17. Isra · Ajeti 49 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:49–17:60

Idhujtarëve u dukej e pamundur ringjallja, nuk donin të vërtetonin ngase do të duhej përgjigjur për veprat e tyre të ndyta, i andaj sikur habiteshin nga thëniet e Kur'anit për një ngjarje të tillë. Kur'ani u thotë: do të ringjalleni dhe do t'i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t'iu prezentuar Atij dhe atëherë do ta madhëroni Atë dhe do të kuptoni se kjo jetë ka qenë shumë e shkurtër, pos i është vonë. Besimtarët porositen të kenë kujdes për fjalën që e thonë, pse nëpërmjet fjalës së keqe, shejtani nxit armiqësi mes njerëzve, pra duhet ta ruajnë afërsinë mes vetes. Zoti e di më së miri se kush do të besojë e kush jo, e di se kë është dashur ta dërgojë pejgamber, cilin ta gradojë më shumë. Këto janë punë të Zotit, andaj Muhammedi është vetëm udhëzues, e nuk është në kompetencën e tij t'i bëjë njerëzit të besojnë. Përmendet Davudi ngase jehuditë patën thënë se nuk ka as pejgamber pas Musait as libër pas Tevratit.

Dikush adhuronte engjëjt, dikush Uzejrin, e dikush Isain, e nuk e dinin se vetë këta të adhuruar të përmendur, përpiqeshin të gjejnë rrugën më të mirë në lutjet e tyre për t'iu afruar sa më afër Zotit Krijues, përpiqeshin ta fitojnë mëshirën e Zotit dhe gjithnjë ia kishin frikën dënimit të Tij.

Jobesimtarët kërkonin mrekulli konkrete prej Muhammedit, e Zoti i thotë: "Ne nuk na pengon asgjë që të sjellim ty mrekulli, i por nëse mrekullia nuk respektohet, atëherë pason dënimi dhe shkatërrimi, sikurse i shkatërruam popujt e mëparshëm, e edhe ata Themud, popullin e Salihut, e popullin tënd, Muhammed, nuk do ta shkatërrojë me fenomene të natyrës, ata që nuk do të besojnë Ty, do të pësojnë disfatë prej besimtarëve të tu, ose do të mbeten të dënohen me zjarr në botën tjetër.

Zoti me dijen e Vet të pakufisme e di se kush do të besojë e kush jo, edhe sikur t'u sillte mrekullitë që i kërkuan. Disa prej tyre nuk besuan Miraxhin, e kur u tha Muhammedi se në xhehenem është një pemë që quhet "Zekkum",Ebu Xhehli bëri tallje dhe u tha kurejshitëve: Muhammedi po ju frikëson me pemën Zekum, a dini çka është Zekumi" Është hurma dhe ulliri, pastaj I thirri shërbëtoren t'ju sillte dhe të ushqehen me to në shenjë talljeje. Kjo pemë e mallkuar është e përmendur në Kur'an i si ushqim i atyre që do të jenë në xhehenem, e që do t'u copëtojë mushkëritë ngrënia e saj. E qe, nuk besuan mrekullitë e Pejgamberit, pse shejtani gjithnjë i ka mashtruar njerëzit, ngase është betuar se është armik i tyre.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:49–17:52

Allahu i Lartësuar flet për mohuesit, të cilët e shohin si diçka të largët e të pamundur ringjalljen dhe Ditën e Premtuar për llogarinë para Tij. - Ata thanë: “Mos vallë pasi të bëhemi eshtra të kalbura, dhé e pluhur, do të ringjallemi në një krijim të ri?” - Pasi të jemi zhdukur tërësisht në tokë, a do të kthehemi përsëri në jetë Ditën e Kijametit? Sikurse thotë në një ajet tjetër: “Ata (mohuesit) thonë: “A thua, do të bëhemi përsëri kështu si jemi, edhe pasi të jemi bërë eshtra të kalbura?!” Ata (mohuesit) thonë: “Atëherë, ai kthim do të jetë dëshpërues për ne!” [Naziat 10 - 12], ose: “Dhe Ai (njeriu) bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur? “Thuaj: “Do t'i ngjallë

Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur.” [Ja Sin 78, 79]. - Thuaj: “Po. Edhe sikur të ishit gurë a hekur... - të cilat janë më rezistente sesa kockat dhe trupi. - Ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe (ju do të ringjalleni) . - Ibn Abasi shpjegon: “Nëse pas vdekjes ju bëheni jo vetëm kocka e pluhur, por edhe sikur të bëheni gurë e hekur, Allahu ka për t’ju ringjallur. Madje, edhe sikur të ishit vetë vdekja, e cila është e kundërta e jetës , Allahu do t’ju bëjë të gjallë, nëse dëshiron dhe kur të dëshirojë. Nëse Ai dëshiron diçka, asgjë nuk mund ta pengojë atë.” - Ata do të thonë: “Kush do të na rikthejë (në jetë)?” - Pasi të jemi shndërruar në gurë hekur apo ndonjë send tjetër të fortë, kush është Ai që mund të na kthejë përsëri në jetë?! - Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë.” - Do t’ju kthejë Ai që ju krijoi kur ju nuk ishit asgjë që përmendej! Pas Ai ju krijoi, ju u bëtë njerëz të shumtë, që u shpërndatë në tokë. Ai është i plotpushtetshëm që t’ju rikthejë në jetë, në çfarëdo gjëje të jeni shndërruar. I Lavdëruari thotë: “ Është Ai që e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë, dhe ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të. Atij i takon përshkrimi më i lartë në qiej e në Tokë dhe Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” [Rum 27]. - Por ata do të tundin kokën - Ibnu Abasi dhe Ktadja shpjegojnë: “ Ata do të tundin kokën në shenjë talljeje.” Kjo është shumë e njohur në gjuhën arabe. - e do të thonë: “Kur do të ndodhë ajo (ringjallja)?” - Allahu na tregon rreth tyre, se sa larg e sa të pamundur e shohin ata këtë ndodhi, siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ata thonë: “Kur do të përmbushet ky premtim, nëse flisni të vërtetën?”” [Mulk 25]. Ose: “Ata që nuk e besojnë atë (Kiametin), kërkojnë që ai të vijë sa më shpejt, ndërsa ata që i besojnë, i druhen atij çasti dhe janë të bindur se ai është i vërtetë. Ta dini se ata që bëjnë polemika, duke vënë në dyshim Ditën e Kiametit, janë në një humbje të thellë.” [Shura 18]. - Thuaj: “Ndoshta është afër.” - Kini kujdes dhe ruajuni, se ajo është shumë pranë dhe patjetër që ka për të ndodhur. - Ditën, kur Ai t'ju thërrasë - Ditën kur Zoti i Madhëruar do t’ju thërrasë që të dilni nga toka, askush nuk ka për ta kundërshtuar dhe nuk mund ta thyejë këtë urdhër. I Lartësuari thotë: “...Pastaj, kur Ai t’ju thërrasë me thirrjen e Tij (për ringjallje), ju menjëherë do të dilni prej tokës.” [Rum 25], dhe thotë: “Puna Jonë është e shpejtë, sa hap e mbyll sytë.” [Kamer 50]. Dhe thotë gjithashtu: “Ajo do të jetë një britmë e vetme, dhe ja, ata do t’ia behin mbi sipërfaqen e tokës. ” [Naziat 13, 14]. Pra ai do të jetë veçse një urdhër i vetëm, - dhe ju t'i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar ... - Që të gjithë do t’i përgjigjeni urdhrit të Tij. Atij i takon lavërimi, në të gjitha gjendjet. Në një hadith thuhet: 1688. “Për besimtarët e ‘ Lâ ilâhe il -l’Allâh’ nuk ka për të pasur vetmi e frikë në varret e tyre. Sikur i kam para syve besimtarët e “‘ Lâ ilâhe il-l’Allâh’, se si ata dalin nga varret e tyre, shkundin dheun nga kokat e tyre dhe thonë: ‘ Lâ ilâhe il -l’Allâh’.” Sipas një transmetimi tjetër, ata do të thonë: 16 89. “I lavdëruar qoftë Allahu, që na i largoi të gjitha brengat!” - do t'ju duket se qëndruat (në dynja) veçse për pak kohë. - Kur të ngriheni nga varret tuaja, do të mendoni se keni qëndruar në dynja veçse shumë pak kohë. I Lartësuari thotë: “Ditën kur ta përjetojnë atë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më shumë se një mbrëmje ose një mëngjes të saj.” [Naziat 46]. “Ditën kur do t'i fryhet Surit, Ne do t'i tubojmë keqbërësit të nxirosur. ” Ata i pëshpërisin njëri tjetrit: Nuk qëndruat (në Dunja) më shumë se dhjetë ditë. Ne e dimë shumë mirë çfarë do të flasin ata, kur më i mençuri prej tyre do të thotë: “Nuk qëndruat më shumë se një ditë!” [Ta Ha 102 - 104]. “Ditën kur të vijë Ora (e Gjykimit), (për t'u shfajsuar) keqbërësit do të betohen se nuk paskan qëndruar (në këtë Botë),

veçse një orë. Ja, kështu gënjenin ata edhe më parë (në dynja) .” [ Rum 55 ]. “Atyre do t'u thuhet: “E sa vjet keni qendruar në tokë?”Ata do të thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës. Por pyeti ata që dinë mbajnë llogari!” Pastaj do t'u thuhet: “Me të vërtetë keni qëndruar pak, veç sikur ta dinit!”” [Muminun 112 - 114].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:49–17:51

