2. Bekare · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures El-Bekare Sherif Ahmeti

E para sure e zbritur në Medine, ajete: 286.

Kjo sure që është shpallur në Medine është njëra ndër suret më të gjata të Kur'anit. Ajo është e shpallur në atëdheun e ri të myslimanëve, në bashkësinë e re të posa formuar, e cila kishte nevojë për rregulla dhe dispozita sipas së cilave do ta orientonte jetën e vet shpirtërore, fizike dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Në këtë kaptinë janë përfshirë shumë dispozita të rëndësishme, që kanë të bëjnë me çështjet e fesë dhe të sheriatit si: besimi i drejtë islam, adhurimet (ibadetet), normat e moralit islam, marëdhëniet familjare, bashkëshortësia etj.

Në fillim përshkruhen cilësitë e besimtarëve të denjë, të sinqert, mandej të pabesimtarëve të hapët, e edhe veset e hipokritëve (munafikëve), ashtu që në një mënyrë të qartë shtrohet thelbi i besimit, i mosbesimit dhe i hipokrizisë. Më vonë i bëhet një vështrim krijimit të njeriut të parë, babait të njerëzisë, të Ademit a.s., ndodhive dhe ngjarjeve të papritura e të çuditshme, të cilat lajmërohen kur Zoti xh.sh. e shpall njeriun krijesë më të ndershme dhe në shenjë nderimi engjëjt i përulen atij, ndërsa shejtani ia ka smirë, me kryeneçësi refuzon t'i përulet, andaj përjashtohet prej mëshirës së Zotit, përbuzet dhe mallkohet, duke mbetur armik i hapët dhe i përbetuar i njeriut.

Pasi përshkruhet besimi i drejtë, e që është besimi në një të vetmin Zot, Krijues i gjithësisë, përmendet Kur'ani, fjalë e Zotit që vërteton për shpalljet e mëparshme, andaj kohëpaskohe në disa pjesë të kësaj kaptine përmenden ithtarët e shpalljeve të mëhershme, e posaçërisht beni israilët - bijtë e Israilit që në atë kohë quheshin jehudi dhe që ishin në fqinjësi të myslimanëve në Medine. Intrigat e jehudive, dredhitë dhe besëprerja e tyre ishin të njohura, prandaj myslimanëve u jepen sqarime për rrezikun që mund t'u kanoset prej tyre, porositen të jenë syçelë ndaj provokimeve që mund t'u sjellin. Dhe mu për atë arsye, një e treta e kësaj kaptine, përshkruan historinë e karakterit të tyre, të cilin e treguan edhe me pejgamberët tjerë dhe me shpalljen e tyre. - Si çështje të rëndësishme që përfshihen me dispozitat e sheriatit islam, e që shtrohen në këtë kaptinë janë: dispozitat për agjërim, për Haxh dhe për Umre, për luftë në rrugën e Allahut, për ndjekjen e dorasit-katilit, për rregullin në familje, bashkëshortësi, për kurorëzimin dhe shkurorëzimin, për pritjen (iddetin) e gruas së lëshuar dhe të asaj që i vdes burri, për dhënien gji foshnjes, për testamentin (vasijetin), për ndalimin e kontaktimit të bashkëshortëve kur gratë janë në rendin e ciklit të menstruacionit (hajdit), për ndalimin e martesës me idhujtarë politeistë, rreptësisht për ndalimin e kamatës etj.

Në këtë kaptinë përshkruhen edhe shumë ngjarje e ndodhi të tjera siç janë: mrekullitë e Musait, kur uji gufon prej gurit, çështja e njeriut të mbytur dhe e lopës, ndërtimi i Qabes ndryshimi i kibles, çështja e magjisë, rasti i Davudit dhe Xhalutit, i Uzejrit dhe vendbanimit të shkatërruar, shpezët dhe Ibrahimi e shumë të tjera.

Pas ajeteve që flasin për kamatën, është i shënuar ajeti i fundit i shpallur nga E Kur'ani, ajeti nën numrin 281, i cili përshkruan tmerrin e ditës, kur secili njeri do të shpërblehet për punën që ka bërë gjatë kësaj jete, mirë ose keq.

Në fund myslimanët udhëzohen të pendohen për gabime, t'i këthehen mëshirës së Zotit, të kërkojnë falje mëkatësh, të kërkojnë ndihmën e Zotit për kundër armiqve të Zotit të fesë dhe të vet myslimanëve Quhet: "Suretu El Bekare" - kaptina rreth lopës, ngase nëpërmjet këtij rrëfimi, mrekullia që shfaqet në kohën e Musait bëhet e përjetshme. Në atë kohë, një nga beni israilët mbytet, e për dorasin nuk dihet. Çështjen ia paraqesin Musait me shpresë se ai do ta zbulojë katilin. Allahu e njofton Musain se ata duhej të prenin një lopë dhe me një pjesë të saj ta prekin të vdekurin, i cili me vullnetin e Zotit do të ngjallet dhe do të tregojë për dorasin. I vdekuri do të preket me një pjesë të të vdekures, e ai do të ngjallet' Ai rast në ringjalljen e njerëzve pas vdekjes shërben si argument për fuqinë e Zotit. Pra rrëfimi i ngjarjes ka domethënie të madhe. Nëse është edhe dëshira e Allahut, ngjarjen do ta përjetojmë gjerësisht në vendin e vet të kësaj sureje - Muslimi e shënon një hadith të Pejgamberit: "Mos i bëni shtëpitë tuaja varreza, shejtani ik prej asaj shtëpie në të cilën lexohet kaptina Bekare"

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:1–2:5

Sikurse disa kaptina të tjera, ashtu edhe kjo kaptinë fillon me kësilloj germash që përkujtojnë mrekullinë e përsosor të Kur'anit. Në të vërtetë, paaftësia e gjuhëtarëve arabë për të thurrur ndonjë kaptinë të ngjashme si Kur'ani, pasiqë edhe gjuha e tyre përbëhej prej të njëjtave shkronja, argumentoi për përsosmërinë e mrekullisë së pashoqe të Kur'anit famëlartë dhe për paaftësinë e njerëzve për t'iu kundërvënë.

