19. Merjem · Ajeti 88 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 19:81–19:98
Idhujt të cilët i adhuruan dhe me të cilët krenoheshin, do t'u bëhen armiq atyre idhujtarëve. E derisa ata nuk pranuan udhëzimet e Kur'anit, ata mbetën në mëshirën e shejtanit, i cili i ngacmon dhe i nxit gjithnjë për punë të këqia. Muhammedit i thuhet të mos ngutet, e të dëshirojë likuidimin e tyre, pse ata kundështojnë Zotin, pse Ai i ka në dorë frymëmarrjet, ditët, vitet e tyre janë të numëruara, andaj së shpejti do ta gjejnë dënimin e merituar.
Ditën e ringjalljes besimtarët do të sillen te Zoti të nderuar, të krenuar, ngase do të priten si mysafirë të lartë, ndërsa kriminelëve do t'u grahet sikurse shtazëve, kur grahen te uji, dhe përveç atij që Zoti i jep leje, përveç atij që e mban premtimin e Zotit, e premtimi i Zotit është Shehadeti, askush tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë falje për tjetrin.
Fjala më e ndytë dhe më e përçudur, është ajo e atyre që i përshkruajnë Zotit fëmijë. Është e rëndë ngase gjithçka që është në qiej e tokë është krijesë e Tij, dhe si rob i Tij do t'i paraqitet secili i vetmuar, pa pasuri, pa fëmijë, pa shoqëri, pa fuqi në ditën e Gjykimit, andaj nuk është për t'u habitur kur thuhet se prej një këso fjale të rëndë, fjalë injorante gati do të shkatërroheshin qiej e tokë.
Dashurinë në zemrat e tyre që besuan dhe bënë vepra të mira e shpik Zoti, andaj ata e duan Zotin dhe Ai i do ata, dhe e duan njëritjetrin. Në përputhje me këtë ajet është edhe hadithi i Pejgamberit që thotë: "Kur e do Allahu ndonjë rob, e thërret Xhibrilin e i thotë: Unë e dua filanin, pra duaje edhe ti, e Xhibrili thërret në qiell: Allahu e do filanin, duane edhe ju, e duan banorët e qiellit dhe ajo dashuri ndaj tij zbret edhe te banorët e tokës, e edhe ata e duan!" (Muslimi).
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Merjem. 1 lavdëruar qofsh o Allah!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 19:88–19:95
Në fillim, Allahu i Madhëruar na tregoi se Isai (a.s.) ishte rob dhe i dërguari i Tij. Allahu i Lartësuar e krijoi atë në barkun e nënës së tij pa baba. Në vijim, Allahu i Lartësuar vijon të hedhë poshtë pretendimet e të paditurve dhe të padrejtëve, të cilët thonë se Ai ka bir. I lartësuar, i dëlirë dhe i pastër është Allahu nga të tilla trillime! - “Ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka bir!”. Vërtet, ju keni thënë një fjalë shumë të shëmtuar! ” - Ju vërtet keni trilluar diçka shumë të shëmtuar, duke bërë një krim të madh! - “Qiejt janë gati të copëtohen, toka është gati të çahet dhe malet janë gati të shemben e të thërmohen nga ajo (shpifje), që trilluan se i Gjithëmëshirshmi ka bir.” - E gjithë kjo është gati të ndodhë, kur dëgjojnë se çfarë thonë njerëzit e padrejtë, sepse ato e madhërojnë dhe i frikësohen Zotit të Lartësuar. Ato janë krijesa të cilat janë krijuar të tilla që ta madhërojnë Allahun dhe të dëshmojnë se Ai është një i vetëm dhe askush tjetër nuk meriton të adhurohet. Ai nuk ka të ngjashëm me Të, nuk ka shok dhe partner, nuk ka bir dhe nuk ka bashkëshorte. Askush nuk i ngjan Atij, madje “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Absoluti (Es-Samed). Ai nuk ka lindur asnjë dhe nuk është i lindur (nga dikush). Asgjë (e askush) nuk mund të jetë si Ai.”! Ibn Xheriri tregon nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: “Nga idhujtaria u tmerruan qiejt, Toka, malet dhe të gjitha krijesat, përveç njerëzve dhe xhindëve! Ato ishin gati të zhdukeshin, prej frikës nga madhështia e Allahut. Prandaj, ashtu sikurse idhujtarit nuk i vlejnë veprat e mira, nëse nuk pendohet për idhujtarinë, po ashtu ne shpresojmë që Allahu t’i falë dhe mbulojë gjynahet e atyre që e besojnë si një dhe të vetëm. Profeti i Allahut ka thënë: 1775. “Thojuani njerëzve tuaj (që janë në momentin e vdekjes) dëshminë “ Lâ Ilâhe il l’Allah!” Ai që e thotë këtë fjalë në momentin e vdekjes, për të bëhet detyrë futja në Xhenet.” Njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut, po ai që e thotë atë kur është i shëndetshëm?” Ai tha: “Ashtu e ka akoma dhe më shumë detyrë.” Pastaj tha: “Betohem në atë që ka në dorë shpirtin Tim! Sikur të silleshin qiejt Toka, gjithçka që ndodhet në to, gjithçka që ndodhet mes tyre dhe gjithçka që ndodhet poshtë tyre, dhe të vendoseshin në njërën anë të peshores, ndërsa dëshmia ‘Lâ ilâhe il Allah’ të vendoset në anën tjetër të peshores, dëshmia do të peshonte më shumë.” Kështu e ka sjellë Xheriri. Për saktësinë e tij dëshmon edhe hadithi i Bitakës. 