tregon se është i pëlqyeshëm. Kështu kanë thënë Ibn Xheriri dhe dijetarë të tjerë. Në fillim të këtij tefsiri janë sjellë shumë hadithe rreth istiadhe-s, - vetëm Allahut i takojnë të gjitha falenderimet për mirësitë që ka dhuruar! Përdorimi i istiadhe-s në fillim të leximit të Kuranit synon që lexuesi i tij të jetë mbrojtur dhe i sigurt nga sherri i vesveseve të shejtanit të mallkuar, që ai të mos ia ngatërrojë leximin dhe kuptimin e saktë dhe të mos arrijë ta pengojë në lidhje meditimin dhe përfitimin nga ajetet e kumtet e Librit të Allahut. - Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. - Shejtani i mallkuar nuk ka asnjë fuqi e

mundësi kundër besimtarëve të vërtetë, të cilët i mbështeten Allahut me një teuekkul të plotë e korrekt. Kështu, ai nuk ka mundësi që të ndikojë e t’i devijojë. - Ai mund të kontrollojë vetëm ata që e përkrahin atë dhe ata që, për shkak të tij, bëhen idhujtarë. - Mbi këta është kufizuar pushteti dhe forca e këtij të mallkuari, sepse ata i binden atij. Ata e kanë zgjedhur atë si mik të afërt, të cilit ia besojnë çështjet e tyre. Këta kanë rënë në idhujtari, duke iu bindur shejtanit dhe rrugës së tij. Ata kundërshtojnë Zotin dhe ndjekin shejtanin.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:98–16:99

- Kur të lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër (sherrit të) shejtanit të mallkuar. - Ky Libër që Zoti ju ka dhuruar është Libri më i mirë, më i rëndësishëm dhe më i zgjedhur. Ai përmban atë gjë që rregullon zemrat tuaja. Në këtë Libër ka dituri të madhe. Për këto arsye, përpara se të lexoni nga ky Libër i zgjedhur, fillimisht kërkoni mbrojtje e strehim tek Zoti, që t’ju ruajë nga sherri i shejtanit të mallkuar, i cili përpiqet shumë për devijimin e njeriut, sidomos në kohën kur ai nis të bëjë punë të mira. Shejtani përpiqet që ta largojë mendjen nga qëllimet madhështore dhe kuptimet e mrekullueshme të Kur'anit. Atëherë, rruga për të qenë i sigurt nga sherri i të mallkuarit është mbështetja e plotë tek Zoti, duke iu drejtuar Atij me përgjërim. Kështu, ai që fillon të lexojë Kur'an duhet të thotë fillimisht: "Eûdhu bil -lâhi minesh -shejŧânir-raxhîm - Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar”. Është shumë e rëndësishme që njeriu të meditojë për kuptimet madhështore të Kur'anit, duke iu mbështetur me zemrën e tij Zotit, që Ai t’ia largojë të mallkuarin. Nga ana tjetër, njeriu duhet të përpiqet e të luftojë me veten për të larguar nga zemra ngacmimet dhe joshjet e shejtanit, të luftojë me veten që t’i largojë mendimet e këqija, që i mallkuari i fut në zemër. Arma më e fortë kundër shejtanit dhe intrigave të tij është pajisja me dy gjëra: imani i pastër dhe mbështetja e plotë tek Zoti. Njeriu duhet të luftojë me veten për të plotësuar imanin e tij përmes diturisë së dobishme dhe adhurimeve të shumta, duke iu mbështetur Zotit në çdo vepër të mirë që kryen. Nëse e bëjmë këtë, Zoti na premton se: - Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. - Shejtani i mallkuar nuk ka asnjë lloj fuqie mbi ata që kanë këto dy cilësi: besojnë dhe e adhurojnë Zotin si Një të vetëm dhe, e dyta, vetëm Atij i mbështeten. Është Allahu i Madhëruar Ai që e largon sherrin e të mallkuarit prej besimtarëve që kanë këto cilësi.

← Nahl 16:98