17. Isra · Ajeti 90 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:86–17:96
Ndihma e Zotit bëri që Kur'ani të mësohet përmendësh dhe të ruhet në gjoksin e Pejgamberit dhe të sahabëve, e të pasardhësve të tyre deri më sot dhe kështu do të vazhdojë të jetë i ruajtur në zemrat e njerëzve deri pak para kijametit, kur do të tërhiqet.
Për mrekullinë e Kur'anit, të paarritur prej askujt tjetër, është theksuar në disa vende në Kur'an.
I Paria kurejshite ishte tubuar te Qabja dhe çuan e thirrën Pejgamberin të bisedojnë me të, e I ai i gëzuar se ndoshta do ta pranojnë dinin islam shkoi me të shpejtë e ata i thanë: "Na ke sjellë diçka të re, po na i përqesh prindërit, po na i fyen zotat dhe fenë, na ke shpërndarë, je bërë njëfarë mendjelehti. Nëse ke për qëllim pasuri, po të pasurojmë, nëse dëshiron pozitë po të zgjedhim kryetar, nëse të kanë sëmurë xhindet, po kërkojmë shërim për ty!" Pejgamberi tha: "Unë nuk mendoj për atë që thoni, nuk dua pasuri, nuk dua pozitë, nuk jam i sëmurë, po Allahu më dërgoi I pejgamber, nëse besoni do të fitoni të mirat e kësaj dhe të botës tjetër, e nëse refuzoni, unë do të duroj deri që Allahu të bjerë vendim mes meje dhe jush!" Ata i thanë: "Nëse këto nuk i pranon, ti pra e di se ne jemi shumë ngushtë për ujë, për ushqim etj., prandaj, lute Zotin tënd të na i bëjë kodrat ar, të na sjellë lumenj, të kemi kopshte, pallate nga arit" Këto pyetje të tyre ishin shkak i shpalljes së këtyre ajeteve.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:90–17:93
Ibn Xheriri sjell rrëfimin nga Ibn Abasi (shkurtimisht): “Paria kurejshe e ftuan njëherë Profetin të ulej me ta, për të biseduar. Profeti shkoi me nxitim, duke menduar se diçka kishte ndryshuar tek ata. Ai ishte shumë i përkushtuar që ata të gjenin udhëzimin dhe të pranonin të vërtetën. Atij i vinte rëndë për vuajtjet e njerëzve, sepse ai e dëshironte fort rrugën e drejtë për ta. Kur u ul me ata, kurejshët i thanë: “O Muhamed! Ne dërguam fjalë tek ti, që të të dalim borxhit. Vallahi, nuk njohim ndonjë burrë mes arabëve, që t’i ketë sjellë e shkaktuar popullit të vet atë që i ke shkaktuar ti. Ti ke sharë e fyer etërit tanë, ke nënçmuar fenë tonë, na ke quajtur mendjelehtë e të marrë dhe ke përçmuar zotat tanë! Ti ke futur përçarjen ndër ne dhe nuk ke lënë gjë të shëmtuar pa sjellë në mardhëniet tona. Nëse e solle këtë çështje ndër ne për pasuri, ja ku po të japim fjalën se do të grumbullojmë prej pasuri ve tona, aq sa të bëhesh më i pasuri ndër ne! Nëse kërkon të jesh prijësi dhe më fisniku ndër ne, po të bëjmë prijësin tonë. Nëse kërkon mbretërimin, po të bëjmë mbretin tonë. Nëse ai që të vjen është ndonjë shpirt, që të ka zaptuar dhe nuk e mposht dot, - kështu e quanin ata xhinde zaptues, - dhe ndoshta kjo ka ndodhur vërtet, atëherë po i mbledhim gjithë pasuritë tona dhe të gjejmë dikë, që mund të të shërojë nga kjo. Kështu po të dalim borxhit.” Atëherë, Profeti u tha: “Unë nuk kam asgjë nga këto që thoni. Këtë që ju solla, nuk e solla për të fituar nga pasuritë tuaja, as famën e fisnikërinë dhe as mbretërimin mbi ju. Është Allahu Ai që më dërgoi si Profet ndër ju, më shpalli një Libër dhe më urdhëroi të jem si përgëzues e paralajmërues për ju. Unë thjesht po kumtoj mesazhin e Zotit tim, po ju këshilloj, udhëzoj dhe synoj veçse të mirën për ju. Nëse e pranoni mesazhin tim, atëherë ky do të ishte fati i madh për ju, si në këtë dynja, ashtu dhe në ahiret. Në të kundërt, unë do të bëj durim, derisa Allahu të bëjë ndarjen mes nesh...” Hadithi është sjellë i përmbledhur e i shkurtuar. Pastaj, - duke shprehur kokëfortësi dhe mosbesim, - ata i kërkuan që t’i lutet Zotit të tij: “Le t’i largojë këto male nga toka jonë, t’i shtrijë tokat tona, të nxjerrë në to lumenj si lumenjtë e Shamit dhe Irakut! Le të ringjallë etërit tanë të shkuar prej kohësh, dhe t’i pyesim ata se çfarë thonë e mendojnë për atë që ke sjellë, a është e vërtetë apo jo. Nëse