17. Isra · Ajeti 40 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:40–17:48

Idhujtarët i urrenin për vete vajzat, e engjëjt që sipas mendimit të tyre ishin femra, ia përshkruanin Zotit bija. Edhe pse Kur'ani u solli atyre shembuj të llojllojshëm për mëvetësinë e Zotit, ata zota, do t'ia merrnin pushtetin Atij, por ata nuk ishin asgjë.

Nuk ka qenie as send që nuk e adhuron Zotin, që nuk ia njeh Madhërinë e Tij, që nuk vërteton mëvetësinë e Tij, por derisa ato adhurime nuk janë në gjuhën e njerëzve, ata nuk i kuptojnë. Zotin e madhërojnë: qiejt me kaltërsinë e tyre, bimët me gjelbërimin tyre, uji me gurgullimin e tij, shpezët me këngën e tyre, dielli me lindjen e me perëndimin e tij, retë me shiun e tyre, të gjitha këto shprehin Madhërinë, fuqinë, urtësinë e Tij.

Kundërshtarët shkonin dhe e dëgjonin Muhammedin kur ai lexonte Kur'an, por me qëllim të keq, sepse përpiqeshin ta përqeshnin më vonë dhe të bënin tallje me të, e kur përmendej në Kur'an se vetëm një Zot është e nuk ka tjetër, kur mohoheshin rrënjësisht Zotat e tyre, ata nuk mund të duronin, andaj sa mundnin iknin larg e më larg, sikur dreqi që ikën prej ezanit. Ku ta dimë, u kishte hyrë në gjak mohimi, andaj as zemrat e tyre nuk kuptonin, e as veshët e tyre nuk dëgjonin, përkundrazi, ata përpiqeshin ta diskualifikonin Muhammedin duke i thënë: sa i çmendur, sa poet, sa i magjepsur etj., por Zoti i dinte më së miri ato intriga të tyre, kurse Muhammedin e forconte.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:40

Allahu i Lavdëruar hedh poshtë shpifjet e idhujtarëve, që thoshin se melekët janë bijat e Allahut. Allahu i mallkoftë! Fillimisht ata shpifën se melekët e Zotit janë femra, pastaj shpifën duke thënë se janë bijat e Tij dhe më pas i adhuruan ata. Kështu, ata gabuan tri herë, duke bërë një padrejtësi shumë të madhe. Duke kundërshtuar e kërcënuar ata, Allahu i Madhëruar thotë: - A mos ju dalloi Zoti juaj me djem e për vete zgjodhi melekë që ju i mendoni femra? - Mos vallë, ju dalloi ju me djem dhe për vete zgjodhi, - siç pretendoni - fëmijë femra?! Pastaj Allahu i Madhëruar e forcon edhe më shumë qortimin për këtë vepër: - Ju jeni duke thënë fjalë (trillime) vërtet të mëdha. - E para, ju trilloni se Allahu ka fëmijë. Pastaj shpifni duke mëtuar se Ai ka zgjedhur për Veten fëmijët femra, të cilat ju i urreni e nuk i pranoni për veten tuaj, madje ndodhte që i vrisnit, duke i varrosur të gjalla. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ A mendoni se meshkujt janë tuajt e të Atij femrat? Atëherë, kjo është një ndarje vërtetë e padrejtë. ” [Nexhm 22]. Gjithashtu: “Ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka bir!”. Vërtet, ju keni thënë një fjalë shumë të shëmtuar. Qiejt janë gati të copëtohen, toka është gati të çahet dhe malet janë gati të shemben e të thërrmohen nga ajo (shpifje), që trilluan se i Gjithëmëshirshmi ka bir. Të Gjithëmëshir - shmit nuk i shkon të ketë fëmijë. Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur të Gjithëmëshirshmit si rob. Me diturinë e vet, Ai i ka përfshirë të gjitha dhe i ka numëruar (e shënuar) të gjitha në mënyrë të saktë. Ditën e Kijametit, çdokush do t’i paraqitet Atij i vetmuar.” [Merjem 88 - 95].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:40

Ky është një mohim e qortim i fortë kundër atyre që shpifën se Allahu ka zgjedhur që disa prej krijesave të Tij të jenë bija të Tij. Ai u drejtohet këtyre trilluesve e mashtruesve, duke u thënë: - A mos ju dalloi Zoti juaj me djem e për vete zgjodhi melekë që ju i mendoni femra? – Mos, vallë, ju dalloi ju, duke ju dhënë fëmijë meshkuj, që janë më të preferuar për ju, dhe për vete zgjodhi më pak të preferuarët, duke i bërë melekët femra?! Kështu pretendonin dhe shpifnin të paditurit, që melekët ishin femra dhe bija të Zotit. Por i Madhëruari ua hedh poshtë këtë, duke thënë: - Ju jeni duke thënë fjalë (trillime), vërtet të mëdha. - Me këto shpifje të shëmtuara, së pari, ju morët guximin të pretendonit se Zoti ka fëmijë, që do të thotë se ka nevojë për fëmijë edhe pse disa prej jush e quajnë mangësi pasjen e fëmijëve (siç bëjnë murgjit). Së dyti, pretenduat se Atij i takon lloji më pak i preferuar i fëmijëve, pra, femrat, ndërkohë që është Ai që ju ka bërë mirësi kur ju dhuron fëmijë meshkuj e

femra. I Lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet e trilluesve!

← Isra 17:40