17. Isra · Ajeti 25 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:23–17:39
Pesha e rëndësisë së respektit ndaj prindërve, vërehet në atë se Zoti xh. sh. ka kërkuar menjëherë pas adhurimit ndaj Tij, respektimin ndaj prindërve. Kujdesi ndaj tyre kërkohet sidomos kur ata përjetojnë pleqërinë dhe bëhen të paaftë. Nuk lejohet kurrsesi ndonjë fjalë e rëndë që i prek ata, e veçanërisht kur ajo ka për qëllim hidhërimin e tyre.
Kërkohet kujdes edhe ndaj të afërmve, të varfërve dhe ndonjë të mbeturi në rrugë, e nëse nuk ka njeriu me çka t'u ndihmojë, atëherë ata duhet përcjellë me fjalë të mira.
Shpenzimet e panevojshme janë të ndaluara, e posaçërisht ato të kota që nuk i sjellin dobi askujt, ose ato në rrugë të këqija, sepse me ato shpenzime ndihmohet rruga e shejtanit.
Njeriu nuk duhet të jetë koprrac, por jo edhe tepër shpenzues. Thuhet se një grua e dërgon vajzën e vet të kërkojë nga Pejgamberi herkën - xhyben e tij, e derisa atë nuk e pati, ia dha këmishën e vet, por mbeti ulur në shtëpi dhe nuk mundi të dalë për namaz në xhami. Ky ishte shkaku i shpalljes së këtij ajeti.
Nga frika se do të varfërohen, që do të thotë se ende nuk i kishte kapur varfëria, disa xhahila arabë mbytnin vajzat e posalindura.
Furnizimi (rrizku) është i garantuar prej Zotit, Ai sipas dijes së Vet u jep njerëzve aq sa duhet.
Zinaja - kurvënia është ves i ndytë dhe shtazarak, me pasoja të mëdha.
Kujdestari, trashëgimtari i të mbyturit pa faj, ka të drejtë të kërkojë përmes drejtësisë hakmarrjen: të mbytet — — fajtori, të paguajë gjakun ose t'ia falë. Këtë të drejtë ia ka dhënë Zoti, andaj ai nuk ka të drejtë të tejkalojë kufijtë e drejtësisë.
Ndaj pasurisë së jetimit duhet pasur kujdes, duhet ruajtur atë dhe brenda mundësive edhe duhet shtuar.
Tregtarët kanë përgjegjësi të madhe nëse bëjnë hile në matjen dhe në peshimin e gjësendeve.
Mos thuaj e pashë, pa e parë mirë, e dëgjova ose di pa e ditur mirë, pse për gjithë këtë ke përgjegjësi para Zotit.
Mendjemadhësia është e urrejtur edhe prej njerëzve edhe prej Zotit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:25
- Zoti juaj e di më së miri atë që fshihni brenda shpirtit tuaj. - Seid Ibn Xhubejri shpjegon: “Është fjala për pers onin që nxiton të bëjë diçka (në dukje e keqe) me prindërit e vet, por, për shkak të qëllimit (të mirë) dhe asaj që gjendet në zemrën e tij, nuk merret në përgjegjësi për atë vepër. - Në një transmetim tjetër thuhet: “... dhe me atë veprim dëshiron veçse të mirën.” - Prandaj i Lartësuari thotë: “Zoti juaj e di më së miri atë që fshihni brenda shpirtit tuaj.” - Nëse jeni bamirës, atëherë (dijeni se) Ai është Falës i Madh ndaj atyre që pendohen. - Janë ata që bëjnë gjynah, e pastaj pendohen, pastaj përsëri bëjnë gjynah, e pastaj pendohen. Kështu ka thënë Seid Ibn Musejibi. Abdurrezaku citon Ubejd Ibn Umejrin, i cili ka thënë: “Ne e konsideronim si pendestar e të ruajtur (Euuâb el hafidh ) dikë që thoshte: “ Allahummegfir li mâ esabtu fi mexhlisi hadhâ !” (O Allah, më fal gabimet që kam bërë gjatë këtij tubimi!) Ibn Xheriri ka thënë: “Është fjala për atë që pendohet për gjynahet që ka bërë, ai që gjithmonë largohet nga gjynahet e mosbindja, për t’u futur në rrugën e adhurimit e bindjes ndaj Allahut.” Në fakt, ky është shpjegimi i saktë, sepse fjala “ el euuâb” rrjedh nga “ el eubu”, që ka kuptimin “kthim nga diçka”, siç vjen në fjalën e Allahut: “ Pa dyshim, tek Ne është kthimi i tyre ( ijâbehum).” [Gashije 25]. Në një hadith të saktë thuhet: 1667. “Kur Profeti i Allahut kthehej nga ndonjë udhëtim, thoshte: “ Ajibune (të kthyer ), tâibûne (të penduar), âbidûne (si adhurues të Tij), li rab-binâ ĥâmidûn (si lavdërues e mirënjohës ndaj Zotit tonë).” Në këtë tekst, fjalët ijâbehum dhe âjibune janë me të njëjtën prejardhje, pra, vijnë nga el eubu.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:25
- Zoti juaj e di më së miri atë që fshihni brenda shpirtit tuaj. - Zoti juaj vështron të
fshehtat tuaja, të mira apo të këqija qofshin. Ai nuk sheh veç punët e dukshme, por vështron edhe atë që gjendet brenda zemrave tuaja, qoftë ajo e mirësi ose e ligë. - Nëse jeni bamirës, atëherë (dijeni se) Ai është Falës i Madh ndaj atyre që pendohen. - Nëse qëllimi juaj është për të kënaqur Allahun dhe nëse synoni ato punë që ju afrojnë tek Ai, kjo dëshmon për mirësinë tuaj. Është e rëndësishme që Allahu të mos shohë në zemrën tuaj qëllime të liga, prandaj mos i lejoni ato që të jenë të vazhdueshme e t’ju zënë rrënjë në zemër. Qëllimi juaj i vazhdueshëm të jetë vetëm Zoti e kënaqësia e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: "Ai është Falës i Madh ndaj atyre që pendohen." Këta janë ata që kthehen drejt Zotit të penduar në çdo kohë dhe gjendje. Nëse Zoti sheh dëshirën tuaj të vazhdueshme për t'u kthyer tek Ai të nënshtruar dhe të penduar, nëse sheh dashurinë për Të dhe për çdo punë që të afron tek Ai, atëherë Ai do t'ju falë dhe mbulojë gabimet tuaja, që janë fryt i natyrës njerëzore. Allahu i fal gabimet kalimtare, që nuk janë të vazhdueshme.