e bën këtë që të kërkojmë dhe ata pohojnë se je në rrugë të drejtë, atëherë do të të pranojmë e do ta besojmë mesazhin tënd, do ta dëshmojmë gradën tënde të lartë tek Zoti dhe faktin se është Ai që të ka dërguar si profet ndër ne, ashtu siç mëton ti. Le të dërgojë Allahu së bashku me ty një melek, që të miratojë ato që thua, pastaj t’i kërkosh të të nxjerrë thesare e kopshte të begatshme, kështjella prej ari e argjendi dhe të të bëjë të pasur, që të mos kesh nevojë për këtë që bën çdo ditë. Ne të shohim që ti del në treg si njerëzit e tjerë dhe kërkon rizkun, ashtu siç bëjmë edhe ne. Kështu, ne do ta kuptojmë se ti je i zgjedhur ndër ne nga Zoti, nëse vërtet je Profet, siç thua. Sa herë që ata bënin të tilla kërkesa, Profeti u thoshte të njëjtat fjalë, që u tha në fillim. Pastaj i thanë: “Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa -copa!... Ne nuk do të të besojmë, derisa t’i bësh këto!” Atëherë, Profeti u tha: “Këto janë në dorë të Zotit: nëse Ai dëshiron, i bën ato!” Ata i thanë: “O Muhamed! A nuk e dinte Zoti yt se ne do të uleshim me ty dhe do të të pyesnim dhe të të kërkonim këto që kërkuam, që të të mësonte e udhëzonte se si
të na përgjigjeshe dhe të të njoftonte se çfarë do të bënte me ne, nëse ne të refuzojmë? Na kanë thënë se, të gjitha këto po t’i mëson dikush prej Jemames, që e quajnë Rrahman dhe ne, ja ku po të betohemi, se nuk kemi për ta besuar kurrë Rrahmanin! Tashmë të kemi dalë borxhit, o Muhamed! Vallahi, nuk kemi për të të lënë të qetë në kauzën tënde, derisa të të shkatërrojmë, ose të na shkatërrosh!” Dikush prej tyre tha: “Nuk kemi për të të besuar, derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh, t’i shohim haptazi!” Kur thanë këto gjëra, Profeti i Allahut u ngrit të largohej prej tyre. Bashkë me të u ngrit edhe Abdullah Ibn Ebu Umeje el Mahzumi, i cili ishte djali i hallës së Profetit, pra, djali i Atikës, bijës së Abdul Mutalibit. Ai i tha: “O Muhamed! Populli yt të ofroi atë që të ofroi, por ti nuk e pranove. Pastaj të kërkuan të bësh diçka që të njohin dhe provojnë vlerën që ke tek Zoti yt, dhe nuk bëre gjë. Pastaj të sfiduan që t’ua përshpejtosh ndëshkimin, me të cilën i kërcënon! Atëherë, dije se kurrë nuk kam për të të besuar, derisa të nxjerrësh shkallë për t’u ngjitur në qiell dhe unë të të shoh tek ngjitesh në të, e pastaj të zbresësh me një libër të hapur, dhe bashkë me ty të vijnë katër melekë, që të dëshmojnë për ty dhe atë që pretendon se je. Betohem në Zot se, edhe sikur ta bësh këtë, do të isha i lëkundur a të të besoj apo jo!” Atëherë, Profeti u largua i trishtuar dhe i zhgënjyer nga ajo që priste prej tyre.” Në këtë takim, në të cilin ata ftuan Profetin e Allahut, ata nuk synonin aspak të mësonin dhe gjenin të vërtetën. Nëse Allahu do të shihte tek ata qoftë edhe dëshirën më të vogël për të gjetur të vërtetën, do t’ua jepte gjithçka që kërkonin. Në fakt, Ai e dinte mirë se ata i kërkuan këto veçse për kokëfortësi dhe si justifikim për të mohuar të vërtetën. - Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; - El jenbû’ janë lumenj të rrjedhshëm. Ata kërkuan që ai të nxirrte disa lumenj të caktuar në tokën e Hixhazit, duke përcaktuar konkretisht vendin. Sikurisht që kjo është diçka e thjeshtë dhe Zoti mund t’ua jepte, nëse do të dëshironte. Ai do t’u përmbushte gjithçka që ata kërkonin, por Ai e dinte mirë se ata nuk do të udhëzoheshin e të pranonin të vërtetën. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim) , ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha Shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. Dhe ka thënë: “Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën) .” [En’am 111]. - Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copacopa; - Atë dënim, me të cilin na kërcënon se do të na kaplojë Ditën e Kijametit, le të ndodhë tani, le të çahet qielli e le të bjerë mbi ne copa -copa! Po në të njëjtën mënyrë iu përgjigjën populli i Shuajbit profetit të tyre. Allahu i Lartësuar tregon: “Ti je veçse një njeri (vdekatar) ashtu si edhe ne dhe ne, vërtet mendojmë se ti je një gënjeshtar! Nëse je nga të vërtetët, atëherë bëj që të bjerë mbi ne një copë nga qielli!” [Shuara 186, 187]. Allahu i ndëshkoi këta me atë që u quajt dënimi i “Ditës së Hijes” (së reve plot ndëshkim). Vërtet, ai ishte dënimi i një Dite të Madhe. Ndërsa Profeti i mëshirës iu lut Zotit për afatizimin e tyre, me shpresën se Allahu do të nxirrte prej pasardhësve të tyre njerëz, që do ta adhuronin Atë e nuk do t’i shoqëronin ortakë në adhurim. Dhe kështu ndodhi vërtet. Nga mesi i këtyre njerëzve, që e mohuan në fillim, dolën shumë të tillë, që pranuan Islamin më pas dhe feja e tyre u përmirësua. Madje edhe Abdullah Ibn Ebu Umeje, që u përmend më sipër, e pranoi Islamin me sinqeritet dhe u kthye i penduar tek Zoti. 223
- Ose të kesh një shtëpi prej stolish (ari)... - Domethënë, prej ari, sikurse vjen në leximin e Ibn Mesudit. Edhe Ibn Abasi e të tjerë kanë dhënë të njëjtin mendim. - ose të ngjitesh lart në qiell. - Domethënë, të ngrihesh lart në qiell në shkallë e ne të të shohim. - Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” - Të sjellësh nga një libër të shkruar për secilin prej nesh, ku të thuhet: “Ky është një libër nga Allahu, drejtuar filanit, birit të filanit!” Madje, ky libër t’i vendoset secilit prej nesh pranë kokës. - Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu! ” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” - I madhëruar qoftë Allahu, që dikush të mund të dalë para e të ndikojë në çështjet e Tij dhe në sundimin e Tij! Ai vepron çfarë dëshiron. Unë jam veçse një profet i dërguar ndër ju, për të kumtuar Shpalljen e Zotit, për t’ju këshilluar dhe për të mirën tuaj. Ndërsa çështja juaj dhe kërkesave tuaja i takon Allahut të Lartësuar dhe Krenar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:90–17:94
Edhe pse Profeti i Zotit u solli atyre Kur'anin madhështor, që përmban çdo argument e mrekulli, mosbesimtarët i kërkonin shenja dhe mrekulli të tjera. - Ata thanë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; - Ata i kërkonin që të çahej toka dhe të dilnin lumenj prej saj. - Ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; – Na bëj kopshte të tilla, që të mos kemi nevojë të dalim t’i gjejmë apo t’i blejmë. - Ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copacopa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh; - Le të bierë qielli mbi ne me copa ndëshkimi, ashtu siç na kërcënon. Ose le të vijë Allahu dhe melekët, që t’i shohim me sytë tanë, e të dëshmojnë që ti je profet. - Ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” – Na sill një shtëpi të zbukuruar me flori e gurë të çmuar. Ose ngjitu në qiell dhe ne ta shohim se si ngjitesh. Megjithatë, ne nuk kemi për të të besuar edhe sikur të ngjitesh në qiell, derisa të na sjellësh një libër, që ne ta lexojmë. Në fakt, të gjitha këto nuk ishin gjë tjetër, veçse teka nga njerëz mendjelehtë dhe të padrejtë, që po tregonin moralin më të keq me Zotin. Ata mëtonin se ishte Profeti ai që mund t'ua sillte mrekullitë. Prandaj Allahu e urdhëroi Profetin që të thotë: - Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu! ” A mos jam unë tjetër, përveçse një njeri profet?” - I pastër dhe i dëlirë është Zoti im nga të gjitha shpifjet dhe fjalët tuaja. Allahu është i Dëlirë dhe i Madhëruar. Ligjet dhe shenjat e Tij kurrë nuk mund t’u nënshtrohen epsheve dhe dëshirave të prishura të njerëzve. - Njerëzit nuk i pengoi asgjë që të besojnë, kur u erdhi shpallja, por ata thoshin: “A thua Allahu e dërgoi njeriun si profet?!” - Unë jam thjesht një njeri dhe nuk kam në dorë asgjë nga këto që thoni ju. Është pikërisht ky fakt që i pengoi shumë njerëz që të besonin fenë e drejtë. Ata nuk mund të pranonin që profetët të ishin njerëz, por kërkonin që të ishin melekë.