Shkronjat e tilla në fillim të kaptinave, tërheqin vëmendjen e lexuesit ose të dëgjuesit për përmbajtjen se ç'u kumtohet nga fjalët e Zotit xh.sh. Të këtij mendimi janë dijetarët më eminentë si Ibni Kethiri, Zemahsheriu, Ibni Tejmije etj.

S'ka dyshim se në shpalljen e këtyre shkronjave, fshehet urtësia e madhe e Zotit, e megjithatë disa dijetarë shfaqën mendimin se shkronjat e këtilla janë simbole të emrave si: elifi simbolizon emrin Allah, lami, atë Xhibril dhe mimi, atë Muhammed.

Me librin e përmendur për të cilin nuk ka dyshim se është fjalë e Zotit, ka për qëllim Kur'anin, i cili ka edhe emra të tjerë si: Kitab, Furkan, Tenzilë, Edh Dhikru etj.

Kur'ani është shpallur si udhëzim për të gjithë njerëzit. Mirëpo, ata që nuk deshën të udhëzohen sipas tij, ata mbetën jashtë tij, andaj thuhet se Kur'ani është udhëzues për të devotshmit, për të ruajturit dhe besimtarët.

"Gajb" është çdo gjë që nuk mund të arrihet me anën e shqisave, siç janë: ringjallja xhenneti, xhehenemi, suali, hisabi e të tjera, pra janë të fshehta e të padukshme, por janë obligim që t'i besojmë të gjitha ato që i thotë Kur'ani ose Pejgamberi.

Fjala "salatë" në kuptim të përgjithshëm do të thotë: lutje, por këtu edhe në shumë ajete të tjera të Kur'anit ka për qëllim një trajtë të një lutjeje të posaçme që ndër ne i thuhet "namaz" (lutje, falje e obligueshme - farz).

Besimtarët e mirë prej pasurisë së tyre japin një pjesë për të gjitha nevojat e njerëzve si: sadaka, zeqatë dhe ndihma të tjera, me çka ndihmojnë përballimin e vështirësive.

Myslimanët janë të obliguar që përveç shpalljes së fundit, e cila iu shpall Muhammedit, t'i besojnë edhe shpalljet tjera që iu shpallën pejgamberëve të mëparshëm dhe të jenë të plotbindur për jetën e ardhshme pas kësaj jete. "Ahiret" quhet bota e mbramë, jeta pas kësaj jete në dynja, pas ringjalljes pra jeta në ahiret.

Në këto ajete përshkruhen cilësitë dhe virtytet e njerëzve me besim të drejtë, të cilët pa kurrfarë dyshimi janë të shpëtuar dhe fitues të shkallës më të lartë të shpërblimeve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:1–2:5

Për “Elif, Lâm, Mîm ”, ashtu si edhe për të gjitha gërmat e tjera të përdorura në Kur'an

në hapjen e disa sureve, mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme, si: 1. Këto janë nga ato ajete “ muteshabihe”, kuptimin e të cilave e di vetëm Alahu i Lartësuar. 2. Ato janë gërma që tregojnë për disa emra të Allahut të Lartësuar. Kështu p.sh., për “Elif, Lam Mim” , Elif është gërma me të cilën fillon fjala Allah, Lam është gërma me të cilën fillon emri Latif dhe Mim është gërma me të cilën fillon emri Mexhid (i Madhëruar). 3. Ato përmbajnë kuptime të rëndësishme dhe Allahu nuk i ka zbritur ato kot, siç pretendojnë disa të paditur, që thonë se në Kur'an ka fjalë që Allahu i ka zbritur thjesht për ta adhuruar Atë duke i lexuar ato, por që nuk përmbajnë asnjë kuptim. Përkundrazi, ato përmbajnë kuptime dhe urtësi në vetvete. Nëse na vijnë transmetime nga Shpallja (Kur'an e Sunet) rreth kuptimit të tyre, ne i pranojmë, e nëse jo, atëherë ne heshtim dhe themi: “...Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë.” [Al Imran 7]. Për sa i përket urtësisë në sjelljen e këtyre gërmave, janë dhënë mendime të ndryshme: 1. Ato janë sjellë që të shërbjenë si një sinjalizim për idhujtarët, që të dëgjojnë me vëmendje fjalën e Allahut. Por ky është një mendim shumë i dobët, sepse jo të gjitha suret fillojnë me të tilla gërma. Pastaj surja Bekare dhe Al Imran janë sure medinase, dhe atje nuk kishte idhujtarë. 2. Ato gërma janë sjellë për të treguar mrekullinë e këtij Kur'ani, i cili është i përbërë nga këto gërma, që edhe krijesat i përdorin në fjalët e tyre, por megjithatë janë të pafuqishëm që të bëjnë një libër e një fjalë si Kur'ani. Ky është edhe mendimi i shumë analistëve të shquar, mes të cilëve edhe shejhu i Islamit Ibn Tejmije. Një tregues i fortë për saktësinë e këtij mendimi është fakti se në çdo sure që nis me përmendjen e këtyre gërmave, në vijim përmendet Kur'ani dhe madhështia e tij si një Fjalë e zbritur nga Zoti i botëve. Shih p.sh.: “ Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri ....”. Ose “Ha, Mim! Betohem në Librin e qartë!” “Ha, Mim ! Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.” “ Ha, Mim! Betohem në Librin e qartë. Ne e shpallëm Kur'anin në arabisht, që ju ta kuptoni.” “ Ja, Sin! Betohem në Kur'anin plot urtësi...” etj. - “Ky është Libri...” Me fjalën “Libri” thuhet se është patur për qëllim Teurati dhe Ungjilli, por ky është një mendim shumë i gabuar dhe i pabazuar në argument. E vërteta është se bëhet fjalë për Kur'anin. “Në të nuk ka asnjë dyshim.” Pra, nuk ka dyshime e pasiguri në faktin se ai është shpallje e Allahut, sikurse thotë i Lartësuari: “Kjo është shpallja e Librit (e Kur'anit), në të cilin nuk ka asnjë dyshim se është (shpallje) nga Zoti i botëve.” [Sexhde 2]. Disa kanë thënë se kjo fjali është një fjali dëftore, por që nënkupton një urdhër, pra: “Mos kini asnjë dyshim në të!” Ajeti mund të lexohet në dy mënyra: “Dhâlikel kitâbu lâ rejb - Ky është Libri, nuk ka asnjë dyshim.” Këtu qëndron, dhe pastaj vazhdon: “ Fihi huden lil mut -tekin - Në të ka udhëzim për të devotshmit”. Por mund të lexohet edhe

