17. Isra · Ajeti 13 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:9–17:22
Kur'ani është i vetmi udhëzim për rrugën më të drejtë e më të sigurt dhe rrëfyes për shpërblimet e ndëshkimet që do të pasojnë në bazë të veprave të bëra.
Njeriu në përgjithësi është i ngutshëm dhe, duke mos menduar për pasojat, ndodh që të lutet për keq, për vete apo për ndonjë tjetër të afërt e të dashur, por Zoti i madhëruar, nga mëshira e Tij nuk ia pranon lutjen për keq, duke e ditur se pas pak kohe do të pendohet pse është ngutur.
Vetëm mjeshtëria e përsosur e Zotit ka ditur ta errësojë natën për pushimin e njerëzve, e ta ndriçojë ditën për angazhimin e tyre për jetesë.
Jeta e njeriut i përngjanë fluturakës në relacion prej pikënisjes e deri në aterim. Gjatë atij relacioni shënohet gjithçka dhe ai shënim më vonë lexohet. Ashtu gjatë tërë jetës së njeriut mbahet shënimi i veprave që në ditën e gjykimit t'i lexojë ai vetë.
Secili njeri është përgjegjës i punës së vet, askush nuk do të shpërblehet prej punës së tjetrit, e as nuk do të ndëshkohet. Nëse dikush ka qenë iniciator i ndonjë pune e tradite të mirë, ai do të shpërblehet edhe prej punës së atyre që e punojnë atë, por në realitet ajo është punë edhe e iniciatorit, e kështu është edhe me iniciatorin e së keqes.
Zakonisht pasanikët, paria, njerëzit me pozitë janë ata që shkelin normat e Zotit, ngase e ndiejnë veten më të pavarur, andaj afër tyre i zë sherri edhe të tjerët, kur është fjala për këtë botë.
Të dhënat e Zotit nuk janë të kufizaura për palë njerëzish, ato janë të dedikuara për të gjithë njësoj, por duhet pasur kujdes në përgatitje për botën tjetër, për jetën e pasosur, pse të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë kalimtare, e nuk bën të humbet e përjetshmja për të përkohshmen. Edhe në këtë botë ekzistojnë dallime, dikush i pasur tjetri i varfër, dikush i dijshëm e tjetri jo aq. Kjo është një fshehtësi, të cilën nuk mund ta zbulojnë mendjet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:13–17:14
Pasi na tregoi për kohën, natën dhe ditën, dhe ato punë që njerëzit kryejnë gjatë tyre, i Madhëruari vijon e thotë. - Asnjë njeriu nuk kemi për t'ia ndarë nga qafa librin e tij (të veprave) - Fjala e përdorur në ajet për regjistrin e veprave është “ tâiru”, pra, diçka që ngrihet dhe fluturon në ajër. “ Tâiruhu” - thotë Ibn Abasi, Muxhahidi e të tjerë - janë veprat, që dalin prej robit në këtë jetë dhe ngrihen lart (dhe melekët i mbajnë shënim), si të mirat, ashtu edhe të këqijat, të cilat ai ka për t’i parë dhe për të cilat ai do të marrë shpërblimin e merituar. I Lavdëruari thotë:
“Kush ka bërë ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do të shohë. Gjithashtu, kush ka bërë ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do të shohë.” [Zelzele 7 - 8]. “Pa dyshim, mbi ju qëndrojnë rojet. Ata janë shkrues të ndershëm. Ata dinë gjithçka që bëni ju.” [Infitar 10 - 12]. “Ne e kemi krijuar njeriun dhe Ne dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete. Ne jemi më afër tij se damari i qafës së vet. Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. Njeriu nuk thotë ndonjë fjalë pa pasur pranë një regjistrues të gatshëm.” [Kaf 16 - 18]. “Digjuni në të! E duroni apo nuk e duroni, njësoj është për ju. Ky është i vetmi “shpërblim” për atë që e merituat me veprat tuaja.” [Tur 16]. Domethënë, të gjitha veprat e birit të Ademit janë të ruajtura e të shënuara me hollësi. Ato i shkruhen natën dhe ditën, në mëngjes e në mbrëmje, pra, në çdo kohë. - dhe në Ditën e Gjykimit, Ne do t’ia paraqitim atë si një libër të hapur. - Të gjitha veprat e tij do t’i mblidhen në një libër, i cili në Ditën e Kijametit do t’i jepet nga e djathta, nëse është prej fatlumëve punëmirë, ose nga e majta, nëse është prej fatzinjve punëkëqij. Vëreni me kujdes se si Allahu i Madhëruar e cilëson këtë libër “të hapur”. Domethënë, ai është i hapur, transparent, që mund të lexohet nga vetë i zoti i atyre punëve, por edhe të tjerët, që nga dita e parë e jetës së tij, deri në ditën e fundit të saj. Allahu i madhëruar thotë: “Atë Ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë. Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime. ” [Kijame 13 - 15]. Prandaj i madhëruari thotë në këtë ajet: - (çdokujt do t'i thuhet:) “Lexoje librin tënd! Sot mjafton të jesh vetë gjykues i vetvetes”. - Ti e di mirë se nuk të është bërë asnjë padrejtësi dhe se në këtë libër është shkruar veçse ajo që ti vetë ke bërë. Kështu, njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë në dynja, pa harruar asgjë. Çdokush do ta lexojë librin, pavarësisht në di të lexojë apo jo. Allahu i Madhëruar thotë: “...nuk kemi për t'ia ndarë nga qafa librin e tij (të veprave)...” Qafa është pjesë e pandashme e trupit, dhe kjo tregon se kur të varet diçka në qafë, ajo nuk ndahet prej teje, ashtu si qafa nuk ndahet nga robi. Meameri rrëfen se Hasen el Basriu lexoi njëherë fjalën e Allahut: “Dy melekë qëndrojnë pranë tij, në të djathtë dhe në të majtë. ” [Kaf 17] dhe e shpjegoi atë: “O biri i Ademit! Ta kam vendosur para teje librin dhe kam ngarkuar për ty dy melekë të nderuar: njëri nga e djathta jote e tjetri nga e majta. Ai që qëndron nga e djathta jote ruan e shënon veprat e tua të mira, ndërsa ai që qëndron nga e majta ruan e shkruan veprat e këqija. Atëherë, tani vepro si të duash, deri sa të të vijë vdekja, atë ditë kur do të mbyllet libri yt dhe do të vendoset me ty në varrin tënd! Ashtu do të qëndrojë, derisa të dalë në Ditën e Kijametit si një libër që do të të paraqitet i hapur e do të të thuhet: “Lexoje librin tënd! Sot mjafton të jesh vetë gjykues i vetvetes”.” Betohem në Allahun se është treguar i drejtë Ai që të bëri të llogarisësh vetveten!” Kjo është nga fjalët më të bukura të Hasenit, - Allahu e mëshiroftë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:13
Allahu na tregon këtu për drejtësinë e Tij absolute. Ai ia ka lidhur gjithësecilit librin e punëve në qafën e vet. Libri i veprave nuk i ndahet njeriut asnjëherë. Veprat e shënuara në të janë frytet e punës së tij dhe të askujt tjetër. Çdokush do të merret në përgjegjësi veçse për punët e veta. Ditën e Kijametit, në atë libër do të gjenden të gjitha veprat e tij, të mira e të këqija, të mëdha e të vogla.