18. Kehf · Ajeti 37 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:32–18:44
Shembulli i dy njerëzve: njëri pasanik, po jobesimtar, e tjetri besimtar më i varfër, ka të bëjë me parinë kurejshite, e cila krenohej me pasuri e pozitë dhe nënçmonte besimtarët e varfër.
Ai që i kishte ato kopshte aq të mira, që sipas përshkrimit që u bën Kur'ani, ishin fantastike, por pronari i tyre as nuk e besonte Zotin fuqiplotë, as nuk falënderonte për ato begati dhe mburrej e krenohej ndaj atij fqinjit të vet që ishte më i dobët, si në pasuri, ashtu edhe në familje e farafis. Madje, ai mendonte se edhe nëse do të ekzistojë bota tjetër, ai do të jetë më i privilegjuar. Fqinji besimtar i tërhoqi vërejtjen, duke ia përkujtuar krijimin e tij në etapa të njëpasnjëshme, mandej e këshilloi që ta falënderojë Zotin për ato të mira që i kishte më shumë se të tjerët. Më në fund i tërhoqi vërejtjen se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi e të mbetet pa ato të mira. Dhe, vërtet, ngjau ashtu, një breshër i madh shkatërroi çdo gjë në kopshtet e tij, e kur e pa ai, prej së keqi rrah shuplakë dhe e mjeron veten pse u mashtrua, pse iu rrit mendja dhe nuk iu mbështet Zotit, e as nuk e falënderoi. Kështu, pra, çka dëshiron Zoti ajo bëhet, pa ndihmën e Tij nuk mund të arrihet sukses, andaj për çdo çështje duhet kërkuar ndihmën e Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:37–18:41
Allahu i Lartësuar na tregon se shoku besimtar i dha një këshillë këtij mohuesi të mirësive. Ai e qortoi atë në lidhje me mosbesimin tek Allahu, vetëpëlqimin dhe mashtrimin nga të mirat e kësaj dynjaje: - “Shoku i vet (besimtar) - duke e qortuar - i tha: “A e mohove Atë që të krijoi nga dheu, pastaj nga një pikë uji dhe pastaj të bëri njeri të plotë?” - Si është e mundur që të refuzoni Zotin tuaj, Krijuesin tuaj, ndërkohë që argumentet e Tij janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Çdo njeri është i bindur në vetvete dhe i njeh mirë argumentet që dëshmojnë për të Madhërish - min. Të gjitha krijesat e dinë që dikur nuk kanë ekzistuar dhe e kuptojnë që, shkak për ekzistencën e tyre nuk mund të jetë kurrsesi një krijesë, e cila edhe ajo vetë - njëlloj si gjithë krijesat e tjera - nuk ka ekzistuar
dikur. Nga kjo vetëkuptohet se ekzistenca e krijesave i njihet vetëm Krijuesit. Ai është Allahu dhe nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe çdo gjë tjetër, veç Tij është krijesë. Për këtë arsye, besimtari e kundërshtoi me forcë mohimin e shokut të tij dhe tha: - “Por unë besoj se Allahu është Zoti im dhe unë nuk i bëj shok Zotit tim askënd.” - Unë nuk do të flisja kurrë ashtu siç flet ti. Unë dëshmoj dhe besoj bindshëm se Allahu është i vetëm në krijimin, zotërimin, pushtetin dhe sundimin e Tij mbi gjithçka, si dhe në meritën e adhurimit. Ai është i vetmi i Adhuruar, i Cili nuk ka ortakë, nuk ka të barabartë me Të në meritën e adhurimit. - “Përse nuk the kur hyre në kopshtin tënd: “Çfarë do Allahu bëhet! S’ka fuqi pa ndihmën e Allahut!”. - Kur hyre në kopsht dhe u kënaqe me atë mrekulli që pe, përse nuk e lavdërove Allahun e Lartësuar?! Ti duhet ta përlëvdoje Zotin, sepse Ai ta ka dhuruar. Ti duhet të jesh mirënjohës për të gjitha begatitë që Zoti të ka dhuruar: pasurinë, fëmijët, shërbëtorët dhe ata që punojnë për ty. Përse kur i pe të gjitha këto të mira, nuk the: “ Mâ shâellâh, l â ku-uete il-lâ bil-lâh.” (Çfarë do Allahu bëhet dhe s’ka fuqi pa ndihmën e Allahut!)