kështu: “ Dhâlikel kit âbu l â rejbe fihi - Ky është Libri, që nuk ka asnjë dyshim në të.” Këtu qëndron, dhe pastaj vazhdon: “ Huden lil mut -tekin - Ai është udhëzim për të devotshmit”. Mënyra e dytë është më parësore të përdoret, sepse tregon se Kur'ani është i gjithi udhëzim, ndërsa mënyra e parë thjesht na tregon se në këtë Kur'an ka udhëzime. Ndryshimi mes dy kuptimeve është i qartë. - Ai është Udhëzim për të devotshmit.” - Ai është udhëzim në mënyrë të veçantë për këtë kategori, sikurse thuhet edhe në ajete të tjera: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”.” [Fussilet 44]. “ Ne të shpallëm Kur'anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim.” [Isra 82]. E të tjera ajete, që tregojnë se besimtarët janë ata që përfitojnë nga ky Kur'an. Në fakt, Kur'ani është në vetvete një udhëzim i qartë dhe mund të shërbejë si i tillë për gjithkënd, por këtë udhëzim mund ta arrijnë e të stolisen me të veçse vepërmirët besimtarë, siç thotë i Madhëruari: “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët.” [Junus 57]. Es -Suddiu thotë: “Ai është nur dritë për të devotshmit”. Ibn Abasi ka thënë se të devotshmit janë ata të cilët ruhen nga idhujtaria e cënimi i njëshmërisë së Zotit dhe punojnë për t’iu bindur Allahut të Lartësuar. Ndërsa Hasan el Basriu ka thënë: “Janë ata që ruhen nga haramet e Zotit dhe i përmbushin detyrat e Tij.” Ata i frikësohen ndëshkimit të Allahut, shpresojnë shpërblimin e Tij dhe i ruhen harameve. Katadja thotë: “Janë ata të cilët përshkruhen edhe në ajetet në vijim me cilësitë e besimtarëve të devotshëm.”. Ibn Xheriri është i mendimit se ajeti i përfshin të gjithë. Një hadith thotë: “Robi nuk ka për t’ia arritur të jetë muttekin, derisa të lërë atë që nuk është e ndaluar, nga frika se mos është e ndaluar.”. Udhëzimi është disa llojesh. Me fjalën “udhëzim” ndonjëherë është për qëllim imani ose ndjenjat që zënë vend në zemrën e njeriut, dhe këtë nuk ka fuqi që ta krijojë askush tjetër veç Allahut. Me fjalë të tjera, ‘el hidajetu’ (udhëzimi) është “Halkul kudrati alet -tâ’ati” - krijimi i aftësisë dhe forcës së mjaftueshme për të adhuruar Allahun dhe për t’iu bindur e nënshtruar Atij. Allahu i Lartësuar, për këtë lloj udhëzimi, thotë: “ Ti nuk do të mund ta udhëzosh çdokënd që do ti, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dojë dhe Ai i di më së miri ata që e marrin (dhe e meritojnë) udhëzimin.” [Kasas 56]. Gjithashtu, thotë: “Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do.” [Bekare 272]. “Për ata që Allahu i lë në humbje, nuk ka udhëzues. Ai do t’i lërë ata të enden në mosbesimin e tyre.” [ El ea ’raf 186]. Herë të tjera, fjala ‘udhëzim’ vjen me kuptimin: qartësimi i së vërtetës dhe tregues i saj, siç thotë i Lartësuari: “Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë. Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç'ka në qiej dhe ç'ka në Tokë.”[Shura 52]. “Ata që nuk besojnë thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë shenjë nga Zoti i tij?” Por ti je veçse një qortues dhe çdo popull ka pasur udhërrëfyes.” [Rad 7]. “Sa i përket (popullit të) Themudit, Ne ia treguam udhën e drejtë, por ata parapëlqyen verbërinë (e zemrës) kundrejt udhëzimit. Prandaj i kapi tmerri i dënimit poshtërues për shkak të asaj që kishin vepruar. ” [Fussilet 17]. Et-takuâ (devotshmëria) në origjinën e saj ka kuptimin e ruajtjes dhe mbrojtjes nga diçka që i druhesh dhe e urren. Umeri e ka pyetur Ubej Ibn Kea’bin rreth takua-s, dhe ai tha: “A ke ecur ndonjëherë në ndonjë rrugë me gjemba?” - “Po”. - “Si ke vepruar?” - “Kam treguar kujdes të madh dhe jam përpjekur të

