17. Isra · Ajeti 60

سورة الإسراء
Përkthimi Sherif Ahmeti
60

وَإِذۡ قُلۡنَا لَكَ إِنَّ رَبَّكَ أَحَاطَ بِٱلنَّاسِۚ وَمَا جَعَلۡنَا ٱلرُّءۡيَا ٱلَّتِيٓ أَرَيۡنَٰكَ إِلَّا فِتۡنَةٗ لِّلنَّاسِ وَٱلشَّجَرَةَ ٱلۡمَلۡعُونَةَ فِي ٱلۡقُرۡءَانِۚ وَنُخَوِّفُهُمۡ فَمَا يَزِيدُهُمۡ إِلَّا طُغۡيَٰنٗا كَبِيرٗا

Përkujto, kur Ne të thamë: "Zoti yt ka përfshirë (me dijen e Vet) të gjithë njerëzit (e di që këta nuk besojnë edhe në ju sjellësh mrekulli). E atë pamjen tënde që ta treguam (natën e Miraxhit) dhe pemën e mallkuar (të përmendur në Kur'an), nuk i bëmë për tjetër vetëm se sprovë për njerëz. Ne i frikësojmë ata (idhujtarët), po nuk u shton ai tjetër vetëm se rebelim të madh".*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Idhujtarëve iu dukej e pamundur ringjallja, nuk donin të vërtetonin, sepse do të duhej të përgjigjeshin për veprat e tyre të ndytra, prandaj sikur habiteshin nga thëniet e Kuranit për një ngjarje të tillë. Kurani iu thotë: do të ringjalleni dhe do t'i përgjigjeni thirrjes së Zotit për t'iu prezantuar Atij dhe atëherë do ta madhëroni Atë dhe do të kuptoni, se kjo jetë ka qenë shumë e shkurtër, por është vonë. Besimtarët porositen të kenë kujdes për fjalën që thonë, pse nëpërmjet fjalës së keqe shejtani nxit armiqësi mes njerëzve, pra duhet ta ruajnë afërsinë mes vetes. Zoti e di më së miri se kush do të besojë e kush jo, e di se kë është dashur ta dërgojë pejgamber, cilin ta gradojë më shumë. Këto janë punë të Zotit, prandaj Muhamedi a.s. është vetëm udhëzues, e nuk është në kompetencën e tij t’i bëjë njerëzit të besojnë. Përmendet Davudi, ngaqë jehuditë patën thënë, se nuk ka, as pejgamber pas Musait, as libër pas Tevratit. Dikush adhuronte engjëjt, dikush Uzejrin, e dikush Isain, e nuk e dinin se vetë këta të adhuruar të përmendur ishin përpjekur të gjejnë rrugën më të mirë në lutjet e tyre për t’iu afruar sa më afër Zotit Krijues, përpiqeshin ta fitojnë mëshirën e Zotit dhe gjithnjë ia kishin frikën dënimit të Tij. Jobesimtarët kërkonin mrekulli konkrete prej Muhamedit a.s., e Zoti iu thotë: “Ne nuk na pengon asgjë, që të sjellim ty mrekulli, por nëse mrekullia nuk respektohet, atëherë pason dënimi dhe shkatërrimi, sikurse i shkatërruam popujt e mëparshëm, e edhe ata Themud, popullin e Salihut, e popullin tënd, Muhamed, nuk do ta shkatërrojë me fenomene të natyrës. Ata që nuk do të besojnë ty do të pësojnë disfatë prej besimtarëve të tu, ose do të mbeten të dënohen me zjarr në botën tjetër. Zoti me dijen e Vet të pakufishme e di se kush do të besojë e kush jo, edhe sikur t’iu sillte mrekullitë që i kërkuan. Disa prej tyre nuk besuan Miraxhin, e kur iu tha Muhamedi a.s., se në xhehenem është një pemë që quhet “Zekkum”, Ebu Xhehli u tall dhe i tha kurejshitëve: Muhamedi po ju frikëson me pemën Zekum, a dini çka është Zekumi? Është hurma dhe ulliri, pastaj e thirri shërbëtoren t’ju sillte dhe të ushqehen me to në shenjë talljeje. Kjo pemë e mallkuar është e përmendur në Kuran, si ushqim i atyre që do të jenë në xhehenem, e që do t’iu copëtojë mushkëritë ngrënia e saj. E ja, nuk besuan mrekullitë e Pejgamberit a.s., pse shejtani gjithnjë i ka mashtruar njerëzit, ngaqë është betuar se është armik i tyre.