17. Isra · Ajeti 15 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:9–17:22

Kur'ani është i vetmi udhëzim për rrugën më të drejtë e më të sigurt dhe rrëfyes për shpërblimet e ndëshkimet që do të pasojnë në bazë të veprave të bëra.

Njeriu në përgjithësi është i ngutshëm dhe, duke mos menduar për pasojat, ndodh që të lutet për keq, për vete apo për ndonjë tjetër të afërt e të dashur, por Zoti i madhëruar, nga mëshira e Tij nuk ia pranon lutjen për keq, duke e ditur se pas pak kohe do të pendohet pse është ngutur.

Vetëm mjeshtëria e përsosur e Zotit ka ditur ta errësojë natën për pushimin e njerëzve, e ta ndriçojë ditën për angazhimin e tyre për jetesë.

Jeta e njeriut i përngjanë fluturakës në relacion prej pikënisjes e deri në aterim. Gjatë atij relacioni shënohet gjithçka dhe ai shënim më vonë lexohet. Ashtu gjatë tërë jetës së njeriut mbahet shënimi i veprave që në ditën e gjykimit t'i lexojë ai vetë.

Secili njeri është përgjegjës i punës së vet, askush nuk do të shpërblehet prej punës së tjetrit, e as nuk do të ndëshkohet. Nëse dikush ka qenë iniciator i ndonjë pune e tradite të mirë, ai do të shpërblehet edhe prej punës së atyre që e punojnë atë, por në realitet ajo është punë edhe e iniciatorit, e kështu është edhe me iniciatorin e së keqes.

Zakonisht pasanikët, paria, njerëzit me pozitë janë ata që shkelin normat e Zotit, ngase e ndiejnë veten më të pavarur, andaj afër tyre i zë sherri edhe të tjerët, kur është fjala për këtë botë.

Të dhënat e Zotit nuk janë të kufizaura për palë njerëzish, ato janë të dedikuara për të gjithë njësoj, por duhet pasur kujdes në përgatitje për botën tjetër, për jetën e pasosur, pse të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë kalimtare, e nuk bën të humbet e përjetshmja për të përkohshmen. Edhe në këtë botë ekzistojnë dallime, dikush i pasur tjetri i varfër, dikush i dijshëm e tjetri jo aq. Kjo është një fshehtësi, të cilën nuk mund ta zbulojnë mendjet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:15

- Kush ndjek udhëzimin në rrugën e drejtë ka udhëzuar vetveten - Allahu i Lartësuar na njofton se çdokush që përqendrohet në udhëzimin e vërtetë dhe e pason atë duke ndjekur diturinë e sjellë nga Profeti, e bën për të mirën e vetes së tij. - dhe kush devijon ka devijuar veçse veten e vet. - Çdokush që devijon nga e vërteta dhe largohet nga rruga e drejtë, ai në fakt ka dëmtuar vetveten, sepse dënimi për ato vepra do të bjerë po mbi të. - Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit! - Askush nuk do të ndëshkohet për gjynahet e tjetrit, siç thotë i Lartësuari në një ajet