ruhem.” Ubeji tha: “Ja, kjo është takua!” Në këtë fjalë është mbështetur Ibn Mu’tezi, kur thuri vargjet e njohura: "Lëri gjynahet, të voglat e të mëdhatë, Ja, kjo është devotshmëria! Kujdesu, si ai që ecën në tokën me gjemba, që ruhet nga ajo që sheh! Mos nënvleftëso asnjë gjynah që të duket i vogël, sepse edhe malet, nga guralecë të vegjël formohen. " Në Sunenin e Ibn Maxhes shënohet se Profeti ﷺ ka thënë: “Pas devotshmërisë, njeriu nuk përfiton ndonjë gjë më të mirë sesa një grua të mirë, të tillë që, kur e sheh atë, i sjell kënaqësi e gëzim; kur e urdhëron, i bindet, kur i kërkon diçka (e i betohet) për hir të Zotit, ajo ia plotëson e nuk ia thyen betimin, dhe nëse ai nuk është i pranishëm, ajo e ruan (e kujdeset për) veten e saj dhe pasurinë e tij.” - “... të cilët besojnë në të fshehtën , ...” “El iman ”, nga ana gjuhësore, do të thotë: “et-taŝdîķ (pohim, miratim, besim me siguri të plotë i diçkaje). Në Sheriat “iman” është pohimi i çështjeve të besimit me fjalë, të besuarit të tyre me zemër dhe të punuarit sipas këtij besimi”. 43 Kështu, nëse ne kemi për qëllim këtë kuptim të fjalës “ îmân”, mund të themi se ai shtohet dhe pakësohet. Ai shtohet kur bëjmë punë të mira në bindje ndaj Zotit dhe pakësohet nga gjynahet. Ky lloj besimi bën që në zemrën e robit të lindë ajo që quhet “ el hashjeh”, domethënë, frika nga Zoti i Lartësuar, që vjen nga dituria rreth Tij”. Kështu, besimtari i mbushur me frikë për Zotin e tij, nuk bën vepra që kundërshtojnë urdhrin e Zotit, as thotë fjalë që Ai i ka ndaluar, apo të besojë besime e doktrina që Ai nuk i ka shpallur apo sjellë përmes shpalljeve dhe profetëve të Tij. Të besosh të fshehtën do të thotë të besosh diçka pa e parë atë. Këta e besojnë të fshehtën për të cilën na ka urdhëruar Zoti që ta besojmë, me siguri të plotë. Besimi në të fshehtën për të cilën jemi urdhëruar ta besojmë është besimi në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, profetët e dërguar prej Tij, në Ditën e Gjykimit, në caktimin e të mirës dhe të keqes vetëm prej Tij, në ringjalljen pas vdekjes, Xhenetin, Zjarrin etj. Të gjitha këto janë prej besimit në të fshehtën. Nga Abdurrahman Ibn Jezid përcillet se ka thënë: “Një ditë ishim ulur tek Abdullah Ibn Mesudi dhe ishim duke kujtuar sahabët e Profetit ﷺ dhe faktin se ata na paraprinë në mirësitë e sevapet e shumta. Ai tha: “Çështja e Muhamedit ishte e qartë për ata që e panë me sy. Por betohem në Atë, që nuk ka Zot tjetër që meriton adhurimin veç Tij, se askush nuk ka një besim më të mirë e të shpërblyeshëm sesa besimi në të fshehtën!” Pastaj lexoi ajetet: “Ai është udhëzim për të devotshmit, të cilët e besojnë të fshehtën, e përkryejnë namazin ... deri në fjalën e Tij: “ Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit. ” Po të njëjtin mesazh përcjell edhe hadithi i sjellë nga imam Ahmedi prej Muhajrizit, i cili tregon: “I thashë Ebu Xhumuates: “Na trego një hadith që e ke dëgjuar nga Profeti ﷺ ’!- “Po, do t’ju tregoj një hadith shumë të bukur. “Një ditë, ishim për drekë tek Profeti i Allahut dhe me ne ishte edhe Abdullah Ibn Xherrah. Ai tha: “O Profeti i Allahut! A mund të jetë dikush tjetër më mirë sesa ne? Ne e pranuam Islamin me ty dhe luftuam përkrah teje.” - “Po. Është një popull që do të vijë pas jush. Ata do të më besojnë mua, edhe pse nuk do të më kenë parë.” Në një transmetim tjetër nga Salih Ibn Xhubejri thuhet: “Ebu Xhumuate el Ensari, - sahabi i Profetit të Allahut, - erdhi për vizitë në Bejt el Makdes për të falur namazin. Atë kohë me ne ishte edhe Ebu Hajuete, - Allahu qoftë i kënaqur me të! Kur mbaroi namazin, u ngritëm ta përcillnim. Kur po largohej, tha: “Kam një lajm të mirë dhe të vërtetë, që dua t’jua jap. Do t’ju tregoj për një hadith. që e kam dëgjuar nga Profeti i Allahut.” - “Na e jep, Allahu të mëshiroftë!” - i thamë. Ai tha: “Një ditë ishim bashkë me Profetin e Allahut dhe me ne ishte edhe Muadh Ibn Xhebeli, - njëri nga Dhjetë të Përgëzuarit me Xhenet. Ne i thamë: “O i Dërguari i Allahut! A ka ndonjë që e ka shpërblimin më të madh se ne? Ne të besuam dhe e pasuam rrugën tënde...”. Profeti ﷺ tha: “E

