19. Merjem · Ajeti 7 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 19:1–19:11
Shkronjat në fillim japin shenjë për mrekullinë e Kur'anit. Zekerijai ishte pejgamber dhe nuk kishte fëmijë. lu lut Zotit me një zë të ulët, pse zëri i ulët në lutje është shprehje më e sinqertë e dëshirës dhe më larg formalitetit. tha se më ka kapluar pleqëria, më është dobësuar trupi, e po kam frikë se pas meje, të afërmit e mi do ta humbin rrugën e drejtë, andaj sikur të më dhuroje një fëmijë ndoshta do të më trashëgonte mua në fe, edhe gjyshërit, siç ishin Jakubi e të tjerët, kuptohet nëse Ti o Zot e përgatit si të tillë.
Megjithë faktin se vetë ishte plakur, e edhe gruaja e tij nuk kishte lindur, ai kishte shpresë i në pranimin e lutjes së tij, ngase asnjëherë nuk iu kishte refuzar kërkesa.
Duke qenë se Zekerijai i lutej Zotit, engjëjt e lajmërojnë se do të ketë djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja, emër që askush para tij nuk është quajtur me të. Nëse hulumtohet më thellë, do të kuptohej se Jahjai do të jetë dëshmor, e dëshmorët janë të pavdekshëm, pra Jahjai do të jetë i pavdekshëm. Ashtu edhe ngjau, pse Jahjai ra dëshmor prej duarve të beni israelitëve. Si shenjë e plotësimit të dëshirës së Zekerijait për fëmijë, ai tri ditë e tri net, nuk mundi t'u flasë njerëzve, edhe pse mund të lexonte Tevratin dhe të adhuronte Zotin.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 19:7
Allahu i Lartësuar iu përgjigj lutjes së robit të Tij, Zekerijas: - “(Përgjigja ishte:) O Zekerija! Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja.” - I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Atëherë, Zekeria iu lut Zotit të tij, duke thënë: “O Zoti im! Më dhuro edhe mua një pasardhës të mirë! Vërtet, Ti e Dëgjon lutjen.” Kur qëndronte në këmbë, duke u falur në faltore, atë e thirrën melekët: “Allahu të përgëzon ty me Jahjan, i cili do të besojë Fjalën e ardhur nga Allahu. Ai do të jetë zotëri (fisnik), i përkorë dhe Profet nga më të mirët.”“ [Al imran 38, 39]. - “Askush para tij nuk është emërtuar me këtë emër. ” - Katadja dhe të tjerë shpjegojnë që: Askush para tij nuk kishte patur atë emër. Ndërsa Muxhahidi shpjegon se fjala “ semijja” do të thotë që nuk kishte patur emër të ngjashëm me të, nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar: “Ai është Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë ka midis tyre. Prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin për Të! A di ndonjë (semijja) të ngjashëm me Të?” [Merjem 65]. Pra, kuptimi i ‘ semijja’ është: “të ngjashëm me të”. Ndërsa Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë që, kurrë një beronjë nuk ka lindur fëmijë si ai.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 19:7–19:11
- (Përgjigja ishte:) O Zekerija! Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit do të jetë Jahja. - Allahu i Madhëruar e përgëzoi Zekerian nëpërmjet melekëve, se do t’i dhuronte një djalosh me emrin Jahja. Ky ishte një emër që e zgjodhi Allahu për të. Jahja ka kuptimin ‘Jeton’ dhe ishte vërtet një emër që i shkonte për shtat atij fëmije. Jeta e tij do të ishte e plotë si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror. Jahja do të bënte një jetë fizike shembullore dhe një jetë shpirtërore të kompletuar me shpalljen e Zotit, me diturinë e pastër, me adhurimet e shumta dhe fenë e përkryer, me të cilën ai do të mbushej e ushqehej. - Askush para tij nuk është emërtuar me këtë emër. - Askush nuk ishte quajtur me këtë emër më parë. Por mund të ketë edhe kuptimin që askush më parë nuk kishte qenë i ngjashëm me Jahjan, për sa u përket cilësive të larta të tij. Sigurisht që ky përshkrim nuk hedh poshtë faktin që disa profetë të mëdhenj, si Ibrahimi, Musai, dhe Nuhu të ishin më të mirë se ai. Ata ishin profetët më të