tjetër: “Askush nuk do të ngarkohet me barrën (gjynahet) e tjetrit. Edhe nëse i rënduari me gjynahe thërret ndonjë për t’ia bartur ato, askush nuk do të mund t'ia bartë ato, edhe nëse është nga të afërmit e tij. Ti mund t’u tërheqësh vërejtjen veçse atyre që e kanë frikë Zotin e tyre në fshehtësi dhe e falin rregullisht namazin. Kush e pastron veten, e ka për të mirën e vet dhe, në fund, tek Allahu do të kthehen të gjithë.” [Fatir 18]. Nuk ka kundërshti mes ajetit të mësipërm dhe fjalës tjetër të Allahut të Lartësuar: “ Ata do të bartin veç barrën e vet, e bashkë me atë të vetën edhe barrë të tjera, ndërsa Ditën e Kijametit do të japin llogari për atë që kanë trilluar.”. [Ankebut 13]. As me ajetin tjetër: “ Ata kanë për t’i bartur të plota gjynahet e veta në Ditën e Gjykimit e do të bartin edhe një pjesë të gjynaheve të atyre që i devijuan (nga e Vërteta), pa patur asnjë lloj diturie. Sa e keqe është ajo që do të bartin!” [Nahl 25]. Arsyeja është se ata që ftojnë njerëzit në rrugët e humbjes dhe devijimit, do të rëndohen jo vetëm nga pesha e gjynahut për humbjen e vetvetes, por edhe nga pesha e gjynaheve të atyre që i çojnë në devijim e humbje, pa iu pakësuar këtyre të fundit aspak prej peshës së gjynaheve të veta. Kjo është prej drejtësisë dhe mëshirës së Allahut për krijesat. Po për këtë tregon edhe fjala e Allahut: - Ne nuk kemi dënuar asnjë pa i sjellë të dërguar (resul). 208 - Allahu na tregon për drejtësinë e Tij të plotë dhe për faktin që Ai kurrë nuk ka ndëshkuar njeri pa i sjellë argumente e shenja të pakundërshtueshme nëpërmjet lajmëtarëve të Tij. Ai thotë në një ajet tjetër: “Nga zemërimi që ka, ai (Xhehennemi) gati sa nuk shpërthen! Sa herë që ndonjë turmë do të hidhet në të, roja do t’i pyesë: “A s’ju erdhi ndonjë paralajmërues?” Ata thonë: “Po, na erdhën paralajmërues (nga Zoti), por ne i mohuam e thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë, ndërsa ju nuk jeni gjë tjetër, por veçse njerëz në një humbje të madhe.” Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!” [Mulk 8, 9]. “ Ata që nuk besojnë do të sillen në Xhehenem grupe - grupe. Kur arrijnë tek ai, dyert e tij hapen dhe roja e tij do t’u thotë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, që t'ju lexonin shpalljet e Zotit tuaj dhe t'ju paralajmëronin për takimin tuaj në këtë ditë?!” Ata do të thonë: “Po”. Por vendimi i dënimit për jobesimtarët tashmë është bërë realitet! ” [Zumer 71]. “ Dhe atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë): “O Zoti ynë! Na nxirr (prej këtu). Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” Por, a nuk ju dhamë Ne jetë aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrete mësim dhe ju pati ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? Shijojini frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Fatir 37]. Ajete të tilla janë të shumta dhe të gjitha tregojnë se Allahu i Madhëruar nuk ndëshkon kurrë popujt, derisa të dërgojë ndër ta paralajmërues, që t’u kumtojnë ftesën dhe Shpalljen e Tij. Në Sahihun e Buhariut 209 vjen hadithi nga Ebu Hurejra (r.a.), i cili rrëfen se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1646. “Xheneti dhe Zjarri bënë fjalë... - dhe e tregon hadithin, derisa thotë: - “...sa për Xhenetin, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt prej krijesave të Tij. Ai krijon krijesa për në Zjarr. Kur ata hidhen atje, Zjarri thotë: “A ka më për të shtuar (tri herë)?” Hadithi vijon. Për sa i përket këtij transmetimi, në fakt, ai është sjellë e flet për Xhenetin, sepse ai është vendi i mirësisë dhe mëshirës së Zotit. Ndërsa Zjarri është vendi i zbatimit të drejtësisë së Zotit, sepse askush nuk hyn në të pa i ardhur argument i qartë. Disa hafizë e dijetarë të mëdhenj të hadithit kanë folur rreth kësaj pjese të hadithit dhe kanë shpjeguar se ky mund të jetë një ngatërrim a lapsus nga transmetuesi, mbështetur në hadithin tjetër në dy Sahih-ët, - dhe pikërisht në versionin e sjellë po nga Buhariu - prej Abdurrezak Ibn Meamerit, ky nga Humami, e ky nga Ebu Hurejra, që