çfarë ju pengon ju nga kjo, kur Profeti i Allahut është në mesin tuaj dhe jua sjell Shpalljen nga qielli? Pas jush do të vijnë njerëz, të cilëve u vjen libër mes dy kapakësh dhe ata e besojnë dhe punojnë sipas tij. Ata kanë shpërmblim më të madh se ju! Ata kanë shpërmblim më të madh se ju.” Ndër cilësitë e besimtarëve të devotshëm është se ata: - e përkryejnë namazin, - “El salatu ” (namazi), në gjuhë, ka kuptimin e duasë, lutjes. Ndërsa në terminologjinë fetare nënkupton namazin, adhurimin e njohur me ruku, sexhde dhe fjalë e veprime të njohura, që kryhen në kohë të caktuara. Namazi ka kushte e veprime të njohura dhe Allahu e ka bërë detyrë për robërit që ta falin pesë herë në ditë. Ai është shtylla e dytë e Islamit, për nga rëndësia. Ta përkryesh namazin do të thotë që ta falësh atë në kohën e vet, të pastrohesh mirë ritualisht para tij dhe ta falësh atë duke plotësuar të gjitha veprimet e fjalët që thuhen gjatë tij, të plotësosh e bësh sa më mirë rukunë, sexhden, leximin e Kur'anit, teshehudin, salavatet për Profetin etj. - dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne ; - Ibn Abasi thotë për këtë ajet: “Pra, nxjerrin zekatin e pasurive të tyre.” Përpara se të ligjëroheshin dispozitat për zekatin, shpenzimi për hir të Zotit nënkuptonte harxhimet që njeriu bënte për familjen e vet. Ibn Xheriri mbështet mendimin se në këtë ajet bëhet fjalë si për shpenzimet e pëlqyeshme, ashtu edhe ato të detyrueshme. Allahu i Lartësuar përmend shumë shpesh në Kur'an urdhrin për faljen e namazit së bashku me urdhrin për të shpenzuar nga pasuria që na ka dhuruar. Falja e namazit është haku i Zotit dhe shprehje e adhurimit për Të. Gjatë namazit, robi dëshmon njëshmërinë e Allahut, e përlëvdon Atë, i shpreh Atij madhërimin e përunjësinë, i drejtohet me lutje dhe i mbështetet tërësisht Atij. Ndërsa shpenzimi i pasurive është bamirësi ndaj krijesave, duke qenë i dobishëm për ta. Sigurisht që njerëzit më të meritueshëm për këto shpenzime janë familja e farefisi, pastaj shërbëtorët e robërit, e pastaj ata më të largëtit. Sadakatë dhe zekati duhet të jepen për hir të Allahut dhe në emër të bindjes ndaj Tij e jo për interesa të kësaj dynjaje, për ndonjë interes nga krijesat apo nga frika prej tyre. Qëllimi i besimtarit kur jep zekatin dhe sadakatë është arritja e shpërblimit të Allahut dhe kënaqësisë së Tij, ruajtja nga ndëshkimi i Allahut e zemërimi i Tij. Ai është i vetmi synim i besimtarit. Në dy Sahihët është sjellë hadithi prej Ibn Umerit, se Profeti ka thënë: 45 . “Islami u ndërtua mbi këto të pesta: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar) veç Allahut dhe se Muhamedi është adhuruesi dhe profeti i Tij, përkryerja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi në Shtëpinë e Tij (Qabe).” Më hollësisht për zekatin do të flasim më pas, në dashtë Allahu i Lartësuar. - dhe për ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty... - Pra, e besojnë këtë Kur'an që t’u shpall ty nga Zoti. - dhe në atë që është shpallur para teje... - I besojnë të gjitha shpalljet që Zoti u dha profetëve para teje. Ata besojnë Teuratin, Ungjillin, Zeburin e të gjitha shpalljet e Allahut dhe nuk bëjnë dallime mes shpalljeve dhe profetëve. - dhe për botën tjetër (ahiretin) ata janë të bindur plotësisht. - Pra ata nuk i trazon asnjë dyshim për vërtetësinë e botës tjetër, pra, për ringjalljen, Kijametin, Xhenetin, Zjarrin, llogarinë e drejtë para Zotit e peshimin e veprave të njerëzve. Ahireti është quajtur “i fundit”, sepse vjen pas dynjasë. Ky është përshkrimi për besimtarët në përgjithësi, qofshin nga arabët apo nga ithtarët e Librit, të cilët besuan Profetin e Fundit, Muhamedin ﷺ. Ky është mendimi më i pranueshëm, sikurse ka thënë Muxhahidi: katër ajete nga surja Bekare janë për përshkrimin e besimtarëve, dy ajete janë për përshkrimin e qafirëve dhe trembëdhjetë ajete janë për përshkrimin e munafikëve. Këto katër ajete janë gjithëpërfshirëse të cilësive të çdo besimtari, qoftë ai arab, joarab, ithtar libri,

qoftë prej njerëzve apo prej xhindëve. Pastaj mund të themi me bindje se asnjë nga këto cilësi të veçanta nuk mund të jetë e saktë pa cilësitë e tjera. Çdonjëra prej tyre parakupton të tjerat. Kështu për shembull, besimi në të fshehtën nuk mund të jetë i saktë e i pranuar pa besimin në shpalljet që solli profeti nga Zoti i tij dhe pa besimin në shpalljet që u shpallën para tij, ose pa besimin e plotë dhe të sigurt për ahiretin. Prandaj Allahu i Madhëruar urdhëron besimtarët për të besuar në të gjitha këto çështje, kur thotë: “O ju që keni besuar! Besoni plotësisht në Allahun, në të dërguarin e Tij, në Librin që ia ka shpallur të Dërguarit të Tij dhe në Librin që ua ka zbritur atyre para tij. Kush nuk beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e gjykimit, ai ka humbur shumë larg (rrugës së drejtë) .” [Nisa 136] dhe kur thotë: “...dhe thuajuni: “Ne i besojmë shpalljes që na u zbrit neve dhe shpalljes që ju zbriti juve. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” [Ankebut 46]. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar duke na njoftuar rreth besimtarëve thotë: “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij (duke thënë) : “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë. Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” . [Bekare 285]. Kështu, çdokush që e besoi Muhamedin ﷺ prej xhindëve e njerëzve dhe i përmbushi në veten e vet cilësitë e përmendura në këtë ajet: - Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre ... - Pra, janë në dritë e argument të sigurt e të qartë, të dhënë nga Allahu i Lartësuar. - dhe vetëm ata janë të shpëtuarit. - Ata shpëtuan dhe arritën gjithçka që kërkuan prej Allahut të Madhëruar, përmes veprave të tyre të mira dhe imanit të tyre korrekt në Allahun dhe Profetin e Tij. Ata fituan shpërblimet e shumta të Zotit dhe Xhenetin e përjetësisë. Ata shpëtuan nga ndëshkimi, të cilin Zoti do të japë për armiqtë e tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:1–2:5

Për sa i përket “ Bismilah”-it, folëm më sipër. Ndërsa për sa u përket g ërmave të alfabetit, të përmendura në fillim të sures, ndoshta është më e udhës heshtja ndaj kuptimit të tyre, kur nuk ka prova e dëshmi të qarta nga feja. Ne nuk themi asnjë fjalë të prerë rreth kuptimit të tyre, por për diçka jemi të sigurt: Allahu i Madhëruar nuk i ka zbritur ato pa qëllim. Ato fshehin urtësi që ne nuk i dimë. - “Ky është Libr i” - Ky është një L ibër i madh në të gjitha aspektet . Ai është përfshirës i asaj çka asnjë libër tjetër, i të parëve e i të fundmëve, nuk e ka përfshirë. Lëndë e tij është dija madhështore, është e vërteta e qartë, e sigurt dhe e pakundërshtueshme. - “Në të nuk ka mëdyshje...” - Ky, pra, është një libër, tek i cili nuk mund të kihet asnjë mëdyshje a dyshim. Mohimi i mëdyshjeve e dyshimit nënkupton pohimin e të kundërtës së tij, dhe e kundërta e dyshimit është siguria ( jaķîn). Ky libër është zbulues i dijes së sigurt, e cila largon çdo dyshim apo mëdyshje. Ja pra, sapo u përmend një rregull shumë i dobishëm në Islam, që thotë: “Mohimi i një cilësie negative nuk mund të konsiderohet kurrë si lavdërim, nëse nuk shoqërohet me pohimin e të kundërtës së saj, e cila është dhe duhet të jetë e për kryer.” Vetë mohimi, i shkëputur, nuk përmban lavdërim nëse nuk shoqërohet me atë çka përmendëm. Duke qenë se ky Libër përmban në vetvete jakinin (sigurinë apo dijen e sigurt) dhe duke ditur se udhëzimi në Rrugën e Drejtë mund të arrihet veçse duke marrë dijen e sigurt, atëherë Allahu i Madhëruar dëshmon dhe na jep siguri se ky libër prej të cilit duhet të marrim diturinë është: - “Ai është Udhëzim për të devotshmit” - Fjala ‘hudâ’ (udhëzim) nënkupton gjithçka me anë të së cilës dallohet rruga e drejtë nga e gabuara, dallohet dija e sigurt nga dyshimi dhe mëdyshjet. ‘Udhëzim’ quhet gjithçka që tregon dhe qartëson rrugët e dobishme që duhet të ndjekë robi në këtë jetë. Diçka tjetër shumë e këndshme, që nuk mund të lihet pa u përmendur, është edhe fakti se Allahu i Madhëruar e ka përdorur fjalën hudâ në trajtën e pashquar, pra, duke mos përcaktuar se për çfarë drejtimi apo sfere është udhëzim ky libër. Ai nuk ka thënë: “Udhëzim për të arritur këtë apo atë gjë të dobishme”. Kuptohet që kjo bëhet me