17 Megjithatë, Allahu është më i ditur. Dahaku shpjegon se ajeti: “Qiejt janë gati të copëtohen...”, domethënë, të çahen dhe të ndahen në pjesë -pjesë nga madhështia e Allahut të Lartësuar. ” Abdurrahman Ibn Zejd Ibn Eslemi shpjegon se: “Toka është gati të çahet, nga zemërimi për hir të Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Ndërsa Ibn Abasi, duke shpjeguar fjalën e Allahut:
“malet janë gati të shemben e të thërmohen ...”, ka thënë: “Domethënë, janë gati të shemben dhe të bëhen rrafsh me tokën. Ndërsa Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “Pra, malet janë gati të shkërrmoqen, duke u përplasur njëri me tjetrin.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut ka thënë: 1776. “Askush nuk është më i durueshëm se Allahu i Madhëruar ndaj fjalëve fyese që Ai i dëgjon nga njerëzit! Ata trillojnë se Ai ka bir (a pasardhës e fëmijë), por sërish Ai u dhuron atyre shëndet dhe furnizim!” [ Buhariu dhe Muslimi]. - “Të Gjithëmëshirshmit nuk i shkon të ketë fëmijë! ” - Nuk i takon Atij, nuk i shkon madhështisë së Tij, sepse asnjë krijesë nuk i ngjan Atij; Ai është i vetëm, i pashembullt, ndërsa gjithçka tjetër është krijesë e Tij. - “Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob. Me diturinë e vet, Ai i ka përfshirë të gjitha dhe i ka numëruar (e shënuar) të gjitha në mënyrë të saktë. ” - Ai është i gjithëditur dhe ka shënuar gjithçka, që nga fillimi i krijimit deri në Ditën e Kijametit. - “Në Ditën e Kijametit, çdokush do t’i paraqitet Atij i vetmuar. ” - Askush nuk mund ta ndihmojë robin përpara Allahut, që është një i vetëm dhe pa ortak. Ai do të gjykojë krijesat e Tij ashtu si Ai di; Ai është i Drejti, që nuk i bën padrejtësi askujt, as sa grimca më e vogël.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 19:88–19:95
- Ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka bir!”. Vërtet, ju keni thënë një fjalë shumë të shëmtuar. - Ju keni shpifur një gjë shumë të madhe dhe të shëmtuar. Aq të madhe, sa: - Qiejt janë gati të copëtohen, toka është gati të çahet dhe malet janë gati të shemben e të thërmohen nga ajo (shpifje), që trilluan se i Gjithëmëshirshmi ka bir. - Nga ligësia e kësaj fjale, qiejt dhe toka gati u çanë, malet gati sa s’u shembën. - Të Gjithëmëshirshmit nuk i shkon të ketë fëmijë. - Nuk i shkon madhështisë së Zotit që të ketë fëmijë. Fëmijë ka vetëm ai që ka nevojë dhe është i mangët, siç janë të gjitha krijesat, ndërsa Allahu është Krijuesi dhe Ai është i Pasur, i Lavdëruar dhe Jonevojtar. Nga ana tjetër, fëmija do të ishte njëlloj si i ati, dhe dihet se Allahu nuk ka të ngjashëm. - Çdo qenie në qiej e në Tokë ka për t’iu paraqitur Të Gjithëmëshirshmit si rob. - Do të vijë si rob i nënshtruar, pa treguar asnjë ngurrim e mosbindje. Melekët, njerëzit, xhindët e çdo gjë tjetër, të gjithë janë të nënshtruar. Allahu administron çështjet e tyre. Ata nuk kanë asgjë prej pushtetit e pasurisë dhe as prej rregullimit e administrimit të çështjeve të tyre. Atëherë, si mund të mendohet se Allahu ka fëmijë, kur ky është pushteti e mbretërimi i Tij?! - Me diturinë e vet, Ai i ka përfshirë të gjitha dhe i ka numëruar (e shënuar) të gjitha në mënyrë të saktë. - Dituria e Allahut ka përfshirë të gjitha krijesat, banorët e qiejve dhe të Tokës. Ai i ka llogaritur të gjithë ata dhe punët e tyre një për një. Allahu nuk gabon dhe nuk harron kurrë. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë. - Në Ditën e Kijametit çdokush do t’i paraqitet Atij i vetmuar. – Atje njeriu nuk ka fëmijë, as pasuri, as ndihmëtarë dhe aleatë. Njeriu do të ketë me vete atë ditë veçse veprat e veta. Për to, Allahu do t’ia japë të plotë shpërblimin e merituar. Nëse ka punuar mirë, do të shpërblehet shumëfish me të mira, e nëse ka bërë keq, do të shpërblehet sipas të keqes që ka bërë, sikurse thotë i Madhëruari: “Tashmë ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari, duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se
ishin ortakët e Allahut. Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” [En'am 94].