rrëfen se Profeti i Allahut ka thënë: 1647. “Xheneti dhe Zjarri bëjnë fjalë. Zjarri thotë: 'Më është dhënë privilegji që unë të pres arrogantët dhe tiranët." Xheneti thotë: 'Ç'është me mua?! Pse vetëm të dobëtit dhe të përulurit hyjnë tek unë?!' Atëherë, Allahu, i Lartësuari me Madhështi, më i Larti, i tha Xhenetit: “Ti je Mëshira Ime dhe Unë mëshiroj me ty kë të dua nga robërit e Mi.” Pastaj i tha Zjarrit: “Ti je ndëshkimi Im dhe Unë ndëshkoj me ty kë të dua nga robërit e Mi. Secili prej jush do të ketë pjesën e vet për t'u mbushur.” Sa për Zjarrin, ai nuk do të mbushet plotësisht, derisa Allahu të vendosë Këmbën e Tij mbi të dhe ai të thotë: “Mjaft! Mjaft! Mjaft!” Atëherë, ai do të mbushet dhe anët e tij do të ngjeshen e do të afrohen pranë njëra - tjetrës. Allahu, i Lartësuari, Madhështori, nuk i bën padrejtësi askujt nga krijesat e Veta. Sa për Xhenetin, Allahu Krenar dhe i Lartësuar do të bëjë krijesa të reja për ta mbushur atë.” Është edhe një çështje për të cilën imamët e mëdhenj të diturisë (Allahu i mëshiroftë!) kanë dhënë mendime të ndryshme, si në të shkuarën, ashtu edhe në të tashmen. Bëhet fjalë për fëmijët, të cilët kanë vdekur të vegjël (pa mbushur moshën e përgjegjësisë ligjore), me prindër jomuslimanë. Çfarë do të bëhet me këta fëmijë? Po kështu diskutohet edhe për të sëmurët mendorë (të papërgjegjshëm ligjërisht) dhe për ata që kanë vdekur në kohët kur nuk kishte profet ose që nuk u ka shkuar ftesa për besim, ose ata që nuk arrijnë të dëgjojnë e mësojnë gjë për të vërtetën, si një shurdhmemec apo një plak në moshë të thyer, që nuk kupton gjë nga ajo që i thuhet. Ne do të sjellim hadithet dhe një përmbledhje të shkurtër të opinioneve të imamëve e dijetarëve, në lidhje me këtë çështje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga El Esued Ibn Seria se Profeti i Allahut ka thënë: 1648. “Katër kategori njerëzish do të kërkojnë të arsyetohen përpara Zotit Ditën e Kijametit: Një i shurdhër, që nuk ka dëgjuar kurrë, një i sëmurë mendor, që nuk është i përgjegjshëm ligjërisht, një tjetër shumë i plakur (që s’kupton asgjë që i thuhet) dhe një person që ka vdekur në një kohë kur nuk ka pasur profetë dhe nuk i ka vajtur ftesa e Islamit. Për sa i përket të shurdhërit, ai do të thotë: “O Zoti im, kur erdhi Islami, unë nuk dëgjoja asgjë!” I sëmuri mendor do të thotë: “O Zot, kur erdhi Islami, fëmijët më gjuanin me bajga!” Ndërsa plaku i shtyrë në moshë do të thotë: “O Zot, kur erdhi Islami, unë nuk arrija që të kuptoja asgjë!” Ndërsa ai i cili ka vdekur gjatë kohës kur nuk kishte profetë dhe që nuk i ka shkuar ftesa e Islamit do të thotë: “Zoti im, tek unë nuk erdhi asnjë profet, që të më merrte besën për t’ju bindur atij.” Atëherë, këtyre Allahu i Lartësuar u jep urdhër duke u thënë: “Hyni në zjarr!” Betohem për Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nëse ata do të hyjnë në të, ai do të jetë për ta freski dhe paqe!” Përcillet me isnad të lidhur nga Katadja deri tek Ebu Hurejra një hadith i ngjashëm, përveç faktit se në fund të hadithit, ai thotë 1649. “Kush hyn në të (zjarr), ai do të jetë freski dhe paqe për të. Ndërsa ai që nuk do të hyjë në të, do të tërhiqet drejt zjarrit.” El Hafidh Ebu Jala el Meusilij përcjell ng a Bera el Azibi, se ka rrëyer: 1650. “Profeti i Allahut u pyet rreth fëmijëve të muslimanëve. Ai tha: “Ata do të jenë me prindërit e tyre.” Kur u pyet për fëmijët e idhujtarëve, tha: “Ata do të jenë me prindërit e tyre.” Njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut! Po çfarë kanë bërë ata?” Profeti ﷺ tha: “Allahu është më i ditur për punët e tyre.” Hisham Ibn Amari përcjell me senedin e tij deri tek Muadh Ibn Xhebeli, i cili transmeton nga Profeti i Allahut: 1651. “Ditën e Kijametit do të vijë një person që nuk ka pasur mend dhe logjikë, një tjetër që ka vdekur gjatë kohës kur nuk kishte profetë dhe që nuk i ka mbërritur ftesa e Islamit dhe dikush që ka vdekur në moshë të vogël, pa mbushur moshën e përgjegjësisë ligjore. I çmenduri do të thotë: “O Zot, nëse do të më jepje mendje, nuk do të kishte më të lumtur dhe fatbardhë se unë...” Dhe hadithi vijon me të tre kategoritë. Atëherë, Zoti Krenar dhe i