qëllim të përfshirjes së një hapësire të pafund mirësish. Pra, kur i Lartësuari thotë që ky libër është “udhëzim për të devotshmit”, kjo do të thotë që ai është udhëzim për të zbuluar dhe ndjekur të gjitha rrugët e mirësive, të dynjasë e të ahiretit qofshin. Ai është zbulues i mirësive kryesore dhe i degëzimeve të tyre, qartësues i së vërtetës nga e kota dhe i të saktës nga e pasakta, sqarues i rrugëve të humbjes dhe kërcënues për t’u larguar prej tyre. Ai është tregues i të gjitha mundësive të shpëtimit: dëftues i rrugëve të lumturisë së kësaj jete dhe të jetës tjetër. Në ajet thuhet se Kur’âni është udhëzim për të devotshmit ( mutekin), nga mund të kuptohet se ai është udhëzim vetëm për ta. Por, në një vend tjetër në Kur’ân, Allahu i Madhëruar pohon që ky libër është: “Udhëzim për të gjithë njerëzit”. Kur’âni, në vetvete, është udhëzues për të gjitha krijesat, por të mjerët e fatzinjtë nuk përfitojnë nga ky udhëzim i përgjithshëm dhe nuk e pranojnë udhëzimin e plotë të Allahut. Ky udhëzim i përgjithshëm nuk ndryshon asgjë tek ata, veç faktit që justifikimi i tyre para Krijuesit nuk do të ketë vlerë, dhe kështu bëhet i meritueshëm ndëshkimi prej Allahut Krenar dhe të Drejtë. Ndërsa të devotshmit japin maksimumin për të merituar udhëzimin e vërtetë, që përmendet në Kur’ân, prandaj vetëm ata e meritojnë këtë udhëzim. Të japësh maksimumin për të merituar udhëzimin e vërtetë, do të thotë të pajisesh me devotshmëri ( taķuâ). Taķuâ është mburoja që të ruan nga zemërimi i Allahut dhe nga ndëshkimi i Tij. Ajo realizohet veçse duke kryer urdhëresat e Allahut dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Në këtë këndvështrim, është shumë e qartë se të vetmit që përfitojnë udhëzimin e plotë nga argumentet e Zotit, janë të devotshmit. Për të sqaruar dhe shtjelluar edhe më mirë këtë çështje, themi se udhëzimi i Allahut për krijesat është dy llojesh: 1. Udhëzimi i qartësimit (të së vërtetës) (Hidâjetul Bejân). 2. Udhëzimi drejt rrugës së suksesit (Hidâjetu et-Teufîķ). Ky është udhëzimi për të kryer vepra të mira e për t’u larguar nga ato vepra të këqija, që të çojnë në zemërimin e Allahut dhe ndëshkimin e Tij. Të devotshmit i kanë të dyja llojet e udhëzimit: edhe udhëzimin e qartësimit, edhe atë për të patur sukses e për të punuar e jetuar sipas tij, ndërsa disa të tjerë gëzojnë veçse udhëzimin e qartësimit (udhëzimin e përgjithshëm). Por, vetëm qartësimi i rrugës së drejtë, pa patur suksesin në veprimin sipas saj, nuk është udhëzim i plotë dhe i mjaftueshëm. Udhëzimi i plotë është njohja e së vërtetës dhe vënia e saj në zbatim. Në vazhdim, Allahu i Madhëruar i përshkruan të devotshmit me veçoritë e tyre në aspektin e besimit dhe në aspektin e veprave të tyre, të dukshme dhe të fshehta, sepse devotshmëria, cilësia e tyre e përgjithshme, është e ndërtuar dhe e gatuar nga këto vepra dhe besime. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: - “... të cilët e besojnë të fshehtën ” - Esenca e besimit qëndron në pohimin dhe pranimin pa mëdyshje të gjithçkaje rreth së cilës na kanë lajmëruar profetët. Kjo nënkupton nënshtrimin e plotë të të gjithë qenies tonë ndaj këtyre kumteve. Siç shihet, problemi nuk qëndron në besimin e çështjeve të prekshme dhe të konceptueshme nga shqisat, sepse ky lloj besimi nuk e dallon mohuesin nga besimtari. E gjithë çështja është e përqendruar te besimi në të fshehtat, të cilat as i kemi parë e as i kemi dëshmuar, por që i besojmë thjesht duke u mbështetur në kumtet që na vijnë nga Allahu i Lartësuar dhe nga Profeti (s.a.u.s.). Pikërisht ky është besimi që bën dallimin mes mohuesit dhe besimtarit. Ky besim është miratim i pastër dhe pohim i sinqertë i gjithçkaje që vjen nga Allahu i Lartësuar. Besimtari beson dhe miraton gjithçka rreth së cilës na ka lajmëruar Allahu dhe Profeti i Tij (s.a.u.s.), pavarësisht nëse e ka parë apo jo atë gjë rreth së cilës njoftohet. Ai e beson atë, pavarësisht nëse e kupton apo ende nuk ka

