18. Kehf · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:45–18:53

Jeta e dynjasë u përngjet bimëve që pas shiut të mirë rritën shumë dhe marrin hov sa që ngatërrohen mes vete, por pas një kohe thahen dhe bëhen si byk që e shpërndajnë erërat. Me këtë kuptohet se jeta në këtë botë është e shkurtër, përsa i përket secilit njeri, edhe pse jeta e kësaj dynjaje është e gjatë, në krahasim me jetën e individëve.

Është e vërtetë se malli dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, por kur krahasojmë me të mirat e botës tjetër që është e amshueshme, këto stoli janë pak send. Shpërblimi te Zoti është shumë i madh, ruana Zot, edhe ndëshkimi është shumë i rëndë.

Kur të vijë koha e kijametit do të shkulen kodrat, do të lëvizin në ajër si retë e shiut, do të zhduket çdo bimë e dru dhe toka do të mbetet fushë e rrafshët. Bëhet ringjallja dhe njerëzit ekspozohen para Zotit ashtu si kanë lindur në këtë botë dhe u paraqiten shënimet e veprave të bëra, pa munguar as vepra më e vogël, e mëkatarët, duke ditur punën e vet dëshprohen pa masë dhe secilit do t'i ofrohet ajo që e ka merituar, pse aty mbizotëron drejtësia e Zotit.

Përmendet rasti i kundërshtimit, i shejtanit ndaj urdhërit të Zotit, me qëllim që t'ju rikujtohet njerëzve se ai është armik i tyre, kështu që nuk duhet shkuar pas mësimeve të tij.

Këtu, në këtë ajet, thuhet qartazi se shejtani - Iblisi ishte nga radhët e xhinve, e nuk kishte qenë engjëll. Rreth kësaj çështjeje janë dhënë mendime të shumta, sa që është e pamundur t'i parashtrojmë një nga një, andaj po përfundojmë se Iblisi ishte xhin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:51

- “Unë nuk i bëra ata (shejtanët) dëshmitarë të krijimit të qiejve e të Tokës e as të krijimit të vetë atyre.” - Ata të cilët ju i quani si kujdestarët tuaj dhe i adhuroni përveç Meje, ata vetë janë robër, njëlloj si ju, e nevojtarë, që nuk kanë asgjë në dorë. Ata nuk ishin dëshmitarë në krijimin e qiejve dhe të Tokës, madje as që ekzistonin fare. Unë jam i vetmi Krijues i çdo gjëje, i vetmi që përcakton administron dhe rregullon çdo çështje. Unë jam i vetëm, nuk kam ortakë, ndihmës e as këshilltarë në gjithë këtë: “Thuaj (o Muhamed): “Thërrisni ata, të cilët i menduat për zota veç Allahut!” Ata nuk kanë pushtet as sa një grimë as në qiej e as në tokë dhe as kanë pjesë në to. Ai nuk ka nevojë për ndonjë ndihmës prej tyre. Asnjë ndërmjetësim nuk bën dobi tek Ai , përveç atyre që Ai u jep leje (për të ndërmjetësuar). Kur të largohet frika (Ditën e Gjykimit) nga zemrat e tyre (melekëve), ata do të thonë: “Çfarë tha (e urdhëroi) Zoti juaj?”. Ata (melekët e lartë) do të thonë: “Të vërtetën (dhe të drejtën)!” Ai është më i Larti, më i Madhi! Thuaj: “Kush ju furnizon ju nga qiejt e nga toka?” Thuaj: “Allahu!”. Atëherë, ose ne, ose ju, jemi ose në rrugë të drejtë, ose në një humbje të dukshme.” [Sebe’ 22, 23]. - “Unë kurrë nuk do të merrja për ndihmës ata që çojnë njerëzit në humbje.” - Kurrë nuk do t’i konsideroja ata si ndihmës e mbështetës. Kështu e ka shpjeguar Maliku.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:51–18:52