zgjedhur, prandaj ishin edhe më të mirë sesa Jahja. Kur Zekerias i erdhi përgëzimi për këtë djalë të mbarë, për të cilin ishte lutur aq shumë, ai u çudit, prandaj tha: - Ai tha: “O Zoti im! Si do të kem unë djalë kur gruaja ime nuk lind dhe unë kam arritur pleqëri të thellë?!” - Unë dhe ime shoqe kemi ‘pengesa’ të mëdha për të pasur fëmijë. Me sa duket, në momentet e lutjes, nga përgjërimi i madh, Zekeria e kishte harruar gjendjen e vet dhe të së shoqes. Nga dëshira e madhe për fëmijë, as që i kishte vajtur ndër mend se ekzistonin ato pengesa për të patur fëmijë. Dhe tani, kur duaja iu pranua, po mendonte për pamunndësitë. Por Allahu iu përgjigj duke thënë: - Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt: "Kjo është e lehtë për Mua. Unë të krijova ty më parë kur ti nuk ishe asgjë.” - Kjo është vërtet e habitshme për krijesat, në bazë të ligjeve që Zoti ka vendosur për to. Por pushteti i Allahut është
i pakufishëm dhe Ai mund të bëjë që gjërat të ekzistojnë edhe pa qenë nevoja për shkaqet natyrore. Kjo është e lehtë për Allahun, madje më e lehtë sesa sjellja në ekzistencë nga hiçi. - Ai (Zekerija) tha: “O Zoti im! Më jep mua një Shenjë!” - Më jep një shenjë, që të më qetësohet dhe kënaqet zemra. Kjo kërkesë nuk ishte për shkak të dyshimit në premtimin e Zotit, por thjesht për të kënaqur zemrën dhe për të shtuar sigurinë e saj, pikërisht ashtu siç tha i dashuri i Zotit, Ibrahimi (a.s): “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t'i shtohej bindja.” Ai (Zoti) tha: “Merr katër shpendë e pastaj, në çdo kodër vendos nga një pjesë të tyre; pastaj thirru atyre! Dhe ata kanë për të ardhur me shpejtësi. Dije se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë”. [Bekare 260]. Ibrahimi (a.s.) kërkoi t’i shtohej edhe më shumë dituria dhe të arrinte në gradën e sigurisë së shikimit të fakteve me shqisat e tij. Pasi kishte arritur gradën Ilm el Jakin, pra, diturinë e sigurt, ai donte të arrinte gradën Ajnul Jakin - sigurinë e shikimit drejtpërdrejt të fakteve të Zotit. Edhe Zekerijas, Allahu i Madhëruar ia pranoi kërkesën, si mëshirë për të, duke i thënë: “Shenja për ty është se, nuk do të mund t’u flasësh njerëzve për tri net”. Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Shenja është që, për tri ditë, ti nuk do të mund t’i flasësh asnjë njeriu, përveçse me gjeste." [Al imran 41]. Në të dyja rastet kuptimi është i njëjtë. Pra, njëherë ka thënë “tri net”, njëherë “tri ditë”, për të treguar se Zekeria nuk do të mund t’u fliste njerëzve për tri ditë e tri net, edhe pse ai nuk kishte asnjë defekt në dëgjim. Kjo do të ishte një shenjë e madhe për fuqinë e pakufishme të Allahut për shenja të jashtëzakonshme. Sidoqoftë, Zekeria nuk do të mund t’u fliste vetëm njerëzve në komunikimin e tyre të përditshëm, ndërsa tesbih-un, tahlil-in, dhikr-in e kujtimin e Zotit me lavde e falënderime, të gjitha këto mund t’i bënte si zakonisht. Për këtë arsye, në një ajet tjetër, Allahu na tregon se i tha Zekerias: "Përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje Atë çdo mbrëmje e mëngjes!” [Al Imran 41]. - Ai (Allahu) tha: “Shenja jote do të jetë që nuk do të mund t’i flasësh akujt për tri net”. – Kështu, zemra e Zekerias u qetësua dhe u mbush me kënaqësi për këtë përgëzim të madh. Ai iu përgjigj urdhërit të Zotit, duke treguar mirënjohje të madhe përmes adhurimeve të shumta, dhikrit të pandërprerë dhe duke qëndruar gjithë kohës në faltoren e tij. - Dhe Zekeria doli prej faltores para popullit të vet dhe u tha me shenja: "Madhërojeni Allahun mëngjes e mbrëmje! - Zekeria doli nga mihrabi dhe i tregoi me shenjë popullit që t’i bënin tesbih e ta lartësonin Zotin mëngjes e mbrëmje, pasi përgëzimi për ardhjen e Jahjasë ishte një përgëzim dhe mirësi e madhe jo vetëm për Zekerian, por për të gjithë popullin.