Allahu i Madhëruar na tregon rreth fjalëve të mashtruesve e mohuesve të ringjalljes, të cilët e shohin atë si diçka të largët dhe jo të vërtetë. - Ata thanë: “Mos vallë pasi të bëhemi eshtra të kalbura, dhé e pluhur, do të ringjallemi në një krijim të ri?” – Ata, të çuditur, sjellin si shembull trupat e të vdekurve, që janë tretur, për të treguar që është e pamundur ringjallja e tyre. Kështu ata tregojnë injorancën e tyre të thellë rreth argumenteve të Zotit. Ata tregojnë në këtë mënyrë se kanë mohuar Profetin, duke e quajtur atë gënjeshtar. Ata kështu kanë shpërfillur argumentet dhe faktet e shumta që tregojnë pushtetin absolut të Zotit, Krijuesit të qiejve dhe të Tokës. Me mendjelehtësinë e tyre, ata krahasojnë pushtetin e Krijuesit të qiejve dhe të tokës me fuqitë e tyre të dobëta dhe me pamundësinë e tyre si krijesa. Duke qenë se ringjallja është e pamundur të arrihet nga krijesat, atëherë edhe pushteti i Zotit duhet të jetë i tillë. Sa i dëlirë dhe i lartësuar është Zoti i gjithësisë! Si i afatizon këto krijesa që pretendojnë se janë të ditur e të mençur dhe sjellin të tillë shembuj, që në fakt janë tregues të injorancës së thellë, që nuk arrin të dallojë edhe çështjet më të shfaqura, më të qarta dhe faktet më të dukshme. Le ta shohin dhe le ta dinë të mençurit se asgjë nuk mund t’ua hapë sytë e ballit dhe të zemrës, përveç dritës së udhëzimit, që vetëm Zoti e ofron dhe e mundëson! Nëse të ka dhënë Zoti dritë, je i ndriçuar dhe i udhëzuar, e nëse jo, je i humbur dhe i devijuar. Prandaj duhet të lutemi vazhdimisht: "Rabena, la tuzig kulubena, bea'de idh hedejtena! Ue heb lena min ledunke rahmeten! Inneke entel Ueh -hab! (Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të devijojnë, pasi na drejtove! Na dhuro mëshirën Tënde! Pa dyshim, Ti je Dhuruesi i madh!). [Al Imran 8]. Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që t’u thotë mohuesve të ringjalljes: - Thuaju: “Po. Edhe sikur të ishit gurë a hekur, ose ndonjë krijesë që ju duket e madhe (ju do të ringjalleni) .” – Mendojeni veten si të dëshironi, prej çfarëdo gjëje që pandehni se nuk mund ta prekë fuqia e Zotit! Në çfarëdo gjëje të shndërroheni dhe çfarëdo gjendjeje të jeni, ju kurrë nuk keni për t’i shpëtuar kontrollit të Zotit. Madje, ju të mjerë nuk keni në dorë asnjë çështje, as në këtë botë e as në ahiret. Atëherë dëshmoni se pushteti dhe përkujdesja për çdo çështje është vetëm në dorën e Allahut, që është i plotpushtetshëm për gjithçka dhe ka përfshirë në diturinë e pushtetin e Tij gjithçka! Kur ti u sjell argumentet për vërtetësinë e ringjalljes, ata pyesin e thonë: - “Kush do të na rikthejë (në jetë) ?” Thuaj: “Ai që ju krijoi për të parën herë.” - Thuaju atyre se Ai që ju krijoi nga hiçi, pa asnjë shembull të mëparshëm dhe kur nuk ekzistonit fare, Ai ka për t’ju rikthyer me një krijim të ri. Ai thotë: “ Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë. ” [Enbija 104]. Por duke shprehur habinë dhe mosbesimin për atë që u thua rreth ringjalljes, ata thonë: - Por ata do të tundin kokën e do të thonë: “Kur do të ndodhë ajo (Ringjallja)?” - Kur do të ndodhë kjo ringjallje, që pretendon? Sigurisht, kjo është një shprehje e mendjelehtësisë së tyre, dhe jo një tregues se ata e pranojnë që ringjallja do të ndodhë. Ata e shtrojnë këtë pyetje nga pamundësia për ta mohuar të vërtetën, që është e thjeshtë për t’u kuptuar. - Thuaj: “Ndoshta është afër.” - Nuk ka ndonjë rëndësi në përcaktimin ose jo të kohës se kur do të ndodhë ajo. Ajo që është e rëndësishsme, është besimi se ringjallja do

të ndodhë, dhe për të duhet përgatitje. Çdo gjë që ka për të ardhur është afër.

← Isra 17:49