18. Kehf · Ajeti 8 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:1–18:8

Zoti xh. sh. lavdëron Veten e madhëruar, që ia shpalli Kur'anin Muhammedit libër të saktë, të drejtë, e pa kurrfarë të metash e kundërthëniesh, që atyre që nuk besojnë t'u tregojë për dënimin e rëndë të Zotit, që t'u tregojë edhe atyre që i shpifin gënjeshtra Zotit sikurse Ai ka fëmijë, se ajo është rrenë e trilluar pa kurrfarë argumenti. Për besimtarët që bëjnë vepra të mira, u është garantuar xhenneti në të cilin do të jenë përgjithmonë.

I tërhiqet vërejtja Muhammedit, jo për ndonjë gabim, por pse e hidhëron veten aq shumë pas kurejshitëve pse nuk po e besojnë Kur'anin.

Bukuritë e kësaj bote janë vetëm sprovë për njerëz, se cili prej tyre do të shfrytëzojë në mënyrë të njërezishme, e cili do t'i kalojë kufijtë pas tyre, e dihet se të gjitha këto stoli të tokës një ditë do të asgjësohen, e toka do të mbetet viran.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:6–18:8

Allahu i Lartësuar e ngushëllon Profetin e Tij për trishtimin dhe shqetësimin, që i shkaktoi refuzimi nga ana e idhujtarëve i ftesës së tij për të besuar. I Lartësuari thotë: - “Mos vallë do të shkatërrosh veten nga pikëllimi, nëse ata nuk besojnë në këtë Fjalë (Kur’an)?” - Kuptimi: Mos e shkatërro veten me shqetësimin e tepërt, që të shkakton mosbesimi dhe refuzimi kokëfortë i tyre! Aspak mos ndiej keqardhje për ta, por vazhdo të kumtosh mesazhin e Zotit tënd! Çdokush që pranon ftesën e bën për veten e vet, ndërsa ai që devijon nga rruga e drejtë humbet vetveten. Mos e rëndo veten duke u shqetësuar, në lidhje me këtë çështje! - “Gjithçka në tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, për t’i provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. ” - Allahu i Lartësuar e bëri këtë botë një vend që një ditë do të zhduket, edhe pse është e zbukuruar me stoli të përkohshme dhe gënjeshtare. Allahu i Lartësuar e ka bërë këtë botë një vend kalimtar sprove dhe jo një vendqëndrimi të përhershëm për krijesat. Ai thotë: - “Çfarë ka në tokë do ta bëjmë pluhur e dhé.” - Me gjithë bukuritë e saj, Ne do ta shndërrojmë atë në një vend të shkretë dhe të shkatërruar, si një tokë ku nuk mbin dhe nuk vlen asgjë. Në ajet është përdorur fjala “es-said el xhuruz”, që do të thotë: “tokë pa pemë dhe pa bimësi”. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “A nuk e shohin ata se Ne çojmë ujin në tokën shkretuar dhe me të nxjerrim bimë, prej të cilave ushqehen kafshët e tyre dhe ata vetë. A nuk kanë sy të shohin (e të kuptojnë)?!” [Sexhde 27].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:7–18:8