arritur ta kuptojë e konceptojë tërësisht atë gjë për të cilën urdhërohet ta besojë. Natyrisht, kjo është në kontrast të thellë me gjendjen që i karakterizon mohuesit dhe keqbërësit, të cilët i mohojnë çështjet e fshehta. Ata i mohojnë kumtet rreth të fshehtave, thjesht dhe vetëm për shkak se mendjet e tyre të ngushta dhe të varfra nuk arrijnë t’i kuptojnë dhe t’i konceptojnë ato. Ata i mohojnë, edhe pse nuk japin as minimumin e tyre për t'u pajisur me dijen e nevojshme për të gjyk uar drejt rreth këtyre kumteve. Ndërsa mendjet e besimtarëve, që miratojnë dhe pohojnë të vërtetën, që drejtohen me udhëzimin e zbritur nga Allahu i Madhëruar, janë të ndriçuara dhe të kthjellëta. Të besosh në të fshehtën do të thotë të besosh gjithçka rreth së cilës ka lajmëruar Allahu i Madhëruar, të jesh i sigurt rreth ngjarjeve të së shkuarës dhe të së ardhmes (që përshkruhen në tekstet hyjnore), rreth gjendjeve dhe skenave të Ditës së Gjykimit, si edhe për vërtetësinë e cilësive dhe emrave të Allahut të Madhëruar. Besimtarët i besojnë të gjitha këto. Ata besojnë në ekzistencën dhe vërtetësinë e këtyre ngjarjeve e kumteve dhe janë të sigurt rreth tyre, edhe pse ndoshta nuk mund t’i konceptojnë dhe t’i kuptojnë hollësisht dhe konkretisht se si janë në të vërtetë këto çështje. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - “E përkryejnë namazin …” - Allahu i Madhëruar, për të treguar se si e falin namazin të devotshmit, ka përdorur fjalën ‘juķîmûne’, domethënë: e kryejnë në mënyrën më të plotë atë. Ai nuk ka thënë thjesht: “jefalûne” – “e bëjnë”, ose “ je'tûne bihi” – “e paraqesin namazin”, sepse për të kryer namazin në formën e kërkuar, me të cilën meriton gradën “i devotshëm”, nuk mjafton ta paraqesësh atë thjesht në formën dhe në veprimet e jashtme. “Të përkryesh namazin” do të thotë ta realizosh atë të plotë, si në aspektin e kushteve, shtyllave, detyrave dhe syneteve të tij të jashtme, ashtu edhe në aspektin e kushteve, shtyllave, detyrave dhe syneteve që kanë të bëjnë me zemrën dhe s hpirtin (aspektin e brendshëm). Kjo e fundit kryhet du ke u përkujdesur që të shijosh “ shpirtin” dhe ëmbëlsinë e namazit, e cila arrihet duke qenë me zemrën tënde vazhdimisht i pranishëm në gjithçka që thua dhe që vepron gjatë namazit. Vetëm ky lloj namazi është ai për të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, namazi të frenon nga poshtërsitë dhe nga veprat e këqija.” Shpërblimi i Allahut të Madhëruar për namazin është i lidhur ngushtë me gradën e përqëndrimit në të dhe të përkushtimit ndaj tij. I njëjti gjykim vlen si për namazet e detyruara, ashtu edhe për ato vullnetare (nafile) dhe të pëlqyera (synete). Pastaj, Allahu i Madhëruar thotë: - “dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne” - Në këtë ajet flitet për shpenzimet e detyrueshme, sikurse janë: zekati, shpenzimet për gratë, fëmijët, të afërmit, robërit etj., por edhe për shpenzimet jo të detyrueshme, që janë të pëlqyeshme, në të gjitha sferat e mirësive. Vështro me kujdes! Këtu Allahu nuk ka treguar se kujt duhet t’i jepen a dorëzohen këto shpenzime e kontribute, sepse si shkaqet që i bëjnë të nevojshme këto shpenzime, edhe ata që i meritojnë ato, janë të shumëllojshme. Ai nuk i ka përcaktuar edhe për faktin se, këto shpenzime bëhen në shenjë adhurimi dhe afrimi tek Allahu i Madhëruar, pavarësisht se kujt i jepen. Duhet të përmendim edhe një moment shumë të bukur . Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne ”. Parafjala “nga” tregon pjesë të së tërës. Ajo përdoret për të qartësuar krijesat se Ai kërkon prej tyre veçse një pjesë të vogël të asaj pasurie që po Ai ua ka dhënë, pjesë e cila nuk i dëmton e nuk i rëndon aspak ata. Madje, të parët që përfitojnë nga shpenzimi janë pikërisht shpenzuesit, dhe pastaj vijnë vëllezërit e tyre në nevojë. Fjala e Allahut të Madhëruar: “ razeķnâhum” (… që u kemi dhënë Ne …) domethënë: Këto pasuri që ndodhen në duart tuaja, në fakt, nuk janë produkt i punës, fuqisë dhe pushtetit tuaj,

