18. Kehf · Ajeti 9 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:9–18:20

Çështja e atyre të strehuarve në shpellë, ishte një nga mrekullitë e Zotit, po jo edhe më e rëndësishmja, sepse në faqet e kësaj bote ka mrekulli që ia kalojnë kësaj.

"Kehf" i thuhet shpellës, e "Rekimë", ndoshta ishte pllaka e gurit në të cilën ishin gdhendur emrat e atyre që u fshehën në shpellë. Ka mendime se kodra, ose lugina ku gjendej shpella quhej Rekimë, ose fshati nga ishin djelmoshat quhej ashtu.

Komentuesit e Kur'anit e përshkruajnë ngjarjen kështu: Njëfarë sunduesi i quajtur Dekijanus, pas kohës së Isait a.s. që sundonte në qytetin Tarsus (tash në territorin e Turqisë), detyronte njerëzit të adhurojnë idhuj, statuja, e çdo njeri që e besonte Zotin një, ai e mbyste. Një grup djelmoshash të moshës shumë të re, vendosin t'i mbesin besnikë fesë së drejtë, andaj bashkohen dhe ikin drejt maleve ku kishte shpella, e rrugës u bashkohet edhe një bari me qenin e vet, e shkojnë e hyjnë në atë shpellë. Në mëngjes, kur dëgjon sunduesi për ikjen e tyre u vihet prapa me ushtri deri te hyrja e shpellës, por asnjë prej tyre nuk pati guxim të hyjë në të, andaj vendosën t'ia mbyllin hyrjen me gurë të mëdhenj e t'i lënë të vdesin nga uria. Pas lutjes që i shprehin Zotit xh. sh. ata i kap gjumi dhe qëndruan fjetur shumë vjet. Si duket hyrja në shpellë ishte nga veriu, andaj nuk i kapte dielli as në mëngjes as në mbrëmje. Qeni kishte vënë kokën mbi dy këmbët e para të shtrira sikur rrinte gati për mbrojtje të menjëhershme. Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre, Zoti me fuqinë e Tij i rrotullonte sa në të djathtë e sa në të majtë. Kur u zgjuan nga gjumi ishin uritur dhe menduan se kishin fjetur tërë ditën ose pjesën më të madhe të saj. E dërguan njërin në qytet t'ju blejë ushqim, duke porositur që të mos bjerë në sy e të zbulohet. Kur hyri në qytet, u habit, pse nuk ishte ai që kishte qenë dhe nuk njihte asnjë njeri. E bleu ushqimin e kur ia dha shitësit monedhat e argjendit, ai u habit dhe i tha: Prej nga këto" Aty u grumbulluan i njerëz e po i shikojnë të hollat dhe të habitur i thanë se mos ke gjetur ndonjë thesar të hollash. Ai u betua në Zotin se nuk ka gjetur, por janë të hollat e tyre. Ata i thanë se ato të holla janë të kohës së sundimtarit Dekijanus. Atëherë djaloshi pyeti: Ç'është puna e Dekijanusit" Iu përgjegjën se ai ka vdekur shekuj më parë. Atëherë u tregon për rastin e tyre, e banorët e qytetit e lajmërojnë sunduesin e qytetit i cili ishte besimtar i mirë, Sunduesi së bashku me ushtri e popull shkoi te shpella. Ata në shpellë dëgjuan zhurmën dhe hingëllimën e kuajve e menduan se i ka rrethuar Dekijanusi, andaj u ngritën e po i luten Zotit. Sunduesi hyri brenda, i gjeti duke u lutur, e kur e kryen lutjen, ai i përqafoi që të gjithë dhe i njoftoi se ai e beson një Zot sikurse edhe ata, e se Dekijanusi ishte zhdukur. Dëgjoi fjalët dhe ngjarjen e tyre dhe e kuptoi se Allahu i zgjoi ata për të qenë çështja e tyre një argument për njerëz. Pastaj i zuri gjumi dhe vdiqën, e njerëzit thanë: Do t'u ndërtojmë atyre një faltore aty.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:9–18:12

