18. Kehf · Ajeti 98 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:83–18:98

Ndonëse nuk janë cekur se kush ishin pyetësit për Dhulkarnejnin, sipas të gjitha gjasave, ata ishin jehuditë.

Rreth personalitetit të Dhulkarnejnit janë dhënë mendime e interpretime të llojllojshme. Kur'ani nuk cek ndonjë sqarim të thukët se kush ishte Dhulkarnejni, kur ishte dhe në ç'vende udhëtoi e veproi. Përmend sundimin e tij, drejtësinë në sundim, ndihmën që u ofroi njerëzve dhe devotshmërinë e besimin e tij të sinqertë, zatën ky është gjithnjë udhëzim i tij. i "Dhulkarnejn" nga arabishta do të thotë: dybrirësh. Përse quhet kështu ka shumë mendime, e ndoshta më i pranueshmi prej tyre është, pse sundimi i tij arriti deri te briri i perëndimit dhe i lindjes, çka jep të kuptohet për një territor shumë të gjerë. Nuk është fjala për Lekën e Madh, siç mendoi dikush, pse ky ishte me besim politeist.

Kur'ani përmend tri udhëtime të Dhulkarnejnit, një në perëndim, një në lindje deri te një popull që thuajse ishte i egër, nuk kishin shtëpi, nuk kishin petka në trup, pra jetonin në shpella dhe lakuriq. Ai bëri edhe një udhëtim në veri, diku te Azerbejxhani e Liqeni Kaspik. Populli i atij vendi i ankohet për krimet që bënin fisi Jexhuxh dhe ai Mexhuxh, e që ishin të përçudët edhe në fizionominë e tyre si tepër të gjatë ose tepër të shkurtër. Dhulkarnejni I ndihmoi kundër tyre duke ndërtuar një pendë të fortë, të cilën nuk do të mund ta kalonin deri kur të vijë koha e kijametit, e Zoti ta shkatërrojë atë pendë.

Jexhuxh dhe Mexhuxh përmenden edhe në kaptinën "Enbija", e ka disa hadithe që flasin rreth tyre si nga shenjat paralajmëruese për afrimin e kijametit. Allahu e di më së miri!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:97–18:99

- “Në këtë mënyrë, ata nuk mund ta kapërcenin e kurrsesi nuk mund ta çanin më.” - Allahu i Lartësuar na njofton rreth jexhuxhëve dhe mexhuxhëve se ata nuk mundën që të kalonin sipër kësaj pende dhe as që ta çanin atë. Kapërcimi i pendës është më i thjeshtë sesa shpimi e çarja e saj, prandaj për kapërcimin e pendës, Zoti tha: “ma stâu” (nuk mund ta kapërcenin), ndërsa

për çarjen e saj tha: “ ma s tetâu (kurrsesi nuk mund ta çanin më) . Kështu, për secilin rast është shprehja e duhur. Pra, në atë kohë, ata as mundën ta kalonin dhe as ta çanin pendën. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Zejneb Bintu Xhaĥshi, gruaja e Profetit ﷺ ,e cila tregon: “Profeti i Allahut u ngrit njëherë prej gjumit me fytyrë të skuqur, duke thënë: La ilahe il-l’Allah! Mjerë arabët, për sherrin që është afruar! U hap sot prej pendës së jexhuxhëve dhe mexhuxhëve një e çarë si kjo!” - dhe bëri një rreth me gishtin e madh dhe atë tregues. Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! A do të shkatërrohemi, edhe kur mes nesh ka besimtarë të mirë?!” Ai tha: “Po, nëse e keqja shtohet (e përhapet) shumë.” [Buhariu dhe Muslimi]. Pasi e përfundoi ndërtimin e pendës, Dhulkarnejni tha: - “Ai tha: “Kjo ishte mirësi nga Zoti im. ” - Kjo është mëshirë nga Zoti për gjithë njerëzit. Me ndërtimin e kësaj pende, ata janë të sigurt nga shkatërrimi i jexhuxhëve dhe mexhuxhëve. - “Megjithatë, kur të vijë çasti i vendimit të Zotit tim ...” - Kur të vijë koha e përmbushjes së premtimit të vërtetë ... - “Ai do ta bëjë rrafsh atë. ” - Do ta rrafshojë atë pendë e do ta bëjë njësh me tokën. - “Vendimi i Zotit tim është i sigurt.” - Ai do të përmbushet në mënyrë të pashmangshme. - “Atë ditë, Ne do t’i bëjmë ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. ” - Ditën kur të rrafshohet ajo pendë, ata do të dalin dhe do të vërshojnë mbi njerëzit, duke shkatërruar pasuritë e tyre dhe çdo gjë. E gjitha kjo do të ndodhë përpara Kijametit dhe pas daljes së Dexhalit, sikurse do ta shtjellojmë hollësisht në tefsirin e fjalës së Allahut: “Kur të hapet (penda e) jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, ata do të vërshojnë me shpejtësi nga çdo bregore.” [Enbija 96]. Ndërsa në këtë ajet, i Lartësuari thotë: “... Ne do t’i bëjmë ata të përzihen si valët njëra me tjetrën.” Sudiu shpjegon: Kjo do të ndodhë në fillim të Ditës së Kijametit dhe menjëherë pas saj... - “... do t'i fryhet Surit, ...” - Në hadith është shpjeguar se Suri është një bri i madh, të cilit do t’i fryhet Ditën e Kijametit. Ai që do t’i fryjë bririt është meleku Israfil. Në hadith merfu thuhet se Ibn Abasi përcjell prej Ebu Seid el Hudriut se Profeti ﷺ ka thënë: 1752. “E si të kënaqem (me jetën në këtë dynja), ndërkohë që meleku që do t’i fryjë Surit e ka vendosur atë në gojë, ka ngritur kokën lart dhe pret urdhrin?!” Njerëzit pyetën: “Çfarë duhet të themi, o i Dërguari i Allahut?” - “Thoni: ‘ĥasbunallllâhu ue ni’mel uekil. Alell -llâhi teuek - kelnâ.” ( Na mjafton Allahu; Ai është mbrojtësi më i mirë. Allahut i mbështetemi) - “... dhe do të tubohen bashkë të gjithë ” . - Do të tubohen të gjithë, pa përjashtim, për të dhënë llogari para Zotit, siç thuhet në ajetin tjetër kuranor: “Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar.” [Uakia 49, 50], ose: “... Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë asnjë pas.” [Kehf 47]