- Gjithçka në Tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, - Allahu i Madhëruar ka bërë në tokë mirësi e kënaqësi të shumta, si: ushqime të shijshme, pije të këndshme e të pastra, vendbanime të rehatshme, pyje e kopshte me pemë e fruta, lumenj, përrenj, lëndina, pamje tërheqëse e të mrekullueshme, zëra që të mrekullojnë, stoli ari e argjendi, gurë të çmuar etj. Por mendohuni pak, o njerëz! Të gjitha këto janë thjesht bukuri të kësaj bote. Dhe mos harroni as edhe një çast se ato janë vendosur në këtë jetë si sprovë për ju dhe për të nxjerrë në pah besimin tuaj. Allahu i Lartësuar thotë: - ...për të provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë. - Për t’ju sprovuar se cili është më vepërmirë. Por çfarë quhet vepër e mirë? Është ajo vepër që kryhet me sinqeritet vetëm për të kënaqur Zotin dhe, së dyti, kryhet sipas porosive të Zotit, ashtu siç e ka dashur Ai dhe siç e ka sqaruar përmes shpalljeve e profetëve. Zoti kënaqet veçse me adhurimet dhe mënyrat që Ai i ka caktuar. Ne jemi vendosur në këtë botë vetëm për t’u dalluar qartë cili është më vepërmirë. Ndërsa mirësitë e kësaj bote do të zhduken një ditë. I Madhëruari thotë: - Çfarë ka Në Tokë do ta bëjmë pluhur e dhé. – Kjo Tokë do të shkretohet, kënaqësitë e saj do të zhduken, lumenjtë e saj do të thahen e gjurmët e tyre do të zhduken. Ky është realiteti i kësaj bote, të cilin Allahu i Madhëruar na e bën të qartë sikur ta kishim para syve. Ai na paralajmëron të jemi të kujdesshëm dhe të mos mashtrohemi me të. Allahu na nxit që të punojmë për një tjetër botë, mirësitë e së cilës janë të pafundme dhe ku banorët e saj do të qëndrojnë gjithmonë të lumtur. Ky është tregues i mëshirës së Allahut për krijesat. Me bukuritë e kësaj bote mashtrohen veçse ata të cilët njohin anën e jashtme të saj, vetëm shkëlqimin që i verbon, pa mundur të shohin në brendësi të saj. Në këtë jetë, ata dëfrehen ashtu si kafshët, që thjesht përmbushin epshet e

veta. Ata nuk e kuptojnë të drejtën e Zotit të tyre dhe nuk i japin rëndësi diturisë rreth Zotit. I vetmi shqetësim që kanë ata është përmbushja e dëshirave të tyre kafshërore. Për ta nuk ka rëndësi se në ç’rrugë i arrijnë ato. Aq të mjerë janë ata, saqë në momentet e vdekjes do të dëshpërohen, për shkak se u ndërpriten kënaqësitë e kësaj bote e jo sepse nuk i kanë dhënë hakun Zotit apo se kanë bërë gjynahe. Ndërsa ata që arrijnë të shohin në brendësi të kësaj jete e kuptojnë për ç'qëllim u krijua ajo dhe ata vetë. Ata marrin një qëndrim të ekuilibruar në lidhje me këtë botë dhe jetën në të. Këta të urtë dhe të mençur marrin prej kënaqësive të kësaj bote aq sa u nevojitet. Kjo botë i ndihmon ata për t’iu bindur Zotit dhe për të kryer adhurimet që e kënaqin Atë. Ata e dinë mirë se u krijuan për të adhuruar Zotin si Një të Vetëm dhe e dinë se Zoti ua mundësoi të gjitha të mirat në këtë botë pikërisht për të përmbushur këtë qëllim dhe për t’u ndihmuar që ta përkryejnë atë. Këta të urtë shfrytëzojnë çdo moment të kësaj jete për t’iu afruar Zotit me punë të mira. Kjo botë është për ata thjesht një vend kalimi, e jo vend dëfrimi e prehje. Kjo botë është si hija e një peme, ku udhëtari pushon pak, e jo shtëpia e përjetshme, ku ai gjen rehatinë e kënaqësinë. Kjo është arsyeja që këta njerëz i sheh gjithnjë tek përpiqen shumë për të njohur Zotin dhe çfarë Ai dëshiron prej tyre. Ata i sheh të përkushtuar që të përmbushin urdhëresat e Zotit dhe të bëjnë gjithnjë vepra të mira, qoftë në drejtim të marrëdhënieve me Zotin, qoftë në drejtim të marrëdhënieve me krijesat. Këta lloj njerëzish janë në grada të larta tek Allahu dhe do të kënaqen me nderimin dhe mirësitë e shumta që Ai do t’u japë. Të nderuar dhe të lumtur do të jenë këta fatlumë. Kur të dashuruarit pas kësaj jete verboheshin duke parë shkëlqimin e saj të jashtëm, këta të zgjedhur vështronin me urtësi e vetëpëmbajtje thelbin e kësaj bote, prandaj u përkushtuan për të punuar për ahiretin. Këta shfrytëzojnë çdo çast të kësaj bote që të fitojnë përjetësinë në Xhenetet e Zotit, ndërkohë që dembelët jepen tërësisht pas kësaj bote të gënjeshtërt. Eh, sa larg qëndrojnë këto dy grupe dhe sa i madh është ndryshimi mes tyre!

← Kehf 18:8