19. Merjem · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures Merjem Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Fatir, ajete: 98

Kjo sure e zbritur në Meke parashtron çështjen e besimit të drejtë, që është besim në një të vetmin Zot dhe mposht të gjitha ato bindje të kota përkitazi me Zotin fuqiplotë Në fillim përshkruhet tregimi rreth Pejgamberit Zekerija, rreth djalit të tij Jahjait të cilin ia fali Zoti në pleqëri të tij dhe të gruas së tij. Në këtë tregim manifestohet fuqia e pakufishme e Allahut dhe pranimi i lutjes së atij që është i sinqertë siç ishte Zekeriai.

Çështja e Merjemes virgjëreshë e cila e lindi djalin Isain pa babë, është një ngjarje edhe më e çuditshme, por kur dihet se vullneti i Zotit është i pavarur prej shkaqeve, atëherë kjo mrekulli vetëm shton bindjen e njerëzve të mençur për fuqinë e pakufishme të Zotit të madhëruar.

Në këtë kaptinë bëhet fjalë për Pejgamberin Ibrahim dhe për babain e tij, mandej përmenden në mënyrë të lavdishme edhe disa pejgamberë, si Is-haku, Jakubi, Musai, Haruni, Ismaili, Idrisi e Nuhu dhe thuajse gati dy të tretat e kësaj kaptine bëjnë fjalë rreth këtyre pejgamberëve. Përmes përshkrimit të historisë së këtyre pejgamberëve, vërtetohet se të gjithë pejgamberët, të gjitha shpalljet rridhnin prej një burimi, prej Zotit dhe kishin të njëjtin qëllim, besimin e drejtë, besimin në një Zot. i Përshkruhen edhe disa momente që do të përjetohen në ditën e kijametit nga të cilat më e tmerrshmja është ajo e kriminelëve, të cilët kur do t'i afrohen zjarrit të xhehenemit, nga frika, i lëshojnë këmbët dhe gjunjëzohen dhe ashtu presin momentin kur do të hudhen në të Në fund i bëhet një vështrim injorancës, xhahilijetit të atyre që i përshkruanin Zotit fëmijë dhe vihet në pah se Madhëria e Tij është e pastër prej shpifjeve të tilla.

Quhet: "Sureti Merjem" - kaptina për Merjemen, ngase dëshira e Zotit ishte që mrekullia e njeriut të lindur pa babë, e nënës së ndershme të përjetohet prej të gjithë njerëzve duke e lexuar ngjarjen. Në anën tjetër përmes mrekullisë së Isait kur si foshnjë në djep u flet njerëzve dhe mbron nderin e nënës së vet, paralajmëron se Zoti do ta dërgojë pejgamber, do t'ia shpallë Inxhilin, se është rob i Zotit e asgjë tjetër: në të gjitha këto kuptohet se dëshira e Zotit realizohet pa u mbështetur në shkaqe.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 19:1–19:11

Shkronjat në fillim japin shenjë për mrekullinë e Kur'anit. Zekerijai ishte pejgamber dhe nuk kishte fëmijë. lu lut Zotit me një zë të ulët, pse zëri i ulët në lutje është shprehje më e sinqertë e dëshirës dhe më larg formalitetit. tha se më ka kapluar pleqëria, më është dobësuar trupi, e po kam frikë se pas meje, të afërmit e mi do ta humbin rrugën e drejtë, andaj sikur të më dhuroje një fëmijë ndoshta do të më trashëgonte mua në fe, edhe gjyshërit, siç ishin Jakubi e të tjerët, kuptohet nëse Ti o Zot e përgatit si të tillë.

Megjithë faktin se vetë ishte plakur, e edhe gruaja e tij nuk kishte lindur, ai kishte shpresë i në pranimin e lutjes së tij, ngase asnjëherë nuk iu kishte refuzar kërkesa.