- Unë nuk i bëra ata (shejtanët) dëshmitarë të krijimit të qiejve e të Tokës e as të krijimit të vetë atyre. - Shejtanët e mallkuar nuk kanë qenë të pranishëm në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe as në krijimin e vetes së tyre. Duke mos qenë të pranishëm, atyre nuk iu mor mendim rreth krijimit. Atëherë, si mund të krijojnë ata?! Allahu është i vetmi që ka në dorë krijimin dhe administrimin e çështjeve të krijesave. Allahut i takon urtësia dhe dituria e përcaktimit të gjithçkaje. Allahu është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës dhe i të gjitha gjërave dhe vepron ndër to me urtësinë e Tij. Atëherë, si mund t’i bësh shok Atij në pushtetin, urtësinë e mbretërimin e Tij?! Si mund t’i marrësh për miq dhe mbrojtës krijesat e dobëta e t’u bindesh atyre, ashtu siç i bindesh Zotit, ndërkohë që ata as kanë krijuar gjë, nuk kanë qenë të pranishëm në krijimin e Zotit dhe nuk kanë qenë ndihmës të Tij?! Allahu i Madhëruar thotë: - Unë kurrë nuk do të merrja për ndihmëtarë ata që çojnë njerëzit në humbje. - Allahu kurrë nuk do të bënte që dikush nga këta të ishin ndihmës apo partnerë të Tij në ndonjë çështje. E si mund të merrte si ndihmës krijesat e dobëta, e aq më pak ata që punojnë për shkatërrimin dhe devijimin e njerëzve, duke i nxitur ata që të urrejnë besimin e pastër dhe Zotin?! Përkundrazi, Ai i shkatërron këta shejtanë. Në ajetet më sipër, Allahu i Madhëruar përshkroi gjendjen e atyre që i bëjnë shirk dhe argumentoi kotësinë e idhujtarisë. Ai na

tregoi se sa e ulët është kjo vepër dhe sa injorantë dhe mendjelehtë janë ata që e bëjnë. Në vijim, Ai na tregon për gjendjen e idhujtarëve në Ditën e Gjykimit dhe lidhjen e tyre me idhujt. Atë ditë, Ai do t’u thotë atyre: - Një Ditë Ai do t'u thotë: “Thirrini (për ndihmë) ata, për të cilët pretenduat se janë shokët e Mi!”. Ata do t'i thërrasin, por (idhujt) nuk do t'u përgjigjen. Ne do të fusim urrejtje (si dënim) mes tyre. - Ju pretendonit se këta idhuj janë partnerë të Zotit dhe kanë pjesë në pushtetin e Tij. Kjo ishte veç shpifje, sepse Allahu nuk ka nevojë për shokë e partnerë në pushtetin e Tij, as në Tokë dhe as në qiej. Atëherë, lutjuni tani atyre që i mendonit si partnerë të Zotit, që t’ju sjellin ndonjë dobi dhe t’ju shpëtojnë nga vështirësitë e kësaj dite! Allahu i Madhëruar thotë: “...ata do t'i thërrasin, por nuk do t'u përgjigjen.” Do të ndodhë kështu, sepse i gjithë sundimi dhe mbretërimi është vetëm në dorë të Allahut. Askush nuk zotëron asnjë grimë fuqie e pushteti për të sjellë dobi e për të mbrojtur nga e keqja, as për veten e tyre dhe as për të tjerët. Allahu i Lavdëruar thotë: “Ne do të fusim urrejtje mes tyre.” Atë ditë, Allahu do t’i ndajë idhujtarët nga idhujt dhe do të fusë urrejtje mes tyre. Ata do ta mohojnë njëri - tjetrin. I Madhëruari thotë: “Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen (edhe sikur t'u luten) deri në Kijamet?! Ata janë të paditur (e të pafuqishëm t'u përgjigjen) për lutjet e tyre. Dhe kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit (në ditën e Llogarisë), ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan.” [Ahkaf 5, 6]

← Kehf 18:51