por janë thjesht furnizim dhe bamirësi prej Allahut të Madhëruar, të cilat Ai i ka lënë në shërbimin dhe kujdestarinë tuaj. Kështu pra, sikurse Ai ju zgjodhi ju mbi të tjerët, duke ju bërë një favor, tregoni edhe ju mirënjohjen tuaj ndaj Tij, duke shpenzuar një pjesë të asaj që Ai ju ka dhuruar, për t’u solidarizuar me vëllezërit tuaj që nuk kanë dhe për t’i ndihmuar ata. Është për t’u përmendur edhe fakti që, Allahu i Madhëruar, në Kur’ân, shumë shpesh i ka përmendur së bashku çështjen e namazit dhe çështjen e zekatit. Kjo përmban një urtësi të këndshme: namazi mbjell sinqeritetin ndaj të Adhuruarit, ndërsa zekati përfaqëson bamirësinë ndaj robve të Tij. E pra, lumturia e adhuruesit qëndron mbi këto dy shtylla: te sinqeriteti ndaj të Adhuruarit dhe te përpjekja për të qenë në ndihmë të krijesave; kurse shkaku i dëshpërimit dhe i humbjes qëndron tek t ë kundërtat e këtyre shtyllave. E si mund të jetë i lumtur ai që nuk gëzon sinqeritetin e adhurimit dhe ai që nuk është i dobishëm për krijesat?! Pastaj, Allahu i Madhëruar thotë: - “…dhe për ata të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty” - Muhamedit (s.a.u.s.) iu shpall Kur’âni dhe Suneti, sikurse qartëson i Madhëruari kur thotë: “Allahu të shpalli ty Kur’ânin dhe Urtësinë (Sunetin)”. Të devotshmit, pra, besojnë gjithçka që iu shpall Profetit (s.a.u.s.). Ata kurrë nuk bëjnë dallime mes pjesëve të Shpalljes që i erdhi atij, duke besuar diçka dhe duke mohuar diçka tjetër. Mohimi mund të bëhet në këto forma: ose duke mos e pranuar atë që është shpallur nga Allahu, ose duke i dhënë asaj që është shpallur interpretime që bien ndesh me qëllimet dhe synimet që ka pasur Allahu i Madhëruar dhe P rofeti i Tij (s.a.u.s.). Në këtë gabim të fundit kanë rënë shumë të humbur, të cilët, kur hasin në ajete dhe hadithe që bien ndesh me mentalitetin e tyre, ua shtrembërojnë kuptimin si pa të keq, tregues ky i mospranimit të kuptimit të tyre të vërtetë. Ata, edhe pse pretendojnë se i besojnë tekstet, në momentin që i keqinterpretojnë ato, deklarojnë mohimin e tyre dhe tregojnë se, në të vërtetë, nuk i kanë besuar ato. - “…dhe në atë që është shpallur para teje …” – Këtu flitet për besimin në librat dhe shpalljet hyjnore paraardhëse të Kur'anit. Besimi te librat hyjnorë nënkupton edhe besimin te profetët të cilëve iu shpallën këta libra. Ky besim nënkupton në mënyrë të veçantë besimin te përmbajtja thelbësore e librave kryesorë të shpallur para Kur’ânit, të cilët ishin: Teurati, Zeburi dhe Ungjilli. Kjo, pra, është një veçori tjetër e besimtarëve të vërtetë. Ata besojnë të gjitha shpalljet qiellore dhe të gjithë profetët të cilëve iu zbritën këto shpallje, pa bërë asnjë dallim mes tyre. Më pas, Allahu i Madhëruar vazhdon duke përmendur veçori të tjera të mutekin-ëve: - “… dhe p ër botën tjetër (ahiretin), ata janë të bindur plotësisht.” – El âħirat u është një emër që përfshin gjithçka që do të vijë pas vdekjes. Këtu vërejmë se Allahu i Madhëruar e ka veçuar përkujtimin e kësaj dite, pasi e përmend në fillim në mënyrë të përgjithësuar (kur flet për besimin në të fshehtën). Dihet që besimi në botën e përtejme është pjesë e besimit të muslimanit, madje shtyllë e këtij besimi. Allahu i Madhëruar e veçon përmendjen e kësaj dite, sepse ajo është një nga nxitëse t më të fuqishme të veprave dhe të ndjenjave të domosdoshme të adhurimit, sikurse janë shpresa dhe frikë -respekti ndaj Allahut të Madhëruar. Jakin-i, nga ana tjetër, nënkupton dijen e plotë dhe të sigurt, që nuk lë as me të voglin dyshim e luhatje dhe që domosdoshmërisht të nxit të veprosh. - “…Vetëm ata janë të udhëzuar në rrugën e drejtë nga Zoti i tyre …” - Fjala “huden” (drejtim, udhëzim) vjen në trajtën e pashquar, formë e cila (në arabisht) tregon madhështinë dhe rëndësinë e asaj që shënon kjo fjalë. Pra, ajeti kuptohet kështu: Ata janë në një udhëzim madhështor, të përkryer dhe shumë të rëndësishëm prej Zotit të tyre . A ka udhëzim më të mirë dhe më të rëndësishëm sesa ai që të jep sukses

të stolisesh me të tilla cilësi të vyera, që janë fryte të besimit të pastër dhe nxitje për vepra të mira dhe të drejta?! A mund të ketë udhëzim tjetër të vërtetë, përveç atij që gëzojnë këta të zgjedhur?! Vetëm ky mund të quhet "udhëzim". Gjithçka tjetër e ka emrin “humbje”. Para fjalës “ huden”, është përdorur parafjala “ala” (mbi, lart, sipër). Pra, fjalë për fjalë, kuptimi është: “ Ata janë mbi një udhëzim ”, për të treguar lartësinë e të udhëzuarve dhe faktin që ata qëndrojnë mbi të tjerët. Kurse kur flet për të humburit, Allahu thotë që ata janë “ fi đalâl ”, duke përdorur parafjalën ‘ fi’ (në, brenda), që do të thotë se ata janë: “në humbje”, ose më qartë: “të zhytur brenda humbjes”. Kjo duket edhe në këtë ajet kur’ânor: “Pa dyshim që, ne ose ju, jemi ose të lartësuar në një udhëzim ( alâ huden ), ose të zhytur në një humbje të sigurt ( fî đalâl ...).”. Në fakt, i udhëzuari është gjithmonë lart, a thua se është hipur mbi “udhëzim”, dhe ashtu mbi të, ai udhëton drejt Zotit . Ndërsa i humburi është i zhytur në humbje, i poshtëruar dhe i pavlefshëm. Pastaj i Madhëruari thotë: “…dhe vetëm ata janë të shpëtuarit ” – “El felâĥ ” quhet fitimi i asaj që dëshiron dhe shpëtimi nga ajo së cilës i druhesh. Allahu i Lartësuar e ka kufizuar dhe veçuar “felâĥ -un” vetëm për ta, sepse e vetmja rrugë që të çon drejt tij është rruga e tyre. Rrugët e tjera të çojnë veçse në trishtim, shkatërrim dhe dëshpërim. Pasi tregon cilësitë e vërteta të besimtarëve, Allahu jep edhe cilësitë e jobesimtarëve, të cilët e shfaqin haptazi mosbesimin dhe kokëfortësinë inatçore ndaj Profetit (s.a.u.s.)

← Bekare 2:1