17. Isra · Ajeti 59 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:49–17:60
Idhujtarëve u dukej e pamundur ringjallja, nuk donin të vërtetonin ngase do të duhej përgjigjur për veprat e tyre të ndyta, i andaj sikur habiteshin nga thëniet e Kur'anit për një ngjarje të tillë. Kur'ani u thotë: do të ringjalleni dhe do t'i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t'iu prezentuar Atij dhe atëherë do ta madhëroni Atë dhe do të kuptoni se kjo jetë ka qenë shumë e shkurtër, pos i është vonë. Besimtarët porositen të kenë kujdes për fjalën që e thonë, pse nëpërmjet fjalës së keqe, shejtani nxit armiqësi mes njerëzve, pra duhet ta ruajnë afërsinë mes vetes. Zoti e di më së miri se kush do të besojë e kush jo, e di se kë është dashur ta dërgojë pejgamber, cilin ta gradojë më shumë. Këto janë punë të Zotit, andaj Muhammedi është vetëm udhëzues, e nuk është në kompetencën e tij t'i bëjë njerëzit të besojnë. Përmendet Davudi ngase jehuditë patën thënë se nuk ka as pejgamber pas Musait as libër pas Tevratit.
Dikush adhuronte engjëjt, dikush Uzejrin, e dikush Isain, e nuk e dinin se vetë këta të adhuruar të përmendur, përpiqeshin të gjejnë rrugën më të mirë në lutjet e tyre për t'iu afruar sa më afër Zotit Krijues, përpiqeshin ta fitojnë mëshirën e Zotit dhe gjithnjë ia kishin frikën dënimit të Tij.
Jobesimtarët kërkonin mrekulli konkrete prej Muhammedit, e Zoti i thotë: "Ne nuk na pengon asgjë që të sjellim ty mrekulli, i por nëse mrekullia nuk respektohet, atëherë pason dënimi dhe shkatërrimi, sikurse i shkatërruam popujt e mëparshëm, e edhe ata Themud, popullin e Salihut, e popullin tënd, Muhammed, nuk do ta shkatërrojë me fenomene të natyrës, ata që nuk do të besojnë Ty, do të pësojnë disfatë prej besimtarëve të tu, ose do të mbeten të dënohen me zjarr në botën tjetër.
Zoti me dijen e Vet të pakufisme e di se kush do të besojë e kush jo, edhe sikur t'u sillte mrekullitë që i kërkuan. Disa prej tyre nuk besuan Miraxhin, e kur u tha Muhammedi se në xhehenem është një pemë që quhet "Zekkum",Ebu Xhehli bëri tallje dhe u tha kurejshitëve: Muhammedi po ju frikëson me pemën Zekum, a dini çka është Zekumi" Është hurma dhe ulliri, pastaj I thirri shërbëtoren t'ju sillte dhe të ushqehen me to në shenjë talljeje. Kjo pemë e mallkuar është e përmendur në Kur'an i si ushqim i atyre që do të jenë në xhehenem, e që do t'u copëtojë mushkëritë ngrënia e saj. E qe, nuk besuan mrekullitë e Pejgamberit, pse shejtani gjithnjë i ka mashtruar njerëzit, ngase është betuar se është armik i tyre.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:59
- Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim shenja, por popujt e parë i mohuan ato. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili trego n: 1692. “Kurejshët i thanë Profetit: “Lute Zotin tënd, që ta kthejë në flori për ne kodrën Safa, dhe atëherë ne do të besojmë ty.” Ai tha: “Vërtet do ta bëni?” - “Po”, - thanë ata. Atëherë, Profeti u lut, por i erdhi Xhibrili dhe i tha: “Zoti yt të jep selam dhe të thotë: “Nëse dëshiron, Safa do të kthehet për ta në flori. Por kujdes! Kush mohon pas kësaj, Unë kam për ta ndëshkuar me një mënyrë, që nuk kam ndëshkuar asnjë në botë. E nëse ti dëshiron, Unë ua lë hapur portën e pendimit dhe mëshirës!” Profeti tha: “Zgjedh portën e pendimit dhe të mëshirës!” Hafidh Ebu Jeala sjell hadithin nga Umu Ata, shërbëtorja e Zubejr Ibn Auamit, një hadith më të gjatë me të njëjtin kuptim, përveçse në fund ajo shton: 1693. “...Betohem në Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, se Ai ma dha atë që i kërkova dhe nëse unë do ta pranoja, ashtu do të ndodhte. Në fakt, Ai më dha mundësinë të zgjidhja mes dy alternativave: të linte të hapur për ju portën e mëshirës, dhe kështu të besonte prej jush ai që do të besonte, ose t’ju jepte atë që kërkuat, dhe pastaj t’ju linte në mëshirën e asaj zgjedhjeje, dhe kështu të humbisnit portën e mëshirës dhe nga ju të mos besonte askush. Unë zgjodha portën e mëshirës, në mënyrë që të besojë ai që do të besojë. Ai më njoftoi se, nëse jua jep atë që ju kërkoni dhe më pas nuk besoni, Ai do t’ju ndëshkojë me një formë që nuk ka ndëshkuar asnjë në botë më parë. Atëherë, zbriti fjala e Allahut: “Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim shenja, por popujt e parë i mohuan ato.” Kuptimi: Allahu i Lartësuar nuk i solli ato shenja që kërkuan kurejshët, sepse popujt e shkuar mohuan sërish, edhe pasi iu dhanë ato shenja. Rregulli i Allahut ndër njerëz ka qenë që,
nëse ata mohojnë edhe pas dërgimit të mrekullive e shenjave që i kërkojnë vetë, ndëshkimi i përfshin menjëherë, siç thotë i Lartësuari: “Kujto kur dishepujt thanë: “O Isa, biri i Merjemes! A mundet Zoti yt të na zbresë një sofër nga qielli?” Ai u tha: “Kijeni frikë Allahun, nëse jeni besimtarë!” Ata thanë: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo, që të na qetësohen zemrat, të dimë me siguri të plotë se na ke thënë të vërtetën dhe të bëhemi dëshmitarë të saj!” Isai, biri i Merjemes, tha: “O Allah! O Zoti ynë! Zbritna nga qielli një sofër, që të jetë festë për ne dhe për ata pas nesh dhe të jetë Shenjë prej Teje! Na dhuro, sepse Ti je Furnizuesi më i mirë!” Allahu tha: “Unë do t'jua zbres (Sofrën). Por nëse dikush prej jush mohon pas kësaj, Unë kam për ta ndëshkuar atë ashtu siç nuk kam ndëshkuar askënd prej njerëzve.”. ’ [Maide 112 -115]. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon për popullin e Themudit, kur ata i kërkuan si shenjë e mrekulli, që ai t’u nxirrte një deve nga shkëmbi që ata e përcaktuan. Salihu e luti Zotin që t’ua sillte këtë shenjë dhe, vërtet, prej shkëmbit doli ajo që kërkuan. Megjithatë, ata u treguan të padrejtë dhe përsëri vazhduan të mohonin Profetin e tyre dhe e vranë devenë. Atëherë, Profeti i tyre u tha: “Por ata e therën atë, prandaj ai u tha: “Kënaquni në shtëpitë tuaja për tri ditë (para dënimit tuaj)! Ky është një kërcënim i vërtetë e jo gënjeshtër.” [Hud 65]. - Ne i dhamë Themudit devenë si një shenjë të qartë, por ata e mohuan atë. - Ajo shenjë tregonte qartë për Krijuesin, se Ai është Një i vetëm, si dhe për vërtetësinë e Profetit, të cilit iu plotësua lutja për sjelljen e asaj shenje. Por ata u treguan të këqij dhe nuk e pranuan atë shenjë, madje e pengonin devenë të pinte ujë, derisa e vranë fare. Atëherë, Allahu i Lavdëruar i shfarosi nga i pari deri tek i fundit, duke i ndëshkuar ashtu siç di të ndëshkojë Ngadhënjimtari i Plotpushtetshëm. - Shenjat Ne i dërgojmë si paralajmërim (për t'u larguar nga e keqja) . - Kadadja shpjegon: Allahu i Lartësuar i frikëson robërit me shenja të ndryshme, që ata të marrin mësim, të përkujtojnë atë që u bën dobi dhe të kthejnë rrugë sa nuk është vonë. Prandaj Profeti i Allahut ka thënë: “Me të vërtetë, dielli dhe hëna janë nga shenjat e (madhështisë së) Allahut dhe ato nuk eklipsohen për shkak të vdekjes apo lindjes së dikujt, por Allahu frikëson nëpërmjet tyre robërit e vet. Nëse shikoni këtë, atëherë nxitoni për të përmendur Zotin për t’iu lutur Atij