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:89–18:98

- Më pas, ai u nis sërish për udhë. - Dhulkarnejni tani vijoi rrugën drejt lindjes, me ato mjete e lehtësira që ia kishte dhuruar Zoti. Ashtu vazhdoi, derisa mbërriti në lindje të diellit: - Vazhdoi derisa arriti atje ku lindte dielli. Ai pa se dielli lindte atje ku ishte një popull, të cilin e kishim bërë të pambrojtur prej tij (diellit). – Atje ku lindte dielli, ishte një popull që nuk kishte mbrojtje nga dielli, ose për shkak se ata ishin primitivë dhe nuk dinin të ndërtonin shtëpi, ose për shkak se dielli nuk perëndonte kurrë atje, siç ndodh, për shembull, në lindje të Afrikës Jugore. Kështu, Dhulkarnejni ndodhej në një vend për të cilin asnjë banor i Tokës nuk dinte gjë, e aq më pak të kishte shkuar vetë tek ata e t’i shihte. Sigurisht që e gjithë kjo ndodhi me caktimin dhe mundësitë e dhëna nga Zoti. Ishte Zoti që i dha Dhulkarnejnit mundësinë dhe diturinë për këtë vend: - Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të (për forcën dhe sundimin e tij të drejtë). - Zoti i dinte mirë të gjitha mjetet e mundësitë që i kishte dhënë Dhulkarnejnit. Ai e ndihmoi robin e Tij në çdo udhëtim e mision që ai ndërmerrte. - Pastaj mori një rrugë tjetër. – Shpjeguesit e Kur’anit thonë se, më pas, Dhulkarnejni u nis drejt veriut, derisa mbërriti në një luginë mes dy maleve të njohura në atë kohë. - Vazhdoi derisa arriti mes dy maleve. Atje gjeti një popull, që thuajse nuk kuptonte asnjë gjuhë tjetër . – Prapa maleve gjeti një popull, që gati nuk kuptonin asnjë gjuhë, sepse edhe gjuha e tyre ishte e rrallë dhe e panjohur, ashtu siç ishin edhe zakonet dhe mentaliteti i tyre. Por Allahu i Madhëruar i dha Dhulkarnejnit aftësi dhe mjete, që mund të kuptonte gjuhën dhe mënyrën se si ata mendonin e gjykonin dhe hyri në bisedime me atë popull. Ata i kërkuan ndihmë dhe iu ankuan Dhulkarnejnit për të keqen e madhe që u vinte nga jexhuxhët dhe maxhuxhët. Këta ishin dy popuj të mëdhenj prej njerëzve në atë kohë. - Ata i thanë: “O Dhulkarnejn! Jexhuxhët dhe maxhuxhët po sjellin shkatërrime në tokë. - Ata vrasin, grabisin dhe terrorizojnë njerëzit. - A pranon që të të paguajmë dhe të na ngresh një mur mes nesh dhe atyre?” – A pranon të të paguajmë, që të ndërtosh një barrierë mes nesh dhe atyre? Kjo tregon se ata nuk ishin në gjendje që ta ndërtonin vetë, prandaj i ofruan shpërblim Dhulkarnejnit, që ta kryente ai. Ata i përmendën edhe shkakun për këtë kërkesë të tyre: shkatërrimi që ata popuj keqbërës përhapnin në tokë. Por Dhulkarnejni nuk ishte nga ata që kërkonin shpërblime materiale. Sidoqoftë, ai nuk mund të hiqte dorë nga kujdesi për njerëzit e pambrojtur, prandaj e pranoi t’i ndihmonte. Ai nuk mori asnjë shpërblim për atë punë jashtëzakonisht të vështirë, por falënderoi dhe lëvdoi Zotin për forcën dhe mundësitë që i kishte dhuruar: - Ajo që më ka dhënë Zoti im është shumë herë më e mirë... - Është shumë herë më e mirë se shpërblimi material që më ofroni ju. Ajo që ju kërkoj është vetëm pjesëmarrja juaj e drejtpërdrejtë: - ...por ju më ndihmoni me fuqi punëtore, që të ngre një mur të fortë mes jush dhe mes atyre! - Më ndihmoni fizikisht që ta ndërtojmë këtë mur, në mënyrë të tillë që jexhuxhët dhe maxhuxhët të mos kenë mundësi që ta kapërcejnë. - Më sillni hekur! - Dhulkarnejni u kërkoi hekur dhe ata ia dhanë. - Pasi e ngriti në nivel me dy shpatet e maleve, tha: “Ndizeni tani!” – Ndezi zjarr të fuqishëm, që e bëri hekurin të shkrinte e të vlonte: - Kur nisi të vlonte, tha: “Më sillni bakër të shkrirë, që ta hedh këtu!”. - Pasi shkriu