Lartësuar thotë: “Unë kam për t’ju dhënë një urdhër! A do të më bindeni?” Ata do të thonë: “Po!” Allahu i Madhëruar do të thotë: “Shkoni dhe hyni në zjarr!” Nëse ata do të hyjnë në të, - thotë transmetuesi - ai nuk do t’i dëmtojë aspak. Atëherë, para tyre dalin grupe të mëdha njerëzish dhe ata mendojnë se ai (zjarri) ka shkatërruar gjithçka që ka krijuar Allahu dhe kthehen e ikin me të shpejtë. Pastaj Ai i urdhëron për herë të dytë e ata përsëri kthehen. Atëherë, Allahu Krenar dhe i Lartësuar thotë: “Që para se t’ju krijoja, e dija mirë se çfarë do të bënit ju. Me këtë dituri që kisha rreth jush, ju krijova dhe po sipas diturisë time do të përfundoni!” Dhe ata i rrëmben zjarri.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1652. “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër (islame), por prindërit e tij e kthejnë atë në hebre, të krishterë apo mexhus.” Në një transmetim thuhet: 1653. “O i Dërguari i Allahut, po ai vdes në moshë të vogël?” Profeti ﷺ tha: “Allahu e di shumë mirë se çfarë do të bënim ata.” Imam Ahmedi sjell thënien nga Musa Ibn Daudi, me senedin e tij nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti i Allahut, - me aq sa di unë (thotë Musa në dyshim e sipër) - ka thënë: 16 54. “Fëmijët e muslimanëve janë në Xhenet dhe nën kujdesin e Ibrahimit (a.s)” Ndërsa në Sahih-un e Muslimit është hadithi nga Profeti i Allahut, i cili përcjell nga Allahu Krenar dhe i Lartësuar se Ai ka thënë: 1655. “Unë i krijova robërit e Mi si besimdrejtë (hunefa) - ndërsa në një transmetim tjetër: “Unë i krijova robërit e Mi muslimanë...”, pra, muslimanë e të dorëzuar ndaj Meje. El Hafith Ebu Bekër El Berkani në librin e tij: “El Mustehraxh ala sahih El Buharij” 210 sjell hadithin e Auf el Arabit, me senedin e tij deri tek Semrate (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se Profeti ﷺ ka thënë: 1656. “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër.” Njerëzit iu drejtuan Profetit dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Po fëmijët e idhujtarëve?” - “Edhe fëmijët e idhujtarëve”, - tha Profeti . Taberaniu sjell hadithin nga Semrate: 1657. “E pyetëm njëherë të Dërguarin e Allahut rreth fëmijëve të idhujtarëve dhe ai tha: “Ata do të jenë shërbëtorët e banorëve të Xhenetit.”Ahmedi sjell hadithin nga Hansa Bint Muauije, e cila përcjell nga Beni Suejmi, e cila ka thënë se i ka treguar xhaxhai: 1658. “E pyeta njëherë Profetin ﷺ : “O i Dërguari i Allahut! Kush do të jetë në Xhenet?” Ai tha: “Profeti është në Xhenet, dëshmori është në Xhenet, fëmijët janë në Xhenet, edhe ata fëmijë që janë varrosur të gjallë në kohën e injorancës paraislamike janë në Xhenet.” Disa dijetarë janë frenuar dhe nuk kanë dhënë gjykim rreth fëmijëve, pra, rreth kategorive të përmendura pikërisht në hadithin e mësipërm. Disa prej tyre kanë gjykuar në mënyrë të prerë dhe të sigurt se ata do të jenë në Xhenet, për shkak të hadithit të Semrate Ibn Xhundubit në Sahih-un e Buhariut, në të cilin thuhet se Profeti ﷺ pa në ëndërr se kaloi pranë një burri të moshuar, që ishte ulur nën një pemë dhe rreth tij kishte fëmijë të vegjël. Ndër të tjera, në këtë hadith thuhet: 1659. “... Xhibrili i tha Profetit ﷺ se ai ishte Ibrahimi (a.s) dhe ata ishin fëmijët e muslimanëve dhe fëmijët e idhujtarëve, që kanë vdekur të vegjël. E pyetën njerëzit: “O i Dërguari i Allahut, edhe fëmijët e idhujtarëve?” Ai tha: “Po, edhe fëmijët e idhujtarëve.” Disa të tjerë kanë gjykuar prerazi se fëmijët e idhujtarëve do të jenë në Zjarr, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Ata do të jenë me prindërit e tyre.” Dijetarë të tjerë kanë dhënë mendimin se ata do të sprovohen Ditën e Kijametit, në hapësirat e Ditës së Ringjalljes. Ata të cilët do t’i binden urdhërit të Allahut do të hyjnë në Xhenet, dhe kështu do të zbulohet ajo që Allahu e dinte që më parë, për ata që do të ishin të lumturit. Ata të cilët nuk do t’i binden urdhrit të Allahut do të hyjnë në Zjarr, dhe kështu do të zbulohet ajo që Allahu e dinte që më parë, për ata që do të ishin të humbur dhe të pabindur. Ky mendim, në fakt, i përmbledh dhe i përdor të gjitha argumentet që janë sjellë për këtë