Allahu i Lartësuar jep fillimisht një lajmërim rreth historisë së të rinjve të Shpellës, të cilën do ta sjellë të shtjelluar më pas: - “A mos mendove ti se shokët e shpellës së Rekimit ishin nga Shenjat Tona më të çuditshme?” - A mendon, vallë, o Muhamed, se historia e të rinjve të Kehfit dhe Rakimit është nga çështjet më të çuditshme?! Jo, nuk duhet të çuditesh aspak me ngjarjen e tyre. Nuk ka çudi me pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut. Krijimi i qiejve dhe të Tokës, ndryshimi i netëve dhe ditëve, nënshtrimi i Diellit, Hënës, yjeve, e shumë e shumë krijesa të tjera madhështore të Allahut në gjithësi - të cilat tregojnë për pushtetin e plotë, gjithëpërfshirës dhe absolut të Allahut të Lartësuar, - janë sigurisht më të çuditshme se historia e të rinjve të Shpellës. El Kehf do të thotë “shpellë ose guvë në mal”, pikërisht vendi ku u strehuan të rinjtë e historisë sonë. Ndërsa në lidhje me emërtimin “ ErRakim”, Al Aufiu sjell shpjegimin nga Ibn Abasi, i cili thotë se: Er-Rakim është luginë shumë pranë Ejletes (në Palestinë). Ndërsa Dahaku ka thënë që: El Kehf është shpellë apo guvë në mal, ndërsa Er-Rakim është emri i luginës pranë asaj shpelle. Seid Ibn Xhubejri ka thënë se, Er-Rakim është një pllakë guri, në të cilën njerëzit shkruan historinë e të rinjve të Shpellës, dhe pastaj e vendosën mbi hyrjen e kësaj shpelle. Ndërsa Ibn Xheriri shpjegon se, Er-Rakim vjen në formën (arabe) ‘ feiil’, e cila ka kuptimin ‘mefûl’, kështu që Rakim do të thotë merkum, pra, diçka e shkruar dhe e gdhendur. Ky lloj përdorimi në gjuhën arabe është i përhapur dhe i njohur. - Kur të rinjtë u strehuan në shpellë, thanë: “O Zoti ynë! Na dhuro mëshirë nga ana Jote dhe na jep udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” - Allahu i Lartësuar na rrëfen rreth këtyre të rinjve, të cilët u larguan nga atdheu, pikërisht për të ruajtur fenë dhe besimin e tyre të shenjtë. Ata u strehuan në një shpellë në mal, që të mbroheshin nga populli i tyre, i cili po i përndiqte. Kur hynë në shpellë, ata thanë: “O Zoti ynë! Na dhuro mëshirë nga ana Jote!” Domethënë, na dhuro, o Zot, mëshirë, duke na mbrojtur nga përndjekja e popullit tonë! Pastaj thanë: “... na jep udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” Domethënë, bëje që përfundimi i çështjes tonë të jetë tek e mira, udhëzimi dhe e drejta, siç thuhet në lutjen që vjen në një hadith: 1722. “Për çdo gjë që vendos për ne, o Zot, bëje që përfundimi i saj të jetë ‘rushden’, pra, i mirë, tek e vërteta dhe e drejta.” - “Ne ua mbyllëm veshët (i vumë në gjumë) në shpellë për shumë vite me radhë (që të mos dëgjonin).” - Kur ata hynë në shpellë, Ne hodhëm mbi ta gjumë, i cili vazhdoi për shumë vite. - “Pastaj i zgjuam për të parë se cili prej dy grupeve do të ishte më i mirë në llogaritjen e viteve të qëndrimit (në gjumë).” - I zgjuam ata nga gjumi i gjatë, për të nxjerrë në pah se cila palë debatuese kishte gjykimin më të saktë, në lidhje me kohëqëndrimin e tyre në shpellë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:9

Kurrë mos mendo se historia e djemve të shpellës ishte nga shenjat tona më të çuditshme dhe të pashembullta. Megjithatë, Allahu i Madhëruar ka sjellë shenja edhe më të mëdha se këto, në aspekte të ndryshme. Allahu i Madhëruar u sjell njerëzve shenja të shumta si në ambientin që i rrethon, ashtu edhe në veten e tyre, derisa t’u bëhet e qartë se ky Kur’an është i vërtetë dhe derisa t’u bëhet e qartë e vërteta nga e kota, udhëzimi nga humbja. Ky ajet nuk duhet kuptuar gabim: domethënë, edhe historia e djemve të shpellës është nga shenjat e çuditshme dhe madhështore që ka sjellë Zoti, por jo më e madhja. Si ajo ka patur shenja të shumta. Për këtë arsye, çudia pa fund nga kjo histori nuk është me vend. Besimtari mediton në të gjitha shenjat dhe mesazhet e Zotit, ashtu siç i ka ftuar Ai. Në fakt, ato janë çelës për të hapur rrugët e imanit në zemrën e njeriut. Ato janë rrugë të hapura drejt diturisë së dobishme dhe arritjes së jekin-it, sigurisë në besim. Allahu i quan të rinjtë “banorë të shpellës”, sepse ata qëndruan një kohë shumë të gjatë atje.

← Kehf 18:9