dhe për t’i kërkuar falje!” pastaj tha: “O Umeti i Muhamedit! Nuk ka më xheloz se Allahu kur robi i tij bën imoralitet dhe kur robëresha e tij bën imoralitet. “O Umeti i Muhamedit! Sikur ta dinit atë që unë di, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.” [Buhariu dhe Muslimi]. Na është treguar se, kur Kufa u trondit njëherë nga një tërmet në kohën e Abdullah Ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ai tha: “O njerëz! Zoti juaj po ju paralajmëron, që të pendoheni e të ktheni rrugë, prandaj pendohuni tek Ai!” Po kështu është përmendur se, kur Medina u trondit njëherë në kohën e Omer Ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ai tha: “Betohem në Allahun se ju duhet të keni bërë diçka! Nëse bie sërish tërmet, atëherë do të bëj kështu e ashtu...”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:59
Allahu i Lartësuar tregon për mëshirën e Tij të madhe për krijesat. Ai nuk ua plotësonte kundërshtarëve kërkesat e tyre për mrekullitë që ata kërkonin, dhe këtë e bënte nga mëshira e Tij. Ai thotë: - Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim Shenja, por popujt e parë i përgënjeshtruan ato. - Ai nuk i sillte mrekullitë që kërkonin ata, sepse ata përsëri do t’i mohonin, dhe kështu mbi ta do të godiste i dhembshëm ndëshkimi pa asnjë vonesë, ashtu sikurse ndodhi edhe me popujt më të hershëm, të cilët mohonin dhe përbuznin mrekullitë e sjella prej Tij. - Ne i dhamë Themudit devenë si një Shenjë të qartë, por ata e mohuan atë. - Ndër shenjat më të mëdha ishte ajo që Allahu solli si plotësim i kërkesës së popullit të Themudit. Ajo ishte një deve e madhe dhe e mahnitshme. Me qumështin e saj ushqehej një popull i tërë. Megjithatë, ata e mohuan atë si mrekulli të Zotit, prandaj i goditi ajo që Zoti e ka treguar në Librin e Tij. Po kështu do të ndodhte me umetin e fundit, nëse do t’u vinin argumentet më të mëdha e të pashembullta dhe ata nuk do të besonin. Duhet të jemi të bindur për një fakt shumë të rëndësishëm: jobesimtarët nuk i kanë mohuar mrekullitë që Zoti solli nëpërmjet profetëve se ato ishin të paqarta apo se të linin mëdyshje a ishin të vërteta apo jo. Jo, ata nuk kishin asnjë dyshim në vërtetësinë e atyre shenjave e mrekullive. Profetët sollën prej Zotit aq shumë fakte e argumente, saqë ishin të mjaftueshme për udhëzimin e atyre që kërkonin e synonin udhëzimin. Të gjitha shenjat e Zotit janë të ngjashme, për sa i përket madhështisë dhe mjaftueshmërinë së tyre si fakte për ata që dëshirojnë e synojnë dritën e udhëzimit. Ai që dëshiron dritën e Zotit do ta shohë atë si me njërën mrekulli, ashtu edhe me tjetrën. Ndërsa ai që nuk do që ta shohë dritën, s’ka për ta parë atë, as me njërën e as me tjetrën shenjë e mrekulli që ai kërkon. Duke qenë kështu, moszbritja e shenjave të kërkuara nga jobesimtarët është më e mirë sesa zbritja e tyre; kjo është më e dobishme për të gjithë. Pastaj duhet të mendojmë me kujdes edhe në një fakt tjetër, shumë të domosdoshëm për t’u kuptuar: zbritja e shenjave ka një qëllim ne vetvete, që Zoti na i shpjegon dhe thotë: - Shenjat Ne i dërgojmë si paralajmërim (për t'u larguar nga e keqja) . - Qëllimi i mrekullive nuk është që ato të prodhojnë besim në zemrat e atyre që i shikojnë dhe, përmes tyre, besimi të bëhet i pashmangshëm. Qëllimi i vërtetë i këtyre shenjave është që njerëzit të frikësohen e të kthehen nga rruga e humbjes e të ndjekin rrugën e drejtë, pra, nënshtrimin për ta adhuruar Zotin përmes ligjit të Tij dhe rrugës së sjellë nga profetët.