çështje. Kështu, edhe hadithet që u përmendën më parë mbështesin, forcojnë dhe shpjegojnë njëri tjetrin. Pikërisht këtë qëndrim ka përmendur shejh Ebu Hasen Ali Ibn Ismail el Eshariu si mendim të Ehli Suneh el Xhematit . Këtë qasje e ka mbështetur Hafiz Ebu Bekër el Bejhakiu në librin e tij “ El Itikad ”, por edhe dijetarë, hafizë dhe studiues të tjerë të Islamit. Le të mësohet se mendimet e ndryshme janë shprehur vetëm në lidhje me fëmijët e idhujtarëve. Ndërsa për sa u përket fëmijëve të besimtarëve, pra, ata që kanë vdekur të vegjël, nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se ata do të jenë prej banorëve të Xhenetit. Ky është mendimi më i përhapur e më i njohur. Ky është edhe mendimi që ne e mbështesim, - në dashtë Allahu Krenar dhe i Lartësuar!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:15

Qoftë udhëzimi, qoftë humbja është çështje personale e secilit, se askush nuk ka për t’u ngarkuar me përgjegjësinë e tjetrit. Askush nuk mund të largojë prej tjetrit ndonjë të keqe e ta shpëtojë prej saj. Allahu i Madhëruar është më i drejti i të drejtëve. Ai nuk ndëshkon asnjë, derisa t’ia ketë qartësuar argumentet përmes profetëve e shpalljeve. Pas kësaj, kushdo që tregohet kryeneç e mendjemadh meriton ndëshkimin e të Drejtit. Ndërsa ai që nuk u bindet argumenteve për shkak se nuk i janë qartësuar argumentet e Zotit, nuk ka për t’u ndëshkuar. Me këtë ajet argumentohen ata që thonë se njerëzit që kanë jetuar në periudha që nuk kanë pasur profetë e udhëzues, si dhe fëmijët e idhujtarëve që kanë vdekur para arritjes së moshës së pjekurisë, Allahu nuk i ndëshkon, por do t’i sprovojë ata Ditën e Gjykimit, duke u dërguar profetë në atë kohë. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt.

← Isra 17:15