?!” Në një hadith sahih, Ebu Musa përcjell se Profeti i Allahut i tha njëherë atij: 1 733. “A të tregoj për një nga thesaret e Xhenetit? Ai është: “Lâ ĥaule ue l â ku-uete il-lâ bil-lâh” (Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe nuk ka forcë veçse me ndihmën e Allahut!)”. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Edhe pse me sheh se unë kam më pak pasuri dhe fëmijë sesa ty, unë pres që Zoti im të më japë diçka më të mirë se kopshti yt.” - Unë nuk e vë në dyshim jetën tjetër, madje shpresoj se atje Zoti im do të më japë më shumë të mira, sesa kopshti dhe mirësitë e tjera, që ti i ke këtu. Përveç kësaj: - “Ndërsa për kopshtin tënd pres ndonjë fatkeqësi nga qielli e ai të gdhijë i rrafshuar.” - Unë pres që, mbi këtë kopsht dhe të mirat e tua, për të cilat ti pandeh se nuk kanë për t’u zhdukur kurrë, Zoti të dërgojë ndonjë fatkeqësi nga qielli, ndonjë rrebesh shiu, që të shkulë nga rrënjët të gjitha bimët dhe pemët që ndodhen në të, derisa të mbetet një vend i shkretë dhe ranor, ku të rrëshqet edhe këmba. - “Ose t’i shterojë uji dhe ti mos e gjesh më kurrë.” - Uji të zhduket thellë në tokë, aq sa të mos kesh asnjë pikë për të ujitur të mbjellat. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë juve ujë në sipërfaqe?!” [Mulk 30]. Pra, kush do t’ju sjellë juve ujë të rrjedhshëm mbitokësor?!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:37–18:38
Shoku i tij besimtar e këshillon, duke i kujtuar gjendjen fillestare, kur Zoti e solli në botë: - Shoku i vet (besimtar) - duke e qortuar - i tha: “A e mohove Atë që të krijoi nga dheu, pastaj nga një pikë uji dhe pastaj të bëri njeri të plotë?”” - Është Zoti që të bëri të ekzistosh nga hiçi dhe që përkujdeset për ty në çdo çast të jetës tënde. Ai të ka dhuruar mirësi, derisa u burrërove fizikisht dhe mendërisht. Është pikërisht Allahu Ai që t’i lehtësoi rrugët e mirësive të kësaj bote. Të gjitha këto begati nuk i arrite me forcat dhe mundin tënd, por me bujarinë e Allahut, që dhuron pa masë. Prandaj mendohu pak, o njeri! Si është e mundur që të mohosh Zotin, që të krijoi në fillim nga dheu (Ademin), pastaj nëpërmjet farës së mashkullit? Nga një krijesë e dobët, Ai të bëri burrë. Si është e mundur që të mohosh dhe të tregohesh mosmirënjohës ndaj mirësive të Tij? Jo vetëm kaq, por ti mohon edhe madhështinë e Zotit kur pretendon se Ai nuk do të të ringjallë. Pastaj guxon dhe të tallesh duke thënë se, edhe sikur të të ringjallë, Ai do të të japë më tepër sesa kopshtet e tua këtu në botë. Këto janë qëndrime dhe fjalë të papranueshme dhe të dënueshme. Duke parë vazhdimësinë e jobesimtarit në kufër dhe padrejtësi, besimtari shprehu atë që ndjente në zemrën e tij. Ai tregoi mirënjohjen ndaj Zotit dhe shfaqi besimin e tij të vërtetë dhe të drejtë. Kështu duhet të veprojë besimtari, kur përballet me dyshime mbi besimin e tij. Ai tha: - Por unë besoj se Allahu është Zoti im dhe unë nuk i bëj shok Zotit tim askënd." - Unë pranoj, pohoj me bindje dhe besoj se Allahu është Zoti im, Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi i çështjeve të mia. Ai është i vetëm në aspektin e rububije-s. Gjithashtu, unë e adhuroj Zotin si një të vetëm dhe i nënshtrohem me bindje veç Atij. Unë nuk i shoqëroj asnjë krijesë Allahut në adhurimet që ia dedikoj. Pastaj i kujton atij se besimi i vërtetë dhe Islami janë mirësitë më të mëdha, edhe sikur të kesh pak pasuri dhe pasardhës. Çdo mirësi tjetër veç tyre do të zhduket një ditë. Nëse nuk shfrytëzohen në funksion të imanit dhe islamit, në fakt ato janë fatkeqësi që çojnë në ndëshkim e dëshpërim.