Duke qenë se Zekerijai i lutej Zotit, engjëjt e lajmërojnë se do të ketë djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja, emër që askush para tij nuk është quajtur me të. Nëse hulumtohet më thellë, do të kuptohej se Jahjai do të jetë dëshmor, e dëshmorët janë të pavdekshëm, pra Jahjai do të jetë i pavdekshëm. Ashtu edhe ngjau, pse Jahjai ra dëshmor prej duarve të beni israelitëve. Si shenjë e plotësimit të dëshirës së Zekerijait për fëmijë, ai tri ditë e tri net, nuk mundi t'u flasë njerëzve, edhe pse mund të lexonte Tevratin dhe të adhuronte Zotin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 19:1–19:6

- Kaf, Ha, Ja, ‘Ajn, Sad. - Në fillim të sures Bekare kemi folur gjerësisht për mendimet e ndryshme të dijetarëve rreth këtyre germave, të përmendura në fillim të disa sureve të Kuranit. Muhamed Ibn Is’haku shënon në librin e tij “ Es-Sira” hadithin e Ummu Selemes. Gjithashtu, Ahmed Ibn Hambeli sjell nga Ibn Mesudi historinë e emigrimit në Abisini. Në të dy hadithet përmendet se Xhafer Ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i lexoi Nexhashiut dhe shpurës së tij fillimin e kësaj sureje. - “Ky është një tregim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Vet, Zekerias. ” - Ai ishte një profet i madh prej bijve të Izraelit. Në Sahih-un e Buhariut përmendet se ai ishte marangoz dhe ushqehej nga puna e duarve të tij. - “(Kujto) Kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët ...” - Ai e shprehu fshehtas lutjen e tij, sepse kjo mënyrë është më e dashur për Allahun e Lartësuar, i Cili është i Gjithëditur për çdo zemër të devotshme dhe i dëgjon të gjitha zërat dhe lutjet e fshehta drejtuar me përunjësi. - “O Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat e më është zbardhur koka nga thinjat. ” - Trupi më është dobësuar, fuqitë më kanë lënë dhe thinjat kanë mbuluar kokën time. Qëllimi është për të treguar shenjat e dukshme dhe të padukshme të dobësisë dhe të plakjes. - O Zoti im! Unë asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar me lutjet e mia drejtuar Ty.”. - Ti gjithmonë u je përgjigjur lutjeve të mia dhe kurrë nuk m’i ke kthyer duart bosh, sa herë të kam kërkuar. - “Unë kam frikë për popullin tim (se do të mbeten pa udhëheqës) pas meje ...” - Kam merak se populli im do të devijojë pas meje. - “... dhe gruaja ime është beronjë. Më dhuro nga mirësia Jote një trashëgimtar (të denjë) ...” - Më dhuro një fëmijë, që të jetë profet pas meje dhe të udhëzojë njerëzit me shpallje hyjnore. - “(Një që) të jetë trashëgimtari im dhe i familjes së Jakubit ...” - Të jetë profet, ashtu siç ishin etërit e tij. Këtu bëhet fjalë për trashëgiminë e profetësisë dhe jo për

pasurinë e Zekerijas. Çdo fjalë që mëton se Zekerija kërko i një djalë q ë t’ia linte trashëgim pasurinë e tij është e pasaktë, sepse profetet janë shumë më të lartë dh e të zgjedhur që të mund të kër kojnë fëmijë thjesht dhe vetëm për t’i lënë pasurinë, ose të frikësohen për pasurinë e tyre. Aq më tepër që Zekerija ishte marangoz dhe hante nga puna e duarve të tij, e një i tillë kurrsesi nuk grumbullon pasuri dhe të frikësohet për të. Profetët janë njerëzit më asketë, larg nga stolitë e kësaj bote. Në dy Sahih-ët vjen në versione të ndryshme se Profeti i Allahut ka thënë: 1759. “Ne nuk lëmë trashëgimi. Çdo pasuri që lëmë është sadaka.” Kështu, rrjedhimisht, lutja: “Më dhuro nga mirësia Jote një trashëgimtar (të denjë), të jetë trashëgimtari im dhe i familjes së Jakubit” nënkupton trashëgiminë e profetësisë dhe jo të pasurisë. Të gjitha hadithet që flasin për trashëgiminë e pasurisë janë hadithe të dobëta, mursele, të cilat kurrsesi nuk mund të hedhin poshtë hadithet e sakta. Megjithatë, Allahu është më i ditur. - “... dhe bëje atë, o Zoti im, të mirë!” - Bëje atë punëmirë të tillë, që Ti të jesh i kënaqur me të, por edhe njerëzit ta duan dhe të jenë të kënaqur me të. Pra, bëje atë të dashur, o Zot, për zemrat e njerëzve, për fenë dhe moralin e tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 19:1–19:6