hekurin, hodhi bakër të shkrirë, duke e bashkuar atë me hekurin. - Në këtë mënyrë, ata nuk mund ta kapërcenin e as ta çanin më . – Përzierja e hekurit me bakrin e shkrirë bëri një masë shumë e fortë dhe e pathyeshme, që askush nuk mund ta çante. Kështu njerëzit do të ishin të sigurt nga e keqja e jexhuxhëve dhe maxhuxhëve. Pasi kreu këtë vepër mirësie madhështore e të pashembullt, Dhulkarnejni ia atribuoi menjëherë atë Allahut, duke thënë: - Ai (Dhulkarnejni) tha: “Kjo ishte mirësi nga Zoti im. - Kjo ishte mirësia dhe bujaria e Zotit ndaj meje. Të tillë duhet të jenë udhëheqësit e mirë, kur Allahu u jep një mundësi. Atyre u shtohet edhe më tepër mirënjohja dhe përulësia ndaj Zotit, siç bëri Sulejmani (a.s) kur i sollën përpara këmbëve fronin e mbretëreshës Belkisë: “Kur e pa atë (fronin) të vendosur pranë tij, tha: “Kjo është mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë mua nëse do ta falënderoj apo do të jem mosmirënjohës. Kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet dhe kush mohon, atëherë Zoti im është Jonevojtar e Bujar! [Neml 40]. Ndryshe ndodh me tiranët, të cilët janë arrogantë dhe shtypin popujt e tyre. Kur u jepet ndonjë mirësi e madhe, atyre u shtohet edhe më tepër e keqja dhe tirania, siç qe Karuni, të cilit Allahu i dha thesare të mëdha. Allahu thotë për të: “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë me ta. Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe disa njerëz të fuqishëm. Populli i vet i tha: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i do të shfrenuarit! Me atë që të ka dhënë Allahu, kërko botën tjetër dhe mos e lër atë që të takon nga kjo botë. Bëj mirë, ashtu siç të ka bërë Allahu ty dhe mos bëj të këqija në tokë, se Allahu nuk i do keqbërësit. Ai (Karuni) tha: “Kjo më është dhënë vetëm në sajë të diturisë sime!” Më pas, Allahu thotë: - Megjithatë, kur të vijë çasti i vendimit të Zotit tim, Ai do ta bëjë rrafsh atë. Vendimi i Zotit tim është i sigurt! - Kur të vijë koha që jexhuxhët dhe maxhuxhët të lejohen të dalin, Allahu do ta bëjë që gjithë ai mur i fuqishëm të shembet. Ky është një premtim i vërtetë, që ka për t’u realizuar patjetër.

← Kehf 18:98