- Kaf, Ha, Ja, ‘Ajn, Sad. Ky është një tregim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Vet, Zekerijait. – Këtu rrëfehet për mëshirën që Zoti yt tregoi ndaj Zekerias. Ne do ta tregojmë me hollësi këtë ngjarje. Nga kjo histori, o Muhamed, ti do të njihesh me gjendjen e profetit Zekeria, me gjurmët që la ai dhe cilësitë e tij të veçanta. Në këtë histori ka mësime për ata që duan të mësojnë dhe ajo është shembull i mirë për ata që duan një të tillë. Një ngjarje e tillë, që

tregon për mëshirën e madhe të Allahut për evlijatë e Tij dhe për mënyrat se si kjo mëshirë i përfshin ata, është një nga shkaqet më të forta që na shtojnë dashurinë për Allahun në zemrat tona dhe përmendjen e Tij në heshtje. Ajo na nxit që ta njohim më mirë Allahun me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij të mrekullueshme. Përmes saj, ne mësojmë rrugët e veprat që bëjnë të mundur dashurinë e Zotit për ne dhe dashurinë tonë për Zotin. 5 Ajo na tregon veprat dhe fjalët e mira që na afrojnë më pranë mëshirës dhe përkujdesit të posaçëm të Zotit për evlijatë e Tij. Allahu i Madhëruar e zgjodhi Zekerian për ta bërë besnikun e Shpalljes së Tij, duke e dalluar nga të tjerët. Ndërsa Zekeria, nga ana e tij, - ashtu si të gjithë vëllezërit e tjerë profetë, - u kujdes që ta çonte në vend amanetin e Zotit. Ai i ftonte njerëzit në adhurimin e Allahut dhe u mësonte atyre diturinë që ia kishte dhuruar Allahu. Ai jo vetëm që u dha porosi të shumta gjatë jetës së tij, por i mësoi si të vepronin edhe pas vdekjes së tij. Kur pa se po i shternin fuqitë dhe kuptoi se po i afrohej vdekja, ndërkohë që ende nuk kishte një fëmijë që, si pasardhës i tij, do t’i ftonte njerëzit në rrugën e Zotit dhe për t’i këshilluar ata, atëherë Zekeria iu lut dhe iu ankua Zotit për dobësinë e vet të jashtme dhe të brendshme dhe iu drejtua me një thirrje të fshehtë plot përunjësi. - (Kujto) Kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët... - U lut fshehtas, që të ishte sa më i sinqertë. Ai tha: - “O Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat... - Nëse dobësohen kockat, që janë shtyllat e trupit, atëherë çdo gjë tjetër është dobësuar. - ...e më është zbardhur koka nga thinjat. - Thinjat janë shenja të pleqërisë dhe paralajmëruese të vdekjes. Kështu, Zekeria kërkoi afrim tek Allahu, duke shprehur dobësinë dhe nevojën e madhe të tij. Kjo është mënyra më e dashur për Allahun që njeriu mund t’i afrohet e t'i kërkojë ndihmë, sepse ajo tregon se ai ka hequr dorë tërësisht nga forcat dhe mundësitë e veta dhe të gjithë ndihmën e kërkon te Zoti. Kështu zemra lidhet e tëra me forcën dhe ndihmën e Zotit dhe jo me faktorët njerëzorë, edhe pse bën gjithçka që ka në dorë, pasi kjo është diçka e detyrueshme. - O Zoti im! Unë asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar me lutjet e mia drejtuar Ty.”. – O Zoti im, Ti kurrë nuk më ke kthyer duarbosh dhe të dëshpëruar, sa herë që të jam lutur. Gjithmonë më je përgjigjur dhe je treguar i Dashur e Bujar për mua. Butësia dhe përkujdesi yt më kanë ndjekur në çdo çast të jetës sime. Mirësitë e Tua gjithmonë më kanë mrekulluar dhe ma kanë gëzuar zemrën. Ky është një afrim tek Zoti, që bëhet duke treguar mirësitë e shumta të Tij mbi ty dhe përgjigjen e lutjeve të tua. Edhe Zekeria iu lut Allahut, Atij që gjithmonë ishte treguar Bujar me të në të shkuarën, që ta vazhdonte atë mirësi edhe në të ardhmen. - Unë kam frikë për popullin tim (se do të mbeten pa udhëheqës) pas meje dhe gruaja ime është beronjë. – Unë shqetësohem, o Zot, se kush do ta marrë në dorë çështjen e bijve të Izraelit pas vdekjes sime. Kam frikë se ata nuk do t’i shërbejnë fesë ashtu si duhet. Kush do të duhet t’i ftojë njerëzit që të të adhurojnë Ty dhe të nënshtrohen për të jetuar sipas ligjit Tënd. Me sa duket, Zekeria nuk kishte parë ndër bijtë e Izraelit ndonjë që të meritonte të ishte udhëheqës i popullit në besimin dhe fenë e drejtë. Kjo tregont e dhembsurinë, mëshirën dhe kujdesin e Zekerias për popullin e tij. Kërkesa e tij për djalë nuk ishte si e çdo njeriu për pasardhës, pra vetëm që të mbante emrin e tij ose për ndonjë çështje të kësaj bote. Qëllimi i tij ishte dobia fetare dhe frika e devijimit të popullit, sepse nuk do të mbetej askush që të vazhdonte misionin e tij. Shtëpia e Zekerias ishte e njohur për besimin e pastër dhe adhurimet e shumta. Ajo ishte vatër e profetësisë dhe prej saj kishte veçse mirësi. Kjo qe një arsye që Zekeria e luti Allahun t’i dhuronte një djalë, që ai të ishte i denjë për rregullimin e fesë dhe udhëheqjen e

popullit. Por, nga ana tjetër, ai u ankua se e shoqja nuk mund të lindte fëmijë, ndërsa ai vetë ishte shumë plak, saqë vështirë se mund të pritej fëmijë prej tij. Megjithatë, Zekeria u lut dhe tha: - Më dhuro nga mirësia Jote një trashëgimtar (të denjë) . (Një që) të jetë trashëgimtari im dhe i familjes së Jakubit... - Më dhuro një djalë, që të jetë udhëheqës në fe dhe në besimin e drejtë! Më dhuro një djalë që të jetë trashëgimtar i profetësisë, i diturisë së pastër dhe i veprave të mira e të sinqerta! - ... dhe bëje atë, o Zoti im, të mirë!” – Bëje adhurues të mirë, që të të kënaq Ty, o Zot, dhe që ta duan njerëzit! Zekeria iu lut Allahut për një djalë të devotshëm e adhurues të mirë, që të mbetej pas vdekjes së tij dhe të ishte i dashur i Zotit, imam i njerëzve dhe përhapës i fesë së drejtë. E ku ka fëmijë me cilësi më të mira se këto? Nuk ka dyshim se është mëshirë e madhe nga Zoti që t’i dhurojë njeriut një djalë të mirë, të devotshëm, me moral të lartë dhe sjellje e edukatë të mirë. Kështu, Allahu e mëshiroi Zekerian, duke i dhuruar një djalë të tillë.

← Merjem 19:1